Historiani slloven Jozhe Pirjevec: «Tito dëshironte që Kosova të bëhet Republikë»

1
863

dialogplus – EKSKLUZIVE – Intervistë me historianin slloven Jozhe Pirjevec, autor i biografisë më të plotë për liderin komunist jugosllav Josip Broz Tito.

Enver ROBELLI, Trieste, 08.09.2016

Ndonëse 76-vjeçar Jozhe Pirjevec është një burrë shëndetplotë, mendjekthjellët, plot humor. Jeton në Trieste, aty ku u lind si pjesëtar i pakicës sllovene, në një shtëpi të vjetër dhe madhështore, me një oborr si park. Pas Luftës së Dytë Botërore familja e tij iku nga Jugosllavia në Territorin e Lirë të Triestes. «Babai im ishte antikomunist», thotë Pirjevec në dhomën e tij të punës, që dominohet, natyrisht, nga librat.

Pirjevec ka diplomuar për histori në Universitetet e Triestes dhe Pisas në Itali, ka vazhduar studimet në Akademinë Diplomatike të Vjenës dhe ka doktoruar më 1977 në Lubjanë nën mbikëqyrjen e historianit Fran Zwitter, i njohur si njëri nga themeluesit e Shkollës së Lubjanës të Historiografisë. Gjatë karrierës së tij Pirjevec ka qenë profesor i ftuar në shumë Universitete amerikane dhe europiane. Dhe ka gjetur kohë të udhëtojë në Indi, Uzbekistan dhe në shkretëtirën Gobi.

Në fillim të karrierës së tij shkencore Pirjevec u mor me raportet mes Italisë dhe sllavëve të jugut gjatë Risorgimentos, lëvizjes politike dhe sociale italiane, e cila synonte unifikimin e Italisë. Më vonë u thellua në historinë ruse, pastaj iu përkushtua plotësisht historisë së Jugosllavisë dhe të sllovenëve në Itali dhe – mbi të gjitha – biografisë së Josip Broz Titos, liderit që themeloi Jugosllavinë e dytë dhe u bë personalitet i respektuar i kampit komunist në botë. Biografia e Titos e shkruar prej tij së fundi është botuar në Gjermani dhe ka marrë kritika shumë të mira. Më parë libri, pas sllovenishtes, është publikuar në kroatisht, serbisht, italisht, së shpejti pritet botimi në anglisht dhe polonisht.

Për të zhvilluar intervistën Jozhe Pirjevec kishte zgjedhur një restorant lart mbi Trieste, me pamje mahnitëse mbi këtë qytet. «E shihni atje, në horizont, atje duken Sllovenia dhe Kroacia», thotë Pirjevec.

Zoti Pirjevec, ju merreni me figurën e Josip Broz Titos tashmë 40 vjet, keni hulumtuar në shumë arkiva. Çfarë u ka fascinuar te personaliteti i tij në veçanti?

Pirjevec: Guximi i tij. Fakti se ai ishte në gjendje t’i kundërvihet Hitlerit dhe Musolinit, pastaj – edhe më e rrezikshme – të kundërshtojë Stalinin. Kjo ishte për mua shumë tërheqëse si historian. Kam dashur të kuptoj pak më mirë se si ka ndodhur konfrontimi me Stalinin. Pastaj nisa të hulumtojë sidomos në arkivat angleze dhe amerikane, menjëherë pasi u hapën arkivat, pas 30 vitesh, pra më 1979. Kam shkuar në Londër, në Washington, në Arkivin e presidentit Truman në Kansas, për të parë se si e kanë përcjellë dhe kuptuar ata konfliktin mes Titos dhe Stalinit. Për këtë shkrova një libër. Për mua ky ishte fillimi i angazhimit tim në këtë drejtim. Kështu nisa të merrem me historinë bashkëkohore të Jugosllavisë.

Por, në fillim të karrierës suaj jeni marrë me tema të tjera…

Pirjevec: Po. Më ka interesuar raporti mes patriotëve italianë gjatë Risorgimentos, lëvizjes për bashkimin e Italisë, dhe intelektualëve të sllavëve të jugut. Mandej arrita në përfundimin se historia bashkëkohore është shumë më interesante.

Në librin tuaj Tito përshkruhet si partizan dhe revolucionar, president i shtetit jugosllav, diktator dhe arkitekt i modelit alternativ socialist. Cili përshkrim i përshtatet më së miri Titos?

Pirjevec: Në fakt, të gjitha. Por, çfarë më ka interesuar në radhë të parë te ai ka qenë, krahas rebelimit kundër Hitlerit, Musolinit dhe Stalinit, përpjekja për të gjetur një socializëm me fytyrë njerëzore. Natyrisht Tito nuk ka qenë vetë në gjendje të bëjë këtë, por ai ka lejuar që të tjerët ta bëjnë këtë, për shembull Edvard Kardeli, pjesërisht Milovan Gjilasi, Dushan Bilangjiqi. Tito i ka përkrahur ata që të zhvillojnë këto ide, i ka integruar. Ekzistojnë dy zhvillime paralele: nga njëra anë kërkimi i një socializmi alternativ, në anën tjetër zbulimi i Botës së Tretë dhe angazhimi që këta popuj që me shekuj kishin vuajtur nga kolonializmi kanë të drejtë të çlirohen.

