LARPURLARTIZMI, PARNASIZMI, SIMBOLIZMI

0
1143

PIKËPAMJET TEORIKE DHE LETRARE MODERNE TË SHEKULLIT XIX

Xhelal Zejneli

LARPURLARTIZMI – Arti për art (l’art pour l’art) – Në kuptim të gjerë, është një koncept teorik që e formuloi filozofi francez Viktor Kuzen (Victor Cousin, 1792-1867) në vitin 1836. Kërkesat e tij ishin:

1. Arti duhet të jetë i lirë nga çdo qëllim;
2. Në art nuk mund të ndikojnë as morali, as politika, as religjioni;
3. Për ta kuptuar artin mjafton vetëm qëllimi i vetë artit që buron nga ligjet e tij;
4. Arti mund të kuptohet dhe duhet të kuptohet vetëm nga ideja e së bukurës, d.m.th. prej atyre premisave që ndodhen te vetë krijimi poetik dhe te ligjet e tij.

Në bazë të tezave të sipërthëna Kuzeni e formuloi termin art për art – ndërsa çdo gjë tjetër është e parëndësishme dhe dytësore.
Sipas disa studiuesve, parimet e mësipërme nuk janë gjithaq të qarta dhe nuk janë argumentuar sa duhet. Në kohën kur u paraqitën, shkaktuan diskutime, mosmarrëveshje dhe lajthitje të panumërta. Megjithëkëtë, duhet theksuar se Viktor Kuzeni mirë e ka parandier nevojën se arti nuk duhet t’i nënshtrohet kurrfarë tendencave të tjera. Me një fjalë, nuk duhet të jetë nën subordonimin e tyre. Vepra artistike e mirë dhe e vlefshme, me mjetet e veta të shprehjes, më së miri do të flasë për klimën shoqërore dhe kulturore të kohës s vet, ndaj kurrsesi nuk ka nevojë që krijimtarisë artistike t’i imponohen kërkesa të ndryshme – jashtëletrare apo jashtartistike. Rrjedhimisht, vepra letrare duhet të vlerësohet me kritere estetike.

Në këtë kuptim pozitiv dhe konstruktiv, tezën e larpurlartizmit (artit për art) do ta shtjellojnë simbolizmi. parnasistët dhe impresionizmi. Në debatet teorike larpurlartizmin do ta mbrojnë poeti dhe romancieri francez Teofil Gotje (Theophile Gautier, 1811-1872), poeti dhe kritiku francez Sharl Bodleri (Charles Baudelaire, 1821-1867), romancieri francez Gystav Floberi (Flaubert) (1821-1880), romancierët dhe eseistët francezë Vëllezërit Gonkur (Edmond Huot de Goncourt, 1822-1896 dhe Jules Huot de Goncourt, 1830-1870), dramaturgu, poeti dhe prozatori irlandez Oskar Vajld (Oscar Fingal O’Flahertie Wills, 1854-1900) etj.

Në teorinë bashkëkohore të krijimtarisë artistike, teza e lartpërmendur do të gjejë konfirmim të gjithanshëm në teorinë për pavarësinë relative të artit brenda jetës së përgjithshme shoqërore dhe vazhdimësisë historike.

Sipas disa studiuesve, Viktor Kuzeni, me tezat e veta, njëherazi ia hapi dyert lajthitjeve të shumta për mëvetësinë dhe për pavarësinë e plotë të artit nga shoqëria dhe nga njeriu.

PARNASISTËT – Është qerthull poetësh në Francë të tubuar rreth Teofol Gotjes (Theophile Gautier, 1811-1872) dhe Sharl Lëkont dë Lilit (Charles Leconte de Lisle, 1818-1894) në gjysmën e dytë të shekullit XIX.

