HIQU TUTJE, NUK MË TREMBIN GRYKAT E PUSHKËVE

0
478
Kristaq Turtulli - Misteret e Parisit të vogël

(fragment nga romani: MISTERET E PARISIT TË KORÇËS)

Dy herë ngjita shkallët e prefekturës për ta takuar, e pashë të rrethuar nga bashkëpunëtorë. Më i pashmi burrë, kokë menduar, i preokupuar, sy lodhur, i zënë me punë. U mata ti afrohesha Mistos pranë, me kujdes, mos bija në sy dhe ti thosha:

‘Vëlla, ngrije kokën, vështro rreth e rrotull, diçka e keqe luhet pas shpinës suaj.’

Nuk guxova. Më merrte për frikamane. Mu dhimbs, ndoshta ishin fjalë. Të themi të vërtetën qytetasit i kanë qejf fjalët, thashethemet ti tjerrin me shtija dhe ti bëjnë çorap…

Netët e thella më ngjanin si ëndrra të liga me merimanga të zeza, që tirrnin rrjeta dhe i varnin nëpër dritare. Mu bë në gjumë, sikur u ngrita me thikë në dorë, të prisja ku të mundja rrjetat e ndyra të merimangave. Por ato mu ngatërruan nëpër duar e këmbë. Klitha dhe nuk dëgjova asnjë përgjigje. Dëgjoja vetëm qenër të egërsuar matanë avllisë. Ia tregova zonjës, ajo më dëgjoi e ngrysur. Pa folur, u ngrit, futi koburen në brez dhe doli.

Moj bijë, kujton fle në paqe, në gjumin e bekuar të perëndisë, dhe nuk di që në qilarin e shtëpisë lëvrinjtë gjarpërinjtë e nepërkat e helmëta. Një mbasdite e rastisa Mistion. Ja thashë. Ai buzëqeshi me trishtim dhe tha:

‘Motër, të ligjtë gjithnjë mundohen të venë shkopinj në rrota.’

Eh! Ja kështu. Por ato nuk ishin shkopinj moj zemër e Vitos, por zinxhirë të trashë. Dreqërit komplotonin në pabesi për djalin tonë më të mirë, për qytetin tonë. Përgatitën kurthin në fshehtësi. Një mbrëmje të errët, një kamion solli disa oficerë të sigurimit nga Follorina në Korçë të cilët u mbështollën me pelerina e kapuçonë të zinj dhe u drejtuan si skutha për në shtëpinë e Themistokliut.

‘Urdhëroni,’ u tha Misto me gjakftohtësi.’

‘S’kemi kohë zoti Themistokli. Duhet të vish me ne në Selanik,’ i thanë: ‘Të kërkon urgjend gjeneral Sarrel, për një çështje me rëndësi.’

‘Më prisni sa të vishem,’ u tha.

Misto si i mençur që ish, e kuptoi dredhinë dhe, kishte kohë të fshihej, të arratisej, të mos u dorëzohej pelerinave të zeza që kishin ardhur ta arrestonin,

‘Ikë,’ i pëshpëritëm ne: ‘Mos bjer në dorë të atyre qenave.’

Ai na vështroi me trishtin dhe tha:

‘Përse të fshihen kur jam i pafajshëm,’ pastaj shtoi ultas: ‘Unë kam besim te drejtësia.’

‘Drejtësia zgjidhet këtu, në qytetin tënd, jo atje mes pelerinave dhe kapuçonëve të zinj si korba,’ i pëshpëriti zonja Dhoksanë.

S’na dëgjoi. U dorëzua Burri dhe u nis bashkë me gjarpërinjtë për në Selanik, në një kohë të vrenjtur. Karroca mbështjellë me çelik që tundej e shkundej nëpër gurë, sikur do vidhisej, la pas qytetin. Kuajt shkrofëtinin prej padurimit dhe djersës. Retë e zeza rëndonin mbi qytet. Dëgjohej diçka si uturimë që vinte nga lumi dhe një erë e hidhët që frynte nga mali, të priste si me brisk

‘Na e morën Miston, bir,’ i tha mëma Dhoksanë Andreas.

‘Ç’më the mëmë, ç’më the,’ gërhiti djali dhe si i çakërdisur, i hipi kalit dhe ndoqi karrocën e burgut ku mbahej i lidhur prijësi, miku i armëve, i idealit. Karrocierët e përlyer prej pluhurit dhe llumit të rrugës, ulërinin të ndërkryer. Me gjeneral Sarailin nuk bëhej shaka. Kuajt e karrocës së burgut shkrofëtinin prej kamxhikut, hidhnin përpjetë copëra balte të verdhë, turreshin me revan drejt shtetit fqinj dhe era uturinte si e tërbuar.