Tito bëri diçka që deri në kohën e tij nuk e bëri asnjë politikan tjetër europian: ai shkoi në Afrikë, në Azi dhe në botën arabe si bashkëbisedues i barabartë. Për këta njerëz, për kryeministrin e Indisë, Nehru, për presidentin e Egjiptit, Naserin, për politikanët afrikanë kjo ishte mbresëlënëse. Ata e shihnin Titon si udhëheqës të tyre, një figurë në rolin e babait, sepse Tito i pranonte ata të tillë siç ishin, i trajtonte me respekt. Kjo ishte diçka krejtësisht e re në historinë botërore, me ç’rast takoheshin kulturat, religjionet dhe traditat e ndryshme politike. Tito ishte në gjendje ta bënte këtë, sepse kishte përvojë nga Jugosllavia, ku ishte një lloj moderatori. Jugosllavia ishte si shtet aq i ndërlikuar me shumë nacionalitete, fe, tradita, saqë duhej gjetur një model i bashkëjetesës. Mbase Tito ishte figura e duhur për një gjë të tillë, sepse ne sllavët e jugut nuk e njihnim sundimin kolonialist, kuptohet me përjashtim të Serbisë në Kosovë. Është interesante të theksohet se përkrahësit e vërtetë të hapjes së Jugosllavisë ndaj Botës së Tretë ishin sllovenët.

Në moshën 21-vjeçare Tito ishte njëri prej nënoficerëve më të rinj të Perandorisë Austro-Hungareze. Si u bë ai pastaj komunist i flaktë, si të thuash revolucionar me profesion?

Pirjevec: Besoj se në vitet ’20 dhe ’30 ishte shumë lehtë të bëheshe komunist i flaktë. Sidomos të rinjtë jetonin në një shtet aq të padrejtë, siç ishte Mbretëria e serbëve, kroatëve dhe sllovenëve, ata nuk kishin asnjë perspektivë, andaj u inspiruan nga Revolucioni sovjetik i tetorit të vitit 1917 dhe ideja për një shoqëri tjetër, në të cilën të gjithë janë të barabartë. A nuk do të bëheshit edhe ju komunist në rrethana të tilla? Besoj se unë në atë kohë do të bëhesha komunist. Nuk jam komunist, sepse e kam parë se çfarë ka ndodhur nën komunizëm, se ku mund të shkonte komunizmi. Tito e përqafoi ideologjinë komuniste në kushtet shoqërore të viteve ’20 dhe ’30. Çfarë nuk ua fali Titos dhe shokëve të tij është fakti se ata, ndonëse gati të gjithë kanë qenë në Moskë, nuk mësuan nga përvoja negative sovjetike, ata kanë parë se çfarë ka bërë regjimi stalinist, çfarë terrori ka ushtruar. Ata e kanë pranuar këtë në emër të fesë…

Në emër të fesë?

Pirjevec: Po, sepse ata, për fat të keq, e shihnin marksizmin si fe. Ky ishte gabimi më i madh i tyre. Dhe kjo ka qenë arsyeja e dështimit të tyre.

Në librin tuaj ju shkruani se Tito ishte mjeshtër i konspiracionit. Ai ka përdorur rreth 30 pseudonime. Ka shumë spekulime për prejardhjen e tij. Në librin e tij «The Story from Inside» Milova Gjilas shkruan se Tito i kishte thënë atij se paraardhësit e tij janë nga fisi Kuçi në Mal të Zi, një fis me një degë shqiptare dhe një malazeze.

Pirjevec: Me gjasë paraardhësit e tij kanë ardhur nga trevat lindore të Jugosllavisë në Kroaci, por kjo, sipas mendimit tim, nuk është aq e rëndësishme. Kam një dëshmi se familja e Titos rrjedh nga Trentino, një krahinë në veri të Italisë. Në këtë rajon është i njohur mbiemri Broz. E sigurt është: ai u lind në Kumrovec, nëna e tij ishte sllovene, babai i tij ishte një pijanec, prej të cilit Tito kishte frikë. Tito është një përzierje e dy realiteteve: sllovene dhe kroate. Por, duhet thënë se realiteti kroat është më i rëndësishëm.

Që nga vdekja e Titos kanë kaluar 35 vjet. Megjithatë, njerëzit nga Sllovenia në Maqedoni interesohen për të. Si e shpjegoni suksesin e madh të librit tuaj?

Pirjevec: Në ish-Jugosllavi Tito ende është shumë i njohur dhe i popullarizuar. Sidomos gjeneratave të vjetra u kujtohet rinia si koha më e mirë e jetës së tyre. Dhe duhet thënë të vërtetën: vitet ’70 në Jugosllavi kanë qenë shumë të pranueshme, vendi ishte i fundosur në borxhe, por njerëzit kishin para. Ende më kujtohet se të gjithë kolegët e mi në Universitetin e Lubjanës atëbotë patën ndërtuar shtëpi pushimi, vikendicat e famshme, ndërsa unë si profesor në Itali nuk kam pasur një mundësi të tillë. Njerëzit kishin mundësi të arsimoheshin, të bënin karrierë, të zhvilloheshin në kuptimin social në krahasim me vitet e mëvonshme. Për këtë arsye Tito ende është relativisht i popullarizuar, por po ashtu është e vërtetë se njerëzve u duhen prijës, mbretër, bajraktarë. Kjo sa i përket Jugosllavisë. Në vendet e tjera ku është botuar libri interesimi për Titon buron prej motiveve të ndryshme. Për shembull në Italinë veriore ende ekziston një traditë e fuqishme partizane. Në Gjermani Tito njihet ende për shkak se aq shumë ushtarë gjermanë kanë luftuar në Jugosllavi – kundër Titos.

