IDEALI ATDHETAR – METAFORË E LIDHUR NYJE

0
238
Mentor Thaqi - Trungu, 2018

Kritikë letrare

Mentor Thaqi, “TRUNGU”, poezi, botoi «LENA», Prishtinë, 2018, faqe 140. ISBN 978-9951-755-89-4.

Nga Shefqet DIBRANI

Vargu “Për këtë Tokë, të lidhur nyje”, nuk është vetëm metaforë lirike, është togëfjalësh, në letërsi quhet syntagmë, dhe kështu “lidhur nyje”, materializon idealizmin e poetit Mentor Thaqi. Ky qëllim i lartë patriotik, është preokupimi i tij jetësor dhe angazhim i përhershëm, sëkëndejmi, në planin krijues është shndërruar në pikësynim kryesor për t’i ruajtur vlerat, zakonet dhe traditën, përpjekje këto që lexohen në secilin varg të autorit. Andaj, vargu lirik, është jehu i këngës së tij për atdheun, vargje këto që shprehin edhe shqetësimin e përgjithshëm intelektual, shqetësimin e tij kombëtar. Në një nuancë tjetër edhe mërgimi është brengë e përhershme poetit, këtë e dëshmon me vargjet: “Baba iku në pakthim, unë ika në mërgim/ Shelnja aty në rranjë të veta mbet/ Moçnisun, por po mbahet/ Edhe pse vetmisë po i kjahet”, (faqe 37).

Kjo metafora epike, është po aq tragjike, megjithatë mbetet lajtmotiv tematik për mërgimin. Si strukturë poetike, është vargu artistik i sforcuar me shprehje lokale – dialektikore, që përbëjnë njërën nga figurat më të fuqishme stilistike, e trajtuar edhe nga poetë të tjerë, ndonëse te “Trungu” i Mentor Thaqit, është temë obsesive e kapur përë “Rrënjët”, një tjetër vepër e këtij autori.

Pa e njohur mirë traditën e Dukagjinit, dhe të folmën alegorike të saj, jo rrallë vargu të hamend, më e pakta të detyron t’i rikthehesh së lexuari disa herë, dhe kjo për mua është art më vete, të cilin secili poet nuk mund ta shkruaj e thotë, as nuk mund ta shprehë kaq bujshëm. Në anën tjetër të gjitha këto shprehje në letërsi kategorizohen në dy grupe: Figura letrare alegoria e hiperbiola ndërsa stilistike janë ironia dhe epiteti.

Këto figura letrare, e kanë bërë lirikën më të dendur dhe herë të tjera me figuracion karakteristik. Gjithësesi, poezia është art i perspektivës, i progresit, i humanës dhe njerëzores njëkohësisht, prandaj poeti pretendon se, “Kullën mbi ato hatlla do ta maroj/ E kateve sall hatllat ua shtoj”, (faqe 12). Siç shihet, “Kullën”, poeti e ka shndërruar simbol në poezi, por atë – Kullën, ia la amanet “përtegjyshi”, përkatësisht stërgjyshi i cili kullës: “U vuri edhe çupri e dyreq/ Për dimra të zi e mot të keq”, një përdredhje e veçantë artistike, një shprehje e lartë poetike. Gjithashtu poeti shprehetse ka “… gjithmonë në kujtesë katragjyshin Xheç”, (faqe 12).

Metafora e kësaj poezie sforcohet edhe me vargjet: “Verra t’Dukagjinit/ Autoktonë, heret a vonë”, për kujtesë historike ka përjetim magjik, dhe kurdoherë: “Në kujtesë më ka mbetur/ Kajusha n’ato degë/ Kasollë për gjashtë muaj verë”, (faqe 13). Kjo ndërthurje përbën mozaikun e përgjithshëm të të gjitha shtresëzimeve kulturore e historike në mes gjeneratave, gjerë tek poeti Mentor Thaqi. “Tevona… edhe vëllai u tha e ra/ Thanë se reja n’shpirt e kish vra/ Bashkë me t’vëllanë… varr’të pa ia pa”, (faqe 14). Mbase kjo ndodhi, sa tragjike po aq është trashëgimi zakonore e kulturore, e cila u bart nga brezi në brez, ndërsa poeti ynë paska vendosur për t’i lënë të shkruara në librin “Trungu”, që duket të jetë unazë lidhëse me “Rrënjët”, që përkon me titullin e një libri paraprak. Trungu i tanishëm është ndërmjetës në mes rrënjëve dhe kurorës, ku hipotetikisht mund t’ia llogarisim librat tjerë se janë kurora e angazhimeve poetike.

