Ibrahim Basha model i atdhedashurisë, simbol i përjetësisë

0
1107
Ibrahim Basha
Ibrahim Kabili
Ibrahim Kabili

Heroi i kombit Ibrahim Basha lindi më 14 maj 1984 në Bulçesh, Tiranë. Lindi në një familje të madhe dhe me tradita patriotike dhe atdhetare. Historia e këtij djaloshi dëshmor, është ajo e një patrioti, e një atdhetari, e një njeriu te përkushtuar në shërbim të kombit e qytetarëve të vet. Këtë Bimi e tregoi me veprën e tij në shërbim të vendit. Bimi, qe model i heroit të gjallë që fatkeqësisht ju pre jeta në mes ende pa filluar. Ju pre jeta kur ai ishte në kulmin e arritjeve të tij, ju pre jeta në mes kur ai qe më i vendosur se kurrë për të luftuar krimin dhe bandat e tij, ju pre jeta në mes kur ai kishte plot ëndrra për të ardhmen, ju pre jeta në mes kur kishte thurur ëndrra dhe për krijimin e familjes.

Pikërisht, në kohën kur Bimi u formua si njeri, kur me punë e përkushtim arrin gjithçka në karrierën e tij, kur po i shërbente me devotshmëri atdheut në detyrat e ngarkuara. Një dorë kriminale i jep fund jetës së tij. Nga kjo dorë mizore tepër e ndyrë, shumë kriminale, e bërë pis dhe sterë nga droga e kumari, një dorë burracake e një trafikanti droge apo prostitucioni, një dorë e fshehur në skutat më të errëta të krimit dhe kriminelëve “jakëbardhë”, i merr jetën oficerit të Ndërhyrjes së Shpejtë, zotit Ibrahim Basha. Paradokse shqiptare! Kohë të vështira! Tmerrësisht jonjerezore. Dhe sot vazhdon kjo betejë, e cila do jetë e gjatë.

Ishte kohë e pas zgjedhjeve, isha i interesuar për to, dhe po ndiqja proçesin. Për këtë isha i “ngulur” non stop që herët te ekrani i News 24. Pa pritur, vjen lajmi i trishtë: Qëllohet me plumb në kokë efektivi i RENEA-s, dy të tjerë plagosen, policia ndërpret ndërhyerjen në Lazarat. Nuk dihej fillimisht emri i personit të vrarë. Dhimje për personin e vrarë, pavarësisht emrit (nuk dihej për momentin). Ra në luftë me krimin. Minutat kalonin të shoqëruara me ankth dhe me kalimin e tyre situata vinte duke u qartësuar. Dhe vjen lajmi bombë: Të thirrur për ndihmë forcat RENEA janë gjetur nën breshërinë e armëve, të cilat i kanë marrë jetën efektivit Ibrahim Basha. Ky lajm i dhimbshëm më tronditi shumë, qe i pabesueshëm për mua pasi disa ditë më parë qemë takuar te një mik i përbashkët.

U trondita shumë, nuk po e besoja lajmin, e ngjarjes se ndodhur. Për ta konfirmuar pyeta disa njerëz të tij, por ato nuk ishin njohur akoma me ngjarjen në këtë orë të mëngesit, të kësaj dite makabër të 24 qershorit 2015. Dhe ato u vunë në lëvizje! Ditë e zezë pêr Bimin, për prindërit e tij Osmanin dhe Sulltanën, për motrat dhe vëllain.Ditë e zezë për fisin e tij, për shokët dhe shoqet e tij të punës, për krahinën e tij tē lindjes, për gjithë ato që e njihnin apo punuan me të.Qe një ditë e trishtë dhe për institucionet shtetërore, të cilat e ulën flamurin në gjysëm shtizë.

Ibrahim Basha arsimin e fillor dhe atë tetë vjeçar e mbaroi në Bulçesh me rezultate shumë të mira. Shokët dhe shoqet e shkollës, dhe mësuesit e Bimit flasin me shumë konsideratë për të. Atë e kujtojnë si nxënës të urtë, të sjellshëm, i dashur me shokët, mjaft gazmor, dhe i përkushtuar në mësime. Me ndërtimin e Ujëmbledhësit të Bovillës, dhe familja e Bimit bashkë me qindra banorë të tjerë, largohen nga fshati më1997-’98 dhe vendosen në fshatin “Bulçesh i Ri” në Bashkinë Kamzë. Për Bimin tani kishte nisur një jetë e re, me plot ambicje për jetën dhe sfida për realizimin e tyre. Sfidë kryesore për të qe shkollimi dhe aftësimi deri në “përsosmëri” tekniko- profesional. Vazhdon shkollën e mesme në Gjimnazin “Ibrahim Rugova” në Kamzë në vitin 1999 dhe e përfundon në vitin 2003.