Në Jugosllavi Tito perceptohej para së gjithash si hero i luftës kundër gjermanëve. Por, në Dërvar të Bosnjës ai kishte menduar t’u dorëzohej nazistëve.

Pirjevec: Aty Tito është gjendur në një situatë të pamundshme rrethimi. Por, si shumë figura të tipit të tij edhe Tito gjatë karrierës ka pasur shumë fat, ta zëmë ai ka shpëtuar në vitet ’30 në Moskë. 90 për qind e jugosllavëve që atëbotë ishin në Moskë janë vrarë, burgosur, internuar në Siberi nga NKVD, Komisariati Popullor i Punëve të Brendshme, siç quhej Ministria e Brendshme e Bashkimit Sovjetik. Tito arriti ta shpëtojë veten, madje u bë sekretar i përgjithshëm i Partisë Komuniste të Jugosllavisë. Gjatë Luftës së Dytë Botërore ai ka qenë shpesh në rrezik.

Si e shpjegoni ju këtë shkathtësi të tij për të shpëtuar nga rreziku?

Pirjevec: Besoj se ishte shumë inteligjent. Shumë i kujdesshëm. Në fëmijëri ai jetoi në kushte të vështira ekonomike dhe që atëherë zhvilloi instinktin e mbijetesës, të vetëmbrojtjes. Kjo kishte edhe efekte negative, sepse ai të gjithë miqtë dhe bashkëpunëtorët e tij i shihte si konkurrentë të mundshëm apo armiq. Kështu ai i ka larguar nga pushteti të gjithë miqtë e tij, duke filluar nga Gjillasi, Rankoviqi… Kardeli në të vërtetë vdiq në shtratin e tij, por nuk vlerësohej nga Titoja, i cili në fund ishte shumë i vetmuar.

Ju e filloni librin tuaj me një përmbledhje komentesh për sytë e Titos. Çfarë ka të veçantë në sytë e tij?

Pirjevec: Kur i kam lexuar të gjitha këto dokumente mbi biografinë e tij kam vërejtur se sa shpesh përmenden sytë tij prej miqve dhe armiqve. Andaj vendosa të merrem edhe me këtë pjesë, ta përshkruaj këtë kapitull dhe të tregoj se çfarë personaliteti i fuqishëm ishte. Sytë e tij me gjasë ishin shumë fascinues, të përzemërt po aq sa edhe armiqësorë. Në një moment, gjatë një takimi, Stalini i thotë Titos: «Përse i keni sytë si rrëqebull? Kjo s’është mirë. Me sytë tuaj duhet të qeshni. Dhe pastaj ia futni thikën në shpinë!» Mendoj se ai dinte të qeshte me sytë e tij. Ministri i Jashtëm amerikan Henry Kissinger thotë: «Fytyra e tij qesh, por sytë e tij jo». Me një fjalë: ai kishte sy që linin përshtypje.

Ju keni shkruar se Tito nuk mund të krahasohet me Stalinin si diktator. Por, pas Luftës së Dytë Botërore ai ekzekutoi dhe burgosi mijëra kundërshtarë. Nga perspektiva e sotme a nuk duhet të trajtohet si kriminel lufte?

Pirjevec: Situatën duhet parë në kuadër të rrethanave të pasluftës. Të gjithë janë hakmarrë – gjatë dhe pas luftës. Churchilli e ka bombarduar Dresdenin, ndonëse nuk ishte e nevojshme. Ka bombarduar edhe shumë qytete gjermane, ku janë vrarë mijëra civilë, gra, fëmijë. Trumani e ka bërë shkrumb e hi Hiroshimën dhe Nagasakin me bomba atomike. Nuk duhet të harrojmë se si Eisenhoweri pas luftës është sjellë ndaj robërve gjermanë të luftës. Mijëra prej tyre kanë vdekur nga uria. Në Itali ka pasur krime të tmerrshme, thuhet se njerëz të gjallë janë hedhur në zjarr, pastaj në Francë, në Norvegji. Si mund të ishte ndryshe në Jugosllavi? Në një vend, ku njerëzit kishin vuajtur aq shumë, ku nazistët dhe fashistët me bashkëpunëtorët e tyre lokalë, sidomos ustashët, por edhe të tjerët, kryen krime të tmerrshme. Në një gjendje të tillë nuk mund të merret me mend se nuk do të kishte hakmarrje. Këtë e pranoi edhe Titoja.

