LETRA E SOTME QË I DREJTOHET SHQIPTARËVE NGA KRYEMINISTRI I SHQIPËRISË EDI RAMA

0
606

Nga Edi Rama

Të nderuar bashkëqytetarë, ky është një nga ato momente, kur përtej fjalëve që thuhen, ekraneve që zhurmojnë, portaleve që bubullojnë dhe përtej konfliktit politik që buron nga interesat partiake e personale të të zgjedhurve, por synon përçarjen e zgjedhësve, duke nxitur urrejtjen, dhunën e rrëmujën, duhet të përpiqemi të shohim sa më qartë e të reflektojmë sa më thellë. Duke e nisur nga vetja, secili e secila prej nesh. Pastaj duke parë rreth e rrotull e përballë nesh, në mënyrë që të kuptojmë e të kuptohemi sa më mirë.

Opozita parlamentare ka konsumuar një akt të panjohur në historinë e vendeve me zgjedhje, të të gjitha vendeve, të zhvilluara apo më pak të zhvilluara, që nga demokracitë perëndimore e deri tek regjimet hibride. Një akt i paparë e i padëgjuar, por jo krejt i pashpjegueshëm sidoqoftë për ne, këtu në Shqipëri, të paktën në këndvëshrimin tim. Që po e nis nga vetja. Jam zgjedhur kryeministër i Shqipërisë dy herë.

Herën e parë, me një koalicion partishë, pas tetë vjetësh në opozitë. Herën e dytë, me shumicën absolute të shqiptarëve për partinë që udhëheq, pas një palë zgjedhjesh nën një qeveri të përbashkët me opozitën. Kujtoj se opozitës i’u dhanë të gjitha portofolet që kërkoi, përfshirë edhe ministrinë e brendshme, si edhe disa agjenci shtetërore, të lidhura sipas saj me ndikimin në zgjedhje, plus kryetarin e KQZ-së dhe gjithçka tjetër donte opozita. Kisha një synim të vetëm: Moskontestimi i rezultatit të zgjedhjeve nga humbësi dhe mospërbaltja e Shqipërisë në gjuhë të huaj.

Mbi këtë dakordësi thelbësore, u firmos edhe marrëveshja e minutës së fundit, siç besoj ju kujtohet të gjithëve.
Herën e parë zgjedhjet nuk u kontestuan. Faji i’u la popullit që e dërrmoi me 1 milionë shuplaka, pushtetin e atyre që sot vetëquhen populli i zemëruar, ndërkohë që akoma s’kanë reflektuar pse humbën herën e parë – një nga arsyet pse humbën edhe më thellë herën e dytë.

Zgjedhjet përsëri nuk u kontestuan, por paqja zgjati sa ëndrra e një vere. Sepse në vjeshtë rifilloi avazi i vjetër i kontestimit të zgjedhjeve dhe përbaltjes së Shqipërisë. Ai avaz ka arritur sot një kulm të ri historik.

Shqipëria e sotme ka patjetër plot halle e probleme. Unë, meqë siç thashë, secili duhet ta nisë nga vetja, nuk jam as i rënë nga qielli e as i pagabueshëm apo i pakritikueshëm.

Përkundrazi, kam bërë gabime, po kam ditur sidoqoftë edhe të tërhiqem dhe të them edhe më falni. Jo njëherë.
Po ashtu, më shumë se njëherë, reagimet e mia ndaj atyre që më janë vërsulur pa marrë parasysh se edhe unë njeri jam, nuk kanë qenë për t’i mbajtur mend me krenari. Dhe s’jam krenar për to. Por ama, në anë tjetër, jam stërmunduar për t’i dëgjuar e respektuar të gjithë, që nga dhjetëra mijëra e ndoshta edhe më shumë, njerëz të kontaktuar direkt (ditë për ditë qindra, nga ora 7 e deri në 2 e në 3 të mëngjesit) dhe deri tek çdo komunitet me një problem a grup interesi në një protestë.

Jam tërhequr duke bërë hap mbrapa më shumë se njëherë, kur kam kuptuar se kanë pasur të drejtë ata që ankohen apo protestojnë, e jo qeveria apo unë personalisht. Dhe nga ana tjetër, kam bërë çmos t’u gjendem gjithnjë atyre që më kontaktojnë, për halle e probleme të njëmijë e një llojeve, ashtu sikundër edhe t’i respektoj me përgjigje e me replika, ata që më shkruajnë në rrjetet sociale. Për mua është pjesë e detyrës, jo qejf. Eshtë pjesë e përpjekjes për t’i përfshirë njerëzit e zakonshëm dhe për t’u përfshirë me ta si njëri prej tyre.

