KOMPLEKSI I EDIPIT (Pjesa e Parë)

0
911
Sotir Athanasi

SOTIR ATHANASI

(Paramnezi)

Fëmijëria e Ortepit s’kishte asgjë të pazakontë deri në moshën pesë vjeç, stad në të cilin iu pre gjuha e komunikimit. Shqetësimet e prindërve të tij, ngaqë nuk fliste fare, rriteshin mbase po aq shpejt sa edhe veshët e këtij djali. Sytë e tij gjithmonë po vazhdimisht, shihnin nga babai dhe e shponin tej e tej atë si një ndëshkim tërësisht i plotë por, i pamerituar. Ç’kërkon nga unë ai vështrim sfilitës? – pyeste veten i ati dhe gërmonte së brendshmi për ndonjë dëshirë të tij të paplotësuar nga moskuptimi. Dhe të mendosh se kishte lindur i tillë, do të qe gjysma e së keqes. Por ai, derisa mbushi pesë vjeç, fliste. Pas kësaj i iku goja. Ç’kishte pësuar xhanëm? Për ‘të qe asgjësuese pyetja, nga se vuan dhe sillte brengosje gjithashtu. Sa më shumë meditonte për ‘të, aq më tepër diçka ia digjte shpirtin e pafajshëm. Më keq se prushi zhuritës, këmbën zbathur të vënë nga pakujdesia. E kishin shpënë, këtu e atje, në mjekë dhe, përveç ngritjes së supeve, doktorët s’qenë në gjendje të thoshin ndonjë gjë më shumë. Madje, kishin provuar më kot të shkonin edhe në vende të shenjta. Ortepi s’kishte pikë dëshire të lozte përjashta me moshatarët e tij, edhe kur ndodhte kjo nuk shoqërohej fare. Qëndrimin armiqësor e shprehte me vrazhdësi të fytyrës dhe agresivitet. E madje godiste gjithkund dhe këdo që do t’i shtrinte dorën për ta ledhatuar (nga të rriturit), ose për të luajtur (nga vërsnikët). Asnjëherë nuk iu përgjigjej me gojë pyetjeve. Atë nuk e hapte fare. Grushtin po. Mbase në të qe kruspullosur edhe ‘nyja’ e tij. Këtë ia kishte nënvizuar ndonjë pediatër prindërve. Sidomos, i fundit, qe thelluar më tepër dhe kishte këmbëngulur që të takohej detyrimisht me një psikiatër.

– I gjithë defekti i kësaj ‘krijese’ (ai s’kish thënë i këtij ‘fëmije’ e as i këtij ‘njeriu’), duhet kërkuar te ’kruspullimi’ i tij i panatyrshëm dhe… Mjeku pediatër, paksa gjinkallë nga natyra, por tejet i aftë e pasionant në punën e tij e kishte ndërprerë bisedën për të mos vazhduar në sy të fëmijës. Pasi, ky vërtet që s’fliste, por kjo nuk do të thoshte se edhe nuk dëgjonte. Aspak. Aq më tepër, që vështrimi i tij nuk i pëlqente fare doktor ‘gjinkallës’. Se kur gjallesa hesht, atëherë lindin edhe probleme. Se nuk njohim kodin e kësaj qetësie. Është mençuri apo djallëzi. Kështu ai kishte gjetur një fjongo për të mbështjellë e madje, paketuar bukur, këtë send shpërthyes, siç do ta quante me të drejtë dhe e kishte larguar bashkë me të ëmën. Se donte t’i thoshte që sjellja e fëmijës ishte e gënjeshtërt, false. Pra: djallëzore. E shtirë dhe po kaq edhe neveritëse. Vizita te një psikiatër duhej të bëhej urgjent. Natyrisht kjo e kishte befasuar prindin, por aspak pediatrin, i cili kishte vazhduar gumëzhitjen e gjinkallës:
-Janë dy mjekë me emër i dashur. Kreshtani dhe Fotjani. I pari ka mbaruar në Perëndim, që përpara çlirimit. I dyti në Lindje. Ky merret edhe me kriminalistikë. Unë do të parapëlqeja këtë të dytin. Për një arsye shumë të thjeshtë se defekti i krijesës suaj, i kësaj natyre shfaqet…

