HEROI IM…

0
1253
Shefqet Dibrani - Isa Istogu

Shefqet Dibrani

ING. ISA SH. ISTOGU (15.02.1961 – 24.05.1999)

Kushtuar shokut të klasës, të dhomës dhe idealit ing. Isa Sh. Istagu, me rastin e 21 vjetorit të vrasjes në luftën e UÇK-së. Profesorit Isa Sh. Istogu që me heroizin e tij ka mbetur gjallë në kujtesën e shokëve të klasës!

Kosova ka heronj, ka trima. Edhe unë kam Heroin Tim! Isa Sh. Istogu, sot ka përvjetorin e flijimit a të ngjitjes tek yjet. U bënë 21 vjet që kur po na vështron nga lart, nga Zotat, për bëmat tona, për veprimet tona. Heroi im e përgjon lirinë për të cilën u flijua?! E kjo sintagmë më mundon, bashkë me pranverën më molisin tejmase. Andaj jam venitur, pasi në këtë natë nuk guxoj t’i shikoj yjet?!

Nuk e di cili është Ylli im, cili nga ata Yjet që shndritë është shoku i klasës, është Heroi im, me të cilin kemi jetuar e banuar në një dhomë, kemi ngrënë e pirë bashkë. Kemi treguar ëndrra për ardhmërinë tonë për jetën tonë që përpara kishim…

Heroi im, ka punuar inxhinier në FERONIKEL dhe profesor në Gjimnazin e DRENASIT. I lindur në Polluzhë të Drenicës, në fshatin me emër e name për rezistencën antikomuniste gjatë Luftës së Dytë Botërore. Prandaj edhe Heroi im,prehet në varrezat e atij fshati, ndanë rrugës magjistrale Drenas – Skenderaj, aty sfidon Heroin e Kosovës, legjendën antikomuniste Shaban Polluzha. Natyrisht bashkë me heronjtë e tjerë të UÇK-së. Por rrëfimi im ka të bëjë me Heroin tim, i cili ishte edhe shoku im i klasës në Shkollën e Mesme Teknike – drejtimi Kimiko – Teknoligjik në Kastriot. Së këndejmi ky Hero, për mua ishte edhe shoku i dhomës, (siç thoshim atëherë zimeri), me të cilin kemi bashkëjetuar dy vjet , në një dhomë, në një qytet: Ishim nxënës në shkollën e mesme.

Pastaj ne u ndamë, ai në Fakultetin e Teknologjisë në Mitrovicë, ndërsa unë në Shkollën e Lartë Pedagogjike, për mësues i kimisë dhe i biologjisë, profesion të cilin nuk e ushtrova kurrë. S’ka asnjë dyshim, Isa Istogu mbetet Heroi im, legjenda ime, krenaria jonë. Me te kam ndarë ditët dhe netët e gëzueshme, sidomos ato në vitet shkollor 1977/1978 dhe 1978/1979.

Mbaj mend se më datën 10 qershor 1978, me rastin e 100 Vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, vendbanime të caktuara nëpër Kosovë janë mbuluar me Pamflete, në të cilat bëhej thirrje për Zgjim nga robëria shekullore, ku ftohej populli ynë të zgjohej nga letargjia e sundimit shekullor. E di sa shumë është folur kjo ngjarje, e cila ka mbetur e freskët në mendjen time. Pavarësisht rrethanave, ka pas një lloj frike dhe pasigurie se do të ndodhin arrestime e burgosje. Eh, për mua ishte hera e parë që shihja pamflete e lexoja thirrje publike, për t’u zgjuar nga letargjia, nga robëria dhe nda sundimi i mbretërisë Jugosllave, e cila nën parullën e vëllazërim – bashkimit kishte shtrirë sundimin e vet në tëre hapësirën e Kosovës.

Heroi im ISAI ka qenë shumë i urtë, tepër racional, sa shpeshherë është dukur të ishte babaxhani im. Sidomos në ato bisedat për gjendjen politike në Kosovë, e cila karshi republikave të tjera ishte e varfër dhe pa perspektivë. Edhe kur nuk më fliste, më dëgjonte me vëmendje, dhe jo rrallë tallej duke më thënë hajt t’i paqa e të mos mbetshim pa përrallat tua?!… E kur lodhej, jo aq nga mësimi sa nga përrallat e mia, më lutej të bënim një sy gjumë, dhe më thoshte: Nëse dëshiron për t’i realizuar ëndrrat tuaja flij. Të nesërmen, vazhdimisht më fliste për “idealet tona”!…

HEROIT TIM

Shokut të klasës ing. Isa Sh. Istogu
(15.02.1961 – 24.05.1999)

Kujtimi për ty po rëndon zemrën time
e gjoksin tim e molis pranvera jote
përherë ndjej zërin tënd
shohë flokët tuaja të kaçurrelta
dhe përjetoj atë idealin tënd
në atë agsholin e lirisë
për të cilin më flisje çdo ditë
Sytë tu shkëlqejnë
edhe në portretin e vjetruar
ngjall kujtimin që rinohet
me dhembje që rëndohet
dhe mallin që shtohet
Heroi im me sy të bukur
me shpresa për jetën
për ardhmërinë
dashuria Yte pa mbarim
deri në skaj
deri në infinit
Ti shkove drejt qiellit
e nga lart përgjon lirinë tonë
atë ëndrrën përgjysmë e ke lënë
dënesen që nuk e bëre tamam
as gëzimin pranveror
të ndaluan Heroi im
Thanë se
Zoti atje lart të ka kërkuar
se ti ishe kënge jonë e pa kënduar
ishe melodia për ardhmërinë
shtegu ynë i lavdisë
Që preku dashuritë tona
ti ishe deti i tallazeve
valët që tundin anijet
heroi im ishe
vet dallga e trazuar
jeta jonë e pa jetuar
ishe ëndrra …
ti heroi im u bëre
LIRIA JONË