KOSOVA – FRYMËZUESE POETIKE (II)

0
383

Hilë Mosi
1885-1933

“N’ KAMB ASHT ÇU E RREBT’ KOSOVA”

Sinan Gashi Nga Sinan GASHI

Ajo që është karakteristikë e të gjithë këtyre krijuesve Kosovën e shohin si pjesë të Shqipërisë, me të cilën ngjitet e tërë jeta, puna, krijimtaria. Tërësorja e fatit kombëtar është manifestuar si vazhdimësi e brezave për padrejtësinë e pashembullt ndaj një populli të urtë, të drejtë, të mençur e luftarak.

I rritur e i edukuar në familjen e adhuruesit të kulturës e gjuhës shqipe – Mark Hilës, poeti Hil Mosi (1885-1933) e çoi më tej këtë adhurim ndaj atdheut e gjuhës shqipe.

Pas fillores dhe së mesmes për teknikë-tregti, vazhdoi studimet në Austri, përkatësisht në Klagenfurt, ku u përgatit për arsim. Atje u pasurua me kulturë profesionale dhe me ide atdhetare, duke rënë në kontakt me studentë shqiptarë (në veçanti me intelektualin Gjergj Pekmezi),të cilët tuboheshin rreth shoqërisë patriotike “Lirija”.

Atje nisi edhe aktiviteti i andërprerë për çështjen shqiptare, e po atje u shprehën edhe aftësitë e para krijuese për letërsi, duke botuar në Kalendarin “Dija” që e udhëhiqte vetë, në “Albania” të Konicës, në “Drita” të Sofjes, në “Kombi” të Bostonit, në “Albania” të Beligradit, në “Shqipëria” të Dërvish Himës, në “Shpnesa e Sqypëniis” të Nikollë Ivanajt, e tjerë. I druajtur në fillim, i publikonte punimet me pseudonimet: Sokoli, Zog Sokoli, Dushmani, Zog Dushmani, Malo Krimshi, Lirijasi, Speci, e tjerë.

Më vonë ai nxori vepra të plota poetike me emër, të cilat mbanin emrat e botimit: Trieste, Selanik, Shkodër, e Tiranë, brenda viteve 1909 deri 1927. I ra fati të merrte pjesë në Kongresin e Manastirit, në Kongresin e Lushnjes, në Kryengritjen e Malësisë së Madhe, të jetë anëtar i Komisisë Letrare të Shkodrës, përfaqësues i Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve, deputet i Korçës, deri në fund të jetës ministër në Sektorin e arsimit.

Gjatë shkollimit në Klagenfurt dhe njohja me rrjedhat e kulturës evropiane, si dhe qëndrimi për disa kohë në Stamboll, sikur gërshëtuan, pasuruan dhe përgatitën më mirë intelektualin e atdhetarin Hil Mosi për të manifestuar pikësynimet me vlera vitale të shoqërisë shqiptare të kohës.

Kudo që u gjend, nëpër viset brenda Shqipërisë ose jashtë saj, ai dëshmoi aktivitetin e tij: në Stamboll udhëhoqi gazetën “Shqiptari”, në Klagenfurt-Kalendarin “Dija”, në Shkodër gazetën “Shqypnija e re”, në Korçë Shoqërinë “Gegënija”. Sa me format organizative e po aq edhe me dëshmitë krijuese, Hili la emër të lakmueshëm në historinë shqiptare të kësaj periudhe kohore tejet vitale për shumë gjëra të kulturës dhe fatit tonë historik.

Është e papërshtatshme e dhëna që një poet t’i radhisë brenda një vëllimi poetik krijime vetëm të një motivi. Madje Mosi edhe emërtimet e vëllimeve i emërton po ashtu: “Zani i Atdheut” (1915, Triestë), vëllimin me lirika erotike “Lotët e dashnis” (1916, Shkodër), e më vonë do i ribotojë me plotësime dhe me tituj të tjerë.

Poezia patriotike e Mosit është ndërtuar në bazë të kohëve të lavdishme historike, të Lekës dhe Kastriotit, për t’u kthyer në kohët në vijimësi e për ta identifikuar poezinë me figura të dashura për poetin, ata që përfaqësojnë trimërinë dhe sakrificën si Haredin Tremishti, Spiro Bellkameni, Isa Boletini, Bajram Curri e ndonjë tjetër.

Poeti është i vetëdijshëm se është bërë një punë e madhe, por shqetësohet, sepse fundi është i parezultat të dëshiruar, si në poezinë “Të pamët e Shqypnis”:

Ç‘se u hoq prej nesh lidhnija
Dit të zeza pat Shqypnija.

