KRAHINA E BENDËS DHE ROLI SAJ NË HITORINË E SHQIPËRISË

0
219
Ferit Hoxha - festa e pavarësisë

Nga Ferit Hoxha

Në këtë prag festash të Nëntorit krahas urimit: ”GËZUAR FESTAT”, e shoh të arsyeshme të përshkruaj disa momente historike të Krahinës së Bendës. Sigurisht që është e pamundur të përshkruaj historinë e kësaj zone me një shkrim të vetëm, pasi historia e saj  prej disa shekujsh është e dokumentuar e për të kanë shkruar historianë të ndryshëm, monografia e saj siç e dimë është përmbledhur në librin “Benda në rrjedhën e historisë” me autor profesorët e nderuar Ibrahim Kabili dhe Hysen Hysa si dhe raste e ngjarje të veçanta të saj janë publikuar në gazetën “BENDA” e në publikime  të tjera, ndaj ky shkrim është veç një përmbledhje e një rikujtesë e ngjarjeve historike të kësaj zone.

Krahina e Bendës shtrihet ndërmjet vargmaleve të Skënderbeut në lindje dhe atij të Krujë-Dajtit në perëndim. Ndërmjet këtyre vargmaleve shtrihet  malësia e Krujës dhe e Tiranës dhe në vijim ajo e Elbasanit

Duke iu referuar botimeve te ndryshme, Benda si krahinë ka ekzistuar që në shekullin e 11  si pjesë përbërëse e Krahinës ( Principatës )  së Arbërit, nën administrimin e Vilajetit të Krujës ku roli i kësaj treve nën drejtimin e princërve të tyre, sidomos i familjes Skura ishte mjaft i rëndësishëm në luften Shqiptaro – Turke të shekullit të XV nën udhëheqjen e Skënderbeut dhe deri në Shpalljen e Pavarësisë.

Rastet e qëndresës janë të shumta nga Qafë-Shtama e deri në Malin me Gropa, ku disa trima si Veli Alla i Selites, Veli Metani, Isuf Pula e Islam Lila  nga Cudhini me aktet dhe heroizmin e tyre ia rritën nderin dhe lavdinë jo vetëm Bendës, por mbarë Shqiptarisë.

Raste te tjera jane të shumta por unë po jap vetëm disa prej tyre;

Së pari mund të përmendim kontributin e madh që dhanë 4 kushërinjtë e fisit Hoxha nga Selita e Malit  si dhe Ymer Ram Hoxha  (Ymer Efendiu) nga Bastar Murriza për përgatitjen e Kongresit të Manastirit, dhe  strehimin e Delegatëve(madje ky i fundit ka qenë edhe Delegat në Kongresin e Manastirit (pa të drejtë vote));

Së dyti, përpjekjet  për mbrojtjen e Shkodrës nga malazezët gjatë viteve 1912-1913, ku nga Krahina e Bendës morën pjesë 70 luftëtarë( ku nga këto 10 veta u vranë dhe 5 të tjere u plagosën). Këtu mund të veçojmë  rolin e Dervish Tares si personi  që shqeu me dhëmbë flamurin malazez e në vend të tij vendosi flamurin shqiptar e për këtë arsye është caktuar si  “Mbajtësi i Flamurit” gjatë periudhës së zhvillimit të kësaj lufte.  Për këtë akt heroik të kryer, ai është quajtur “BISHA e MALEVE”.

Së treti, duke vazhduar me rezistencen që bënë Bendasit në Dhjetor të vitit 1924 në Qafë Murrizë në mbrojtje të Qeverisë së Fan Nolit.

Së katërti, gjatë viteve të Monarkisë 1924-1939, bendasit ishin përkrahës të reformave me interes kombëtar, si dhe kundërshtarë të zjarrtë të reformave atipopullore me anë të rebelimit të tyre, ku mund të përmendim rastin e Lim Hoxhës me çetën e tij.

