Kosova mes propagandës dhe realitetit!

0
382
Florim Zeqa
Florim Zeqa

Shkruan: Florim Zeqa, 14.03.2020

Pas publikimit të shkrimit paraprak “Si të mbrohet Republika e Kosovës“, i menjëhershëm ishte reagimi i një lexuesi anonim, po citoj; “Kosova prej Coronavirusit do të shpëtojë, por prej politikanëve asnjëherë“!

Edhe pse çdo ditë luteshim që “Corona” të mos zbresë në Kosovë, megjithatë virusi famëkeq “Covid-19” nuk e kurseu edhe vendin më të varfër në Evropë. Tani e tutje, vendi ynë Kosova do të ballafaqohet me dy pobleme sa akute, po aq shqetësuese; me “Coronavirusin” dhe klasën e korruptuar politike.

Shoqëria kosovare, si njëra ndër shoqëritë më të politizuara në mbarë globin, përveq problemeve që ua shkaktoi politika, tani e tutje do të përballen edhe me problemin global të “Coronavirusit”.

Kosova e ndarë në dysh rreth takses dhe reciprocitetit, pas përhapjes së virusit vdekjeprurës, do të jetë e këcënuar dhe rrezikuar seriozisht edhe nga planet ndarëse.

Krahas shpejtësisë së përhapjes së “Coronavirusit”, qytetarët e vendit tonë, çdo ditë e më shumë po bombardohen me “Fake News” apo lajme të pavërteta, saqë e kanë të vështirë ta dallojnë propagandën dhe realitetin.

Pa dyshim, se njëri nga lajmet më shqetësuese, është ai i largimit të trupave amerikane nga Kosova!

Kërkesa e SHBA-ve për largimin e menjëhershëm të taksës ndaj produkteve serbe, po tingëllon keq në veshin e qytetarëve të Kosovës, “sikur Amerika ka ardhur në Kosovë për ta mbrojtur Serbinë e jo qytetarët e Kosovës”!

Me ose pa vetëdije, disa qytetarë, por edhe politikanë me namë po besojnë se Amerika do ta tërheq ushtrinë e saj nga Kosova shkaku i tarifës!
Është tepër e dhimbshme sesi disa politikanë me përvojë të gjatë politikë, nga frika apo nga dëshira po lansojnë lajme krejtësisht të pavërteta për mundësinë e tërheqjes së Amerikës nga Kosova!

Me ose pa vetëdije, disa politikanë po harrojnë se investimi i gjatë amerikan në Kosovë i tejkalon përmasat e shtetit tonë. Amerikanët nuk kanë ardhur në Kosovë as për çështje humanitare dhe as për çështje tarifore, por kanë ardhur për interesat e tyre afatëgjatë në Ballkan, për të ndërprerë njëherë e mirë ndikimin e Rusisë dhe aleatëve të saj në këtë pjesë të Evropës.

Kosova shumë shpejtë do të shpëtojë nga “Coronavirusi”, por do t’i duhet kohë që ta largojë “koronavirusët” e politikës që i kanë mbytur për së gjalli qytetarët, duke ua shuar çdo shpresë për jetë në këtë vend, saqë më, nga izolimi i gjatë nuk i kanë frikën Karantinës dhe as “Coronavirusit” vdekje prurës.

Edhe pse tanimë “Coronavirusi” është bërë Pandemi globale, do të largohet ngadalë më masa efikase parandaluese dhe shëruese, por virusi kancerogjen i politikës kosovare do të marrë më shumë kohë për t’u larguar për shkak të shtrirjes së gjërë e të thellë në çdo pore të jetës në Kosovë.

Prapa propagandës false të kinse tërheqjes së trupave ameriakne nga Kosova, fshihet plani puçist i opozitës për rrëzimin e ‘Qeverisë Kurti’, e cila është rasti i fundit i vetëdijesimit dhe kthimit të shpresave të humbura për një të nesërme të mirë në Kosovë.

Krahas thyerjeve të mëdha shpirtërore, virusëve vizivë dhe të padukshëm, qytetarët e Kosovës i mbanë shpresa e kësaj pranvere për kthim të jetës normale, pa frikë dhe ankth, me plotë optimizëm dhe dashuri për njëri-tjetrin.

Zoti e bekoftë Kosovën dhe qytetarët e saj!