Shumicën e krijimeve të 1890-ës e tëhu i krijoi në Austri, prej nga me gjakftohtësi i përimton më mirë të vërtetat për gjithçka që ka të bëjë për Atdheun. Ai nuk sheh vetëm bardh në këtë fushë. Është i rreptë e satirizues në raste sa s’ka, ndaj atyre që gjërat i bëjnë vetëm sa për t’u dukur, pra edhe atdhetarinë. Kërkesë për këtë çështje është:

Atdhetar me qen’ i mir’,
Duhet zemra t’jet’ e dlir’,
Jo e ndyt me fanatizëm.

Dy poezi janë të lidhura vetëm me Kosovën, si “Kosova në luftë”, shkruar në Stamboll më 1910 dhe “Isa Buletini” shkruar po në Stamboll më 16 dhjetor 1910.
Poezia e parë është tejet e popullarizuar, sa është bërë edhe këngë. Frymëzimi është nga lufta e armatosur e shqiptarëve të kësaj treve kundër Turqisë.

Lufta e Kosovës është një shpresë për tërë Shqipërinë, pasi që poeti Kosovën nuk mund ta mendojë dhe pranojë të ndarë nga tërësia. Shqipërinë e këshillon të mos ankohet ngase “N’kamb asht çu e rrebt’ Kosova/E ban luftën ball për ball. Poeti është optimist për ardhmëninë, siç shihet dukshëm në strofën e gjashtë:

E n’Prishtin’, atje pik’ s’parit
Krisi topi me duhi,
Atje gjaku, i Shqyptarit
Ra në tok’ me bi përsëri.

Fytyrën e Isa Boletinit poeti e lidh me luftën heroike e të papërsëritshme në Kaçanik si dhe në Çernalevë. Aq shumë e lartëson këtë fytyrë, sa e quan bindshëm “skënder të dyt’ do t’njihte ty Shqypnija”. I ndodhur në Stamboll aso kohe, mund ta ketë dëgjuar madhështinë, në çerdhen e perandorisë, për humbjen e tyre dhe për qëndrimin heroik të një njeriu:

Ndonëse ma t’mirët shokë n’luft t’u vranë,
Ti vdekjes kurrnjiher’, Isa s’ju tute;
E kur djemt’ t’përgjakur para t’ranë,
S’u trembe, por si trim në zjerm u fute.

Mendimet e zjarrta dhe shpesh deklarative, për të vetmin qëllim që të lexohen dhe të ndikojnë më drejtpërdrejt te lexuesit e kohës, bënë që pak ta zbehtësojnë vlerën artistike. Por, ç‘e do kur poeti përpara vë shqiptarizmin, çlirimin, punën propagandistike, sesa vlerat e mirëfillta të artit. Kohët si parësore dhe përcaktimet jetësore të krijuesit si dytësore bënë që krijimtaria të jetë ashtu siç është ose do ishte ashtu siç kërkohej.

Krijuesi ynë gjithmonë u gjend në këto dy përcaktime të njëzuara: artin s’e çmonte pa atdhetarinë, atdhetaria i bëhej më e kapshme po të thuhej artistikisht.

Këto dy raporte kundërshtoheshin gjer në masë. Te Hil Mosi qëndrojnë plotësisht këto konstatime: nga fjala e tij e thënë dhe aktiviteti i bërë.

KOSOVA NË LUFTË

Ah, Shqypni, mos thuaj mbarova,
Se djelmt tu edhe jan’ gjall’!
N’kamb asht çu e rrebt’ Kosova
E ban luftën ball për ball.

Ish nji vjet’ ndër ma të vshtira,
Me nji mij nandqind e dhjetë,
Kur n’Kosov’ mbloj egërsira,
Për me shbi çdo bim’ mbi dhetë.

Ish, po sa e nis njat-hera
Bota mbar’ për m’u gjallsu
Kur me knaqje vjen prendvera
T’gjith natyren m’e lulzu.

Ah, ehu! Do sheje t’kqia
Jan kah vin’ prej ans mbi Le!
N’vent t’pedvers që pret Shqypnia,
Bje mbi të nj’ e rrebt’ rufe.
Kosova e poetëve të traditës ’71

Prej Azis’ tek janë kah lshohen
Me tërbim të madh barbart,
Për me vra, me pre kta çohen,
Me turpnu për jet’ shqyptart.

Ah, ku jeni ju, o zana?
A nuk eni ktu me pa!
Qani sot kta djelm që nana
Ba i ka tuj qesh m’u vra!

Skanderbeg, drangu i motshëm
Trim i rrebt’, gjithmon’ me za;
Eni shifi n’dit’ të sotshëm
Vdekjen kta si din m’e ba!

Eja, eja! Merr flamurin!
Prije prap nji her’ ushtin’:
Merre prap të rrebt’ ti turrin!
Deh, liroje Shqyptarin’!

1910, Stamboll

Hilë Mosi