HISTORIKU I E MANIFESTIMIT “EPOPEJA E UCK-së”

0
1089

(5.6.7 MARSI)

Historiku i Trupës Artistike Ushtarake “Hamëz Jashari” të UÇK-së dhe i Programit Artistik “Ai është i gjallë”, tash “Epopeja e UCK-së” është ky, edhe pse deri me tash shumë pak është thënë për Trupën Artistike Ushtarake dhe për Manifestimin “Ai është i gjallë”. Kjo Trupë dhe ky Manifestim, themelet i ka në flakë të luftës së lavdishme të UÇK-së. Është ideuar, ndërtuar, themeluar e organizuar gjatë ofensivave serbe. Është një emër i ri në historinë e kulturës shqiptare e deshën e së deshën të tjerët…

Fillimi i parë:
Trupa Artistike Ushtarake është themeluar në fillimin e muajit shkurt 1999, në kuadër të SHP të UÇK-së në Likofc, ndërsa emërtimin e Trupës, me emrin e heroit Hamëz Jashari, e ka miratuar po i njëjti Institucion ushtarak më 18 shkurt 1999.

Manifestimi Përkujtimor “Ai është i gjallë”, 06 mars 1999
Pas themelimit të TAU “Hamëz Jashari”, para Këshillit Artistik e paraqita skenarin për ditën e Manifestimit Përkujtimor, në shenj nderimi për ditën e rënies heroike të Kryekomandantit Adem Jashari dhe të Jasharajve, në Betejën e 5, 6 e 7 Marsit.

Në skenar ishte paraparë; Rreshtimi i njësiteve ushtarake, ngritja e flamurit, dhënies e raportit, pjesa foljore, pjesa muzikore e recitative dhe në fund pjesa skenike “Ai është i gjallë”.

Skenari u pranua dhe u vendos që Manifestimi të mbahet më 6 Mars 1999, si dhe emërtimi i Manifestimit të jetë sipas emrit të pjesës skenike “Ai është i gjallë”.

Përkushtimi ynë dhe provat intensive, bënë që programi artistik të jetë gati me kohë dhe në nivel të lartë profesional. Pritej dita dhe ora e fillimit të programit. Vendi ishte caktuar që Manifestimi të mbahej në Prekaz, në një largësi jo të madhe nga forcat serbe të stacionuara afër lagjes Jasharaj dhe për rreth Fabrikës së Municionit në Skënderaj.

Dita e 06 marsit 1999, mbeti e pa harruar dhe me rëndësi të veçanet për TAU-në, por edhe për numrin e madh të pjesëmarrësve në këtë Manifestim Përkujtimor. Publiku ishte i mrekullueshëm dhe i respektuar. Rendi dhe qetësia ishin në nivel të duhur.

Kur para tyre u paraqit Figura e Kryekomandantit Adem Jashari dhe zëri i tij që mbërrinte kupën e qiellit duke iu drejtuar popullit me fjalët:- “Kush ma vret popullin tim, cili bajloz ma kërkon mejdanin? Mua me keni kudo, kudo, kudo…”, plasi masa dhe nga çdo kush dëgjohej të thoshte e të pëshpëriste;- “More a po e sheh së, Ai qenka gjallë”…

Manifestimin e nderuan me pjesëmarrje: Sylejman Selimi, Komandant i SHP te UÇK-së, Jakup Krasniqi, Zëdhënës i UÇK-së, Komandanti i ZO të Drenicës Sami Lushtaku, Komandantët; Ilaz Kodra, Nuredin Lushtaku, Zenë Prokshi, Sahit e Musë Jashari, Fadil Kodra, Zenun Kodra e shumë të tjerë. Manifestimin e përcjellën shumë media të shkruara dhe vizive, kombëtare e ndërkombëtare…

Fillimi i dytë:
Këto ditë kanë një domethënie të veçantë, jo vetëm për pjesëtarët e UÇK-së por për gjithë Kosovën, për shqiptarët e për shqiptarinë në përgjithësi. Janë ditë të shenjta që s’do harruar kurrë. Ditë që gjenerata e gjenerata do t’i kujtojnë e s’do t’i harrojnë. Këto tri ditë e net, zjarri dhe flaka e lirisë shndriti në mbar trojet shqiptare. UÇK-ja, me Kryekomandantin e vet Adem Jashari, po thërriste në emër të lirisë, në emër të Atdheut e të flamurit që të gjithë të bashkohemi në rrugën e lirisë e të bashkimit kombëtar.

Manifestimi “Ditët e Përndritjës”, 5, 6 e 7 Mars
Me propozimin e udhëheqjes së TAU “Hamëz Jashari”, në janar të vitit 2000, SHP i TMK-së, e kishte pranuar propozimin dhe kishte vendosur që 5, 6 dhe 7 marsi të shënohen me një Manifestim të madh gjithëkombëtar dhe këtë obligim me urdhër ushtarak ia kishte lënë në barrë Trupës Artistike Ushtarake dhe udhëheqësit të saj.