Megjithatë, pas Luftës së Dytë shumë shpejt ndodhi thyerja me Moskën. Ka spekulime të ndryshme për arsyen e prishjes së raporteve mes Jugosllavisë dhe Bashkimit Sovjetik, për shembull thuhet se Stalini kërkonte që Armata e Kuqe të kontrollojë disa porte në Adriatik…

Prijevec: Këtë e kam gjetur në arkivat amerikane. Kam një dokument për këtë. Sovjetikët dëshironin t’i merrnin këto porte si enklava në Adriatik. Dhe këtë e kanë kërkuar deri në vdekjen e Titos. Si president i Jugosllavisë Tito e kuptoi se nëse do t’ua jepte këto baza sovjetikëve, sovraniteti i tij merr fund, andaj përgjigjja e tij ishte negative. Kjo është një ndër arsyet e konfliktit, por ballafaqimi ka filluar shumë më herët, në vitin 1941, për shkak të qëndrimit ndaj luftës. Stalini mendonte se kjo nuk është luftë ideologjike, ai nuk e pranonte tezën e Hitlerit se bëhej fjalë për një luftë të civilizimit europian kundër bolshevizmit.

Stalini thoshte se kjo është luftë mes Gjermanisë naziste dhe Bashkimit Sovjetik, rrjedhimisht këtë luftë ai e quante luftë atdhetare. Titos ky interpretim nuk i mjaftonte, sepse ai e dinte se jugosllavët nuk mund të binden për të hyrë në një luftë të tillë, ngase atëherë për jugosllavët nuk ekzistonte një atdhe, Jugosllavia nuk ishte atdhe, pas shpërbërjes së Jugosllavisë ekzistonte Sllovenia si atdhe, Kroacia, Serbia dhe kështu me radhë. Për t’i bashkuar këta njerëz rreth idesë për të luftuar nazistët, duhej thënë diçka tjetër: lufta nuk do të zhvillohet vetëm për çlirim nga okupatori, por edhe për ndryshime sociale, për ndryshimin e modelit shtetëror. Kjo ishte një ide mesianike, që sugjeronte se Jugosllavia e re do të jetë më e mirë se ajo e vjetra, mbretërorja.

Megjithatë, Tito nuk lejoi demokratizimin e partisë, shoqërisë dhe shtetit. A do të ndodhte shpërbërja e përgjakshme e Jugosllavisë nëse Tito në fillim të viteve ’70 nuk do t’i kishte hequr nga pushteti komunistët liberalë në Serbi, Kroaci, Slloveni?

Pirjevec: Unë jam dashamirës i madh i këtyre liberalëve, sidomos atyre serbë. Ata ishin më të mençurit, më të guximshmit. Dhe këtu do dalloja Latinka Peroviqin dhe Marko Nikeziqin. Liberalët kroatë ishin nën ndikimin e nacionalistëve. Sllovenët kanë qenë të koncentruar tepër në republikën e tyre dhe gati nuk e shihnin Jugosllavinë. Por, nëse këta njerëz të rinj dhe inteligjentë do të kishin mbetur në pushtet, besoj se do të ishin në gjendje të shpëtonin Jugosllavinë nga gjakderdhja. Por, problemi ishte se sa më shumë që mplakej Tito aq më shumë e pëlqente pushtetin. Ekziston një episod nga fillimi i viteve ’70, kur Tito tregon për takimin e tij me Churchillin në Napoli në vitin 1944. Kryeministri britanik i kishte thënë komandantit të partizanëve jugosllavë: «Në fund gjëja më e rëndësishme është: pushteti, pushteti dhe sërish pushteti».

A ishte kjo arsyeja që Tito ishte skeptik ndaj Kushtetutës së vitit 1974, e cila rregulloi decentralizimin e mëtejmë të Jugosllavisë?

Pirjevec: Kushtetuta e vitit 1974 është kryesisht vepër e politikanit komunist slloven, Edvard Kardel. Mes Kardelit dhe Titos ekziston një dallim i madh: në fund të jetës Tito ishte agnostik, ai nuk besonte më në asgjë, as në ideologjinë e tij, ndërsa Kardeli ishte përherë besimtar, natyrisht besimtar i ideologjisë komuniste. Kushtetuta e vitit 1974 ishte përpjekja e tij e fundit për të shpëtuar Jugosllavinë. Këtë e ka thënë edhe vetë. Unë them që Kardeli ishte socialisti i fundit utopist europian në kuptim të utopistëve francezë të shekullit të ’19. Ai besonte se me këtë Kushtetutë të tij mund të krijohet një demokraci e drejtpërdrejtë.

Ai besonte se demokracia e partive në Perëndim është vetëm një etapë e rëndësishme drejt demokracisë së vërtetë, sepse çlirimi i popujve do të arrihej vetëm nëse njerëzit kanë mundësi të zgjedhin drejtpërdrejtë dhe të kenë ndikim në zhvillimet politike dhe në vendimet që kanë të bëjnë me jetën e tyre. Meqë, sipas Kardelit, Lidhja e Komunistëve ishte pronare e së vërtetës, ajo e kishte për obligim të organizojë një sistem të demokracisë së drejtpërdrejtë dhe ta mbikëqyrë atë. Në këtë synim asaj duhej t’i ndihmonte edhe Armata Popullore e Jugosllavisë. Pronësia mbi të vërtetën dhe roli i ushtrisë qenë anët negative të kësaj Kushtetute.