Tjetri çakërriti sytë: Mendoi në çast të kundërtën: – E thoni seriozisht, doktor? – dhe mospranimi i tij qe pranë rebelimit.
– Shakatë nuk janë për ne kur dyshojmë për diagnozën i dashur.
– Dhe si na e thatë emrin e këtij të dytit, doktor? – e uli ai tonin.
– Fotjan e quajnë, por do të jetë fat ta gjesh pasi ta ketë përfunduar debatin me kolegun e tij Kreshtan, i cili ka mbaruar në Francë. Në mos bëhej fjalë për dy stile si për dy shkolla, ‘Perëndim-Lindje’, në mund t’i themi kështu, këto krijesa fatkeqe kërkojnë një trajtim, cilido qoftë kahu i tij, ashtu si dhe emërtesa ‘pacient’ apo ‘klient’.

Njëmend, kur shkuan në spital, të dy prindërit, me Ortepin për dore, infermierja u tha se mjekët ishin futur në një konsultë dhe ata duhej të prisnin. Në të vërtetë, po vazhdonin një diskutim pikërisht për rastet e kësaj natyre. Doktor Kreshtani mendonte se këta fëmijë (jo krijesa), duhet të trajtohen si ‘klientë’ dhe se, me ta, terapisti duhet të mbajë qëndrim empatik, për të kuptuar ndjenjat dhe perceptimet e tij. Një qëndrim të pakushtëzuar. Që do të thotë ta pranojë klientin ashtu siç është. Si qenie njerëzore. Madje, duhet t’i krijohet një mjedis që të mbërrijë ndryshimi. Po ende lipset pozicionuar në rolin e tij. Të mendojë e të ndiejë si vetë klienti. Kështu mund të shohë te fëmija, qartësisht kapriçion e tij.
Krejt kundër kësaj teorie ‘perëndimore’ do ta quanim për shkak se doktor Kreshtani kishte mbaruar në Paris, qe doktor Fotjani.

Së pari, ky, fjalën “klient” e përbuzte se me të tillë merren berberët e jo doktorët (duke harruar që edhe avokatët, të cilët nuk qëndronin më poshtë për nga hierarkia, përdornin fjalën ‘klient’), prandaj duhet të quheshin ‘pacientë’ edhe këto raste, si edhe të tjerët në mjekësi. Për doktor Fotjanin, këta tipa duheshin mbyllur në klinika psikiatrike, në qoftë se ishin vërtet të tillë, ose pas hekurave të burgjeve në qenkëshin simulantë Se ti e di që mua më thërrasin dendur në ekspertiza krimi- nalistike, për të përmendur një copë nga biseda e tyre.Tjetri tundi kryet se kishte dijeni për këtë të vërtetë, ashtu siç kishte dijeni edhe për qëndrimin e tij antizjarrdurues e të pamëshirshëm, larg humanes e pranë sadizmit.

– Dëgjo,- tha doktor Fotjani, – rastësisht u ndodha në një komision ushtarak për lirimin nga ky detyrim atdhetar të një ushtari të plagosur “aksidentalisht” me armën e tij. Gishtin e madh, por sidomos treguesin e kishte të varur. Mjekët kirurgë, aspak nuhatës se këtu kishin të bënin me një hileqar, po përgatiteshin të mbushnin formularët dhe të firmosnin çmobilizimin e tij nga shërbimi ushtarak. Unë, me bluzën e bardhë, si dhe ata, s’mund ta lija këtë faqezi ta hidhte lumin pa u lagur. Prandaj u ngrita dhe i vajta pranë,

– Dëgjo këtu ti, – i thashë. – Të dy gishtërinjtë të janë dëmtuar keqas. Cilin do të pëlqente që ta shpëtoje? Mos ndofta gishtin tregues? Se duhet ta pranojmë që jemi shqiptarë dhe e kemi si merak pushkën. E, ajo, pa gishtin tregues nuk vlen… – Jo, – tha simulanti. – S’më zë hiç meraku mua nga kjo anë. – Vërtet? – e pyeta, të sigurohesha se ai po të mos ishte i vetaksidentuar do të përgjigjej: – Ç’thua, doktor?! A nuk po flasim për gishtat e dorës, a nuk duhen ata njëlloj ashtu siç edhe na dhembin?! Por jo, pohoi se nuk e hante meraku. Atëherë i këpus një shpullë sa më hëngri krahu. Sytë i nxorën xixa ndërsa faqja iu bë flakë e kuqe. Iu ktheva anëtarëve të komisionit, mbasi krisma e pëllëmbës i kishte stulatur si bufërit në kënetë: – Kolegë të dashur! Njerëz si ky e kanë vendin në Spaç ose Bulqizë.