Së pesti, gjatë Luftës së Dytë Botërore, Krahina e Bendës është rreshtuar dhe ka përkrahur çdo grupim që kishte si qëllim luftën e hapur ndaj pushtuesve, ku për hir të së vërtetës, për shkak të ndikimit që kishte Abaz Kupi në këtë zonë, një pjesë e mirë e burrave të kësaj zone u rreshtuan me Frontin Nacionalist të drejtuar nga vetë Abaz Kupi. Një pjesë e tyre ishin edhe në kupolën drejtuese, siç mund të përmendim rastin e Bajram Tares në pozicionin e zëvendësit të Abazit Kupit.

Vlen të përmendet fakti, se në zonën e Bendës u krijuan 5 çeta me nga 30-50 veta secila, të cilat dhanë një kontribut të madh jo vetëm brenda zonës, por edhe në aksione të tjera jashtë zonës së Bendës, si dhe mbi 30 djem të kësaj krahine u rreshtuan me armë në dorë në radhët partizane në luftë kundër fashizmit, nga të cilët ranë edhe 4 dëshmorë: Sulejman Elezi, Xhemal Dervishi, Mahmut dhe Anife Sula, si dhe u plagosën disa të tjerë.

Një kontribut të veçantë kjo krahinë ka dhënë në krijimin e Brigadës së XXIII Sulmuese e cila u krijua më 21 shtator 1944  tek Rrapi në Brahimaj, në fshatin Zall-Mëner. Për krijimin e kësaj brigade, u desh një përgatitje paraprake prej dy-tre muajsh, u desh angazhimi i drejtpërdrejtë i pleqësisë së fshatit Zall-Mëner dhe i shumë familjeve të këtij fshati e i tërë fshatarave përreth si nga Bulçeshi, Mëneri i Sipërm, Bastari, Bruzi etj.

Gjatë kësaj periudhe vlen të përmendim edhe dy ngjarje  të rëndësishme si: hapja e Spitalit Partizan në Zall-Mëner te Rrapi i  Brahimjave në shtëpinë e fisit Hoxha (Limani), si dhe në  Bastar-Murrizë në shtëpinë e fisit Çuni.

Gjithashtu Krahina e Bendës gjithmonë ka nxjerrë figura të mëdha që me mençurinë, zgjuarsinë dhe trimërinë e tyre i kanë rritur vlerat jo vetëm kësaj zone, por mbarë shoqërisë shqiptare,  ku përveç të tjerëve mund të përmendim;

  1. Bejtexhiun e madh Zenel Bastari, figurë me të cilën krenohet jo vetem Benda, por edhe Letërsia Shqipe e Bejtexhinjeve.

2. Teologun Sulejman Lila që pasi kreu studimet dhe punoi për ca kohë si ministër në Egjipt, u kthye në vendlindjen e tij me një arsenal të madh librash teologjikë.

3. Akademikët Seit Mansaku dhe Beqir Meta e shumë intelektualë të tjetë për rolin dhe kontributin që kanë dhënë e po japin në fusha të ndryshme.

4. Heroizmin e dëshmorit të Atdheut Ibrahim Basha në luftën kundër krimit për rend e qetësi. 5.Aktin heroik të dëshmorit të atdheut, Arjan Sala rënë në krye të detyrës për shpëtimin e mbi 25 jetë njerëzish në vendin ku punonte.

Po kështu mund të përmendim edhe rastet e kohëve të fundit të “heronjve të gjallë”, si: efektivit të Shqiponjave Shkëlzen Tafa, të të riut Klodian Elqeni e zjarrfikësit Alban Barlika, që nuk morën parasysh rrezikun e jetës së tyre, por u vunë në shërbim të shpëtimit të jetës së të tjerëve…

Hero nuk lind, hero bëhesh me punë e me vepra dhe Krahinën e Bendës e bijtë e saj i ka ndjekur gjithmonë trimëria e heroizmi jo vetëm në kohë lufte, por edhe në kohë paqeje.

Në emrin tim dhe të Kryesisë Shoqatës Atdhetare Kulturore Benda shpreh mirënjohjen më të thellë për çdo bendas që ka kontribuar për vendlindjen dhe Kombin Shqiptar!

NDER DHE LAVDI PËR HERONJTË E BENDËS & DËSHMORËT E ATDHEUT!

Kryetari i Shoqatës “Atdhetare Kulturore Benda”,
Ferit Hoxha

Tiranë më 28.11.2021