Karroca hyri me trokëllimë në qytetin e Selanikut, që nxinte. Rrugët e ngurta kullonin ujë të trashë dhe të qelbur. Ndaloi përpara godinës me tulla të kuqe dhe qepena hekuri të burgut. Disa metra larg tyre Andrea ndali kalin, i cili turfullonte dhe kullonte djersë. I zbriti kalit. Sytë i përvëlonin prej djersës së kripur, me cepin e gunës i fshiu. Kapuçonët e zinj kërcyen pa kokëçarje mbi pellgjet e rrugës. Ishin të llangosur me baltë dhe pelerinat e tyre avullonin prej djersës së udhëtimit dhe bënë të ngjisnin shkallët. Dikush prej tyre tha:

‘Gjeneral Sarrel e urren baltën.’

‘Ngaqë balta ja tretën gruan dhe pesë djemtë,’ ia priti një zë i ngjirur.
‘Po shokët tanë të vrarë a nuk dergjen në baltë, a nuk treten?!’ u grind tjetri.
‘Hëm!’ ia bënë dhe hungërinë: ‘ Pa fjalë…’
‘Bindja është më e mirë se balta,’ shtoi i treti.

Hoqën pelerinat, i flakën përdhe, qëndruan në xhaketat e holla dhe thanë:

‘Nga balta vijmë dhe drejt baltës shkojmë.’
Panë Andrean dhe gërhitën:
‘Hej, ti atje, ç’bën, pa dil të shohim?!’
Andrea u struk pas murit, në pritje.

‘Bërrr, sa ftohtë,’ ia bënë ata:’ Na u shpif kjo luftë,’ dhe trokitën me nervozizën, me kondakët e pushkëve derën e rëndë, metalike të burgut. Rruga oshtiu.

Njëri prej tyre shkundi çelësat dhe hapi derën e karrocës me zhurmë. Andrea pa shpresë dhe me kujdes tentoi t’i afrohej burgut. Themostokliu po zbriste nga karroca, i lidhur me duart prapa. E pa, ktheu kokën anash, i bëri me shenjë të mos reagonte. Andrea s’u përmbajt dot, e turr drejt tij. Policët i ngulën sytë Andreas me egërsi, hungëritën, e shtynë me kondakët e pushkëve, e kërcënuan me arrestim:

‘Hej ti, akoma je këtu?! Mos je dhe ti si ky, tradhtar, pjesëtar në grupin ogurzi? Do të bëhesh baltë?’

Andrea s’foli, u tërhoq në heshtje. U mbështet në një bërryl rruge dhe nisi të qante. Ç’ të bënte a mundej i vetëm të përballej me ta. Ç’ ishin ato fjalë?! Rreth e rrotull vërtiteshin patrulla ushtarake. Gjithçka i dukej ogurzi.

Gjyqi u bë me dyer të mbyllura. E akuzuan për aktivitet të zhvilluar në favor të shërbimit informativ austro-bullgar kur ndodhej në Pogradec, para marrëveshjes me francezët. Themistokliu nuk e mohoi këtë aktivitet. Ai insistoi dhe tha:

‘Zotërinj, pas marrëveshjes kam vepruar besnikërisht dhe si një aleat i vërtetë me francezët, prandaj kërkoj të mos merret parasysh veprimtaria ime para marrëveshjes.’

Trimi kërkoi ndihmë nga miqtë që i kishte ndihmuar dhe shpëtuar jetën. Heshtje dhe indiferentizëm. Një prift u vu në dispozicion të Mistos, në prag të ekzekutimit dhe një pjesë të natës e kaloi me të.

‘Lutu bir,’ i tha prifti dhe i afroi kryqin.
‘A vlen të falem, uratë?’ e pyeti Mistoja, ‘kur jam i pafajshëm?

Prifti ngriti supet.

‘Oh! Sa e vështirë është kur ta tregoj. Më rrëqethet mishi,’- ia bëri nani Viti zë dredhur dhe fshiu sytë e përlotura:

‘Të nesërmen në ag, gjithçka ishte gati për të ekzekuar të mirin, trimin Burrë. Themistokliu, i veshur me pardesynë e tij më te bukur, eci me hap të sigurt drejt shtyllës së ekzekutimit. U gjunjëzua vetë dhe refuzoi t’ia lidhnin sytë; zgjati krahët si të bënte kryq dhe thirri me zë të lartë:

‘Nuk më vjen keq për asgjë!’

E beson moj bijë çfarë burri, nuk tutej nga vdekja! Themistokliu nuk lejoi t’i mbylleshin sytë para skuadrës së pushkatimit.

‘Hiqu tutje,’ i tha: ‘Nuk më trembin grykat e pushkëve, që janë drejtuar drejt gjoksit tim për të marrë jetën.’

Eh! Vetë trimi urdhëroi në frëngjisht, me zë të lartë:
‘Feu!’

