ISTOGU – KANTJER NDËRTIMI

0
433
Istogu - kahburimi

IDRIZ ZEQIRAJ

Në vitet `70-a absolventi Ibrahim Rugova, së bashku me Rexhep Ismajlin, të ftuar nga Istituti i Gjuhësisë-Historisë dhe gazeta “Studenti”, bënin vizitën e parë në Tiranë. Shqipëria, atë botë, ndërroi padronin, la Rusinë dhe u bë tellall i Kinës të Mao Ce Dunit.

Siç ndodhë, rëndom, me pushtuesit, qofshin ekonomik apo ideologjik, Kina gjigande “hapi thesin” e investimeve, që mundësoi ndërtimin e disa hidrocentraleve dhe në sektorë të tjerë ekonomikë. Ibrahimi, duke parë disa kantjerë ndërtimi, kujtoi shokun e tij të studimeve, njëherësh, bashkëvuajtësin tim të mërgimit, Musa Bërdynaj, i cili u përball me kalvarin stalinist në Shqipërinë nënë. Megjithatë, kur ndodhej afër objekteve ndërtimore në Prishtinë, kujton me nostalgji kohën e ndërtimeve në Shqipëri!

Bëra këtë parantezë, për të ardhur ke Istogu ynë, që këto ditë është bërë kantjer ndërtimi, kahdo që i hedhë sytë. Janë katër rrugët bjeshkore, dy të ndërtuara, dy në ndërtim e sipër dhe, e pesta, për së afërmi, do të fillojë. Këto rrugë lidhin komunën e Istogut me Bjeshket e Thata, Lugun e Butë, Bjeshkët e Istogut dhe Malet e Moknës. Ndërtimi i rrugëve bjeshkore, zgjoi interesin e banorëve të Podguerit për blegtorinë e shtuar dhe turizmin. Qysh në nismë janë ndërtuar qindra stane, dëbane, qoftë për relaksimin ditor, qoftë për qëndrimin veror.

Një risi që solli kryetari Haki Rugova, me stafin e tij, janë hapja e puseve ujore, për bagëtinë në Bjeshkët e Thata, të cilët kishin munguar në dekada e shekuj. Shumë të thjeshtë, pak të kushtueshëm, por, shumë të nevojshëm, kur dihet se, deri tani, uji për bagëtinë sigurohej nga dëbora, bora e rezervuar në smetije, (gropa të hapura për grumbullimin e borës gjatë dimrit, duke i mbuluar me sanë e çetina), për ta nxjerrë në verë dhe hedhur në lugje.

Istogu, si qendër e Podguerit, ka një shtrirje gjeografike mahnitëse. Rrënzë maleve, shtëpive klasike, një dhe dy katëshe, po u shtohen edhe pallatët shumëkatshe, të cilat po popullohen, kryesisht, nga familjet e mërgimtarëve. Sipër malet dushkajë, që pasohen me ahishtën, klekun, pishnajën, bredhin e bjeshkëve, deri në kufinjtë e Malit të Zi dhe të Serbisë. Pra, Sanxhakun shqiptar, në asimilim e sipër, nën pushtetin e dhunshëm serbo-sllavë.

Rrugët përshkuese të qytetit të Istogut, me hapësirat lakmuese anësore, lehtësojnë lëvizjet, frymëmarrjen e qytetit. Si duket, ka pasur drejtues komunalë të mençur dhe unë po përmend vetëm disa syrësh, si: Sadri Kabashi me Hasan Berishën; Riza Maxharraj me shokë; Fadil Ferati me Ferat Hajzeraj e Bedri Hasanaj; Haki Rugova me Agim Ademaj e Lulzim Blakaj. I vetëdijshëm për harresën e të tjerëve, meqë kam jetuar mërgimin e detyrueshëm, pëtej tri dekadave, kërkoj ndjesë, me premtimin se një herë tjetër, do të bëjmë një trajtesë më të kompletuar.

Këto ditë nëntori u përuruan dy vepra domëthënëse në qytetin e Istogut: “Kompleksi Memorial Dr. Ibrahim Rugova”, me shtatorën e skulpturuar nga mjeshtri Gëzim Muriqi, i kompletuar me muzeun dhe mjedise tjera, poshtë memorialit. Dhe, Halla, Salla e Sporteve, me dukje dhe përmbajtje madhore, e cila ka një hapësirë të brendshme të bollshme, si dhe e rrethuar me parking dhe gjelbërim të mjaftueshëm, që kënaqë syrin dhe zemrën – njëherësh.

Shumësia e automjeteve qarkulluese, në rrugën që përshkon qendrën e Istogut, ka bërë që, kryetari, inxhinieri i diplomuar, Haki Rugova, me stafin e tij, kanë menduar dhe vepruar, për zgjërimin e Unazës lehtësuese, nga prapa kompleksit “Trofta” dhe varrezave, për të dalë në rrugën rajonale për Gurrakoc. Kjo unazë e shkurtër, në perspektivë për t`u zgjatur, deri përtej qytetit, shmang qarkullimin e kamionave dhe automjeteve tjera të rënda përmes qendrës të qytetit. Për zgjërimin e saj, në mirëkuptim me qytetarët, u zhvendosën edhe disa varreza, për t`u vendosur gjetkë. Punimet po i realizon Firma emërmirë “Graniti”.