* * *

Emërtimi lindi sipas emrit të kodrës së pyllëzuar Parnas në Greqinë antike, e cila konsiderohej seli e Apolonit dhe e muzave. Emërtimi muzë vjen nga Greqia e lashtë dhe nga mitologjia greke ku thuhet se nëntë perëndeshat – nëntë vajzat e Zeusit dhe të Mnemosinës, perëndeshës së kujtesës – kanë qenë mbrojtëse të shkencës dhe të artit:

Talia – përkrahëse (mbështetëse) e komedisë, më vonë e jetës së përgjithshme skenike apo teatrore; Urania – përkrahëse e astronomisë; Melpomena – mbështetëse e tragjedisë; Polihimnia – mbështetëse e poezisë lirike; Erato – mbështetëse e poezisë, përkatësisht e poezisë epike; Klio – mbështetëse e historisë; Kaliopa – mbështetëse e deklamimit, përkatësisht e oratorisë; Euterpa mbështetëse e muzikës, Terpsihora – mbështetëse e vallëzimit. Prej germave të para të tyre del shkurtesa TUMPECCET.

Sipas besimit tradicional në Greqinë e lashtë, qëndrimi në pyllin Parnas, e sidomos në gurrën Kastalia, e frymëzon poetin për të krijuar vepra artistike. Sikundër shihet, qysh në Greqinë e lashtë fjala Parnas ishte i lidhur ngushtësisht me poezinë. Me kalimin e kohës, do të bëhet simbol i poezisë apo i pikëpamjes së caktuar për poezinë.

* * *

Në vitin 1866 u botua në Paris buletini Le Parnasse contemporain (Parnasi bashkëkohor) si manifest i një grupi shkrimtarësh të cilët në poezi – dhe në përgjithësi në letërsi – sollën pikëpamje të reja.

Si ideal të artit, parnasistët e caktuan kultin e bukurisë së pastër dhe absolute. Prej krijuesit artistik kërkonin në radhë të parë përsosmëri të formës, përkryerjen e vargut, virtuozitetin e shprehjes.

Poeti nuk duhet t’u lëshohet ndjenjave të veta, por duhet të jetë i matur, i përmbajtur, aq më tepër impersonal dhe objektiv.

Parnasistët pikë së pari i kundërvihen romantizmit, pastaj sentimentalizmit, inspirimit të padisiplinuar dhe përshtatjen e artit masave të gjera.

Krijimi artistik mund të jetë i destinuar vetëm për një rreth të zgjedhur dhe elit njohësish, arti ndërkaq nuk mund t’i shërbejë asnjë qëllimi politik, shoqëror apo moral. Në këtë mënyrë, parnasistët akoma më shumë iu kundërvunë letërsisë së angazhuar apo utilitarizmit letrar. Pikëpamje të këtilla për artin do të mbështesin përfaqësuesit e larpurlartizmit apo të artit për art.

SIMBOLIZMI – Është synim apo drejtim i veçantë në poezinë moderne që paraqitet së pari në Francë në vitin 1886 me Manifestin të botuar në gazetën Figaro të Parisit. Shpejt pas kësaj, pra më 1890 lë gjurmë të konsiderueshme në të gjitha letërsitë evropiane. E kultivon vlerën e veçantë të fjalës si simbol. Nëpërmjet fjalëve, poeti krijon një realitet të ri, poetik, që dallohet nga bota reale dhe të pavarur nga bota që na rrethon.

Poeti thellohet në botën e mistershme dhe simbolike të shprehjes poetike dhe qëndron larg realitetit të përditshëm si dhe nevojave të drejtpërdrejta të këtij realiteti. Sipas simbolistëve, madje edhe vetë ideja e njëfarë lidhjeje praktike, racionale dhe jashtëpoetike të poezisë me shoqërinë, e dobëson, e nënçmon dhe e përbuz forcën misterioze dhe vlerën e poezisë. Së këndejmi, lind nocioni poezi e kulluar (la poésie pure) si model dhe si qëllim i shumë poetëve të kësaj kohe.

