HIMN PËR NËNËN

0
756

Si shumë krijime dhe këtë tregim, ngjarje të jetuar ja kushtoj së voglës dhe të madhërishmes nënës sime në 29 vjetorin e ndarjes nga jeta. Respekt dhe mirënjohje!

KRISTAQ TURTULLI

“Gjithçka që jam apo shpresoj të jem, ia kam borxh nënës time engjëllore!”

tregim

1.

“Jeta fillon duke u zgjuar dhe dashuruar fytyrën e nënës!
Kështu mendova të filloja shkrimin për nënën, ndërkohë më lëviznin hije përpara syve, ngulur në memorien e fëmijërisë. Hije mostra si Llupi Nofulla, ish sekretari i partisë së lagjes, kur dëgjova zhurmë në banjë. Sa bëra ta shmangja hije mostrën Llupi Nofulla, mu mbështoll rreth këmbëve, si atëherë kur hyri në dhomë me rrapëllimë, në krye të skuadrës, pa çelur dita arrestoi babanë.
‘S’kemi bërë gjë të keqe o Llupi, por të mira,- i tha nëna.
‘Hesht, të plasa brenda dhe ty,- hungëriti Llupi Nofulla.
Banorët e lagjes e thërrisnin nën zë Llupi Nofulla ngaqë qe gojë shtrembër, sy lagësht si pellgore dhe nofull fryrë si tullumbace. Por i thoshim edhe; Llupi shëmtira, gojështrembri, farmaku, qelbaku dhe, ku di unë ç’nofkë tjetër.
Nëna donte të ndiqja shkollën artistike. Llupi sa pa që hymë në zyrë, bërtiti në kupë të qiellit:
‘Prapë e solle kokën, spurdhjak.’
‘E solla.’
‘Dashke shkollë, hë!’
‘Shkollë dua.’
‘Mos i zgurdullo sytë si dac. Me ju të përmbysurit do merremi ne. Hajt gremisu.’
‘Djali s’di ç’është përmbysja o Llupi, – i tha nëna.’
‘Ta mësojë,’ hungëriti Llupi.
‘E mësuara kërkon shkollë, dritë, o Llupi,’ i tha nëna.
‘S’ ka shkollë, s’ka dritë, ka natë. Hajt qërohuni,’ bërtiti Llupi Nofulla dhe shtyu nënën me forcë gati e gremisi në shkallët e thikta të lagjes. Nëna me mundim mbajti ekuilibrin dhe vështroi vëngër Llupi Nofullën, i cili shkrofëtinte nga inati:
‘Të ëmën, e së ëmës, sa shpejt i paskan harruar dajakët!’
Dikur Llupi Nofulla shkau në dëborë dhe këputi kërbishtet.
‘Perëndia s’është mace të çjerrë,’ mërmëriti nëna, kur dëgjoi thyerjet e kërbishteve të Llupi Nofullës. Më pendesë shtoi: ‘Pleqëria biro është short i mbramët i njeriut.’
