Industria e subvencioneve dhe radikalizmit

0
834
Radikalizimi në Kosovë

Zëri, 12 tetor 2016

Sa më thellë që të hulumtojmë punën e njerëzve dhe instituteve që janë për deradikalizimin apo hulumtimin e islamit radikal aq më shumë krijohet përshtypja sikur ekzistenca dhe funksionimi i tyre të jetë punë e shërbimeve sekrete perëndimore

Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës lindi edhe një segment i ri brenda botës së bizneseve: ai zhvatjes së subvencioneve nga organizatat e ndërkombëtare që merren me financimin e projekteve për rimëkëmbjen e shoqërive të mbetura në lloç. Ende sot e kësaj dite, qindra kërkesa në javë nisin në e nga Prishtina drejt ambasadave, organizatave qeveritare e joqeveritare të botës për financim projektesh me temat nga më të ndryshmet.

Në mesin e bartësve të projekteve natyrisht se ka edhe «institute» që vërtet duan ta hulumtojnë opinionin, të detektojnë shkaqet e dukurive të ndryshme ose të atilla që respektojnë objektivitetin shkencor dhe i transmetojnë rezultatet për të ndikuar diçka pozitive në shoqëri e jo për t’ia materializuar propagandën personale dikujt. Të kësaj kategorie mirëpo duhet të jenë disa përmallë. Përvoja në këtë drejtim na shpalon një histori të pakëndshme. Shumica e këtyre instituteve dalin më shumë fabrika sugjestionesh të panevojshme, dezinformomi të qëllimshëm apo edhe satelite agjenturash që vetë shkaktojnë dukurinë për ta «luftuar» më vonë se sa mekanizma për të luftuar diçka.

Shumëçka nuk shkon dhe nuk duhej të ishte në këtë drejtim. Rasti i «Institutit për Siguri dhe Integrim – INSID» i ish rekrutit dhe rekrutuesit të «Shtetit Islamik» Albert Berisha e argumenton problemin më qartë se duhet.

II.

Dje e përditshmja «Zëri» e solli një artikull rreth «jetës dhe veprës» së shefit të institutit më të ri të sojit nga ata që i përfolëm lartë dhe që është lejuar nga departamentet përkatëse të qeverisë kosovare. Albert Berisha, drejtori i institutit në fjalë iku dikur nga Kosova dhe iu bashkua grupit terrorist «Al Nusra». U kthye dhe deklaroi të jetë penduar. Çka ndodhi atje? Nuk e dinë kush saktësisht.

Kryesorja mirë që u pendua dhe u kthye. Ndërkohë ka një ligj që dënon njerëzit – pendimi lehtëson masën e dënimit por nuk falë aktin – që marrin pjesë luftërave të huaja e sidomos organizatave kriminele dhe terroriste siç është ajo ku u radhit dhe për të cilën rekrutoi (edhe me publicistikë) Albert Berisha. Më 29 prill të këtij viti Berisha shpallet fajtor nga Gjykata Themelore e Prishtinës dhe dënohet me 3 vjet e 6 muaj për terrorizëm. Ankohet instancave më të larta.

Ndërkohë ai hap një institut për deradikalizimin e kolegëve të tij me referencë të instituteve simotra, që tash e sa vite operojnë në Kosovë.

III.

Artikulli i «Zëri»-t nga disa njerëz publikë u konsiderua si tendencioz, ngase ia suspenduaka të drejtën viktimës në punësim dhe risocializim. Sikur Albert Berisha të kishte kërkuar punë në ndërtimtari dhe gazeta ta qortonte firmën pse e pranon një të dyshuar e tashmë dënuar për terrorizëm vërtetë do të duhej të sanksionohet. Por jo. Gazeta shpalon një realitet: Albert Berisha nga dënimi e deri tek shfajësimi eventual mbetet i dënuar për terrorizëm. Edhe më keq se kaq: ai nuk është viktimë e penduar – ose ndoshta po, nëse vuan të mos ketë vrarë njerëz atje, çdo pendim tjetër del absurd – ngase të njëjtën ideologji e agjiton edhe aktualisht në profilin e tij në facebook: sugjeron vahabistët (detashmentin qendror të rekrutimit) si kundër terrorizmit, duke e katapultuar në mit mediash punën e atyre, që e rekrutuan në «Al Nusra» (30. 09.2016).

Quan fundërrina shtetin që e dënoi për aktin që bën sikur qenka penduar (29. 04.2016). Lavdëron në qiell Infomagazinën e Kushtrim Sadikut, i cili njihet si pëlqyes faqesh ndër më radikalet islamike dhe që keqpërdor TV-në, ku punon si rehabilitues kronik kokash të organizimit të 300 vetave për në ISIS dhe paralelisht Berisha difamon gjitha mediat tjera që nuk qenkan në vijën e këtyre dy (20. 05. 2016). Feston ditën e «çlirimit» të Kostandinopojës nga Sulltan Muhammad al-Fatihu, që në historiografi quhet maskara e fundit për zhbërjen e Bizantit (29.05.2016). E të tjera. Çka shpalojnë këto statuse? Një qytetar të vetërehabilituar, që mund të deradikalizojë tjerët nga rruga që gaboi vetë? Asnjëherë!

IV.

Referencat mbështetëse të institutit janë po aq interesante. Ndër pëlqyesit e këtyre statuseve dhe poashtu me kronika të ngjashme profili janë edhe njerëzit që punojnë ose kanë institute deradikalizimi. Të atillë që gati sa nuk kapën manxerkat e të ikin ta shpëtojnë Erdoganin nga puçi, e që për çdo ditë mallkojnë perëndimin për politikën terroriste anti-islame – me paret e tyre dhe të qeverisë kosovare, natyrisht.

Duke e trajtuar këtë tablo problemi kështu, siç është nuk ke si mos të biesh pré e spekulimit që thotë se gjithë këta, që nga Albert Berisha e deri tek njerëzit e institutit të Florian Qehajas – që ka bërë bé mos të flas kurrë më me mediat – janë «agjenturë e shërbimeve sekrete perëndimore dhe vendore, për t’i mbajtur nën kontroll forcat ekstreme islamike» në vend. Dhe sistemi i funksionimit e rezulton këtë rreth: radikalizojnë njerëz me propagandë për t’i ç’radikalizuar pastaj me para të shtetit dhe perëndimorëve. Me çfarë çmimi? Me 300 të humbur e djegur tokave arabe? Referencat, leja e qeverisë dhe financimi i instituteve të këtilla, mirëpo i japin të drejtë këtij spekulimi.

Terrorizmi si akt – se paska qenë atje disa ditë – është e keqja më e vogël e Albert Berishës: ai vazhdon të rekrutojë njerëz për po atë ideologji, që e çoi atje nga u kthye dhe nuk manifeston asnjë shenjë pendimi me habitusin e tij, përkundrazi mendon njëjtë dhe maskon radikalët me flatrat e engjëjve!