Pas vendimit të lëshuar nga SHP i TMK-së, u ftuan shumë intelektual nga mbarë shqiptaria për ta marr edhe mendimin e tyre së si do të dukej dhe si do ta këtë fizionominë ky manifestim i madh që do të mbahet në Prishtinë dhe në Prekaz. Në mbledhje erdhën të gjithë ata që shprehnin gatishmëri për ta ndihmuar organizim. Me idetë dhe me punën e tyre, në vazhdimësi na ndihmuan: Isa Qosja, Adem Gashi, Daut Demaku, Ilir Shaqiri, Sunaj Raça, Adem Grabovci, Sami Lushtaku, Musa Jashari e shumë të tjerë të cilët pa hezitim ndihmuan deri sa përfundoi ky manifestim ndër më të suksesshmit në Kosovë.

Së pari manifestimi, sipas propozimit të Adem Gashit do të titullohej “Ditët e Përndritjës” dhe do të mbahej për tri ditë rresht, derisa unë në emër të TAU-së propozova që së cili program të këtë emrtimin në vete.

Dita e parë, 5 marsi, të jetë një program artistik që do të emërohet “Ai është i gjallë”. Në vitin e ardhshëm do të jetë programi qendror dhe do t’i shtohet edhe parakalimi i ushtarëve të të gjitha Zonave dhe njësive vartëse të SHP të TMK-së, para Komandantit të Përgjithshëm do të epej raporti dhe do të vazhdonte me programin artistik.

Dita e dytë, 6 marsi, në Prishtinë do të mbahet Akademi Përkujtimore kushtuar Kryekomandantit Adem Jashari dhe dëshmorëve të UÇK-së. (Për këtë ditë u propozua që në një të ardhme të afërt, data e 6 marsit të shënohet si dita e dëshmorëve të UÇK-së).
Dita e tretë, 7 marsi-Nata e Zjarreve, do të mbahet në Prekaz duke filluar nga ora 20:00, me ndezjen e zjarreve-flakadanëve të lirisë dhe programi do të vazhdonte deri në orët e mëngjesit, me këngë e valle, recitime e recitale etj. Mbrëmja do të emërohet “Nata e zjarreve” dhe do ta këtë karakteristikën e veçanet, me ndezjen e zjarreve, në të njëjtin vend ku kishte shkrepur flaka e lirisë dy vite më parë. Këto propozime, u pranuan dhe u miratuan nga pjesëmarrësit në këtë mbledhje dhe nga SHP i TMK-së.

Për tri ditët u vendos që të ngarkohet nga një regjisor me përvojë si: Isa Qosja, Latif Zariqi e Sunaj Raça, deri sa u propozua dhe unanimisht u përkrah që skenarist dhe regjisor i krejt manifestimit të mbetët shefi i TAU-së dhe ideatori i këtij manifestimi. Edhe pse ishte një ngarkesë e madhe, me kënaqësinë më të madhe e pranova për vet faktin së manifestimin e kisha filluar nëpër flakë të luftës dhe tani po e vazhdoja në frymën e lirisë.

Manifestimi, me gjithë vështirësitë që u paraqiten në grumbullimin e mjeteve financiare, kaloi pa pengesa, derisa për dështime as që bëhej fjalë.

Për sukseset e arritura folën dhe shkruan mediat e shumta që e kishin përcjellë me vëmendje dhe interesim të shtuar manifestimin dhe punën përgatitore, kurse për arritjet tjera, flet fakti së edhe sot e asaj dite ky manifestim po mbahet me të njëjtin skenar dhe formë të organizimit, pa shtuar as munguar gjë.

Fillimi i tretë:
Manifestimi “Epopeja e UÇK-së”, 5, 6 e 7 Mars
Vetëm një vit më vonë, saktësisht në janar të vitit 2001, me vendimin e SHP të TMK-së, i ndërrohet emri Manifestimit nga “Ditët e Përndritjes” në “Epopeja e UÇK-së”. Prapë së prapë, Manifestimi mbeti me të njëjtën fizionomi. Puna dhe organizimi kryesor i ngarkohet prapë shefit të TAU-së, ideator dhe autor i këtij Manifestimi.

Fundi i fundit:
Sado që, tash e sa vite, ky Manifestim po mbahet nën patronatin e kryeministrave të njëpasnjëshëm, nuk ndryshojë e nuk po ndryshon asgjë!? Mua aspak nuk më ngelet hatri pse nuk jam në përbërje (tash e sa vite) aty ku është dashtë të jem, sepse nuk mundem dhe nuk dua të jam pjesë e taborit të atyre që mundohen t’i tjetërsojnë autorësitë dhe idetë e të tjerëve, por ama, e kam nga frika se deri nesër këta tipa do të thonë se edhe mbishkrimi AI ËSHTË I GJALLË, që rrinë aq bukur në Kullën e Qëndresës, në Kompleksin “Adem Jashari”, është i tyre!.

Këtë e pëlqeu apo së pëlqeu dikush ky Manifestim është krijim artistik i pa kontestueshëm imi dhe i TAU “Hamëz Jashari” me vlera të mirëfillta. Këtë nuk mund ta mohon askush…

Nëse ka të tillë, le të urdhërojnë ballafaqim ballë për ballë me realitetin!

Dibran Fylli, regjisor, ish pjesëtar i Brigadës 113 “Mujë Krasniqi”