Të flasim tani më gjerësisht për Kosovën…

Pirjevec: Po. Kam qenë njëherë në Kosovë, në vitet ’70, në një konferencë të organizuar nga Akademia e Shkencave dhe Arteve të Serbisë. Më kujtohet se patëm qëndruar në hotelin «Bozhur». Kam respekt të madh për shqiptarët, të cilët kanë arritur të mbijetojnë në rrethanat e represionit serb.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore Partia Komuniste e Jugosllavisë premtoi se edhe shqiptarët e Kosovës do të gëzojnë të drejtën e vetëvendosjes. Përse u tërhoq ky premtim?

Pirjevec: Në lidhje me këtë duhet të shohim se çfarë ka thënë vetë Tito. Në intervistën e tij të fundit më 1978 me George W. Hoffman, një profesor amerikan me origjinë austriake, i pyetur se cili kishte qenë hapi më i vështirë politik me të cilin u ballafaqua, Tito u përgjigj: «Bindja e serbëve për t’i pranuar krahinat autonome të Kosovës dhe Vojvodinës». Vetë Tito ishte i mendimit se Kosova duhet të bëhet Republikë në kuadër të Jugosllavisë, por – po e citoj Titon – «kjo nuk ishte e mundshme, sepse serbët këtë nuk do ta kishin duruar». Pra, Tito dëshironte që Kosova të bëhet Republikë. Tito ishte i bindur se gjendja në Kosovë do të shpërthente. Që në vitin 1976 ai i tha gazetares Darja Janekoviq: «Atje do të shpërthejë së pari». Shqiptarët e Kosovës ishin të vendosur të luftonin kundër hegjemonizmit serb, kështu që demonstratat e vitit 1981 me gjasë qenë të pashmangshme. Që nga mesi i viteve ’70 Tito besonte se këtë shpërthim po e mbështeste edhe Tirana me agjentët e vet në krahinë.

Ka shumë supozime se kush ka qëndruar pas demonstratave të vitit 1968 dhe 1981 në Kosovë. Në qarqet komuniste jugosllave, siç shkruani ju në libër, janë ngritur dyshime se në trazira kanë qenë të përzier edhe sovjetikët. A keni hasur dëshmi për këtë?

Pirjevec: Përzierja e sovjetikëve s’mund të përjashtohet kurrë. Por, arkivat e shërbimeve sekrete ruse janë ende të mbyllura. Kam parë shumë arkiva, mes tyre edhe të Kominternës, por pa i parë arkivat e shërbimeve të inteligjencës ruse dhe sovjetike ne nuk do ta njohim historinë e plotë të shekullit të ’20. Se kur do të hapen këto arkiva, nuk dihet, Kremlini është si Vatikani, asgjë nuk mund të parashikohet në këtë drejtim. Një gjë duhet ditur: për sovjetikët Jugosllavia ka qenë halë në sy dhe përherë ka pasur përpjekje për destabilizim.

Përse?

Pirjevec: Sepse Jugosllavia zhvilloi një lloj socializmi që mohonte eksperimentin sovjetik. Sovjetikët frikësoheshin se modeli jugosllav i socializmit do të gjente mbështetës në vendet e Paktit të Varshavës, në Poloni, Hungari, Çekosllovaki, gjithkund. Në shtator të vitit 1971 në Washington u përpilua një skenar, i cili parashihte që në rast se Moska pushton Serbinë, Maqedoninë dhe Malin e Zi, atëherë SHBA-të do të kërkonin nga Kombet e Bashkuara të dërgonin trupa të armatosura paqeruajtëse në Slloveni dhe Kroaci. Në dokument thuhet: «Këtë aksion ato (Kombet e Bashkuara) duhet ta imponojnë me arsyetimin e qartë se SHBA dhe NATO, nëse nuk do të ketë intervenim nga OKB, nuk do të kenë zgjidhje tjetër përveç se të sigurojnë pavarësinë e kroatëve dhe sllovenëve properëndimorë. Në një rast të tillë (…) ne do të marshonim në Republikat veriore».

Për t’i shpëtuar rrethimit sovjetik disa politikanë të nivelit të lartë në Beograd mendonin se duhej sulmuar Shqipëria në mënyrë preventive për të mbajtur shpinën të sigurt, sepse mendohej se Bashkimi Sovjetik do të sulmonte edhe nga Shqipëria. Frika u shtua pas marshimit të trupave sovjetike në Afganistan në vitin 1979. Studentët e Universitetit të Zagrebit brohorisnin: «Danas u Afganistanu, sutra u vašem stanu!» (Sot në Afganistan, nesër në banesën tënde). Në vitet ’70 Jugosllavia u furnizua me armë nga Washingtoni dhe në vitin 1975 presidenti Gerald Ford vizitoi Beogradin dhe, mes tjerash, nënshkroi një marrëveshje në vlerë prej 600 milionë dollarë për ndërtimin e centralit bërthamor Kërshko në Slloveni. Më 1978 Tito vizitoi për herë të tretë Washingtonin, ku u takua me presidentin e ri Jimmy Carter. Paraqitja e Titos e entuziazmoi aq shumë Zbigniew Brzezińskin, këshilltarin për siguri kombëtare të presidentit, saqë ai tha: «Bashkë me SHBA-të dhe Bashkimin Sovjetik Jugosllavia është protagonistja e vetme në arenën ndërkombëtare».