Sulmohem përditë e përnatë, papushim. Jo vetëm nga gojëpërdalët e opozitës parlamentare, por nga lloj-lloj figurash e tipash, kanal më kanal, portal më portal, deri në fis e në farë.

Kam hyrë në një borxh të pashlyeshëm tashmë me fëmijët, gruan, nënën, që mbajnë pesha të rënda e krejt të pamerituara balte e stresi, po edhe me të tjerë të afërm e miq, që s’mbahet mend kur i kam takuar herën e fundit. E kam pranuar si haraçin e madh të privilegjit të jashtëzakonshëm që shumica e njerëzve më ka bërë, duke më zgjedhur të drejtoj punët e vendit tim dhe të gjithkujt e gjithçkaje dua me zemër në këtë vend të quajtur Shqipëri.

Po kurrë nuk e kam menduar, e jo më ta kem ngritur gishtin e pushtetit ndaj kujt më ka goditur dhunshëm, me fjalë e jo vetëm, duke më baltosur e bojatisur, si kriminel apo bashkëpunëtor të krimit, si të droguar apo trafikant droge, si hajdut, si mohuesi i fëmijës tim apo si bartësi e shkaktari i njëmijë e një të zezave që as ndërmend s’i kam çuar, jo më t’i kem bërë.

U’a kam kthyer me fjalë po, është e vërtetë! Ndonjëherë edhe e kam humbur sensin e masës mbase në reagimet e mia. Po ama kurrë s’do të gjeni në asnjë arkiv, që Saliut t’i kem thënë kriminel me duart me gjak, Lulzimit t’i kem thënë kusar patologjik, Ilirit t’i kem thënë horr bulevardi, Monikës t’i kem thënë hajdute me çizme apo adashit tim bojaxhi në parlament t’i kem thënë idiot klasik…

Ashtu sikundër s’do të gjeni kurrë në memorien video apo audio të jetës sonë publike, ndonjë tytë balte prej diktatori, drejtuar ndaj ndonjë analisti shpifarak a gazetari elifimatrak.

Sarkazmave e ironi ndaj personazhit të tyre publik, po asnjëherë sulme verbale ndaj personit të tyre. Lëre pastaj që të kem shantazhuar a të kem penguar ndonjërin syresh apo ndonjë pronar mediash, në kryerjen e detyrës së vet pavarësisht tonelatave të baltës që shfryjnë përditë në drejtimin tim.

Nuk e di a janë a s’janë kryeministrore, sarkazmat e ironitë e mia, ndaj kundërshtarëve, analistëve a gazetarëve apo qoftë edhe individëve të zakonshëm që më provokojnë në komunikimet e mia në rrjetet sociale.

Por di që jo vetëm është shumë vonë për një njeri si unë që të bëhet çun i mirë me të gjithë dhe shumë herët për mua që me të gjithë të bëj plakun e urtë, po një gjë të tillë as u’a kam premtuar atyre që më kanë zgjedhur, e as nuk është se nuk m’i kanë ditur huqet kur më kanë zgjedhur.

Sidoqoftë, nuk është kjo pjesa më e rëndësishme, po është ajo që ka të bëjë sigurisht jo aq me huqet e mia, se sa me qeverisjen time.

Ky mbase s’është momenti, për të renditur se sa shumë kemi bërë në çdo fushë të djegur, të minuar a gjysëm të shkretuar që gjetëm, vetëm pesë e vjet e gjysëm më parë, në një vend ku sekreti më i madh publik ishte vjedhja si sport kombëtar, që nga energjia e uji, deri tek shkumësat e shkollave dhe aspirinat e spitaleve; ishte droga si aktivitet politik e qeveritar, që nga Republika e Faqes së Zezë në Lazarat e deri tek mbulesa e heshtjes së madhe në çdo pjesë të Shqipërisë e në korridoret e pushtetit; ishte krimi si hije e jetës politike e publike, që nga vrasësit e përdhunuesit që nxirreshin me lejen e ministrit të drejtësisë për fushatat elektorale të partisë që sot e ka drogën e krimin majë të gjuhës, e deri tek vrasjet ordinere dyfish më shumë se sot apo vrasjet politike nën dritaren e kryeministrisë; ishte paprekshmëria e të fortëve në tribunat e politikës e në llagëmet e krimit, falë gjykatësish e prokurorësh, që deri dje jo nuk i prekte dot askush, po askush nuk guxonte ta imagjinonte se mund t’i çonte përpara gjykatës së Reformës në Drejtësi.

Por ky është me siguri momenti që ta them sa më troç e ta dëgjojnë sa më mirë të gjithë:

Shqipëria që unë dua dhe për të cilën kam marrë besimin e kam sot e gjithë ditën, mbështetjen e shumicës së këtij populli, nuk është kjo që kemi! Se po të ishte kjo, unë s’do të isha duke bërë këtë detyrë.