Simbolizmi është kundër përshkrimit, këshillave, deklamimit dhe prerazi ia mohon artit qëllimin shoqëror dhe lidhjen e drejtpërdrejtë me shoqërinë. Arti ndahet nga shoqëria, ndërsa poeti mbyllet në kullën e fildishtë, është në kundërshti me kohën dhe me kulturën e kohës së vet. Poetët e simbolizmit shkaktuan konflikte të ashpra me shoqërinë e vet dhe me konvencionet shoqërore, si në asnjë periudhë tjetër të mëparshme.

Teorikisht, për herë të parë dhe në mënyrë më të plotë formulohet dukuria e tjetërsimit ose e alienimit të njeriut në shoqëri. Që nga koha e simbolistëve e deri në ditët tona, por edhe në ditët tona, problemi edhe më shumë do të ndërlikohet dhe do të bëhet një nga çështjet më të rënda edhe për letërsinë edhe për vetë shoqërinë.

Poezia e kulluar (la poésie pure) – Termin poezi e kulluar (e pastër) e vuri në përdorim Stefan Malarme (Stéphane Mallarmé, 1842-1898). Poezia e kulluar e simbolistëve dëshiron të krijojë gjuhë artistike të spastruar në të cilën secila fjalë, e sidomos tërë poezia do të kishte forcë të plotë figurative dhe emocionale. Për këtë arsye, simbolistët vëmendje më të madhe i kushtojnë zbulimit të bukurisë muzikore dhe figurative të gjuhës, sesa mendimeve në poezi. Ata gjejnë ngjarje të reja në harmoninë e tingujve, në renditjen
dhe në radhitjen e fjalëve, në pasurinë e rimës dhe në begatinë e ritmeve të ndryshme.

Poetët u lëshohen ndjenjave të veta muzikore dhe asociacioneve të veta, te fjalët ndërkaq, nëpërmjet lidhshmërive dhe ndërlidhjeve të tyre, zbulojnë përmbajtje të panjohura, të cilat poetët e mëhershëm as që kanë mundur t’i paramendojnë. Pol Verleni (Paul Verlaine, 1844-1896) thoshte: “Në radhë të parë – muzikë”.

Poetët simbolistë në lirikë dhe në shprehjen lirike e gjejnë atë lëmë në të cilin akustika dhe figurshmëria e gjuhës në mënyrë më të plotë do ta tregojnë idealin e tyre të bukurisë, si dhe një botë që i kundërvihet botës së egër reale.

Në rrugë të re niset edhe gjuha poetike e simbolistëve. Gjuha e përditshme, njësoj si edhe tematika, këtu nuk kanë vend. Metaforat e guximshme, liritë e mëdha në ndërtimin dhe në renditjen e fjalisë dhe fjalori poetik i pazakonshëm, janë karakteristikat kryesore të gjuhës së simbolistëve. Forma kryesore të krijuesve simbolistë janë lirika dhe drama lirike.

Zbulohet një rreth i ri i temave poetike që dikur kanë qenë plotësisht të panjohura. Tema më të shpeshta në simbolizëm do të jenë motivet e vetmisë, të ndodhive të natës, të qetësisë, të viseve të vetmuara, të peizazheve të vjeshtës – të përshkuara nga pikëllimi. Lirika e simbolizmit merret me njeriun e pazakonshëm dhe të veçuar apo të izoluar, i cili në botën e sendeve dhe në natyrë lëviz kryesisht i vetmuar.

Poetët e këtij drejtimi letra janë shumë më të rëndësishëm me arritjet e veta artistike sesa me programin artistik të tyre. Ata i thelluan dhe i zgjeruan mjetet e shprehjes të muzikalitetit: rimën, metrin dhe ritmin, sintaksën dhe pasurinë e fjalorit.

Paraardhës i premisave teorike dhe i tendencave krijuese të simbolistëve, në shumëçka ka qenë poeti dhe tregimtari amerikan Edgar Allan Po (Edgar Allan Poe, 1809-1849), i cili në moshën dyvjeçare mbeti pa prindër. U martua me të mbesën 13-vjeçare –Virxhinia. Me krijimtarinë e tij u mor Bodleri. E. A. Po vdiq nga delirium trimens.

