JU, O BURRA, DJEM E VASHA, PAÇI JETË TË GJATË E SHËNDET, PAÇI VULLNET TË PËRBASHKUAR SI GRUSHT PËR TË MIRËN E TË DREJTËN TONË…

0
588

Nga prof. Halil Mulaku
Kryetar i SHOQATËS SË VETERANËVE TË ARSIMIT “Hasan Prishtina” – Vushtrri (SHVA)

Për: Shoqatën e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë ”Papa Klementi XI Albani”, në Suedi, Vushtrri, 10.11.2017

Shumë i rëndësishmi, i respektuari shok e mik Hysen Ibrahimi, si dhe të gjithë anëtarët e Kryesisë së Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani” si dhe anëtarë të tjerë në diasporë – në Suedi dhe kudo nëpër shtete e tjera të rruzullit tokësor – unë, prof. Halil Mulaku, ju përshëndes me zemër e shpirt për punën tuaj shumë të çmuar që po bëni tani në të mirë të atdheut, i cili qe i persekutuar pamëshirshëm nga shumë pushtues të huaj, por kurrë i përkulur e i dorëzuar.

Ju, o burra, djem e vasha, paçi jetë të gjatë e shëndet, paçi vullnet të përbashkuar si grusht për të mirën e të drejtën tonë, për mëvetësinë e vendit tonë shumë të dashur e shumë të bukur!

Siç shprehen të mëdhenjtë: Naimi, Samiu, Lazëri e shumë të tjerë mendimtarë e dijetarë – ne vetëm të bashkuar, si komb, dhe me punë dinjitoze, mund të ecim përpara, sepse me shekuj të tërë u kemi rezistuar pengesave që na kanë bërë pushtuesit barbarë e që s’janë të paktë.

Shumë jam i bindur se edhe Ju, si shoqatë që jeni, po u bindeni këshillave të dijetarëve e mendimtarëve të lartcekur – që me punë të pandërprerë, duke vënë gur-gur në kalanë tonë të pamposhtur, do të bëni shumëçka për kulturën dhe historinë e mirëfilltë të popullit tonë shumë të lashtë, e që këto na i kanë vjedhur dhe i kanë shfrytëzuar për vete pushtuesit.

Unë, gjatë leximit me shumë përkushtim të tre librave (VII dhe VIII), si dhe të botimeve të Avdyl Ukës “Loti” 1, 2, 3 dhe “Mbrojtja e Pragut të Shtëpisë” si dhe të librave të Bahri Shytit “Kosovë, ty të përkulem”, “Lot e këngë të mërgimtarit “, por edhe të librave bukur të shumtë të ish-nxënësit tim shumë të çmuar, Hamit Gërgurit, i cili qysh atëherë, si nxënës i SHM të Policisë në Vushtrri, më pat impresionuar me hartimin e tij, e që edhe unë, si profesor, s’do të kisha guxim të krahasohesha me të.

Mua ma merr mendja se askush nuk mund të dijë më mirë se Ju se si mblidhen copat e shpirtit të thyer e si ruhet zemra e papëlcitur, ku në mes të vetvetes e atdheut, futen distancat e tilla marramendëse, kur nisin e rrahen fjalët e gjuhës së nënës, kur në komunikim me gjeneratat e reja futet ftohtësia e gjuhës së huaj, kur rënkimi për Atdheun shkelet, varfërohet, burgoset e vritet pa mëshirë. Por, është një ngushëllim për Ju, se shkuat nga zori dhe se kurrë nuk ia kthyet shpinën – që ta harronit atdheun. Jam shumë i bindur se Ju, me stoicizëm të paparë, i qëndroni pranë në çdo aspekt Atdheut, që ta shpëtoni nga varfëria; frymëzimi me shpirt jeni pranë Kosovës nënë.

Ju njoftoj se, jo vetëm unë, por edhe shumë lexues, jo vetëm në Vushtrri e tërë Kosovën, por edhe më gjerë, me shumë respekt japin vlerësimin për punën që bëni në të mirë të popullit tonë, duke ju dëshiruar suksese edhe më tutje në këtë drejtim.

Përpos tjerash, gjatë leximit të librave të lartcekura, e veçoj librin VIII, në të cilën e keni dhënë një regjistër të fondit 3% të Republikës së Kosovës për vitin 1996, 97 e 98, si dhe aksione të tjera me emra, mbiemra, vendi, rr. Suedi, dhe shumën të dhëna veç e veç për secilin prej 3205 vetash.
Kësi lloj regjistrash, sipas mendimit tim, duhet të jepen edhe nëpër vendet e tjera ku është bërë grumbullimi i mjeteve të 3% nga Qeveria e Kosovës si brenda dhe në diasporë, sepse po ka shumë mendime se ato mund të jenë keqpërdorur nga ndonjë keqbërës çfarëdo qoftë, dhe, secilin keqpërdorues turpi e mbuloftë në këtë dhe në botën e amshueshme!

Kam edhe shumëçka për të thënë për librat në fjalë, por me kaq po e përfundoj këtë shkresë.
Në fund, lus shkëlqesinë Tuaj, z. Ibrahim Hyseni, t’i pranoni përshëndetjet më të sinqerta, respektin dhe devotshmërinë e sinqertë.