Hije mostër Llupi nofulla, u grinda. Nga banja dëgjova përplasjen e govatës dhe nën derë pashë përdredhjet e lagështa të ujit që mori udhët. Ç’të jetë kjo zhurmë, u grinda me veten. Harrova që nëna shkoi të lajë teshat në banjë dhe, më paralajmëroi të ruaj qumështin mos derdhej. U sula me vrap në kuzhinë. Për fat të keq qumështi ish derdhur mbi stufë dhe fundi i tenxheres djegur. Lëngu i bardhë i qumështit më la fotografinë, shndërruar në cipë të neveritshme, ciknosur dhe, në cep të stufës një tullumbace e fryrë e kuqërremtë si nofulla e Llupës.
Në dyqanin e bulmetit vijnë dhjetë arka me qumësht, i bie të marrin dymbëdhjetë burra dhe dymbëdhjetë gra. Kur dikush të hyjë pa radhë, kërcet sherri e shamata dhe, ata që bëjnë eksiq gjumin, mbeten me gisht në gojë.
Sa herë nëna ngrihet në mesnatë të zërë radhë pëshpërit:
-Vetëm numri dymbëdhjetë mos më bjerë.
Hajt dëgjo mërzitjen e nënën, u grinda me vete.
-Për dy shishe qumësht të flamosura, – thotë nëna:- Ndodhin sherre dhe, kacafytje.
Për dreq edhe numri njëmbëdhjetë e la nënën në baltë. Shitëses Shpatore i erdhi e ëma nga fshati dhe Nënës i ra shorti të bridhte në qytet për një shishe qumësht.
Me mërzinë e hapur për djegien e qumështit dhe konfiguracionin e pështirë të nofullës së Llupës, u afrova derës së banjës me ndrojtje. Mbajta vesh. S’mu duk natyrshëm përgjimi pas derës. Bëra hap prapa. Nëna ritin e larjes së teshave e quan të shenjtë, s’i pëlqen të shqetësohet. I fërkon teshat me forcë, zakon i mbetur qysh nuse e re, kur lante të brendshmet e përgjakura të babait. S’e bënte veten, por dalloja mërzitjen dhe trishtimin në lagështinë e syve të shkruar.
Kam vite që jetoj me nënën, babai vdiq vite më parë si pasojë e torturave.
Nënës shpesh i them:
‘Nëno mos fërko teshat aq fort, s’janë zgjyrë.’
Ajo ngre kokën, vështron e humbur.
Në mëngjes nëna mu duk më e plogët se herët e tjera.
‘Më ngjan sikur kam sklepa në sy,’ foli me përtesë dhe nisi të mblidhte teshat e palara.
‘Mos laj në s’ndjehesh mirë, -i thashë.
Nëna s’më ktheu përgjigje.
Fundi i govatës gërvishti me zhurmë pllakaqet e banjës.
Pa kuptuar vështrova dritaret dhe qëndismat e perdeve të akullit. Kristalet e bardha vezulluese valëzonin përpara syve të mi dhe picërrova sytë nga ndriçimi. Dëborë e bardhë, reflektuese, e njëjtë në çdo skaj të globit. Dëbora nënkupton dimrin dhe, dimërimi në flokë nënkupton plakjen. Nëna s’e përmend plakjen, thotë; thinjat fisnikërojnë njeriun.

