Jemi kundër çdo projekti që eleminon tunelin e Qafë Murrizit

0
1726

Një këshillë për Kryeministrin dhe Faruk Kabën sa s’është vonë

Deklaratë e Grupit të Lobimit

1 Tetor 2016

Pas zgjedhjeve në Dibër, Kryeministri Edi Rama dhe aktorë të tjerë, inxhinierë dhe specialistë të ndërtimit të rrugëve në Shqipëri, kanë dhënë opinione që bien ndesh me njëra-tjetrën.

Në vëmë re në këto deklarata një rrezik që i kanoset standardit të ndërtimit të Rrugë së Arbrit dhe me këtë rast do të donim t’i vinim në dukje për publikun.

Nga njëra ana kemi deklaratat e Kryeministrit, i cili thekson se “fitorja e Bashkisë së Dibrës është një besim i madh për të bërë shumë më tepër për Dibrën. Dhe ne do të bëjmë për Dibrën më shumë se çfarë bënë të tjerët në 20 e ca vite të marra së bashku”.

Në një postim në Facebook Edi Rama shkruan: “Ne i kemi borxhe Dibrës në këto tre vite, duke filluar nga rruga e Arbrit! E cila është një borxh i vjetër e i mbartur qeveri më qeveri ndaj dibranëve, por ne duhet ta nisim me patjetër brenda këtij viti të fundit të mandatit tonë!”

Por ndërkohë që Edi Rama lëshon deklarata shumë premtuese për Dibrën, nga ana tjetër kemi propozime që cënojnë standardin e Rrugës së Arbrit, propozime të cilat shkojnë kundër deklaratave të Kryeministrit.

Duke pasur parasysh se edhe në të shkuarën mes premtimeve dhe realizimeve faktike ka pasur deformime të mëdha, dëshirojmë të vëmë në dukje për publikun çështjen e rreziku të humbjes përfundimisht të standardeve në ndërtimin e rrugës.

Ndërkohë që mbështesim përpjekjet e Kryeministrit (përpjekje që akoma mbeten ri-premtime) për ndërtimin e rrugës së shumëpritur nga dibranët dhe të gjithë shqiptarët, dëshirojmë të theksojmë se propozimet e ripërsëritura gjatë këtij viti të Inxhinier Faruk Kabës, bien ndesh me interesat e qytetarëve të Dibrës për një rrugë me standarde bashkëkohore, më kryesorja e të cilave është siguria e përdoruesve të rrugës.

Propozimi i Kabës, i botuar në gazetën Panorama [1] dhe në disa portale [2], është “ndërtimi paraprakisht i një bypass-i në vend të tunelit të Murrizit”. Kaba e argumenton këtë me shkurtimin e buxheteve të nevojshme financiare, afatin e ndërtimit e realizimit të veprës, si dhe hapjen e rrugës në 15-18 muaj.

Ky opinion i Kabës vjen i ripërsëritur pas tre muajsh, kur me një shkrim të ngjashëm në gazetën Mapo [3] dhe gazetën “Rruga e Arbërit” [4] iu kundërvu ministrit Haxhinasto. Edhe në atë shkrim Kaba hodhi idenë e ndërtimit të një bypass-i në vend të tunelit.

Ne dëshirojmë të theksojmë se jemi kundër çdo projekti që eliminon tunelin e Qafë Murrizit. Tentativa për eliminimin e tunelit përbën ‘grushtin’ e fundit për ndalimin e ndërtimit të Rrugës së Arbrit sipas standardeve ndërkombëtare dhe qëllimit kryesor të saj për të shërbyer njëkohësisht si një ‘urë’ që do të lidhë jo vetëm Dibrën me kryeqytetin, por edhe të afrojë Shkupin me Tiranën.

Ne dëshirojmë të theksojmë edhe njëherë se projektet e deritanishme të zbatimit dhe puna në terren për Rrugën e Arbrit kanë qenë jashtë këtyre standardeve.

Media dhe specialistë të infrastrukturës kanë theksuar me të drejtë çdo shmangie që i është bërë deri tani rrugës nga projektet fillestare. Rruga Bulqizë-Ura e Çerenecit, për shembull, aktualisht është krejt ndryshe nga projektet fillestare, pasi është ndërtuar mbi segmentin e vjetër të rrugës dhe nuk ka asnjë standard sigurie. Ndërsa rruga nga Qyteti i ri i Bulqizës drejt tunelit të Qafë-Buallit pësoi ndryshime që na çojnë në dyshime për veprime korruptive. Dhe së fundi, tuneli i Qafë-Buallit ndryshoi krejtësisht projekt dhe u ndërtua në një pozicion krejt të papërshtatshëm, duke cënuar rëndë sigurinë në rrugë.

Ne kemi marrë informacione koefidenciale që theksojnë se “qeveria Shqiptare po shikon mundësinë e ndërtimit të rrugës me buxhetin e shtetit ose me fonde të Fondit Shqiptar të Zhvillimit”.

Nuk është detyra jonë të këshillojmë qeverinë shqiptare se si ajo do t’i gjejë fondet e mjaftueshme. Ajo që ne e konsiderojmë si detyrë tonën dhe përgjegjësi qytetare është të ngremë zërin që këto 27 km rrugë të mbetura t’i japin frymëmarrje rrugës në rritjen e qarkullimit në vitet e ardhshme. Përdryshe, çdo akrobaci nga politikanë dhe personel teknike të papërgjegjshëm do të rezultojë në rrëzimin përfundimisht të ëndrrës për një rrugë me standarde ndërkombëtare, e cila garanton sigurinë e përdoruesve dhe integron shqiptarët e harruar në Shqiperi dhe Maqedoni.

Ne do ta mbështesim qeverinë shqiptare që të vazhdojë përpjekjet për gjetjen e burimeve të financimit dhe kompani ndërtuese serioze brenda e jashtë vendit, me qëllim që sa më parë të fillojnë punimet në rrugë.

Kryeministri e lexoi fitoren e Bashkisë së Dibrës “si një detyrim shumë të madh ndaj dibranëve”. Ndaj i kërkojmë Rames që me të njëjtin besim dhe detyrim të angazhohet maksimalisht që të mos rrezikohen standardet e ndërtimit të rrugës.

Ne shpresojmë se simbolika e marrjes seriozisht të kësaj çështje do të jenë fillimi i punimeve në Tunelin e Qafë Murrizës. Çdo nisje punimesh në vend tjetër para zgjedhjeve të ardhshme do të jetë një veprim i gabuar në interes të vendit, pavarësisht se qeveria mund ta interpretojë si një mbajtje premtimi. Tani për tani premtimi i kësaj qeverie se “Rrugë e Arbrit do të ndërtohet brenda këtij mandati” është një premtim i pambajtur.

[1] http://www.panorama.com.al/faruk-kaba-projekt-per-rrugen-e-arbrit-pa-tunel-por-qeveria-e-refuzoi/
[2] http://www.dritare.net/2016/09/11/inxhinieri-kaba-ministria-e-transporteve-kerkoi-financues-pa-pasur-projekt-per-rrugen-e-arbrit/1
[3] http://www.mapo.al/2016/06/genjeshtra-per-rrugen-e-arberit/1
[4] Gazeta ‘Rruga e Arbërit’, nr. 122, f. 6, qershor 2016