Krejt ndryshe gjykonte doktor Kreshtani.
Dinakëria e Fotjanit ngjasonte me ato të dhelprës, por doktori kishte parë në Paris se dyqanet ishin të mbushura me lëkurët e tyre, ashtu si edhe burgjet e Spaçit e të Bulqizës me deviatorë të tillë,… dhelparakë.
– Që ia flakërive surratit me shpullë bëre mirë,- tha ai, – se edhe fëmi- jëve tanë kur gabojnë nuk ua kursejmë atë. Por nuk i fusim në burg, ama. Përse ky çunak duhet të themi se e ka vendin në burg? Për më tepër, në galeritë e Spaçit? Pse t’ua nxijmë jetën këtyre… aguridheve? Ja ky është ndryshimi midis ne të dyve, miku im, – përfundoi doktor Kreshtani.

– Se je ledhatues e liberal prandaj, – tha në formë proteste, por edhe për t’u shfajësuar disi Fotjani, që po i digjte buzën kapuçi i cigares.
– Se je antihuman i skajshëm dhe ekstremist i papranueshëm, – tha doktor Kreshtani, që atë çast futi në gojë një karamele
– Nuk mund të hidhet tjetri në rrugë siç pështyn kapuçin e cigares, – shtoi ai…

Pas kësaj Fotjani doli nga konsulta për t’u rifutur sërish në të javën e ardhshme në një tjetër takim, ku do të përplaseshin dy metoda shkencore, që niste me emërtimet: ‘klient’-‘pacient’, për rastet e tilla. Do të vazhdonte me ledhatues e i pakujdesshëm për të përfunduar deri në liberal. Ashtu si tjetri përgjigjej se qe absolutisht kundër trajtimit si ‘pacient’ të rasteve të ngjashme pas të cilave do të vinte patjetër edhe një emër diagnoze, aspak për t’u mburrur. Për të përfunduar me epitetet skaj dhe ekstremizëm me brirë. Por edhe me pështyrjen e kapuçit të cigares që po i digjte buzën doktor Fotjanit dhe futjen e karameles në gojë nga doktor Kreshtani. Gjithsesi, pavarësisht dallimeve, ata ishin të dy komunistë dhe kishin një bindje të përbashkët…Prindërit e Ortepit, më në fund patën durim të presin përfundimin e një debati shterpë të quajtur ‘konsultë’ dhe të takohen me doktor Kreshtanin si rishtarët me zellin e neofitit dhe jo me doktor Fotjanin, i cili s’kishte kohë t’i priste.

Doktor Kreshtani s’e pati aspak të vështirë të vëzhgojë se Ortepi, si ndonjë kërriç-gomari, kishte ngritur veshët përpjetë. Prandaj i kishte thënë infermieres të merrej me kontrollin rutinë të fëmijës: laring-faring apo veshët dhe të dy prindërve, ua kishte bërë me shenjë, që të prisnin në korridor. Kur dolën përjashta i pyeti: – Thatë se e quajnë Ortep? Kështu?”- Po. Dhe mjeku, pesëdhjetëvjeçar, tejet pasionant për punën, s’e kishte kursyer aspak qesëndisjen therëse: – Nuk besoj ta keni pagëzuar?

– Jo, doktor. Ne jemi myslimanë.
– E kuptoj se edhe po të ishit kristianë kisha nuk do ta kishte lejuar kurrë një emër të tillë. Por këto janë kërshëria e rinisë sime të hershme. Atëherë, përveç që kishim një bindje, secili në fenë e tij, por rendnim edhe në atë që thuhej për predestinatën e emrit. Dhe pas afërsisht, tri dekadave përvojë, e shoh të sendërtuar atë.
– Që do të thotë? – pyeti plot ankth e ëma.
– Të vënë në jetë.
– Ku e shihni këtë, doktor? – u shqetësua babai.
– Në atë që ai është shumë vëzhgues. Por…
– Por?
– Edhe shumë i rrezikshëm në familje.