Ky është Mentor Thaqi, poezia e tij është kjo, por për vete është shndërruar në personalitet dhe figurë e njohur në fushën e kulturës dhe të letërsisë, të skenës dhe skemës kulturore, kudo dhe kurdo, i gatshëm, i papërtueshëm dhe bujar, epitete që ndërthuren me traditën e tij familjare, por edhe me individualitetin krijues, së këndejmi edhe me tipin dhe motivin e poezisë që krijon, të cilat së bashku formësojnë sentencën lirike, e cila shpesh duket sikur të ishte fragment për pjesë teatrale, për recital a deklamim skenik, art të cilin Mentor Thaqi, veç edhe më shumë se sa poezinë, e zotëron dhe e ka pasion më mirë se kushdo tjetër, veçmas brenda arqipelagut të krijuesve shqiptarë në mërgatë.

MEN’O M’THA

(Mendo më tha)

Fjala e babës
Në frymën e fundit
“Biro, rri n’kamë tua
Edhe kur t’zezat dalin maje kreje
Meno për ata mas teje”

Mora frymë
Të dytë në ecje hymë

U mundua t’i mbyllte sytë
Po jo të dytë
Mua më mbet fryma e tij
Ende e mbaj në gji
Sot e për pleqëri

Faqe 10.

Poezia e Mentor Thaqit, në përmbajtje, përveç mesazhit të fuqishëm patriotik, ka qëllim ndërgjegjësimi dhe emancipimi. Tamam siç është shprehur në poezinë epitaf për “PLEQTË E LLUKËS”, poezi kjo që gjatë do të mbahet mend, prandaj ne po shkëpusim dy strofa të cilat i përjetuam më thellë:

PLEQTË E LLUKËS

Te tanë të një mase, te tanë të një pamje
Te një gjeni, të një gjaku, të një dere
Te një gjuhe, të një gjaku, të një pragu
Te tanë thaçjanë, shaljanë llukjanë

Pleqtë e llukës, urtakë shekulli
Pushojnë në rrajë të veta mbushur nderi
Me ballë prej veri
Me një epitaf i përthekon te tanë
“Vulë kjenësie ishin dhe janë
Nderë patën e nderë na lanë”!

Poezia, PLEQTË E LLUKËS, Faqe 17.

Ky portretizim për të parët e vet, është virtyt, prandaj poeti shkon gjerë në sakrifikim të lirikës për traditën patriotike, syntagmë (togfjalësh), e dukshme dhe e përjetuar edhe në këtë libër poetik, nga i cili mësojmë se “Premtë Mema i Lluksë/…/ Dy orë rrugë prej vrapit t’kalit/ Gjysma e rrugës hijeve t’malit/…/ U rikthye me prarim të diellit”, dhe bashkë me Premtë Memën e Lluksë, e zezë dita për shekuj me radhë mbuloi Dardaninë, por: “E zezë dita tha, kur e pvetën/ Ynë Zot Pjetër Bogdani nuk e fitoi luftën/ Fitoi një pëllëmbë të tokës së vet/ Do djem tanë bashkë me te na ranë në Prishtinë”, (faqe 18).

Vërtetë poezia ka figuracion magjik, ndërsa vet poeti ka frymën dhe arsyen e vet, pse nuk merakoset aq për formën e lirikës, kur nga shpati duket se poezinë fillimisht e ka mision e pastaj pasion, prandaj e krijon vetëm për shpirtin e vet dhe më pas edhe për shpirtin e të parëve t’vet, dhe kjo është tradicionale, është edhe patriotike, kështu si askush tjetër ka mbushur amanetin e Babait dhe të parëve të vet.

Poezitë në librin “TRUNGU”, qëndrojnë stoike të mbështetura mbi “RRËNJËT” e veta. Në aspektin letrar, shihet se motivi ideor është vazhdimësi e librit “RRËNJËT”, dhe bashkë me librat tjerë, siç e theksuam edhe më parë, poeti e ka ndërtuar kurorën, jo vetëm si zbukurim artistik, por ka bërë pemën gjenealogjike të të parëve të vet, e sforcuar kjo përmes poezisë, pasi ruan motivin e traditës patriotike, duke u bërë më e dashur, më e kapshme dhe më e pranueshme, andaj ky sforcim pozitiv shihet nga poezia në poezi.