Ju shkruani edhe për një përpjekje për atentat kundër Titos në vitin 1975 në Zagreb, të cilin gjoja e kishin përgatitur kroatët dhe shqiptarët.

Pirjevec: Me gjasë ky ishte tentimi i fundit. Tito ua kishte frikën aktivistëve nacionalistë shqiptarë. Në shtator të vitit 1975 shqiptarët dhe ustashët kishin përgatitur një atentat kundër Titos. Sulmi do të kryhej gjatë një panairi në Zagreb, me ç’rast ishte paraparë që Titos do t’i dorëzohej Urdhri i Heroit të Popullit. Kur shërbimet sekrete sovjetike i informuan jugosllavët për planin e atentatit, protokolli i vizitës u ndryshua në çastin e fundit. Në fakt, bombat eksploduan, por prej tyre u thyen vetëm xhamat e një filiali të «Zagrebačka banka».

Si është e mundur që për këtë ngjarje nuk mësoi fare opinioni?

Pirjevec: Sepse gazetat dhe televizionet jugosllave nuk njoftuan për ngjarjen. Kjo ishte një shenjë e qartë se regjimi ishte i shqetësuar. Pushteti qendror në Beograd frikësohej se mund të bashkoheshin grupe të ndryshme në emigracion dhe në rast të vdekjes së Titos do të sulmonin Jugosllavinë. Në një raport të CIA thuhej se «kuturisja e aksioneve të fundit terroriste e ka shtyrë Beogradin t’i dyfishojë masat e sigurisë në vend dhe t’i paralajmërojë qeveritë e huaja, të cilat kanë juridiksion gjyqësor mbi terroristët potencialë». Regjimi në Beograd ishte i mendimit se Gjermania nuk po ndërmerrte masa të nevojshme kundër agjitacionit të emigrantëve politikë nga Jugosllavia dhe nuk po i ekstradonte tetë «terroristë jugosllavë». Tito u revanshua në vitin 1978, kur në Jugosllavi ikën katër anëtarë të Fraksionit të Armatës së Kuqe, një grup militant komunist gjerman. Organet jugosllave i arrestuan ata, por nuk i kthyen në Gjermani, madje i lejuan pastaj të ikin në vendet arabe. Ka pasur gati 25 përpjekje për atentat kundër Titos, por, siç e thashë, ai e kishte fatin përherë në anën e tij.

Ta zëmë se Tito në fillim të viteve ’70 do të kishte thënë se «nuk jam më i aftë për punë dhe po e caktoj një pasardhës». Kush do të ishte pasardhësi më i përshtatshëm?

Pirjevec: Ai i ka eliminuar të gjithë pasardhësit e tij potencialë. Mendoj se pasardhës të mirë do të kishin qenë Latinka Peroviqi apo Marko Nikeziqi. Me dijen e tyre, me botëkuptimin e tyre ata kanë qenë serbë jotipik. Në historinë e Serbisë që nga shekulli i ’18 ka dy lëvizje: njëra është liberale, properëndimore dhe tjetra konservatore, proruse. Lëvizja liberale përherë ka qenë pakicë, por në fillim të viteve ’70 befas, për herë të parë, përfaqësuesit e lëvizjes liberale erdhën në pushtet. Ata do të kishin ndryshuar Jugosllavinë. Për fat të keq Tito nuk mund t’i duronte, ai e dinte sa të mençur janë, sa të aftë, por për pushtetin e tij ata ishin tepër të rrezikshëm dhe për këtë arsye i rrëzoi nga pushteti. Meqë po flasim për këtë temë, dua të përmend edhe një njeri si pasardhës të mundshëm: ai është Koça Popoviq. Ai ishte pinjoll i njërës prej familjeve më të pasura serbe. Babai i tij kishte veturën e parë në Beograd. Koça Popoviq studioi filozofinë në Sorbonne.

Ka luftuar në luftën civile të Spanjës. Në Luftën e Dytë Botërore ishte komandant i Brigadës së Parë Proletare, e cila e ka shpëtuar edhe Titon më 1943 gjatë operacionit nazist «Weiss». Deklarata e tij se shqiptarët mund të jenë shtetas jugosllavë, por jo robër të serbëve, tregon se ishte vizionar. Pas luftës ishte shef i Shtabit të Përgjithshëm të Armatës jugosllave dhe pastaj ministër i Jashtëm i Jugosllavisë. Në aspektin intelektual ai qëndronte absolutisht mbi të tjerët, por ishte mjaft arrogant me sjelljet e tij. Për shembull gjatë pritjeve ai mërzitej aq shumë, saqë shkonte te shoferët dhe bisedonte me ta. Ai ishte një njeri i elitës serbe. Në arkivat angleze ka disa supozime se në vitet ’70 ka bërë përpjekje për puç kundër Titos. Për fat të keq dokumentet janë të censuruara ende, por kur e ke të qartë situatën e atëhershme, atëherë krijohet kjo përshtypje. Falë aftësive të tij intelektuale ai do të kishte qenë në gjendje t’i printe Jugosllavisë.