– Ç’thoni kështu, doktor? – pyetën në të njëjtën kohë të dy prindërit. Pastaj doktori i tha gruas të ecte dhjetë hapa në korridor. Kur ajo u kthye, para se burri të kryente të njëjtën gjë, doktor Kreshtani i drejtoi një pyetje që, përveçse tejet intime, ngjante si hetim, hulumtim a zhbirim, madje, aspak etike, deri asgjësuese. Ta lexojmë atë:
– Sa s’është kthyer ende yt shoq, mos, ndofta aksidentalisht,
babai i djalit tuaj është kumbari Petro? Po apo jo?

Gruaja ngriu siç ndodh me njeriun në ballafaqimin me të vërtetën:
– Po, – ishte përgjigjja e saj dhe koka iu var me dëshpërim. Pastaj pa nga mjeku dhe, me dhëmbë të shtrënguara, shtoi: – E kam njohur përpara tim shoqi. Por nuk mund të bëhej bashkëshorti im. Kurrën e kurrës! Edhe pse …
Doktor Kreshtani, me vështrim nga burri i saj ligjor, që sapo u kthye, tundi kryet si i pakënaqur për këtë përimtim të lëvizjeve. Atë çast kujtoi “Kompleksin e Elektrës”* dhe tha: Sa mirë që është djalë! Ndërkaq, hyri infermierja e alarmuar. Klithi:
– Nuk bindet me asgjë, doktor. M’i përplasi skatulat në fytyrë.

Doktori u hodhi një vështrim kuptimplotë prindërve dhe i tha infermieres: – Mirë, po vij unë.
Ai i flakariti një shikim të rreptë e tejet të përqendruar fëmijës dhe i tha infermieres të afrohej. Me refleksin e stetoskopit i ‘verboi’ sytë e djalit, duke pëshpëritur në frëngjisht ca fjalë. Pastaj i vuri dorën në ballë kërriçit, si të donte ta shtynte dhe ai ra në pëqinë e infermieres. Kjo e vuri mbi shtratin portativ të klinikës. Doktor Kreshtani tha: – Përgatit barnat e të sëmurëve në pavijon, – dhe ua bëri me shenjë prindërve të Ortepit të afroheshin. – Mos u shqetësoni, hipnoza bëri punën e vet. Ai po fle tani si pulë. Kur të zgjohet, kthehet në gjel. Infermierja u nis në detyrë. Doktori pyeti të atin: – Kush ia ka vënë emrin?

– Një shoku im i punës.
– Dhe ç’punë bëni ju? – vazhdoi ai, kinse kërkonte diçka.
– Në sigurimin e shtetit.
Doktor Kreshtani ngriti kryet dhe i hodhi një vështrim tejet zhbirues. Pastaj uli sytë dhe shtoi: – Unë mund ta bëj të flasë në gjumë. Por është më mirë që “ngërçin” ta kalojë zgjuar… Pas kësaj nxori nga sirtari bllokun e recetave dhe ia vuri përpara: – Shkruaj këtu emrin e djalit.
– Dhe kur tjetri e shkroi, doktor Kreshtani shtoi: – Lexoje së prapthi! – dhe ai lexoi: Petro.
– Mos ndoshta e quanin Petro atë që këmbënguli t’i vinit emrin Ortep?

Të dy prindërit tundën kryet të verdhë në fytyrë e të budallepsur në mendësi. Doktorin e pushtoi një ndjenjë e dyfishtë: ajo profesionale dhe ajo humane. Ky dyzim qe midis kënaqësisë në njërën anë mbi pasionin profesional dhe humanizmit, nga ana tjetër.

– Pas tridhjetë vjetësh kujtoj hapat e mi të parë. Atëherë mësonim se çdo gjuhë është njeri. Unë kam studiuar në Francë. Një shoku im, arab, thoshte: fjalët janë simbole. Frazat janë sipërfaqe valore përmbi një rrjedhë të lëvizshme. Dhe një tjetër, shok, këtë thënie e mori si tezë për doktoraturën. Nuk di se ç’bëri ai se plasi lufta dhe unë u ktheva në atdhe. Psikologjia ime vlejti vetëm për hipnozën. Kirurgët e luftës bënin operacione pa narkozë. Ja pse duhej aftësia ime gjumëdhënëse. Por le të kthehemi te problemi juaj. Në mendësinë e djalit tuaj, diçka tejet djallëzore ka mbuluar ‘sipërfaqen valore’, e ka ngurtësuar atë. Ajo ka gjasë të shpërthejë se vetëm ashtu mund t’i vijë gjuha. Dhe si çdo shkrehje, kryhet kur objekti del përpara. Ose shihet shtegu i së keqes. Ruhuni nga ai. Mos i besoni për asgjë që s’është qytetare. Sidomos ju, – i tha ai babait. –Se me ju e ka mllefin. Por ishte tepër vonë.

