Ikjet e pandalshme nga burgu kolektiv!

1
418
Florim Zeqa
Florim Zeqa

Shkruan: Florim Zeqa, 11.09.2020

Nga cilido këndvështrim ta shikojmë realitetin e sotëm kosovarë, na del të jetë i dhimbshëm dhe i mjerë. Një vend pa funksionim të sistemit të drejtësisë, i zhytur thellë në korrupsion dhe krim të organizuar dhe pa asnjë përspektivë zhvillimore.

Pasojat e politikbërjes së gabuar

Si pasojë e keq-qeverisjes 21 vjeçare dhe izolimit ndërkombëtar të qytetarëve, mungesës së zhvillimit ekonomik dhe krizave të njëpasnjëshme politike, e në veçanti nga rrëshqitjet e njëpasnjëshme në dialogun e pabarabartë me Serbinë, shteti i Kosovës është duke shkuar drejt falimentimit dhe zhbërjes fizike.

Përveç krizës së thellë politike, në të cilën është katandisur vendi, shtetin e Kosovës e kanë mbërthyer një varg krizash; financiare, shëndetësore, morale, kulturore, …ku të gjitha së bashku janë pasojë e politikbërjes së gabuar për një kohë të gjatë.

Largimi në mënyrë masive i të rinjve dhe familjeve shqiptare nga Kosova i viteve të fundit është duke e rrezikuar të ardhmen e vendit në periudhën e afërt, të mesme dhe afatgjatë.

Ikja e çlirimtarëve nga shteti për të cilin luftuan

Ikja nga vendlindja është zgjidhja e fundit, është rruga më e rëndë dhe më e mundimshme në jetën e njeriut.
Mallkimi dhe rënkimi i të ikurve me shpirt të thyer nga vendlindjet e tyre është duke ndjellur kob për shtetin e Kosovës.

Njerëzit nuk po ikin nga dëshira, por nga pamundësia për të jetuar dinjitetshëm në atdheun e tyre, ngase pushtetet e pasluftës ua mbyllen të gjitha dyert, ua shuan të gjitha shpresat për jetë në vendlindjen e tyre.

Padyshim, më të pakënaqurit janë ata që dhanë dhe sakrifikuan më së shumti nga vetja e tyre për gjysëm shtetin dhe gjysëm lirinë që po e gëzojmë sot.

Pra, ata janë luftëtarët e lirisë sonë, qofshin ata që ishin nën uniformën e UÇK-së apo luftëtar pa uniformë, por që më armë në dorë u përballen më pushtuesin serb, të cilët në shpirtë kanë lirinë dhe pavarësinë e vendit të tyre, shtetin ligjor dhe demokratik.

E kam përjetuar rëndë në shpirtin tim rrëfimin e ish nxënësit tim, të cilin mosha e pjekurisë (18 vjeç) e gjeti në radhët e UÇK-së, pjesmarrësin e shumë betejave të lavdishme, ish pjestarin e Trupave Mbrojtëse të Kosovës (TMK), i cili për një kohë të gjatë trokiti kot dyerve të institucioneve të shtetit, në kërkim të një vendi të punës, …të cilin e sotmja (pas 21 vjetësh) e gjenë duke bredhur rrugëve të perëndimit në kërkim të ekzistencës dhe të një jete më të mirë për familjen e tij, pasi shteti nuk i ofroj asgjë!

Nuk e di se a ka dëshpërim më të madh sesa ai i babait të një dëshmori, që e kishte të vetmin djalë, i shkon tek varri dhe i thotë: “Lamtumirë o bir, unë po ta kthej shpinën dhe po e lë vendin për të cilin dhe jetën ti o drita e vetme e jetës sime…“.

Jo vetëm e dhimbshme, ky është mallkimi më i madh për politikanët që u është bërë gjaku ujë, të cilët para vetes nuk shohin gjë tjetër përveq egos së pafundme për pasurim dhe uzurpim të institucioneve, duke e trajtuar shtetin e Kosovës si plaçkë lufte e jo si atdhe të tyre.

Shuarja e shpresave dhe vrasja e ëndërrave

Shuarja e shpresave dhe vrasja e ëndrrave për të krijuar lumturi të përbashkët familjare në shtetin amë, në vendlindje është gjëja më e dhembshme që mund të përjetojë njeriu në jetën e tij.

Është tepër e dhimbshme kur dëgjon, që të rinjë dhe familje të tëra, të lodhura nga varfëria dhe denigrimi social, nga humbja e të gjitha shpresave për një të nesërme më të mirë në shtetin e lirë, shesin shtëpi e pasuri për të blerë vizat…, dhe me lot në sy, me dhembje në shpirt dhe zemër të coptuar e mbyllin pragun e shtëpisë së tyre, për t’u nisur drejt një shprese të re në vende të panjohura, të cilat jo rralë iu sjellin dëshprim dhe përfundim fatal.

Është shumë e dhimbshme kur fëmijëve u ndërpritet fëmijëria në vendin e lindjes; kur nxënësit ndahen nga shokët e klasës, nga mësuesi që ua mësoi alfabetin e gjuhës shqipe, nga familja e farefisi i gjerë, ndoshta për të mos u parë më kurrë mes vete në këtë jetë!

Dëshprimi i mërgimtarëve, i dhimbshëm dhe i rëndë

Por akoma më e dhimbshme është kur dëgjon mërgimtarët e dëshpruar, me shpirtë të thyer dhe zemër të plagosur, të thonë; “nuk do të kthehem asnjëherë në Kosovë”, shkaku i zhgënjimit në partitë politike dhe politikanët kosovarë, pa dallim pozitë dhe opozitë, në një shtet pa pikë perspektive dhe tërësisht në duart e krimit të organizuar e mafio-oligarkisë kriminale.

Si pasojë e kësaj situate, mërgimtarët nuk duan më që as eshtrat e tyre t’iu kthehen në vndlindje.
Si pasojë e kësaj situate, viteve të fundit janë në rritje e sipër rastet e varrimit të mërgimtarëve në vendet ku jetojnë dhe veprojnë prej vitesh.

Nuk e besoj të ketë gjë më të dhimbshme, se sa thyerja shpirtërore e një mërgimtari që tërë jetën i ka kushtuar familjes, lirisë dhe pavarësisë së atdheut të vet, e në fund të vie në situatë të braktisë vendlindjen e tij edhe për së vdekuri!

Kosova e sotme, më tepër i gjason një burgu kolektiv sesa një shteti të pavarur, më tepër i gjason një qeverisje provinciale sesa një shteti sovran, populli një kopeje delesh të ngujuara, ndërsa politikanët u ngjajnë barinjëve të uritur!

Kosova e sotme është bërë parajsë e politikanëve dhe ferr i qytetarëve!

1 KOMENT

  1. Ne 6 Muajt e fundit nuk ka pasë largim nga Kosova, por ka pase shumë qe jane kthyer ne Kosove…

    Kosova eshte e lire dhe e mire por disa po dojne edhe ma mire dhe po shkojnë ne Zvicer apo Gjermani…
    Padyshim qe me mire jetohet ne Cyrih se ne Karaqeve, dhe me mire jetohet ne Mynhen se ne Dumnicë, dhe me mire jetohet ne Llondon se ne Muqivrc…

Komentet janë mbyllur.