Devijimi i rrugës prapa Tregut të Gjelbër, plus pazarit të përzier me mallëra gjithëfarësh, jep mundësi për zgjërimin dhe sistemimin e tregut ekzistues. Kur kemi parasysh se tregun e së enjtës në Istog, e frekuentojnë edhe tregtarët nga komuna e Skënderajt, Klinës, Pejës, zgjërimi i këtij tregu, në suazat e mundësisë hapësinore, do të vazhdojë pas përfundimit të unazës në fjalë.

Kryetari Haki Rugova punon shumë, por, nuk zhurmon. Pra, pa publicitet. Kuvendi komunal organizon, me rregull, -Dëgjimin e hapur Popullor -, ku qytetarët bëjnë propozime, kërkesa, por, edhe vërejtje e ankesa në adresë të administratës komunale. Tubimi drejtohet nga kryetari i Kuvendit, me pjesëmarrjen e kryetarit të komunës dhe drejtorët e kuadrot, që drejtojnë departamentët, që ndërlidhen drejtëpërdrejtë, me jetën e qytetarëve.

Kam vëzhguar, drejtëpërdrejtë, bisedën e hapur të kryetarit Haki Rugova me qytetarët. Ai nuk premton pa mbulesë. Afatizon plotësimin e kërkesave, por, disa të tjera, i lidhë me ministritë përkatëse ose donacionet e mundshme. Here-herë futë “në lojë” edhe komunitetin e fshatrave, me participime të pjesëshme materiale, për ta realizuar ndonjë vepër me interes lokal.

Në komunën e Istogut, pas asfaltimit të rrugëve rajonale, rrugëve të fshatrave, madje, në pjesën më të madhe edhe të lagjeve, vazhdon edhe shtrimi kockorë i trotuareve në rrugët rajonale, për ta lehtësuar dhe siguruar lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe, sidomos, të fëmijëve shkollarë. Në plan janë edhe trotuarët e fshatrave dhe ndiçimet e nevojshme.

Parku i Qytetit – një vepër madhore e përjetshme

Një kantjer punimesh, i filluar para një muaji, në mes të Istogut, është i shumëprituri – Parku i Qytetit -. Janë firma ndërtuese “Shkëmbi” dhe Firma e gjelbërimit “Vishi Garten”, të cilat shquhen për punë cilësore. Një ëndërr e hershme, po realizohet kësaj vjeshte. Përsonalisht, i dëshiruar për një mjedis relaksues, çlodhës, më 11 korrik 2016, i bëra një letër kryetarit Rugova, të ngulmojë që trualli, dikur, pronë e Ndërmarrjes Drusore “Radusha”, kaluar APK-së, t`ia kthejë komunës, me destinim për Parkun e Qytetit.

Dhe, ashtu ndodhi. U interesova për projektin e Parkut, por, nuk më pëlqeu. Shfrytëzova një vizitë, me disa anëtarë të Kryesisë të LDK-së, Dega në Gjermani, me kryetarin Haki Rugova dhe disa anëtarë të Stafit komunalë, për të dhënë disa vërejtje. Megjithatë, hezitues për mirëkuptim!

Fort i merakosur, që Parku i Qytetit të jetë funksional, për brezat e sotëm dhe ata të dekadave e shekujve, ashtu siç i kemi parë në datimet e ngitjeve të parqeve, që nga para e pas Mesjetës në Evropë, që kanë ruajtur virgjërinë natyrore, pa betonim. Më 25 maj 2019 bëra një letër të përbashkët, kryetarit Haki Rugova dhe drejtorit të RTV “Fontana”, Zeqir Mehmetaj, duke bërë disa sugjërime, se si duhet të jetë Parku në ardhje. Qëllimi i letrës së përbashkët, ishte organizimi i një debati me përfaqësues komunalë dhe nga populli. Për çudë, mungoi mirëkuptimi, edhe pse Zeqir Mehmetaj nuk i shpëton asgjë, jo vetëm brenda komunës të Istogut, por, edhe më gjërë në Kosovë!

Në mes tjerash, kundërshtova ngritjen e një lokali gastronomik brenda Parkut. Dhe, pse? Jemi dëshmitarë okularë, në plazhet shqiptare vinin vajzat, nuset, femrat e Kosovës. Pas dy-tri ditësh, lëkura e tyre skuqej, deri në rjepje e përgjakje, përfshi edhe pjesën sipër gjokseve, që rrezikon – kancerin e gjirit-, nga rrezatimi i menjëhershëm, i pakontrolluar i diellit. Dhe, shqiptaret vendore shpotisnin: “Shihni maloket e Kosovës, që nuk i ka parë dielli!” Dhe, kënaqësia e plazhit mbaronte në ditën e tretë, kur femrat e Kosovës mbylleshin në bujtinë, ose ktheheshin në shtëpi, për t`i lyer me vaj e kos, plaget-mish, nga djegia e diellit.

