JO – ZGJEDHJA E HASHIM THAÇIT ME VOTAT E LDK-së

0
989
LDK logo

Për mjetet e informimit publik!

Deklaratë e Kryesisë së Degës së LDK-së në Zvicër:

(Dega e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Zvicër, në mbledhjen e mbajtur sot më 6 shkurt 2016, në përbërje të plotë, pasi e analizoi gjendjen politike në Kosovë dhe duke i marrë parasysh edhe reagimet e nëndegëve anë e kënd Zvicrës, vendosi të del me këtë deklaratë publike dhe të shprehet qartë e në mënyrë të vendosur se është kundër zgjedhjes së Hashim Thaçit, President i Republikës së Kosovës).

Kryesia e Degës së LDK-së në Zvicër, iu bënë thirrje publike deputetëve të LDK-së në Parlamentin e Kosovës që të mos e votojnë kreun e PDK-së, Hashim Thaçin për President të Republikës së Kosovës; madje as ndonjërin nga kandidatët që mund të vjen nga kjo parti nuk duhet votuar, pasi që PDK-ja nuk ka dëshmuar kurrë për bashkëqeverisje të mirë. Kjo parti, momentalisht në skenën e saj politike, nuk ka asnjë figurë konsensuale që mund t’a përfaqësojë dhe t’a unifikojë spektrin e polarizuar të subjekteve politike në Kosovë.

Të gjithë kandidatët e tanishëm të PDK-së, të cilët janë momentalisht në skenën aktuale politike, janë përgjegjës dhe fajtorë për gjendjen kaq të rëndë në Kosovë, prandaj nuk duhet të luhet më shumë me ndjenjat e popullit dhe me fatin e Kosovës, për më shumë nuk duhet të manipulohet vullneti i elektoratit, pasi ky popull nuk i duron për President personalitetet e involvuara në krim dhe shantazhe të identifikuara e të njohura si “grupit PRONTO”. Natyrisht ne në princip nuk jemi kundër kandidimit të Hashim Thaçit, sepse kjo është e drejt demokratike e secilit kandidat dhe e secilës parti, por poenta është se ne nuk dëshirojmë të jemi sponsor të kësaj zgjedhjeje nga vota e delegatëve të LDK-së.

Dega e LDK-së në Zvicër duke respektuar vullnetin e drejtpërdrejt të elektorati të LDK-së në Zvicër është kundër çdo kandidati publik i cili në jetën e tij është treguar përçarës dhe i njëanshëm, pavarësisht nga vlerat letrare, shkencore e profesionale dhe pavarësisht edhe nga titujt akademik e patriotik që mund t’i posedojnë kandidatët. Poashtu, Dega e LDK-së është kundër emërimit dhe zgjedhjes President i Republikës së Kosovës edhe të ndonjë pasardhësi nga familjet që kanë dhënë shumë për Kosovën, pasi kjo logjikë na kthen në patriarkalizëm dhe në mendësinë fisnore të odave në njërën anë, kurse, në anën tjetër, ky mentalitet e degradon vlerën dhe rëndësinë akademike të shoqërisë e cila kurdoherë dhe në çdo kohë duhet të nxjerr figura intelektuale me aftësi e dinjitet, virtyte këto të cilat duhet ti posedojë Presidentja apo Presidenti i një vendi.

Dega e LDK-së në Zvicër mendon se Kosova, më shumë se kurrë, ka nevojë për një figurë bashkuese, e cila duhet të jetë e njohur, e afirmuar, e dashur dhe e respektuar nga populli i Kosovës, sepse, vetëm kështu, i motivojmë edhe gjeneratat tjera për të punuar, për t’u angazhuar dhe për t’u identifikuar në proceset e rëndësishme për vendin, sidomos në procese të rënda që mund të kalojë Kosova jonë!

Deputetët e Parlamentit të Kosovës, duke i përfshirë edhe ata të PDK-së, kanë përgjegjësi morale për ta nxjerrë vendin nga kriza dhe për t’ia dhuruar Kosovës një President të dinjitetshëm, e kurrsesi të tallen me fatin e Kosovës! Ata duhet të kenë përgjegjësi ndaj mandatit të tyre si deputet, konform Kushtetutës së Kosovës! Në të kundërtën, do të kenë përgjegjësi kolektive dhe individuale historike, duke konfirmuar kështu se mandati i tyre vjen si rezultat i manipulimeve nga vjedhjet industriale të votës së qytetarëve.

Dega e LDK-së në Zvicër u bënë thirrje edhe vendeve të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës që ta ushtrojnë ndikimin dhe mandatin e tyre për një këndellje pozitive të deputetëve të parlamentit të Kosovës që t’a votojnë kandidatin për të cilin nuk ka akuza dhe nuk përflitet se është i involvuar në krimin e organizuar, në kriminalitetin politik dhe ekonomik të vendit.

Prandaj ne i thërrasim të gjithë deputetët, veçmas ata të cilët vijnë nga radhët e LDK-së, që në asnjë formë dhe në asnjë mënyrë të mos e votojnë Hashim Thaçin për president të Kosovës, sepse ai në cilësinë e Zv. Kryeministrit dhe të Ministrit të Jashtëm të Republikës së Kosovës, është dëshmuar se nuk i plotëson asnjë nga kushtet e kriteret dhe asnjë normë për të qenë president i Kosovës. Arsyet janë të shumta, prandaj edhe elektorati i LDK-së edhe më parë ka qenë kundër koalicionit me PDK-në. Ne e dimë se një klan i ngushtë në kryesinë e LDK-së, ka bërë koalicion pa dëshirën e strukturave partiake të LDK-së, ku gjatë fushatave dhe nëpër tribuna vazhdimisht kanë premtuar dhe kanë marrë obligime se kurrë nuk do të bëjnë koalicion me PDK-në.