Por ama kjo Shqipëri që kemi, jo nuk është ajo që kishim para pesë vjetësh e gjysëm, po nuk krahasohet dot në asnjë fakt, në asnjë shifër, në asnjë fushë e asnjë zonë me atë Shqipëria që kishim, në kohën kur këta që sot kërkojnë kokën time, i’a futën këtij populli kokën mes këmbëve të keqqeverisjes së tyre.

Shqipëria që unë dua dhe për të cilën luftoj përditë, me mish e me shpirt, nuk është Shqipëria ku ka ende plot familje që s’e arrijnë dot pa lot varfërie fundin e muajit. Po ama në Shqipërinë që kishim, këto familje ishin shumë e shumë më tepër. Kjo shkruhet edhe në raportet e Bankës Botërore, jo vetëm në statistikat zyrtare të Shqipërisë.
Ashtu sikundër ishin shumë e shumë më tepër të papunët. Edhe kjo shkruhet jo vetëm në raportin e Bankës Botërore, po edhe në atë të Komisionit Europian.

Ashtu sikundër ishin shumë më tepër, ata që s’merrnin dot asnjë ilaç për shkak të pamundësisë për t’u siguruar. Kjo shkruhet në buxhetin e shtetit, ku tanimë prej disa vitesh rrreth 600 mijë njerëz të pasiguruar, të cilët deri dje s’merrnin dot asnjë ilaç me rimbursim, sot rimbursohen njësoj si të tjerët.
Ashtu sikundër ishin shumë më tepër, ata që s’i blenin dot as abetaren fëmijëve.

Po sot abetarja dhe librat falas për të gjithë jepen deri në klasën e katërt dhe deri në fund të mandatit deri në klasën e nëntë.

Mund të vazhdoj në çdo drejtim e për çdo komunitet a grup interesi, që nga biznesi i vogël që sot paguan nga zero taksë në një të tretën e taksës që paguante deri dje, e deri tek biznesi i madh, që sot paguan 15% taksë nga 10% që paguante dje.

Po s’është ky vendi e as momenti për t’u zgjatur me krahasimin e dy kohëve qeverisje e dy forcash qeverisësë të pakrahasueshmeve; tonës që ka plot të meta e jo pak probleme, po qeveris për Shqipërinë që duam e për njerëzit e zakonshëm të saj në radhë të parë dhe asaj të këtyre. E cila ishte e mbetet thjesht e vetëm, e njëjta forcë që sa herë e pati mundësinë, prodhoi keqqeverisje me pasoja rrënuese për ekonominë, shoqërinë, Shqipërinë.
Patjetër që nuk është Shqipëria që unë dua, ajo e gjendjes së shumë universiteteve dhe thuajse të gjitha konvikteve të sotme.

Po sot studentët paguajnë vetëm 50% të tarifave dhe ata me 9/10 apo ndihmë ekonomike, mbulohen qind për qind nga qeveria, e cila u jep edhe 100 mijë lekë bursë çdo muaj. Ndërkohë rindërtimi i konvikteve ka nisur dhe nuk do të ndalet, deri kur të jetë rindërtuar konvikti i fundit. E bënë studentët?
Po, studentët e bënë, duke e vënë në rendin e ditës me protestën e tyre, atë që ne ende nuk e kishim në rendin e ditës.

Ky është fakt dhe është një fakt që tregon se sa e vërtetë është për mua e për ne, fjala bashkëqeverisje; që tregon se sa i madh është dallimi mes qeverisë së atyre që sot bëjnë sikur kanë ardhur nga hëna e nga ana tjetër qeverisë sonë. E cila është e kritikueshme sa të duash, por e dëgjon gjithnjë popullin e saj dhe jo vetëm u’a garanton, po edhe u’a mirëpret protestën të rinjve, duke reaguar në të mirë të tyre, e njëkohësisht duke reflektuar për të përmirësuar vetveten.
Nuk është Shqipëria që unë dua, ajo e zyrave të shtetit që nuk u përgjigjen si duhet, sa duhet dhe kur duhet, njerëzve të zakonshëm të këtij vendi. Po ama në Shqipërinë që kemi sot, s’ka njeri të zakonshëm që të mbetet prapa dyerve të një zyre dhe të mos gjejë në krah qeverinë, mua dhe ministrat e mi, sapo çon një sinjal përmes platformës së bashkëqeverisjes shqiperiaqeduam.al.