Pas këtyre fjalëve ushtuan armët. Trimi ynë, azgani ynë, heroi ynë, i ndëshkuar padrejtësisht, ra përdhe i shpuar prej plumbave. Eh, haram dynja, jazëk dynja, thotë turku.

Në mëngjes, kur prisnim ndonjë lajm mbi fatin e tij, pamë që shëtitnin nëpër rrugët e qytetit patrulla të shumta franceze, të cilat kishin vënë nëpër dritare mitraloza. Gjeneral Sarel me bruralitet njoftoi këshillin qeveritar për pushkatimin e Themistokliut dhe i kërcënoi:

‘Dëgjoni këtu. Në rast të ndonjë manifestoni do të marr masa të rrepta për të gjithë. Gjithashtu ju porosis; këshilloni popullin të mbajë gjakftohtësinë dhe të rijë urtë.’

Atdhetarizmi i Themistokli Gërmenjit, Andrea Gozhdaxhit dhe disa korçarëve të tjerë njihej mirë nga autoritetet ushtarake franceze. Me vrasjen e Themistokliut ndryshoi dhe qëndrimi politik i francës. Ata nuk kishin më interes për krahinën autonome të Korçës.

Djali ynë, Andrea Gozhdaxhi mbërriti në mesnatë, i mbështjellë nga dhembja e mbuluar nga pluhuri, solli letrën e prijësit, mikut të ndjerë për gruan e tij. Unë e ndjeva sikletin e djalit kur pashë fytyrën e ligur. U preva në fytyrë dhe, duke u kalamendur, i bëra udhë. Andrea hyri në dhomën e ndenjes si i çakërdisur, përqafoi zonjën dhe i tha:

‘Pabesia na i vrau Miston mëmë’
‘Oh! Gjithnjë pabesia na ka kafshuar si gjarpri,’ – rënkoi zonja.

Mua mu drodh gjuha në qellzë. Shkova me vrap në kuzhinë dhe qava me dënesë. Dëgjova Zonjën Dhoksanë që më thërriste me zë të lartë, gati të çjerrë, që nuk kish bërë vaki më parë:

‘Viti, Viti moj!’

Fshiva lotët me përparëse dhe dola. Ngaqë i qe prishur mendja, vërtitej si e çakërdisur nëpër dhomë dhe nuk po gjente syzet.

‘Qyteti ynë, Korça në shekuj ka nxjerrë plot burra të shqur, por Mistoja është dhe mbetet burrë mbi burra dhe do të kujtohet në breza,’- foli zonja me ton solemn.

Lotët nuk na pushonin dhe përmes dënesave, së bashku me zonjën Dhoksanë, lexuam letrën:

“E dashura ime Evdhoksi,

Rashë dëshmor i çpifjeve. Me qenë se unë nuku kthenem në Korçë dhe më s’jam për shtëpi, tinë ke të drejt të martohesh, po për martesën tënde të këshillohesh me Pandelinë e Tsalit i cili ka për detyrë, si atdhetar që është, të mos të të lërë të vuash. Nënës i puth dorën. Vasilin dhe Efçën i puth me mall sytë. Dijeni që vdes i pafajshëm. Kërkoj ndjesë nga të gjithë atdhetarët, në qoftë se kam bërë ndonjë të ligë pa dashur.

Rroftë Shqipëria nën mbrojtjen e Francës.
Shoqi yt, Themistokli Gërmenji, Selanik 9, 11, 1917.
Adresa Evdhoksi Th. Gërmenji, Në Korçë, Shqipëri.”

Amaneti i BURRIT, na la pa mend moj bijë. A ka gjë më fisnike, më të madhërishme, më thuaj?! Vështronin njëra tjetrën, letrën e zhubravitur të HEROIT, të shkruar me fjalë zemre dhe kapërdiheshim me vështirësi.

Pse duhet të ndodhë kështu… PSE… PSE?! Flisnin sytë tanë të trazuara, si dete me dallgë…

‘Qani, hë qani, moj ditëzeza, për një ëndërr në sirtar. Për një Shqipëri që s’ ishte Shqipëri,’ dëgjuam një zë të keq nën dritare.
‘Kush je ti o!? Si guxon o pusht i pushtit,’- gërhiti e ndërkryer zonja Dhoksanë.
‘Nesër do ta merrni vesh çdo të bëhet, nesër.’- Klithi zëri i keq në dritare.

Zonja Dhoksanë rrëmbeu koburen, i futi fishekun në gojë dhe u turr jashtë duke bërtitur:

‘Do të vras o llum, o dreq me brirë, do të vras.’
Por të ligun e kishte përpirë nata.
‘Duhet të jetë kapuçoni, veladoni i zi,’- i pëshpërita zonjës Dhoksanë. S’ më ktheu përgjigje.