Qe dita e parë që Ortepi foli. Një shok i babait të tij, sigurims si i ati, kumbari i djalit me emrin Petro e takoi Ortepin, plot njëzet e pesë hapa larg shtëpisë, se kaq qe distanca nga shkolla. Ortepi luante me kukullën që i ati ia kishte blerë një ditë më parë.
– Babai në shtëpi? – e kishte pyetur ai me djallëzi.
– Po, – ia kthen Ortepi, që foli për herë të parë dhe shkurt.
– Çfarë po bën?
– Po flet me tokën, – përgjigjet, duke u zgërdhirë ai, në një fjali të plotë.

Kaq do të duhej që sigurimsi të bindej përfundimisht se ai ishte një agjent i dyfishtë siç edhe kishte dyshuar që përpara “pagëzimit”.
Gjysmë ore më pas, një xhip me ushtarakë shkoi në shtëpi. Ai, thuajse i zhveshur, vetëm me kanotiere, po transmetonte me tastë dhe kufjet në vesh. Ashtu siç qe, i lidhën duart prapa shpinës dhe e futën në mjetin e zbuluar. Kur kaloi përpara shkollës, i ati e pa me vëmëndje Ortepin. Ky, për të parën herë qeshi. Madje u zgërdhi. Ndonëse kalimthi, prindin nuk e gëzonte tashmë ky ndryshim i fëmijës së tij. Atij nuk i pëlqeu aspak ajo nënqeshje kënaqësie dhe kuptoi se gjuha i qe zgjidhur. Ngërçi po ashtu.

“Frazat janë sipërfaqe valore”, – qenë fjalët e doktorit. Paralajmërimi i tij. “Në mëndjen e djalit tuaj diçka tejet djallëzore e ka mbuluar këtë sipërfaqe valore. E ka ngurtësuar. Ajo ka gjasë të shpërthejë. Se vetëm ashtu mund t’i vijë gjuha. Dhe, si çdo shkrehje, kryhet kur objekti del përpara, ose shihet shtegu I së keqes”.

Dhe makina kaloi pikërisht përpara këtij përbindëshi ende të parritur. Sigurimsi ia bëri me dorë atij, në shenjë falënderimi. Ky ishte dhe kumbari i Ortepit, i cili po e shpinte të atin drejt “krezmimit”, që do t’i jepnin njëzet e pesë vjet burg. Pra, drejt ferrit. Kur shkuan ta merrnin edhe të ëmën e Ortepit, ajo kishte rënë përmbys e pajetë, mbi një pellg gjaku. Se kishte prerë damarët e të dyja duarve. Zgjuarsia e saj kishte përfunduar këtu. Këtë tragjizëm, psikiatri hipnotizues, siç ndodh me mjekët pasionantë, do ta merrte vesh e do të shkonte në shtëpinë e fëmijëve për të parë ecurinë e Ortepit. Ai do t’ia rekomandonte një studenti për doktoraturë me temën:

“Lindja dhe rritja e një përbindëshi që urren të atin se, rastësisht e kishte parë atë me të ëmën duke bërë dashuri, të cilën, Ai e dëshironte vetë. “KOMPLEKSI tipik I EDIPIT”.
Ai dyshonte, gjithashtu, se kjo mund të ishte një nga ato format e përgjimeve, huazuar nga KGB-ja sovjetike, sepse sigurimsi Petro kishte mbaruar në Bashkimin Sovjetik për këto gjëra. Por,… doktor Kreshtani s’merrej me ‘to. Aspak. Të tilla: praktika për të, qenë ‘antihumane’.

Kompleksi Elektra^) = Ndjenjat e ndrydhura të vajzës ndaj babait.
Vazhdon në Pjesën e Dytë: “Tre njerëz dhe kukulla në mes”.

Athinë, 17, Shkurt, 2019!