INSTITUCIONI I FALJES ZHBLLOKON CERTIFIKIMIN

0
276
Isa Mustafa - Kujtim Shala - Hashim Thaçi

IDRIZ ZEQIRAJ

Vazhdon kapja e sistemit të drejtësisë edhe pa Hashimin. Ai ishte gjithçka: President, kryeministër dhe dirigjues i të gjitha ministrive veç e veç! Ai arriti t’i formalizojë, deri në zvetnim dhe zhvlerësim, të gjitha institucionet, me mbështetjen edhe të vartësit të tij Isa Mustafa. Një president i zgjedhur dhunshëm, në mënyrë banditeske, përmes tymit dhe flakës, nën masat e shtet-rrethimit, nuk pritej ta përfaqësonte popullin. Përkundrazi, me vendimet personale arbitrare, të shkruara e më shumë verbale, sundonte me kompetenca tej mbretërore.

Favorizimi, amnistimi i krimit dhe i kriminelelëve, garantonte plotëfuqishmërinë e Hashim presidentit. Veprimet kulmore mujëshore, janë prishja e proceseve gjyqësore dhe lirimin e eksponentëve të klanit “PRONTO”; lirimin nga akuza e “komandatëve” komisionerë, falsifikues të 33.600 “veteranëve” të rrejshëm, duke aprovuar abuzimin e dhjetra milionë euro, në pritje të ngritjes të shifrave në qindra milionë dhe, pas dekadave, kuota abuzive do të shifrojë miliarda euro; lirimi i kriminelëve vrastarë, pjesë e bandës të Drenicës, vetëm një ditë para arrestimit nga Gjykata Speciale, me seli në Hagë!

Profesori i analizës, Nexhmedin Spahiu, me të drejtë vlerëson se gjyqëtarët e Gjykatës Kushtetuese, për nga përformanca profesionale, nuk arrijnë as gjyqtarët e Gjykatës Themelore të një komune!

“Komandantët” në pushtet, me bandat e tyre, inkriminuan të gjitha institucionet shtetërore, duke i punësuar pjesëtarët e tyre. Strehë e tyre u bë edhe organi më i lartë legjislativ, Kuvendi i Republikës të Kosovës. Deputeti i CDU të Merkelit, në Bundestag-un gjerman, shprehu shqetësimin evropian, se në Parlamentin aktual të Kosovës, janë 27 (njëzetë e shtatë) deputetë kriminelë. Ai shtoi se inkriminimi i institucioneve shtetërore të Kosovës, është tmerrësisht i madh. Cilitdo zyrtari të Kosovës, që i japë dorën, detyrohem t`i lajë duart fort me sapun, sepse i konsideroj të përgjakura, me gjakun e qytetarëve të pambrojtur shqiptarë të Kosovës.

Zgjedhjet e pritshme, përfshirja e disa kandidatëve për deputetë, në listat e partive politike, të dënuar, kryesisht, me kusht apo gjoba në para, në tre vitet e fundit, ka ngjallur pakënaqësi dhe kundërshti të hapur. Shumica e këtyre dënimeve janë në prag të plotësimit të dënimit të kushtëzuar. Në mesin e tyre figuron edhe emri i kryetarit të LVV, Albin Kurtit. Ekziston dyshimi i bazuar se organet përkatëse ligjore, të kapura nga politika, janë vënë në veprim, për ta penguar çërtifikimin për kandidat-deputet të Albinit, me disa nga aktivistët e LVV-së. Tashmë, kjo është e lexueshme për opinionin.

Në dukje, ligji për ndalimin e konkurimit për ulëset e Parlamentit, për të gjithë shkelësit e ligjit, duket normal. Por, afatizimi në kohë, është i qëllimshëm dhe, si tillë, i papranueshëm. Është absurde t`u lejohet kandidimi, madje, në disa legjislatura kuvendore radhazi, vrasësve dhe makro hajnave zyrtarë, ndërkohë, t`u mohohet disa të tjerëve, të cilët penalizohen për shkelje ligji, qoftë edhe me dënime 18 euro apo 90 euro si rastet, përkatësisht, Shemsedin Dreshaj e Labinotë Demi-Murtezi. Gjobat e vëna nuk arrijnë dënimin faktik me burg dhe konvertohet me kusht.

Organet që ia përcollën vendimin e Gjykatës Kushtetuese, arsyetohen se ia deleguan KQZ, pasi kishin 9 (nëntë) juristë dhe duhej t`i analizonin secilin, me emër, veç e veç. Por, kryetarja Valdete Daka, nxitimthi e dyshueshëm, e publikoi listën me emrat e anatemuar, të përjashtuar nga çërtifikimi.

Ky nuk është mëkati i vetëm, i porositur, i kryetares Daka. Ajo dëgjoi refuzimin skandaloz të PDK-së dhe të LDK-së, për organizimin e lehtësuar të votimit në Mërgatë, edhe pse këtë e kërkuan mërgimtarët. Pacipërisht, nënkryetari i PDK-së, Abelard Tahiri, dizinformon shqiptarët: “Mërgata nuk kërkojnë votim, por, vetëm përfaqësim në Parlament!?” Rrenë qoftë! Ata ngulmojnë për organizimin e votimit dhe kjo është fare e thjeshtë, për t`u realizuar. Mërgimtarët tanë janë bashkëveprues, për 30 vjetë radhazi, të veprimtares më të madhe në botë, për çështjen kombëtare, Donikë Gërvalla dhe dinë të organizojnë votime të rregullta dhe pa hile.

Një zgjidhje aktuale, e pranueshme, do të ishte praktikimi i Institucionit të Faljes, duke e zhbllokuar çërtifikimin e kandidatëve, tashmë, të shënjestruar për goditje. Sepse, qëllimet e errëta politike të vendimmarrësve, tashmë, janë dekonspiruar dhe zbuluar. Ndërsa ligji ekzistues të shtrihet në kohë të pakufizuar, paraprake, për krimet serioze, të mbetura të pandëshkuara ndër vite dhe dekada, për zgjedhjet e radhës të pas 14 shkurtit. Kështu do të korrigjoheshin lëshimet dhe fajet, deri në krime gjithëfarëshe, për të shmangur parashkrimin, përfshi edhe “pafajësitë” e blera, me koston dy shifrore milionshe, të cilat janë numerike.

Dhe, kjo është e domosdoshme të ndodhë, sepse me paraqitjet e deputetëve kriminelë, në tubimet publike dhe ekranet televizive, janë provokime skajore ndaj shqiptarëve të kudondodhur. Populli i njeh kriminelët “si parën e kuqe” dhe mbetet në pritje që kjo të ndodhë. Vettingu është domosdo e kohës. Komisioni duhet të jetë me specialistë të pavarur dhe të panjolla në biografitë e tyre. Sa më parë të realizohet kjo, aq më e shëndetshme do të jetë për shqiptarët, për Kosovën tonë hallemadhe.