E Rrasa, përballë dëshmitare
Datat e trishta kallë
Ah! Po këtu i thonë Koshare

Do të doja t’i mbledh një dorë lulevere
Shpatijeve të mbjellura me plumba
Nënqiellit të vërshuar me pëllumba
Drejt, drejt te ato Lapidare të Lirisë
Koshare e Dardanisë, e Shqipnisë
E t’iu them
O Heronjtë e mi
Ju jeni kushtrimi që jehon, që s’pushon
Ju, Ju po po, Ju trimëri që bulon

Poezia “KOSHARE SHQIPTARE”, faqe 48

Në një rast tjetër poeti shkruan: “Sy e vesh çikat, shpatijeve në bjeshkë/ Harruan xherxhefet dhe kërrabzat në xhubletë/ Kënga e dashurisë, shpirtin sikur eshkë/ Ndezur në zemra, në dashuri na ishin tretë”, (faqe 76). Ky motiv, është tregues se poezia është art i tranzicionit të brendshëm kulturor. Është vetëvetja! Është vet Mentor Thaqi, dhe më në fund themi se është edhe “KËNGA E BARDH DUKAGJINIT”, ku poeti e paska derdhur tërë elanin poetik:

– O Bardh Dukagjini, mos e ndal baladën
Gjejmë bashkë zgjidhjen për atë tel t’lahutës
O Kreshnik legjendash, qe ku e ke dadën
Tel sot e kje këtë fije floku t’Tanushës
I hoq dy fije floku, të gjata plot një pash
I bëri dredhë, Bardhit në dorë ia dha
Vazhdoi Bardhi këngën edhe më me afsh

Ah sa jehuan shpatijet dhe Lugu i Lumëbardhit

Faqe 76-77.

Jo vetëm poezia si krijim lirik, por edhe vargjet ngjasojnë me baladat, janë pjesë e procesit, dinamikë e cila krah për krah zhvillimeve të gjithmbarshme nacionale, transformohet, jo vetëm si art letrar e si kulturë letrare, por edhe si kulturë politike e shprehje e lartë poetike e realizuar në këto lirika!… Poezia “PESHA E FJALËS” e materializon mendimin tonë të shprehur për poezinë në fjalë.

E shoshitën, e sitën, e bluan
Sa im, egër, e butë
guri as vulë s’un i vnuan

E tjerrën, e herrën, e djerrën, e bjerrën
Po ec e bëje pe t’i shkohet për filli

Sa e zbutën sa e egërsuan
Prapë guri s’i vnuan

Nuk i gjetën gjërsi as gjatësi
Me pash, hapa, kut e klic, as berxhik
N’hall të matnit, ore bre

Po po, e matën e ç’matën
Sa në vagë, në kandar, në terezi, me okë
Po peshën s’ia gjetën
E n’peshojë s’e vunë

Dikur, doli një i lënë kah shneta
Po bukur gjins nga mendja
I vuri guri e vulë, i gjet peshë e masë
E u tha
…“te arsyeja aty âsht’ nyja”

Faqe 84.

Në esencën e saj, poezia e Mentor Thaqit, është edhe strategji e kuptimit dhe mundësi e interpretimit më të thellë letrar, për t’i transmetuar deri tek tjetri pikëpamjet krijuese, imazhe që stimulojnë imagjinatën dhe nxisin fantazinë krijuese, pa të cilat nuk ka art e as vlerë letrare. Në këtë aspekt e shoh të udhës të citoj disa vargje të cilat përveç botkuptimit letrar, janë vargje të realizuara me sukses dhe kanë metaforë, shpeshherë të papërseritshme: “Zoti na ruajtë nga pjella jonë/ Herët a vonë“, (faqe 33), “Trupova Drinin n’kapërcim/ Dhe rashë nën Dri/ Edhe pse i dola përmbi/…/ Shqipni, unë jam aty me ty/ Nën apo mbi Dri, po aty“, (faqe 34), “Bardhokë, moj faqekuqe/ Lum ai që të sheh në prag të vet/ Në pamje të parë, pse të tjerët nuk i vret“, (faqe 36), “E donte Zefi arën e vet, o babë…!” dhe “Çudi more babë. Çka asht’ ky farë beteri/ ato gjithmonë erdhen prej veri/ po t’thotë ty qyky Imeri“, (faqe 41-42), “Sa dhimbshëm tingëllojnë këto dhimbje/ Prapë n’udhëtim me lot për kthim/ Lutjet e tyre për jetën, për vdekjen/…/ Sall mallin sërish me vete/ Atë e patën kulm jete“, (faqe 45-46), “Fshiu sytë e lagun prej loti/ Ashtu siq shtrydhet reja në pikë moti“, (faqe 51), “Bjeri kah të duash poet/ As ti sot nuk je vetja jote“, (faqe 62). “Toka, Atij i dha emrin e vet/ Ai Tokës në Identitet-Dinjitet“, (faqe 65), “Tevona, telashe për farë/ Loti në sy e syri n’arë“, (faqe 82), etj.