2.

Përpara syve një lëmsh i kuq flakë u turr drejt dëborës, macja e komshiut Teki, grabitqare e keqe. Tekiu është krushk i Llupi nofullës. Plak i hollë, i gjatë si hosten, majë hundës së kuqe me samar, i qëndron gjithnjë një sumbull qyre. Plasi derisa hapi dritare të madhe, dy kanatesh, një metër larg dritares së kuzhinës sonë. Prandaj nënën e mundojnë hijet e Tekiut dhe Llupi Nofullës. Në xhamin e dritares shohim gjurmë qyresh të mpiksura. Sa të pështira janë qyret kur ngjiten në xhame. Nëna i kruan qyret me cepin e mashës.
Gjatë natës ra dëborë e imët, situr në sitë. Rrëmbeva lopatën, hapa rrugën mos shkiste nëna.
Në të përpjetën e rrugicës ku ngrihet shtëpia jonë, uji vjen rrallë, ndërpritet të lë zbardhur fund e krye me shkumë sapuni. Nga kjo eksperiencë e hidhur nëna ka më kollaj të ngrohë ibrikun në stufë, lahet në govatë, sesa në dushin me vaj guri që instalova në banjë.
Kuzhina kundërmon qumësht të djegur. Bëj të hap dritaren por forca e flakës në stufë ka rënë dhe ambienti po ftohet. Nëna do dalë e lodhur e brishtë nga avulli dhe larja e rrobave. I hodha dru stufës. Pa guxuar të shoh ciknosjen e neveritshme mbi stufë dhe tullumbacen e kuqërremtë të nofullës së Llupës.
-Nënë, ke nevojë për ndihmë? – e pyeta i ngrehur.
Kohët e fundit nënës i dhembin i çajnë krahët e këmbët, sidomos kur ka lagështirë. Por përsëri s’i rinë duart rehat. Pa qenë nevoja ngrihet në pikë të mëngjesit dhe mban mbi supe të gjitha punët e shtëpisë. Pikërisht atëherë kur thotë kam sklepa në sy, lan, fërkon teshat me forcë. Katër herë u përpoqa t’ia largoj këtë huq. Eh, s’kuptohen kurrë nënat!
Ndoshta kur nëna ngriti govatën të derdhë ujin, duart e lodhura s’ terezitën sa duhet dhe rrëkeja u përhap në banjë. Para disa minutash dëgjova që nëna zbrazi ujin e legenit.
S’ mund ta përfytyroj të sëmuret nëna. Qysh në fëmijëri, kur bija flija e zgjohesha, gjendesha në krahët e buzagazit e mirësisë së nënës. Si gjithnjë në këmbë, me flokët e mbledhura topth pas kokës, duart e zëna nga punët.
-Mos…e hap derën,- dëgjova zërin e holluar të nënës.
– Pse moj nëno!- i fola gjithë ankim.
-Mos e hap!
Nëna dje mbathi gjurmashka leshi dhe pa u vënë veshin kundërshtimeve të mia, më ndihmoi të mbartja drutë e zjarrit që shkarkoi karroca e druve poshtë në rrugë. U grinda me karrocierin Bake Gjylja. I thashë:
– Shkarkoi lart në rrugë,- i dhashë të pijë raki rrushi. Bake karrocieri, ezmer, vetulltrashë, kockë madh, rrëkëlleu rakinë si ujë, përplasi gjuhën ngaqë iu hap nepsi i të pirit. Më tundi gotën bosh përpara syve. Kur s’mori përgjigje, më pa vëngër dhe u grind:
-Hej mendje vërtitet kali ngarkuar në rrugë e rrugica, në mot të poshtër. Dashke të sjell drutë në goja. Argatit të shkretë, ç’i dhjet t’ ëmën, të gremiset në akull, me gjithë kalë e karrocë, të bëhet copë e thërrime! Hej kokë, me këtë kalë e karrocë mbaj shtëpinë me bukë.
-Ngjiten drutë në të përpjetë me borë dhe akull?- i thashë.
-Po të isha dehur e bëja, por ja që s’jam.
– Të jap raki sa të duash,- i thashë.
-Hej kokë, shishen me raki të ma japësh, s’dërmoj kalin, ta zbres në këtë ferr që ka emrin tatëpjetë! S’lë fëmijët barkthatë. Në këtë qamet shket djalli, jo kali.
U mata të mbushja përsëri gotën me raki rrushi, t’i ktheja mendjen:
-Lëre të shkojë,- më pëshpëriti nëna dhe mbathi gjurmashkat.
Pesë herë shkau nëna me drutë e mbledhura në mësallë dhe pesë herë u ngrit. Pesë herë bënë kolovajze në tatëpjetën e rrugicës nxënësit e shkollës fillore. Çamarrokët e gëzuar bënë kolovajze e kthyen në akull. U bërtita fëmijëve të shkonin në rrugicë tjetër, por nëna më tha:
– Çiliminjtë mezi presin borën.
