KËNGA E ËNDRRËS SË MURUAR

0
411
Atdhe Geci

Rexhep Kasumaj KËNGA E ËNDRRËS SË MURUAR

( Poetit, Atdhe Geci )

Atdhe Geci,

poet i rrëkesë së gjakut dhe
vesës së luleve,
i ëndrrës së muruar
dhe, ah, dhimbjes së bukur,
i ofshâmës së atdheut dhe
Poet sallonesh të frakut të zi,
i kujtesës së ndaluar
dhe heshtjes së varreve,
i dashurisë fluturake dhe
shiut, i shiut të vjetër, të trishtë…

Poet i pritjeve të muzgëta
dhe i takeve që s’vijnë,
i lirisë së pazot dhe fëmijës
në udhë bote,
kryengritës kundër zotave
tokësorë
dhe i lutjes për mrekullinë tek humbet
në udhëkryq,
poet i lumnive të vogla
ngujuar në Urnën
mbi komodinë dhe
agut kur dielli mungon…
Poeti i vargut mnerisht të bukur
t’besës së prerë dhe
pëndesës mashtruese
në Altar,

poet i udhëtimit të shkronjave
drejt zemrës
dhe qiellit të mugët,
zogjëve shteghumbur
ndër rè e stuhira dhe korbave të zisë,
pastaj…ngaherë…
Poet i Fjalës së Muzës që, ah,
ndonjëherë, mëkaton…
dhe pra, këndoje këngën
e ëndrrës së muruar,
ti, përjetësisht poet kryengritës
i Dhèut të Arbërit!…

Rexhep Kasumaj
Berlin, mesfror, 2021