Pak para se të vdiste në vitin 1992 Koça Popoviq e kishte parë shpërthimin e nacionalizmit serb. Ai kishte shkruar: «Bashibozukët, fundërrinat dhe plehu janë ngritur në këmbë për ta ringjallur Mbretërinë e Car Dushanit. Serbët janë vetëm kundër atij që do të dëshironte t’i bënte pak më të mençur, ndërsa me entuziazëm i brohorasin çdokujt që i bën edhe më budallenj, më të prapambetur dhe më fatkeq. Është për keqardhje që serbët në kuptimin civilizues dhe kulturor kanë mbetur në nivelin në të cilin kanë qenë para së paku 100 viteve. Ata nuk janë në konflikt me botën, por me vetveten, duke iu kthyer shajkaçës (kapelës tradicionale serbe, v.j.) dhe opingave, prej të cilave mezi kanë dalë. Kam qenë dhe mbetur serb, por jo bullafiq i sëmurë dhe srbenda (fjalë pezhorative për nacionalistët e pagdhendur serbë). Të tillët e kanë tradhtuar popullin serb dhe e kanë turpëruar dhe ia kanë njollosur historinë e famshme».

Pirjevec: Pikërisht kjo deklaratë flet për aftësitë e tij intelektuale, të cilat i përmenda.

E kundërta e Koça Popoviqit duket të ketë qenë Aleksandar Rankoviqi, ministri famëkeq i Punëve të Brendshme. A e hoqi Tito atë nga pushteti, sepse frikësohej se ai do të organizonte grusht shteti?

Pirjevec: Nuk jam i sigurt nëse Rankoviqi dëshironte të përgatiste një puç. Ai ishte besnik i Titos. Por, ai synonte të bënte gjithçka që të jetë pasardhës i Titos pas vdekjes së këtij të fundit. Ai ishte kundër titoizmit, kundër reformave ekonomike dhe ideologjike që filluan nga mesi i viteve ’60. Këto zhvillime Rankoviqi nuk i pranonte.

Thuhet se u largua nga pushteti për shkak të rolit të tij prijës në represionin kundër shqiptarëve të Kosovës.

Pirjevec: Po. Por, nuk mendoj se Kosova ishte arsyeja kryesore. Natyrisht represioni i shërbimit sekret jugosllav në Kosovë pas vitit 1945 ishte çnjerëzor. Tek pas rënies së Rankoviqit kjo politikë u korrigjua.

Ju thatë se Tito ishte agnostik. Njëkohësisht ai ishte i vetmi lider nga kampi komunist që kishte marrëdhënie të mira me Vatikanin. Si e shpjegoni këtë?

Pirjevec: Është interesant të thuhet se ai kishte një raport miqësor me Papën Palin e VI. Ati i Shenjtë i mbështeste përpjekjet e Titos për paqe mes izraelitëve dhe arabëve. Tito përpiloi një plan, i cili, sipas mendimit tim, po të ishte zbatuar do të kishte zgjidhur këtë konflikt. Tito propozoi që të angazhohen fuqitë e mëdha dhe të garantojnë kufirin mes Izraelit dhe palestinezëve. Që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore politika jugosllave angazhohej për një federatë mes izraelitëve dhe palestinezëve. Tito nuk ishte parimisht kundër izraelitëve.

Tito ka shëtitur gati mbarë botën. Vetëm Izraelin nuk e vizitoi. Përse?

Pirjevec: Besoj se ai dëshironte të vizitonte Izraelin, por që nga vitet ’50 ai u miqësua me arabët. Kjo nuk domethënë se ai ishte kundër Izraelit apo hebrenjve. Jugosllavët u kanë ndihmuar mjaft hebrenjve pas Luftës së Dytë. Po ashtu është e vërtetë se shumë hebrenj kanë luftuar në radhët e partizanëve gjatë Luftës së Dytë Botërore, për shembull Mosha Pijade. Shumica e mjekëve partizanë kanë qenë hebrenj. Pijade ishte njëri prej baballarëve intelektualë të Titos.

Në një intervistë për gazetën kroate Novi list keni thënë se Jovanka Broz ia ka bërë jetën ferr Josip Broz Titos…

Pirjevec: …dhe kjo është shumë e vërtetë. Tito nuk ka pasur fat me gratë e tij. E para, një grua ruse, e ka braktisur. Kur Tito shkoi në Moskë në vitin 1935, ai e gjeti atë dhe e pyeti se ku ndodhej djali i tyre i përbashkët. Ajo nuk e dinte. Tito ishte i tronditur dhe qau në prani të bashkëpunëtorëve të tij. Pas ndarjes nga rusja ai u martua me gjermanen Lucija Bauer. Ajo u akuzua nga NVKD-ja si spiune e Gestapos dhe u ekzekutua. Pastaj u njoftua me Herta Haas, një vajzë shumë e bukur, e lindur në Maribor, atëbotë pjesë e Perandorisë Austro-Hungareze. Mendoj se po të kishte qëndruar Tito bashkë me të, historia e Jugosllavisë do të kishte ecur ndryshe.

Përse?