Përveç metaforave të shumta të kësaj natyre, të cilat i theksuam më lartë, poeti Mentor Thaqi, ka ndërtuar edhe postulate të cilat shëmbëllejnë si urti, anekdota, këshilla e thënie popullore: “N’jetën tème pash’ sa m´pau menja“, “Po ti mso prej kohe, sall koha nuk gabon“, “Nuk po t’lâ shumë pasuni, se as vet nuk pata“, “Munohu me dhanë ma shumë se me marrë“, “Borxh Iratin (pasurinë), ruaje e mos e hup”, “Borxh neren, mos luaj me tâ, nuk âsht me luejt“, (faqe 50-51), “Dje, qaja kur këndoja/ Sot këndoj kur qaj“, (faqe 61), “Sall dhimbjen e zgjata/ Sall ligësinë e mata/…/ Ah! Shumë rëndë cinizmi i mikut/ Më i zi se nënshtrimi i vëlla manafikut“, (faqe 74), “Kot u munduam të blejmë lesh dreqi/ Me lesh nuk mshilet veshi“, (faqe 81), “Duhet me pa ma larg se pertej hune/ se maruem me t’rrxume“, (faqe 89), “Shpi, shpi, n’truallin tem/ për tjerat mun t’bâjm kuven“, (faqe 94), “Syri i untë sheh përtej deti/ E nuk të lë të shikosh përtej hunde“, (faqe 96), “E rëndë të shitet shpirti njëherë/ Tevona bëhet lojë shit-blerje/ Pa fije vlere, pa fije ndere// Që miu të mos bie për mustaqe/ Po u dashka që mustaqet të hiqen/ Fare miu mos të ndiqet“, (faqe 105), “I pa pjekur plaku e pleqnar fëmija“, (faqe 106), “E bënë të heshtë një njeri/ Vetë toka zbulon atë fshehtësi“, (faqe 107), e një varg i gjatë që nuk arritëm për t’i evidentuar e theksuar.

Karshi këtyre, poeti e ka zhvilluar edhe ironinë, kryesisht si figurë stilistike, që ka zënë vend meritor në vargun e tij. Ironinë, si figurë stilistike, poeti e ka përdredhur si varg artistik, duke përqeshur e vënë në lojë vese të shëmtuara. Sa për ilustrim po citojmë: “Më thanë, të thanë, na thanë“, (faqe 39), shpreh botkuptimin ironik për diskutimet pa rend e pa vend, pa fakte e argumente, ose në një rast tjetër ironizon kështu: “E ne të njëjtët si dje/ Kuaj pa fre/ Kris e mos the/ Me të vjetrën e re/…/ Ah, melodioze, vicioze/ Sa skandaloze, aq tekanjoze“, (faqe 53), etj.

Mendoj se lexuesi i vëmendshëm, kollaj e ka për t’i kapur këto fije, dhe pastaj për të transmetuar tutje imazhin lirik, i cili nëpërmes vargut artistik edhe te poezia “AI DHE AJO”, bëhet më e sforcuar, si nocion dhe si motiv lirik. Këto lirika, që nuk janë të bollshme, as të mjaftueshme, si motiv kanë shfaqur anën tjetër të angazhimeve letrare, dhe njëkohësisht shprehin nivelin artistik të kësaj poezie:

AI DHE AJO

Ai i tha, të shtatë ngjyrat e ylberit
I zbres në tokë për ty, për këta sy

Ajo i tha, ti vetëm një ngjyrë
Më sjell në fytyrë, atë të buzëqeshjes

I ranë trup heshtjes

Ajo vazhdoi, në të shtatat janë
Që ylberi i mban

Ai lehtë e puthi,
Ajo u skuq si prej fruthi

Të dy buzëqeshën
Ashtu si deshtën

Faqe 110.