Ambiciet dhe dëshirat e tij qenë të mëdha! Vazhdon arsimin e lartë pranë Universitetit Bujqësor të Tiranës në degën Inxhinieri Mjedisi dhe e përfundon në vitin 2010. Ndërkohë që Bimi vazhdonte arsimin e lartë part-tajm, filloi dhe karrierën e tij ushtarake ku arriti dhe rezultate mbresëlënëse. Karriera ushtarake për të qe sfidë dhe ai e arriti me sukses atë. E arriti falë punës, ambicies, përkushtimit, objektivave të vënë vetes, vendosmërisë, dhe këmbënguljes për të arritur atje ku ai deshi, dhe që e realizoi me sukses atë. Karriera e tij fatkeqësisht qe e shkurtër por e plotsuksesshme.

Në tetor 2003 bëhet pjesë e repartit ushtarak “Komando Zall -Herr”. Brenda një kohe të shkurtër, me shumë punë e stërvitje të diferencuar arrin gjithë treguesit dhe bën diferencën në repart. Vazhdoi punë këtu deri në vitin 2009. Përgatiti me qindra efektivë të tjerë me një përkushtim të jashtëzakonshëm. Gjatë kohës së shërbimit me forcat komando falë aftësive fizike, teknike, taktike dhe njohurive që zotëronte dërgohet me shërbime në: Mosul, Irak në vitin 2005 dhe vitet 2007–2008. Në Irak kreu tre misione paqeruajtëse dhe u dallua për shërbime me profesionalizëm dhe përkushtim të lartë.

Dhe parësore për të atje, qe paraqitja dinjitoze si ushtarak shqiptar, Ngritja lart e flamurit tonë kuq e zi në garat e fituara, ngritja lart e vlerave të kombit shqiptar. Në moment pranë mbante flamurin tonë kombëtar. Ky qe Basha, model i njeriu, patrioti dhe atdhetari të flaktë. Kështu e njohën kolegët dhe eprorët në të gjallë oficer Bimin, dëshmorin e Kombit e Atdheut Ibrahim Basha. Gjatë kohës që shërbente atje, Bimi, kujdesej dhe për arsimimin e motrave të tij, i kishte pikë të dobët, kujdesej për ecjen e tyre në arsim të lartë.

Bimi nuk kënaqej me pak, synonte vijimisht më lart. Në vitin 2009 kalon tek Forcat Speciale Ushtarake. Kalimi u bë pasi në vitin ai në vitet 2008-2009 mbaroj me shumë sukses “Kursin e Forcave Speciale të Ushtrisë”. Punon këtu deri në vitin 2014. Edhe në detyrën e re Bimi është i përkushtuar, mjaft kurajoz, shumë këmbëngulës dhe pati shumë rezultate. Përsëri falë aftësive që kishte dërgohet në vitin 2013 me shërbim me trupat paqeruajtëse në Afganistan.

Atje misioni ynë paqeruajtës iu bashkua forcave amerikane në kuadrin e NATO-s. Bimi dhe këtu, si gjithnjë,tregohet mjaft i përgatitur, i vendosur, specialist tepër i zoti në kryerjen e detyrave dhe situatave luftarake. I barabartë dhe dinjitoz paraqitej Bimi me ushtarët e tjerë të NATO-s, por në shumë gara dhe veprimtari me to, jua rrëmbente medaljet. Këto medalje, përsëriste shpesh Bimi, më duhen për flamurin dhe ja dedikoj atij! Ky qe Bimi, modeli dhe heroi ynë i cili do rrojë në përjetësi, me veprën e tij.

Oficeri Ibrahim Basha gjindej gjithnjë atje ku ishte sektori më i vështirë, atje ku detyrat qenë më të vështira, atje ku jeta dhe vdekja ishin më pranë njëra- tjetrës. Ky qe një leimotiv i jetës së tij. Në vitin 2014 Bimi me shumë dëshirë konkuroi për tu bërë pjesë e forcave RENEA. Falë aftësive dhe përvojës në misionet paqeruajtese e fitoi konkursin dhe në muajin tetor të këtij viti bëhet pjesë e RENEA-s. Detyra e re qe një sfidë më e vështirë për Bimin. Ai mori gradën e Inspektorit dhe j’u përkushtua punës.

Edhe ketu u dallua nga profesionalizëmi, shkathtësia, shpejtësia, përkushtimi dhe vendosmëria për kryerjen e detyrave të vështira. Si gjithnjë i suksesshëm në kryerjen e detyrave. Njeri i punës, i sakrificave dhe sfidave! Sfidat kërkojnë dhe gjak, kështu ndodhi dhe me shokun e Bimit Feti Vogli i cili më 26 shkurt 2012 u vra në Afganistan gjatë kryerjes së detyrës me forcat paqeruajtëse.