Pirjevec: Sepse ajo ishte e mençur, kishte mendim politik, andaj do të kishte edhe ndikim mbi Titon. Tito e tradhtoi Herta Haasin që në vitin 1941, kur ajo priste një fëmijë prej tij. Ai u lidh me një serbe, edhe ajo ishte shumë e bukur, por ishte e çmendur, neurotike, histerike. Quhej Zdenka Paunoviq. Ajo punoi si sekretare e tij deri në vitin 1945. Askush s’e duronte, përveç Titos, i cili ishte verbërisht i dashuruar në të. Ajo vdiq nga tuberkulozi. Pastaj Tito pati disa afera, mes tyre me një aktore të famshme ruse, Tatjana Okunjevska, e cila për këtë arsye në vitin 1948, kur Tito u prish me Stalinin, u internua në Siberi. Kujtimet e saj i kam në shtëpi. Natyrisht ajo nuk thotë hapur se ka pasur një lidhje me Titon. Pastaj Tito u njoftua me Jovanka Budisavleviqin, po ashtu një vajzë e re dhe shumë e bukur, e cila ishte plotësisht e paarsimuar, një partizane shumë e dashuruar në të.

Lidhja e tyre ishte e fshehtë mes viteve 1946-1952. Si grua e Titos ajo doli në opinion në vitin 1952, kur Jugosllavinë e vizitoi ministri i Jashtëm britanik Anthony Eden. Por, kur Tito vitin tjetër vizitoi Londrën, ajo nuk e shoqëroi, sepse ishte e pasigurt të paraqitej në këto qarqe ndërkombëtare. Me kalimin e viteve ajo u shndërrua në kuçedër agresive, duke shtuar gjithnjë e më shumë peshë. Kam pasur kontakte të mira me sekretarin e Titos, Jozha Vilfan, dhe gruan e tij. Ajo më ka treguar se si Jovanka gjatë natës shkonte në kuzhinën e Kështjellës në Bërdo për të ngrenë potica, një ëmbëlsirë tradicionale sllovene. Një gardist i Titos më ka treguar se si me rastin e vizitës së Mbretëreshës së Holandës, Juliana, në fillim të viteve ’70, Jovanka ishte futur në sallë, kishte kritikuar si e çmendur dukjen e tavolinës, e cila në të vërtetë ishte me enë të shtrenjta dhe porcelan, pastaj kishte kapur mbulesën e tavolinës dhe kishte hedhur gjithçka në tokë. Ky gardist, ky djalë i ri, kishte marrë guximin dhe kishte protestuar: «Kjo është pronë edhe e imja. Si mund t’ia lejoni vetes ta bëni këtë?» Sipas mendimit tim ajo ishte neurotike, për të mos thënë e çmendur.

A kishte Jovanka Broz ambicie për pushtet?

Pirjevec: Po. Ajo dëshironte të luante një rol pas vdekjes së Titos. Nuk duhet harruar se ajo ishte 50-vjeçare, ndërsa Tito gati 90-vjeçar. Këtu ekzistonte edhe problemi i jetës së saj seksuale. Tito me një rast kishte thënë se ambiciet e saj edhe mund të pranohen, por ajo nuk është e aftë. Kjo është ana pozitive e Titos: ai nuk ishte nepotist. Djemtë e tij, për shembull, ai i ka injoruar, nuk ju ka ndihmuar të zënë pozita, njëjtë veproi edhe me gruan e tij.

Në vitet e fundit para vdekjes së Titos, Jovanka Broz nuk u pa më duke shoqëruar liderin jugosllav. Cila ishte arsyeja e ndarjes?

Pirjevec: Ai kishte frikë prej saj. Tito me gjasë kishte frikë se mund ta helmonte. Ajo ishte në të pesëdhjetat, e fuqishme, e madhe, e aftë të bëjë çdo gjë. Jovanka Broz ishte tragjedia e Titos. Ajo ia ka shkatërruar së paku 20 vitet e fundit të jetës. E dini si e ka përshkruar shkrimtari serb Dobrica Qosiq këtë raport? Ai i ka parë aktet kur ka qenë president i Jugosllavisë së cunguar. Ai ka shkruar: «Tito ishte Napoleon, Waterlooja e të cilit ishte dhoma e tij e fjetjes».

1 KOMENT

  1. Për dëshirat e dikujt (ne kete rast te TITO-s) mund te hamendesohet, por per veprat mund te themi se ka informata si vijon:

    Tito pas luftes se dyte boterore e riokupoj Kosoven dhe vrau afersisht 60 mije Shqiptarë te ish RSFJ-se ne vitet 1944-1947, nga 550 Mije Shqiptar sa ishin ne RSFJ ne kete kohe!!! Dmth Tito vrau 12% te Shqiptareve.

    Ne vitet 1955-1965, Tito arriti marreveshje me kryemnistrin Turk, Menderes per perjashtimin e 210 mije Shqiptareve nga ish RSFJ, nga 1 milion Shqiptar te asaj Kohe… dmth. perjashtoi ne Turqi 21% te Shqiptareve… pa te drejte kthimi ne atdhe.

    Ndersa per pallavra dhe per deshira …s’ka nevojë te bisedohet. Vepra eshte veper …deshira eshte pikepyetje… edhe e parendesishme ne krahasim me vepren. Tito ka qene nje anti-shqiptar i poshter.

Komentet janë mbyllur.