Mendoj se Parku në mes qytetit, duhet të jetë një rudinë, lëndinë, oazë, i rrethuar me drunj halorë, ku femrat do të rreziteshin, qysh në pranverën e vonshme, me rroba banjo, bashkë me familjarët tjerë, për t`u përgaditur për plazhin e verës, ose, thjeshtë, për efekt shëndeti dhe përballimin më të lehtë të acarit dimëror.

Një lokal me burra të kollarisur, do të sodisnin trupin e femrave gjysmë-lakuriqe, që padyshim janë art i vërtetë. Dhe, ky kontrast do të pengonte, më saktë, dështonte, njërin nga funksionet, që ka një Park, siç është rrezitja e trupit të femrave.

Në një park çlodhës të qytetarëve, lejohet vetëm topi, që përdorin parashkollarët dhe hiç më shumë. Betonimi i panevojshëm i Parkut, do të ishte shëmtia e tij. Hapësira e Parkut është e kufizuar, andaj, kadastrimi hapsinor fillestar, nuk guxon të cënohet. Pra, nuk guxon të mbetet asnjë centimetër, jashtë rrethimit kufitar kadastral. Edhe nëse kanë ndodhur tëkurrje hapësinore, më parë, duhet të rikthehen si pronë legjitime e Parkut, pavarësisht ndërhyrjes të egër e hajnore, madje, nga kushdo qoftë.

Parkinxhet anësore, të kontrabanduara në hapësirën e Parkut, janë sa të paligjshme, aq edhe të panatyrshme. Andaj, pjesët e betonuara, duhet t`i kthehen hapësirës gjelbëruese të Parkut. Edhe ndërtesa 4-katëshe, e ngritur në brendësi të Parkut, më kohë, duhet rrënuar. Por, më parë, duhet të sigurohet lokacioni i ndërtimit të një pallati, qoftë edhe 8-katësh, meqë është strehimore humanitare.

Sidoqoftë, tashmë, janë vënë bazat e një Parku, me elementet e nevojshme, të pranueshme, siç janë: drenazhimi, kullimi tokësor, me parametrat shkencor; këndi i lojërave për fëmijë; në pritje – ngritja e një Fontane uji; ulëset dhe rrugicat modeste, të ngushta, të asfaltuara, (jo me kockë), për lehtësi lëvizje të karrocave invalidore, të fëmijëve dhe ecje të shpenguar të të moshuarëve.

Konsideroj se kryetari i vyeshëm, Haki Rugova, edhe pse shumë profesional, sikur i ka besuar më shumë se sa duhet arkitektit të tenderuar. Megjithatë, përkushtimi për t`u shërbyer qytetarëve, ka bërë që të rrënohen ndërtesat tre e katër-katëshe, në të dy anësoret e – Lumit Lana – në Tiranë, me gjatësi afro 5 (pesë) kilometra. Janë shëmbur ndërtesat në Parkun “Rinia”, përballë Hotel “Dajtit”. Janë rrënuar dhe pastruar të gjitha ndërtesat në Parkun para Parlametit Shqiptar.

Prandaj, përgjatë këtij mandati, kryetari Rugova, i ka të gjitha mundësitë, për të bërë korrigjimet e duhura, në Parkun në ndërtim e sipër. Dhe, kostoja do të jetë e pakët, për të mos thënë, simbolike. Kryesisht, heqja e betonimeve të tepërta dhe rrethojen ndryshe. Me gjithë varfërinë time, jam gadi të kontribuoj, deri në pëballimin e të gjitha shpenzimeve, për ta bërë Parkun e Qytetit tim, si model, se si duhet të jenë shumëfunksionalë parqet e përjetshme të qyteteve tona.

Unë nuk jam kurrëfarë faktori, për t`iu imponua kryetarit tim të nderuar, Haki Rugova. Por, si qytetar fort i angazhuar, madje, qysh në rininë time të hershme, angazhim që më ka kushtuar me burgosje politike, vuajtje të gjatë dhe të mundimshme, ku më ka munguar gjithçka, madje, edhe buka, uji dhe ajri i mjaftueshëm, siç ishte burgu i torturës, Burgu i Burrelit. Andaj, nuk hesht, sepse çdo gjë të dobisë kolektive, e përjetoj edhe si dobi personale dhe e kundërta.

Ndonëse nuk hasa në mirëkuptim, para fillimit të ndërtimit të Parkut të Qytetit, shpresoj dhe besoj se do të mirëkuptohemi, tani, për të korrigjuar gjithçka që bëhet pengesë, për qenien funksional të Parkut, aq më parë, kur ai është i vetmi dhe duhet të ekzistojë, aq sa do të ekzistojë edhe qyteti i Istogut, pra, përjetësisht.