Kimetja, Kosnetti, Krasniqët dhe Kulti i Kurtit

1
201
Berat Buzhala

Shkruan Berat Buzhala, GazetaExpress.com

Propaganda dhe manipulimi e kanë arritur efektin e plotë vetëm atëherë, kur mbështetësit i qëndrojnë pranë liderit edhe atëherë, kur ata e dinë që lideri po gënjen, atëherë kur ata janë të bindur që edhe gënjeshtra e tij po bëhet për qëllime të mira.

Nëse po mendoni që të gjitha ato shkronja “K” në titull janë përdorur me qëllim, atëherë e keni gabim. Nuk ishin të menduara më parë, por ka mundësi që këto ditë çdo gjë po sillet rreth shkronjës “K”.

Kulti i Kurtit ka ekzistuar edhe më parë, mirëpo si karaktere të reja në realitetin e ri politik janë futur Kimetja, Kosnetti dhe Krasniqët si inkuizitorë.

Kimetja dhe Kosnetti ishin përkrahës të Kurtit deri para disa javësh. Të dytë këta u gozhduan nga garda pretoriane e LVV’së, në rrjete sociale, në krye me Krasniqët, sepse e morën guximin që ta shprehnin pakënaqësinë e tyre, dorën në zemër, në mënyrë mjaft suptile, me profetin e fundit në planetin Tokë, Shën Albinin.

Sipas besimtarëve të verbër, të cilët shpesh përfundojnë në ekstremizëm dhe terrorizëm, figurat e shenjta nuk mund të duhen me kushte. Ato figura dhe veprimtaria e tyre, e gjithë jeta e tyre, nuk mund dhe nuk duhet të kontestohen. Nuk ka vend për debat. Vetëm mund t’i adhurosh e t’i falënderosh. Madje, ironikisht, duhet t’i falënderosh më së shumti, kur të përballesh me tragjedi e fatkeqësi. Sepse Ai po të sprovon. Ky është një privilegj që të tjerët ndoshta nuk e kanë, por ja që fati ishte me ty, atë ditë kur të vdiq gjysma e familjes në një aksident në komunikacion dhe tash e ke mundësinë që ta dëshmosh besimin e fortë dhe të palëkundur.

Për më të dobëtit, për skeptikët, për ata që bëjnë pyetje, nuk ka vend në Vëllazëri. Nuk ka vend as në Facebook dhe Twitter. Policia dhe inspektorati për Mendime është aty për t’ua treguar vendin të gjithëve. Kurse, si në çdo religjion tjetër, edhe në këtë më të riun, që po lulëzon në Kosovë, hakmarrja duhet të jetë më brutalja ndaj atyre që besuan dhe më pas nuk besuan. Kjo quhet apostazi, kurse të tillët quhen apostatë. Kur shpërthen dhuna, apostatët goditen të parët. Ajo goditje ndaj tyre duhet të jetë përfundimtare dhe e pamëshirshme, jo gjithaq sa për t’i ndëshkuar Kimeten ose Kosnettin e pabesë, por sa për t’u treguar të tjerëve se çfarë fati i pret, nëse e ndjekin rrugën e njëjtë. Për një gjë të tillë kujdesen Krasniqët e Malishevës.

Nëse Lëvizja thotë që Profeti ynë natën fluturon, besimtarët kanë vetëm një rrugë: të besojnë. Besimi, në thelb, është irracional. Çdo besim, jo vetëm ky i fundit. Dikush beson që i vdekuri u ringjall, dikush tjetër që fluturoi në qiell e dikush që Albinit, siç ka thënë ai analisti serb, i punon koka më shpejt dhe më saktë sesa kompjuterit. Që të bindeni që kjo që po e them është kështu, nëse keni kohë, shkoni dhe shikojini komentet e këtyre besimtarëve në fotografitë e Kurtit në Facebook. I kam shikuar dhe analizuar me kujdes disa sosh, por në veçanti njërën.

Aty është Kurti në një konferencë në Tiranë. Ai është i vetëm në korridor, duke shikuar vëngër në krahun e majtë. Nuk e di kë. I kam dyshimet e mia nëse ka qenë duke e shikuar Ramën a Bërnabiqin. Sido që të jetë, kjo nuk është esenca. Esenca është te komentet. Tek admirimi i komentuesve për shikimin e Kurtit: “o luan”, “o syshqiponjë”, “o bir shqiptari”, “o na e ktheve dinjitetin”. Pak a shumë, në këtë mënyrë sillet nana jem, kur gjendet në tempull fetar. Dridhet nga emocionet. Ka frikë dhe dashuri. Për të, si dhe për çdo besimtar tjetër të devotshëm, aty janë fundi dhe fillimi.

Në përmasa të këtilla është duke u manipuluar dhe inxhinieruar një pjesë e shoqërisë sonë e, fatkeqësisht, në gjendjen më të rëndë janë ata që fare nuk jetojnë në shtetin ku Kurti është kryeministër. “Qiky lider ka më jau tregu vendin evropianëve dhe amerikanëve”, shkruan dikush që jeton në Berlin, ose Helsinki, ose Basel. Ai tjetri jeton në Amerikë, ushtarët amerikanë ia ruajnë kufirin e shtetit ku i jeton nana ose baba, ndërsa ai e fton Kurtin që t’ua tregojë vendin Amerikës dhe ambasadorit amerikan në Kosovë.