* * *

Poetët simbolistë u quajtën poetë të nëmur (poètes maudits).

Përfaqësues kryesor të simbolizmit në letërsinë franceze janë Pol Verleni me përmbledhjet Romanca pa fjalë dhe Urtësi. Ky mbronte tezën se arti duhet të tregojë nuanca, frymën rreth gjërave, gjurmët e jetës së ikur. Pas tij vjen Srefan Malarme me përmbledhjet Parnasi bashkëkohor, Faqet e albumit, Disa tingëllima dhe me poemën Pasditja e një faune. Çdo të marte, simbolistët tuboheshin në sallonin e tij, në Rue de Rome No. 5 në Paris për të shtjelluar konceptet e reja në art. Në të martën letrare merrnin pjesë edhe piktorë dhe kompozitorë të njohur të kohës.

Malarmeja më së ploti i shprehu synimet e simbolistëve në gjuhën e re poetike, duke i zbuluar cilësitë e saj, deri atëherë të paparamenduara dhe duke përcaktuar synimin e poezisë së kulluar, e cila do të duhej të zbulonte realitetin absolut të çliruar nga ndryshueshmëria dhe nga vulgariteti i jetës së përditshme. Malarme është i njohur edhe për poezitë e tij hermetike. Duke qenë se arti është elitist, rrjedhimisht edhe poezia shkruhet për një rreth të zgjedhur, të ngushtë njerëzish – thoshin simbolistët.

Në rrethin e ngushtë të simbolistëve ndodhen liriku dhe kritiku letrar francez Sharl Bodleri (apo Bodëleri) dhe poeti francez Artyr Remboja (Jean Nicillas Arthur Rimbaut, 1854-1891).

Veprën e vet letrare, Remboja e krijoi prej moshës 16 deri në moshën 20 vjeç, në vitet 1870-1873 apo 1874. Në moshën 21-vjeçare pushoi së shkruari. Mori pjesë në trazirat e vitit 1871 që ndërlidhen me Komunën e Parisit. Është autor i poemës Anija e dehur (Le Bateau ivre, 1871). Pason proza poetike Stina në ferr (1873). Përmbledhjen e fragmenteve poetike në prozë Iluminime, të shkruara në vitin 1874, ia publikoi Verleni më 1886. Kishte lidhje të ngushtë me Pol Verlenin, që zgjati rreth dy vjet, e që arriti kulmin në Bruksel me një konflikt dramatik, me ç’rast Verleni e qëlloi Rembon në dorë me dy plumba. Për këtë, Verleni u dënua me dy vjet heqje lirie. Remboja shëtiti mbarë Evropën. Qëndroi në Indi, në Egjipt, në Arabi, në Etiopi. Pas kthimit në Paris, iu amputua këmba. Vdiq 37-vjeçar.

Ushtroi ndikim vendimtar në poezinë franceze dhe në atë botërore me gjuhën poetike plotësisht të re, me motivet e pasura dhe me metaforikën e fuqishme dhe të pazakontë.

Sharl Bodleri është poet lirik, kritik letrar dhe kritik artesh figurative. Nga India ku qëndroi tre muaj, u kthye me mulaten Zhan Dyval. Është autor i poezive të jashtëzakonshme në prozë. Për shprehjen poetike, për tematikën si dhe për preokupimet teorike, konsiderohet personaliteti poetik më i rëndësishëm i poezisë evropiane moderne. Verleni e quajti prijës të poezisë moderne. Lidhur me përmbledhjen poetike Lulet e së keqes (Les Fleurs du mal, 1857) u hapën debate të shumta. Vëllimi përmban rreth 150 poezi. Midis tyre Himni i bukurisë, Albatrosi, Muzgu i mbrëmjes etj. Gjashtë poezi u tërhoqën nga të gjitha kopjet e përmbledhjes, ndërsa poeti u gjykua për shkeljen e moralit publik, njësoj si Gystav Floberi (Gystave Flaubert, 1821-1880) për romanin Zonja Bovari.