Iu luta nënës mos mbarte në mësallë kopaçet e qullura, të shtrembra. Frynte shumë erë e binte dëborë, por s’dëgjonte. I bërtita të hynte në shtëpi, ajo mbahej pas murit dhe s’bëzante. Shkau dhe u rrokullis si topth, mu mpi zemra nga akthi dhe frika. Ngrita nënën peshë tok me mësallën e druve, e futa brenda. I thashë të çlodhej, të ngrohej.
Bah! Çfarë kokë kanë nënat, s’ dëgjojnë, harrojnë veten, rropaten, lodhen, shkasin dhe rrokullisen në dëborë. Kur gjendesha në fund të shkallëve dhe ngrija thesin me dru, pashë nënën që zbriste duke u mbajtur pas murit.
-Nënë ktheu në shtëpi të lutem, mos e bëj për inat.
Mbuluar fund e krye me dëborë, përskuqur në fytyrë nga thëllimi, më buzëqeshi me pafajësi dhe tha.
-Nuk ta bën për inat nëna, jo. Po ja, sesi më vjen, shoh rropatesh, sfilitesh në dëborë.
-Kot merakosesh nëno. S’më gjen gjë mua, jam i ri, i fortë si dem, – thashë dhe shkunda borën nga supet dhe koka.
-Eh mor bir, do bëhesh prind dhe do më kujtosh,- mërmëriti nëna.
Përnjëmend besova që kisha përpara një qiell bardhësi mirësie zbritur prej ëndrrës. Duke mu marrë goja iu luta nënës të hynte brenda, çuditërisht më dëgjoi. Mbushi mësallën me disa kopaçe dhe u ngjit duke rënkuar. Nuk durova e ngrita pothuajse peshë dhe u ngjita në të përpjetë.
Bora i mbulonte sakaq drutë e shkarkuara në rrugë. Ngjitesha, zbrisja, shkisja, rrokullisesha, me thesin e druve në kurriz. Tre herë i përplasa drutë me nervozizëm. Nëna kthente kokën më vështronte ngrohtë dhe, pa i vënë veshin protestës sime vinte drutë në radhë në kthinën e ashefit.
-Po si ndërrove moj nëno ato dreq gjurmashka dhe çorape,- i thashë.
-Harrova, – ia bëri nëna dhe ngriti supet. Por s’i ndërroi.
Kur përfunduam së mbledhuri dhe transportuari drutë e zjarrit, nëna hoqi çorapet dhe gjurmashkat e qullura. I ndehu një copë herë këmbët mbi mangall, pastaj përgatiti për mua një ponç të fortë dhe, për vete çaj të ngrohtë.
E dërmuar u plas në divan, dhe mbështolli këmbët e ftohta me kuvertën e kuqe, të leshtë me thekë. Shkova në banjë piva një cigare dhe kur u ktheva, gjeta nënën flinte në krah. Dorën e rrudhur vendosur pranë gojës së hapur. Një tufë qimesh të hirta dalë prej shamisë luanin lehtë, i ngjiteshin pas buzëve sa herë merrte frymë.
Mu duk e vogël nëna në gjumë dhe e madhe në dhomë. Flokëbardhë Nëna ime, trupvogël, e kërrusur, kur lëvizte në shtëpi e mëhallë zotëronte të gjithë hapësirën.
E vogla e madhërishmja Nëna ime qëndroi e fortë e pafjalë kur lante të brendshmet e përgjakura të babait, nga i tmerrshmi burg, ‘Hani me dy porta’. Qante veçmas kur pastronte gjakun e mpiksur, fërkonte teshat me forcë, i shpëlante me lot. Rinia, nusëria, buzagazi, të gjitha iu thanë pa çelur mirë. I duhej nënës të përballonte e vetme dhembjen, varfërinë, provokimet e hapura të punonjësve të sigurimit ngaqë ishte e bukur. Mbajti mbi shpinë vuajtjen, vdekjen e dy pleqve dhe persekutimin familjar. Shkuljen prej shtëpisë së madhe dhe nguljen në një vrimë miu. Nëna në larjen, fërkuarën, shpëlarjen e teshave gjente diçka që i mungonte dhe s’e kuptoja çfarë ish.
Kur hapet biseda për të dashurit e zemrës, të munduar, të rropatur dhe të ikur përtej. Nëna luan kokën ngadalë, fshin sytë e lodhura dhe zë butë thotë:
-Eh o bir, atëherë isha e re e fortë, përballoja vështirësitë.
Ngrohën ujin, shkon në banjë, lan teshat edhe sikur të jenë të lara, të pastra dritë.
-Vitet ikin shumë shpejt, streha e shtëpisë ronitet dhe thinjat mbijnë, hijet e përdredhura të Llupove dhe Tekive shtohen, shumohen si dhembjet mbi shpinën e njeriut të gjorë..,- mërmërit nëna.
Në mëngjes nëna u ngrit si zakonisht herët, ndezi stufën. Drutë e lagura bënë tym një copë herë, dhoma u ngroh. Në dritare yjet kristalore filluan të shkrinin. Nëna duke u vërtitur butë në shtëpi më përgatiti për të ngrënë. Dëgjova që tha për sklepat e syve dhe cepat e yjeve që duhen fërkuar, pastruar, larë…

