Le të shtegtojmë dhe ne
Shoh zogjtë sa bukur nisin shtegtimin,
Nuk ndalen askund, ikin fluturim,
Kur lindi jeta, solli emigrimin,
Në qiej s’kish ligje, kufi, pengim.
U tjetërsua në tokë njeriu,
Me ligje, me kufij dhe nënështrim,
Ish i lirë, si juga dhe veriu,
Pa Mbret, pa padron në shpirt dhe mendim.
Ishte njeriu si dikur ciganët,
Zot në tokë, në qiell e në det ,
Sikundër tigrat, bizonët, luanët,
Mbi jetën dhe vdekjen, diell qe vet..
Bukuri e hidhur ësht’ emigrimi,
I motshëm sa vet jeta në planet,
Gjithë gjallesat i nxit rrugëtimi,
Nëpër qiej, në tokë dhe në det.
Pa kur të tjerët lirisë vrapojnë,
Njeriut kush ia dha skllavërinë?
Pse shpirtin me zinxhirë i rëndojnë,
Dhe me ligjin e kanosin të zinë?
Me zili shoh zogjtë që cicërojnë,
Njeriun pse e mbyllin në kuvli?
E ndrydhin, e gjobisin, e dënojnë,
Më thoni, kjo është demokraci?
Ja dhe peshqit, thellësive notojnë,,
Me mijra, në tufa, në koloni,
Në tundër e stepë kafshët vrapoinë…
Në Liri, Barazi, Vëllazëri.
Nëse gjallesat pa Mbretër jetojnë,
Njeriu pse ka ligje dhe kufi?
Pse duhet të heshtim e të durojmë,
Hajdutëri, poshtërsi, tirani?
Mos më quaj të pabindur, rebel,
Unë nuk ndalem, se i ngjaj stuhisë,
Nëse ti nga errësira nuk del,
Unë endem mbi flakët e lirisë.
I pe ti zogjtë që nisën shtegtimin?
Po bizonët që dridhën tok e qiell?
Ja dhe era e nisi vallëzimin,
Ne na rrëmbyen dhe atë pak diell.
Mos më quaj nomad , as arixhi,
Unë shpirtin s’e shes, s’kam ku gjej tjetër,
S’më duhen zinxhirë, ligje, kufi,
Dua të kthehem te jeta e vjetër.
Pajtim Xhelo, 6 maj 2020
Dje dhe sot
Shoh shpirtin e varfër te këta njerëz
Veshur me rroba ” firmato” llojlloj,
Mendoj : ” Ai yni mos ishte përderës
Dhe ne nuk e kuptonim kësisoj?”
Ishim ne të varfër, po shpirti jo,
Kujtoj si gëlonte aty pranvera,
Pranë natyrës së virgjër ngado,
Këngënmelhem na i shpërndante era.
Pse dimritiran nuk i zbardhte lulet,
Pse ëndrat tona ishin si ylber?
S’na ngrohte zjarri, s’i kishim pekulet,
Po në zemra nuk njohëm helm e vrer.
S’kishim internet, shpesh natën pa drita,
Mezi e gjenim dhe ndonjë qiri,
Po në çdo mëngjes, sapo zbardhte dita,
Ç’na flakëronte shpirti dashuri!
Pa te libraritë rrinim, shikonim,
Xhepat bosh na i linte varfëria,
Veçse lëmoshë kurrë nuk kërkonim;
Vinim nga një lek, kjo ish shoqëria!
Pastaj, si të etur, vetëm lexonim,
Natën e bekuar, gjer në të gdhirë,
Dorëmëdorë librin e kalonim,
Gjumin e përzinim tej, n’errësirë.
Ndiheshim të lehtë me xhepat bosh,
Po s’e ndjenim tërbimin e veriut,
Pa nuk na duheshin kazanë dhe kosh,
Rrugicat rrinin të pastra vetiut.
Sa shpesh ndalonim te pastiçeritë,
Ëndëronim shijet ditën për diell,
Kur shkonim të zhgënjyer në shtëpitë,
Varfëria na zbriste ng’ ai qiell.
Në tokë trupi, shpirti lart, në yje,
I virgjër, i pasur, i ri, atje,
Mendimi turrej në male e pyje,
Përqaste në vegim jetën e re.
Kësisoj ecëm, u lodhëm harruar,
Të qetë, krenarë jemi tani,,
Veç shoh këta njerëz të përçudnuar,
Zhyten të pasur në mëkat të ri.
Ju që shpirtin të mjerë e braktisët,
Si nata harron yllin në mëngjes,
Në jetën e errët u arratisët,
Nuk do t’i njihni agimet me vesë.
Pajtim Xhelo, 5 maj 2020