Ese
Periudha postmoniste e njohur si e tranzicionit dëshmoi në mënyrë transparente gjendjen e përgjithshme shoqërore, duke përfshi edhe krizën morale, ku sinonim janë mediokrit të cilët janë bërë virus shoqëror për çdo mjedis në hapësirën etnogjeografike shqiptare, ku përjashtim nuk bëjnë as shqiptarët në Mal të Zi.
Dr. Nail Draga
Ne mjedise të ndryshme në periudhën e tranzicionit në vendet e ish kampit socialist janë duke u manifestuar kriza të ndryshme. Te gjithë jemi dëshmitarë se janë te pranishme kriza ekonomike dhe ajo politike, por, vitëve të fundit është duke u manifestuar me të madhe një krizë e cila pothuaj është bërë epidemi shoqërore, e ajo është kriza morale. Nuk ka dilemë se kjo është kriza me e rrezikshme nga vet fakti se për ta shëruar ate duhen dekada të tëra.
Në vitet e para të pluralizmit, duke mos pasur përvojë në qeverisje dhe në politikë në subjektet e ndryshme janë përfshi dhe angazhuar individ të ndryshëm të cilët qellim parësor kanë pasur përfitimet personale në momentin e caktuar. Ishte kjo kategori e cila ne ndryshimin e sistemeve kishte shprehi për t iu përshtatur rrethanave të reja për përfitime personale. Por, poashtu, në gamën e gjerë të individëve të tillë bën pjesë edhe një kategori që janë mediokrit, por shumë të zhdervjellë për të arritur objektivat e tyre.
Me termin mediokër kuptojmë personat të cilët janë me aftësi të kufizuara, që nuk shquhën për ndonjë zotësi, ose për ndonjë cilësi të veçantë. Por, janë pikërisht këto të cilët janë bërë të shumtë dhe të depertueshëm në veprimtaritë e ndryshme shoqërore për të arritur qellimin e tyre, apo të personave e klaneve me të cilët bashkëpunojnë.
Nëse në fillim pjesëmarrja e një kategorie te tillë ishte e papërfillshme sepse kishim të bënim me militantë dhe një populizëm të turmave, me kalimin e kohës medokrit u bënë virus shoqëror, duke u bërë dukuri shqetësuese. Kjo kategori ishte e pranishme kudo, por në veçanti në subjektët e koalicioneve të shumicës qeverisëse. Dhe s ka si të jetë ndryshe se para dhe gjatë zgjedhjeve lokale apo qendrore, mediokrit kanë pozicion të veçantë me strategji të veprimit, për të arritur objektivat e tyre. Për hir të së vërtetës, mediokrit kanë qenë të pranishëm edhe në monizëm, por me një mundësi kufizuese me mimikri veprimi, ndërsa në rrethana të reja në pluralizëm morën përmasa tjera, duke dëshmuar vetën se si janë në realitet.
Sa me e madhe të jetë kriza politike e ajo ekonomike mediokrit marrin përmasa të gjëra në të gjitha veprimtaritë si në kulturë, sport, art e sidomos në politikë. Eshtë pikërisht politika si ajo lokale e qendrore ku përmes lidhjeve e klaneve të ndryshme depertojnë kudo, e madje mendojnë se dijnë çdo gjë, duke u bërë sinonim i antivlerave shoqërore.
Mediokrit po ashtu profil të veprimit të tyre kanë lidhjet, nepotizmin, madje bëhën sekser për të kryer punë të ndryshme, në lidhje me struktura të ndryshme të administratës, nga më të ultit e deri më të lartit.
Nuk duhet anashkaluar edhe një cilësi të veçantë të tyre që është qasja ndaj shpifjeve kundër të tjerëve, sidomos ndaj personave me vlera, nga vet fakti se nuk janë afër tyre me asnjë cilësi profesionale dhe njerëzore.
Edhe pse janë të tillë, ashtu si janë ata nuk ngurrojnë madje të marrin guximin të vlerësojnë, të gjykojnë e madje të propozojnë individ në poste të ndryshme kadrovike. Nuk ka si të jetë ndryshe sepse vetëm me persona identik ata mund të manipulojnë dhe të përfitojnë në forma të ndryshme.
Dhe në situata të tilla të krizës shoqërore dhe ekonomike, ku vlerat morale janë zbehur shumë, mediokrit për fat të keq paraqesin shumicën, ndërsa vlerat kanë mbetur në pakicë, apo thënë me gjuhën e politikës vlerat kanë mbetur opozitë e shoqërisë në përgjithësi.
Janë pikërisht këto rrethana kur në politikë janë angazhuar në mënyrë aksidentale një numër i konsideruar individësh, të cilëve iu mungon kapaciteti profesional, demokratik e ai moral. Madje të tillët janë vendosur në vende udhëheqëse, ku si meritë kryesore kanë përkatësinë dhe degjueshmërinë partiake. Andaj më të drejt themi se vetëm në politikë askushi mendon së bëhët dikushi.
Por, duke analizuar periudhën e tranzicionit disa individ meritojnë respekt të veçantë të cilët dëshmojnë profesionalizëm, guxim dhe qasje parimore, por për fat të keq numri i tyre është shumë i vogël, të cilët edhe pse janë asete shoqërore janë me ndikim të kufizuar.
Pra kemi të bëjmë me kohën e mediokrëve që është fatkeqësi shoqërore për kohën tonë dhe brezat që do të vijnë pas nesh. Është koha kur dominojnë antivlerat e jo vlerat shoqërore e deri kur mbetet çështje për diskutim.
22.2.2016