Pa dyshim se dinamika jetësore është ndikuese e pashmangshme e proceseve, ajo ka vepruar dukshëm edhe në vetëdijen krijuese. Mërgimi po ashtu, e kjo ndjenjë mund të zbërthehet nëse i lexojmë edhe një cikël të tërë të poezive, të cilat shfaqin botkuptim tjetër dhe kanë fuqi për ta interpretuar mendimin krijues në formën më të saktë, psh.: “Borxhet e Babait”, “Loti i Babës”, “Dysllykët e Babës”, “Shpi do të maroj, tha”, “Syni i untë, Babo”, “Ka thanë Baba Zeqë”, pastaj, “Tha përtegjyshi im”, “Eh… Etërit’ dikur”, “Kur shmojke Babëgjyshi”, etj. Poezitë kushtuar grave e bëjnë figuracionin në poezi më të qëndrueshëm dhe më të besueshëm: “Nëna Galë”, “Kur u nëm femra”, poezi këto që kanë ndërtim specifik dhe shoqërohen me karakteristikën e vargëzimit. Poezi me motivin e vendlindjes janë: “Pleqtë e Llukës”, “Ara e Zef Llukës”, “Llukjanët, vulë kohe”, “Shtatë copë Llukë”, të cilat bindshëm thonë se poeti është i lidhur për atë vend si mishi për kockën.

Në ciklin me poezi përkushtuese do të veçonim: “Darka e Lamës”, kushtuar Presidentit Rugova, “Tha kolosi”, “Ju kam thanë qysh në lindje”, kushtuar Sofë Rugovës, “Në Prekaz”, “Te këmbët e legjendarit”, kushtuar Adem Jasharit, “Piktura e heroit”, kushtuar Agim Ramadanit, “Be e rrfe, komandantit”, kushtuar Mulla Idriz Gjilanit, “Jo jo, o kapedan”, kushtuar Prek Calit, “Ah more bir”, kushtuar Azem Shkrelit, “Gjergji, ky i treti që nuk treti”, kushtuar At Gjergj Fishtës, “Në Thethin tënd”, kushtuar Robert Elsie, etj. Ndërsa një cikël tjetër, janë përkushtime me vlerë por secila është pothuajse motiv më vete: “Disidenti”, “Erë fisnikërie”, “Eu Dardani, eu po të thonë”, “Medvegjë”, “N’Dulcinum, po ku tjetër”, “Jetë n’përplasje”, “I (pa)zhgënjyer sakaq”, “Vret njësoj”, “Po ju them”, “Syri i keq”, “Shoq”, “Ah, ëndja <kojtja>”, “Foli toka vetë”, “Mbi e nën dri, Shqipni”, “Ah, Shqipnia ime”, “U kry kur të bëhet Shqipni”, dhe të tjera që ngërthejnë një vister idesh e ndjenjash, prej më të ndryshmeve, motive e përkushtime të këndshme ritmike dhe tematike!

Nga i tërë ky material që kemi cituar, mund të përfundojmë se aspekti i poetikës në poezinë e Mentor Thaqit, dallon kryesisht për motivin ideor dhe ndërtimin karakteristik të këtij motivi. Struktura e kësaj poezie ka vlerë artistike, kurse përjetimi përvetëson ndjenjën patriotike, ndonjëherë jo me metaforë eliptike por me mesazh të drejtpërdrejt, por mirë e konceptuar, në të cilat elementi i atdhedashurisë është futur në funksion të verbit poetik. Jo rrallë, motivet janë të thella dhe po aq përjetuese. Kështu në formën më vetanake autori i ka adresuar problemet kombëtare, madje që nga antikiteti e gjerë në ditët e sotme. Prindi, gjyshi, kryeplaku, kryebajraku, janë me fat që i paskan falur simbolin poetik mbi figura të tyre. E qartë, poeti është fokusuar në këto figura, madje ka ndërtuar simbolikën e verbit poetik, pikërishtë mbi vlerën etnografike e etno-regjionale të Dukagjinit, pa të cilën poezia e Mentor Thaqit, nuk do të kishte këtë ndijim kaq artistik!…

Eh, eh që nga iku Baca Belë
Janë ndryshkur edhe kazanët
Rakia u pi e shkoi
Po legjenda mbet e mbijeton

Poezia “RAKIA E BACËS BELË”, Faqe 117-118.

Sipas vargut “Po legjenda mbet e mbijeton”, mund të themi sepo aq sa do të jetojë “Legjenda për Bacën Belë“, do të jetojë e mbijetojë edhe krijimtaria e poetit Mentor Thaqi, bashkë me të, sigurisht edhe poezitë e përfshira brenda librit “TRUNGU”, që e patëm subjekt trajtimi!

St. Gallen, 20.12.2021.