Një situatë të tillë të një pështjellimi mendor ndoshta do të mund ta shpjegonte vetëm Sigmund Freud-i. Brenda gjithë vitit e viziton vendlindjen e tij për dy javë ditë, pjesën tjetër të vitit, bashkë me familjen, jeton në Paris a në Romë, kurse dëshirë parësore e ka armiqësimin e Kosovës me Italinë, Francën, Gjermaninë a Amerikën. Pse? Që të mburret përpara kolegut të tij gjerman në vendin e tij të punës se tash në Kosovë është një politikan që nuk i trembet syri përpara askujt mbi këtë dhé? Ta analizosh këtë situatë është pak a shumë sikur kur i shikon ato fijet e telave nëpër shtyllat elektrike në kryeqytet. Një lëmsh i vërtetë. A thu’, cila prej atyre qindra fijeve është dëmtuar?

Sigurisht që nuk ishin 50.28 përqind të votuesve që i besuan Kurtit më 14 shkurt në këso frekuencash. Një numër i madh i tyre ishin votues racionalë. Ishin të lodhur, secili për arsye të ndryshme. Besonin që Kurti ishte njeriu i duhur, sepse ishte i vetmi në anën tjetër. Kurse ky e kishte hapur derën e tij për çdokënd.

“Unë kam vjedhur këto 12 vite, a ka vend edhe për mua në gjirin tënd?” Patjetër, vetëm duhet të pendohesh. “Unë kam aktakuzë, a ka vend edhe për mua në gjirin tënd?” Po, ka vend edhe për ty. “Unë i kam shërbyer të gjitha regjimeve, a ka problem?” Jo, nuk ka problem, nëse i shërben edhe regjimit tim. “E unë që kam qenë këshilltar i Thaçit, a prish punë?” Jo, nuk prish punë aspak, thjesht duhet të pendohesh dhe ta shash Thaçin më shumë se çdokush tjetër. Te tillët kanë qenë në istikame edhe kur e ndihmonin Thaçin, edhe kur e ndihmonin Haradinajn, edhe kur e ndihmonin….Serbinë.

Tek e fundit, a mos keni dëgjuar ndonjëherë që ekziston një religjion që mëkatarit ia ka mbyllur derën? Jo, pra, sepse ajo derë qëndron e hapur saktësisht për mëkatarët. Vetëm në raport me mëkatarin e penduar profeti ka pozitë superiore. Mëkatari i penduar, në shumë raste, shndërrohet në një armë të rrezikshme. Ai ka dorëzuar një pjesë të integritetit të tij te dikush tjetër. Mëkatarët janë klientët kryesorë të religjioneve. Në këmbim të besnikërisë, çdo gjë është e falshme.

Prandaj, çdo ditë e më tepër i shikojmë dhe i lexojmë të tillët duke shkumuar nëpër studio televizive, në mbrojtje të Kurtit. Ata ndihen të falur nga mëkatet, por ndihen gjithashtu në borxh deri në fyt ndaj falësit të tyre. Religjioni e humb kuptimin pa këtë kategori. Jezui fillimisht e kishte kriminalizuar kurvërinë, pastaj të parën e kishte falur prostitutën. Maria Magdalena, që aty e tutje, nuk kishte qenë më vetja.

Në anën tjetër, Jezui ynë iu ka shpallur fatva të gjithë hajnave, mirëpo disa hajna i ka amnistuar. Thotë që do t’i mbushë burgjet me hajna, përveç me hajnat e tij, që tash vullnetarisht janë shndërruar në kamikazë.

Ky është vetëm fillimi. Vetëvendosja ka kohë që kishte ditur se çfarë donte. Vite më parë, ata, në takimet e tyre, kishin konstatuar që këtu popullata është e paedukuar mjaftueshëm, prandaj komunikimi me këtë kategori duhet të bëhet përmes gjysmë të vërtetave dhe manipulimeve. Albini, në mënyrë të suksesshme, me një plan të menduar mirë, ka arritur të shndërrohet në një manipulues të mendjeve.

Propaganda dhe manipulimi e kanë arritur efektin e plotë vetëm atëherë, kur mbështetësit i qëndrojnë pranë liderit edhe atëherë kur ata e dinë që lideri po gënjen. Atëherë kur ata janë të bindur që edhe gënjeshtra e tij po bëhet për qëllime të mira dhe në shërbim të një kauze. Për këtë arsye ka hatërmbetje ndaj Kimetes dhe Kosnettit. Të gjithë duhet të shkojmë së bashku drejt humnerës.

1 KOMENT

  1. shkrim fantastik dhe analize shume precize per Islamo-Komunistin perfid anti SHQIPTAR… i cili lufton KUNDER LIRISE… sepse edhe komunizmi i tij edhe islami i 13 antareve te Parlamentit VVV… jane kunder LIRISE… ata duan KONTROLL te çdo veprimi dhe çdo individi, sepse ata besojne se LIRIA nuk eshte e mire as e duhur… por duhet KONTROLL, komunist dhe islamik.

Komentet janë mbyllur.