Po ashtu është e ditur qysh nga vitet e shkuara se z. Thaçi ka qenë një kundërshtar primitiv e i ashpër i Presidentit Historik Rugova. Së këndejmi, do të ishte ironike dhe pa pikë morali sikur Hashim Thaçit t’i mundësohej për t’u ulur në karrigen e Presidentit Historik të Kosovës i cili ishte një personalitet unifikues për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, ndërsa Hashim Thaçi, i njohur dhe identifikuar si kupola e krimit, me punën dhe veprën e tij, pos tjerash, është dëshmuar edhe si përçarës dhe gjenerator i krizave me pasoja të interesit kombëtar e shtetëror.

Hashim Thaçi, ishte tejet i dështuar edhe kur ka qenë vet Kryeministër, por dhe tani në cilësinë e zv. kryeministrit dhe Ministrit të Punëve të Jashtme. Që prej se ai është Ministër i Punëve të Jashtme, kanë ardhur vetëm 2 njohje; pastaj dështimi në pranimin në UNESCO, si dhe dështimi për liberalizimin e vizave për të cilat ai ka premtuar shumë herë, e bëjnë Thaçin personalitet skajshmërisht të padëshirueshëm për t’u zgjedhur president i Kosovës.

Dega e LDK-së në Zvicër e përsërit qëndrimin e saj se zgjedhja e Hashim Thaçit në postin e Presidentit të Kosovës është pika më nevralgjike pasi që ai nuk është person unifikues dhe nuk parapëlqehet nga shumica e qytetarëve të Kosovës.

Edhe pse e dimë se ka pasur marrëveshje në mes PDK & LDK, përkatësisht pazare klanesh që ma së paku janë në funksion të forcimit të shtetit, por janë interesa të ngushta klanore të dy grupeve që po e uzurpojnë dhe ngulfatin shtetin. Prandaj kur është interesi i Kosovës dhe imazhi i vendit, do të ishte ma mirë që të orientoheni tek një personalitet më konsensual për President të Kosovës se sa cilido personalitet që mund të vjen nga PDK-ja, e cila shihet qartë se në bashkëqeverisje është parti e pa principe, e njohur me nofkën “Grupi PRONTO”, ku gjatë gjithë mandatit të tyre po sillen “Shefa të Shefave”?!

Të nderuara deputete dhe deputet të Kuvendit të Republikës së Kosovës, veçmas ju që vini nga radhët e LDK-së, ju e dini se sot Kosova është e rrezikuar në të gjitha planet: Si në funksionalizimin e shtetit ligjor, Kosova është e izoluar ndërkombëtarisht, vendi është i dërmuar ekonomikisht, krimet politike dhe ekonomike nuk janë ndriçuar. Me një fjalë, Kosova është ndër vendet më të varfra në aspektin social dhe ekonomik, ka ngecur edhe në aspektin edukativ dhe kulturor, ngase e ka kapluar nepotizmi dhe krimi i organizuar politik dhe ekonomike i pandriçuar, për të cilat rol kyç ka politika e dështuar e z. Hashim Thaçi i cili është personazhi kryesor i ngecjeve politik dhe i zhvillimit të ngadalshëm të Kosovës.

Të nderuara deputete dhe deputet, Dega e LDK-së në Zvicër, e cila zhvillon aktivitetin e saj për një çerek shekull në një vend ku roli i deputetit është me përgjegjësi të lart morale, intelektuale dhe patriotike, ju si deputete dhe deputet duhet të posedoni kodin moral të vendimmarrjes, prandaj ne shpresojmë se JU nuk do të vendosni sipas marrëveshjeve pa principe të cilat i ka bërë udhëheqja e ngushtë brenda partisë, prandaj ua bëjmë këtë thirrje publike të gjitha deputeteve dhe deputetëve në Parlamentin e Kosovës, veçmas atyre të LDK-së, që të mos shkelni mbi legjitimitetin e marrë nga elektorati. Ky legjitimitet ju obligon juve të përfaqësoni vullnetin e popullit por jo vullnetin e grupeve të caktuara që po sillen si Oligark Politik mbi Kosovën.

Ne besojmë se JU jeni të vetëdijshëm se akti i votimit të presidentit të Republikës është më shumë se sa një ngritje dore dhe blerje e numrave, është më shumë se “respektim i marrëveshjes së koalicionit”, që për ne duket sikurse të jetë marrëveshje jashtë principeve demokratike, prandaj ju duhet të vepronit me votën tuaj me përgjegjësi morale duke dëshmuar se jeni për ç’kapjen e shtetit nga elementet kriminal që mund të jenë në PDK e në LDK, pa i përjashtuar këto defekte edhe në partitë opozitare.

Kosova ka nevojë për një President konsensual dhe për një udhëheqës të dinjitetshme në arenën ndërkombëtare i cili do të duhej të reflektonte imazhe të mira për vendin, demokracinë dhe për Kosovën!
Andaj, thirrja jonë publike është: mos e votoni Hashim Thaçin për president, kurse për ata deputet që mund të votojnë do të kenë përgjegjësi historike për të ardhmen e Kosovës!

Zofingen (BE), 06.02.2014.
*Këtë deklaratë e mbështesin të gjithë anëtarët e Kryesisë së Degës së LDK-së në Zvicër, të cilët para një jave e kanë pasur tekstin në shqyrtim dhe plotësim.