Bimi sapo qe kthyer nga misioni, e vrau shumë në shpirt, humbja e shokut të ngushtë dhe “mallkonte” veten përse nuk ndodhej atje, për të marrë hak për shokun e tij të vrarë atje, Voglin! Por fati është mister, rrallë tragjik dhe i dhimbshëm. Kështu fatkeqësisht ndodhi dhe me Bimin, heroin tonë… E kujt i shkonte ndërmend, se njeriu i “hekurt” i sprovuar në sa e sa sfida brenda dhe jashtë vendit, mund të vritej nga një dorë e ndyrë dhe mizore, në vendin e vet, në krye të detyrës? Çfarë palo krimineli? “Shqiptari” vret në pritë punonjësin e shtetit, vetë “shtetin”. Fatkeqësi e madhe për familjen dhe shoqërinë… Kjo vrasje e hidhur e preu në mes rrugëtimin e pandalshëm të Bimit. Pavarësisht humbjes tragjike i madh qe ideali i tij!

Sot pas pesë vitesh nga rënia e tij akoma nuk është gjetur vrasësi!? Janë dënuar një grup i organizuar, prej 5-6 vetash me nga 15 vjet burg e poshtë, por nuk doraci. Kjo është e pafalshme nga organet kopetente dhe vetë shteti! Apeli është që shteti duhet të punojë për Bimin, me atë ritëm e përkushtim, ashtu si Bimi punoi për shtetin dhe shoqërinë! Po të qe gjallë apeli i tij do ishte: Luftë pa kompromis ndaj krimit e kriminelëve, luftë pa kompromis, ndal drogës, jo kultivimit të kanabisit për qëllime mjekësore siç po aludohet sot nga disa politikanë dhe qeveria!

Karriera profesionale e Bimit qe e shkurtër, por tepër e larmishme, aq sa, për t’u pasur zili dhe për t’u ndjekur si model për brezat që do ndjekin karierën e tij. Ai:

Ne vitin 2004 mbaroi “Kursin Komando”, në vitin 2005 mbaroi “Kursin Nënoficer”, në vitin 2007 mbaroi ” Kursin si Pjesë e Lidershipit” dhe ” Kursin Elito-Komando”, në vitin 2009 “Kursin e Forcave Speciale të Ushtrisë”, në vitin 2011 “Kursin e Specialitetit të Xhenjos”, në vitin 2012 “Kursin e Ruajtjes dhe të Shoqërimit të Personaliteteve”, në vitin 2013 ” Kursin e Avancuar të Forcave Speciale” dhe ” Kursin e Instruktorit për Mësimdhënie”.

Në vlerësim të punës dhe veprimtarisë tij në shërbim të Atdheut, oficeri Ibrahim Basha është vlerësuar me shumë çertifikata për përgatitjen profesionale, kontributin e dhënë në misionet brenda dhe jashtë vendit; me çertifikata për misionet jashtë vendit. Në vitin 2011 Ministri i Mbrojtjes i jep medaljen për pjesmarrje në shërbimet ndërkombëtare me motivacionin “Për korrektësi të lartë në zbatimin e detyrave. Presidenti Nishani, pas vdekjes më 25.06.2015 e dekoroi Bimin, me “Dekoratën e Lartë të Shqiponjës” dhe e shpalli Dëshmor të Atdheut.

Për aktin heroik të Bimit, janë bërë shkrime, janë thurur poezi, janë bërë e kënduar këngë, është bërë një Monografi për të me autor të mirnjohurin Kujtim Boriçi dhe poetin e afirmuar Arben Duka. Shkolla 9 Vjeçare Bulçesh i Ri tani mban emrin e dëshmorit, Ibrahim Basha.

Varrimi i Ibrahimit u bë me një ceremoni madhështore. Numri i pjesmarrësve qe shumë i madh. Bimi u përcoll me ceremoni fetare dhe shtetërore. Në ceremoni mortore morën pjesë dhe përfaqësuesit më të lartë të shtetit.

Pas vdekjes, Bimi, u shpall dhe “Qytetar Nderi i Krahinës së Bendës” dhënë nga Kryetari i Shoqatës “Benda” zoti Ferid Hoxha.

Vdekja e Bimit qe një humbje e madhe për familjen, banorët e krahinës, kolegët, dhe ato që e njohën dhe punuan me të. Ne ndihemi shumë krenarë për Bimin! Ai do mbetet për brezat model i atdhedashurisë, shembulli i ushtarakut të kompletuar, shembëlltyra e njeriut të mirë, simbol i përjetësisë!

IBRAHIM KABILI
Tiranë më 27.08.2020