3.

-Nënë.
Sekondat ikin me shpejtësi dhe zemra më rreh me nxitim në gjoks.
Dhe kur s’jam në shtëpi govata përmbyset dhe ujët marrin udhët. Nëna mbledh ujin me napë, shtrin flokët e bardhë. Në oborr gjej udhë të ndehura, të lagura.
-Pse lagen udhët moj nënë?- e pyes.
-Fqinja bir, fqinja. Korba Fillë harron rubinetin e çezmës hapur, – më përgjigjet nëna dhe i shmanget shikimit tim. E vështroj i hutuar.
-Harraqë janë fqinjët, harraqë,- mërmërit nëna me përhumbje të lehtë dhe fut karficë në topthin e flokut të bardhë, të shthurur.
Fqinja Filla, plakë e shëndoshë, barkmadhe, sisë madhe, mësallë madhe. Ecën si patoke, i kërcejnë llurbat e barkut. Para një viti nëna i shpëtoi jetën të birit të Fillës, Laçit të gjorit. Dëgjoi ulërimat e fqinjës dhe vrapoi në shtëpi të saj. Laçi trupmadh si katana qe shtrirë në mes të dhomës përpëlitej.
-Ç’ të ka Laçi moj korbë?- E pyeti nëna.
-Përvëlohet, po i ikën gjuha, më vdes djali,- ulëriti Filla si e shkalluar.
-Hesht, mblidhe mendjen – i tha Nëna dhe u përkul mbi të sëmurin që dridhej. Laçit i qenë çakërritur sytë, po kapërcente nga temperatura e lartë. Me shumë mundim i mbërtheu me gishta gjuhën e trashë. Laçi në kllapi i dërmoi nënës gishtat me dhembë, përdori lugën, duke ia rrasur deri në grykë dhe, s’ia lëshoi gjuhën derisa ia nxori përjashta si lopatë. I shpëtoi të gjorit jetën. Pastaj ndihmoi fqinjën e çakërdisur ta nisnin të sëmurin në spital. Filla e nëna mbartnin Laçin trupmadh nga krahët dhe çapiteshin me vështirësi. Ndërsa Laçit të zalisur i zvarriteshin këmbët në sokakë: Mëhalla qejf paprishur ulur në sofate e ndiqte me nge.
Filla qëndroi me të birin në spital, nëna u kthye në shtëpi. Tre gishtat e lënduar nga dhembët e të gjorit i mjekuan në spital. I thanë të bënte tetanosin, nëna s’ pranoi. Edhe pse e dërmuar hyri në banjë e pa qenë nevoja nisi të lante e të fërkonte një këmishë dhe dy palë të mbathura.
Të nesërmen Filla trokiti në derë kokulur. U përkul në gjunjë përpara nënës, i mori dorën, ia vuri në faqen e rrudhur dhe i tha:
‘Qëllomë me shpullë motër. Zbutma kurrizin me kopaçe, bëma llurbë si barku. Jam femër e keqe. Është gjynah moj motër, por Tekiu vinte qyre në dritare, ndërsa unë shpërndaja ligësi në sokakë.
‘Hesht Filla, hesht,’ i tha nëna dhe i ledhatoi flokët e lëshuara. E ndihmoi të ngrihej në këmbë. Pinë kafe së bashku në oborr, nën dritaren dykanatëshe të Tekiut.
-O Teki, fshi qyret dhe eja kërkoi të falur kësaj zonjë grua,- i bërtiti Filla.
Skuthi përgjonte, shkrofëtinte, kollitej thatë, por s’ia mbante të dilte jashtë. Filla i kishte krahët e ngrohta, motër dëshmori.
-Nënë, – i them.
Më bëhet sikur dëgjoj frymëmarrjen e shpejtuar të saj. Nëna i shërbeu vite me radhë, përkushtim dhe devotshmëri babait të sëmurë pas daljes nga burgut. S’u ankua dhe as u ligështua, vetëm lante dhe shpëlante rroba.
Nga banja përsëri zhurmë.
-Nënë,- fola i shqetësuar dhe, shtyva derën. Dëgjova mbytur grindjen dhe ankimin e nënës, qëndronte shtrirë në pllakat e lagështa të banjës, mbështetur në brinjë, krahu u djathë shtrirë mbi teshat e lara të shtrydhura, të pastra dritë.
-Doja të çlodhesha pakës,- tha, por s’ mundi të ngrihej…
Më theri në zemër. Me gjithë kundërshtimet e nënës, e ndihmova të ngrihej, të shpëlahej. Vura nënën në shtrat dhe i përgatita çaj të qetësohej. Hapi sytë dhe tentoi të ngrihej.
-Uh, unë korba, ç’u bëra kështu! – u ankua dhe u mbështet në bërryla.- Më ngelën punët pa bërë.
Eh, si janë këto Nënat! Mezi e binda të bënte një sy gjumë. Tek shihja fytyrën e nënës mendova; Jeta fillon duke përjetuar dhe dashuruar fytyrën e nënës! Zoti nuk mund të ishte kudo, prandaj krijoi Nënat! Nëna është gjithçka – ngushëllimi ynë në pikëllimin, shpresa në mjerimin tonë dhe fuqia jonë në dëshpërim. NËNA është burimi i dashurisë, mëshirës, dhembshurisë dhe faljes. NËNA!