Patjetër që platforma e bashkëqeverisjes, është si një adresë urgjence për të plagosurit nga sjellja e një administrate ende larg asaj që unë dua për Shqipërinë. Po ku ishte adresa e ndihmës së shpejtë të shtetit deri dje, kur thuajse pa përjashtim çdo njeri në hall me shtetin, duhet të zgjidhte mes një partie a një rryshfeti, nëse s’ishte kushëri a krushk i një të forti në politikë apo i një rrugaçi të njohur si i fortë?

Shqipëria që unë dua nuk është kjo Shqipëri që sot është në një udhëkryq mes të shkuarës e të ardhmes; mes kohës së atyre që sot lanë mandatet e deputetit sepse s’kanë mbrapa popullin, po hijen e frikës nga drejtësia e re dhe kohës kur drejtësia e re do të ndajë qartë akuzat nga krimet; do të ndajë politikanët e akuzuar se janë të gjithë njësoj, nga ata që përmes politikës kanë bërë banjo edhe për macen e sot i flasin turmës së fanatikëve nga maja e takave firmato, si të ishin të dërguarit këmbëzbathur të Zotit, për të shpëtuar shqiptarët nga Djalli…

Eshtë ditë e keqe për demokracinë shqiptare kjo e sotmja, s’ka dyshim.
Eshtë e dëmshme sa të duash për produktivitetin e jetës tonë politike, kjo zgjedhje destruktive e opozitës për të hequr dorë nga mandatet e popullit.
Eshtë fatkeqësia e përsëritur e këtij vendi që të goditet nga bij ndër të vetët, kur ka përpara një mundësi reale për t’u ngjitur më lart.

Kjo është një goditje që mund edhe të rezultojë fatale për çeljen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian këtë vit.

Ashtu sikundër pamjet e turpshme të së shtunës, të cilat bënë xhiron e botës, mund të kenë pasoja jo të vogla mbi sezonin e ardhshëm turistik; pra mbi ekonominë e punësimin e shqiptarëve dhe investimet e reja në turizëm, e jo vetëm.S’jam megjithatë këtu sot për të fajësuar opozitën që fajësinë e saj e ka bërë vetë botërisht publike.

S’jam po ashtu aspak i qetë që opozita jonë sot është kthyer në shqetësim konkret, për partnerët tanë strategjikë, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Europian.

Kurrë s’më ka ardhur për shtat të flas keq për kundërshtarët politikë në gjuhë të huaj, po s’më ka ardhur ndonjëherë për shtat as boshllëku që ata kanë krijuar prej kohësh në jetën politike të vendit.

Praktikisht (dhe këtë e dinë të gjithë, edhe ata që s’e pranojnë publikisht) kjo opozitë e ka lënë prej kohësh tanimë Shqipërinë pa një sfidant të besueshëm politik të qeverisë. Por unë e di dhe e them, që një opozitë e dobët, e cila për vizion ka përballjen muskulore me shumicën, për program ka mënyrat se si futen sendet ne parlament për të gjuajtur në drejtim të qeverisë dhe për ide ka vetëm sharjet pa hesap e për argumenta ka vetëm akuzat pa kufi, nuk të motivon, nuk të energjizon, nuk të përmirëson.

Madje përkundrazi, siç edhe na ka ndodhur ndonjëherë, të tërheq në batakun ku llokoçitet vetë dhe të bën si veten.

Megjithatë, opozitën nuk e zgjedhim, thjesht e pranojmë pa kushte si shprehje të vullnetit të pakicës elektorale. E pranojmë pa kushte dhe përpiqemi t’i krijojmë të gjitha kushtet, që të mund të shprehet sa më qartë dhe të mund të kontribuojë sa më shumë.

A ju kujtohen tre ligjet e famshme, për të cilat u bë nami në Shqipërinë që kishim nën qeverisjen e zotërinjve, të cilët sot ankohen se jetojnë në Venezuelë? (Edhe pse çuditërisht, në Venezuelë sot SHBA dhe BE janë me opozitën e atjeshme të muajve të fundit, ndërsa këtu janë kundër pikërisht opozitës së ditëve të fundit… Nejse)

Një nga ato tre ligjet, s’ishte ligj, po kërkesa jonë për t’i dhënë liderit të opozitës, kohë fjale të barabartë në rregulloren e parlamentit pas fjalës së kryeministrit.

Jo që nuk u pranua, po u quajt me muaj të tërë si një kërkesë antikushtetuese dhe si një tentativë për t’i mbyllur gojën kryeministrit të kohës.
Sapo erdhëm në qeveri në 2013, kjo u bë realitet dhe sot që flasim, jo vetëm që lideri i opozitës ka folur më shumë se unë në parlament, po edhe vetë opozita ka folur shumë më shumë se sa shumica qeverisëse.

Po numërimi dhe votimi i famshëm elektronik, që mbajtën ngritur një çadër me muaj në mes të bulevardit, si kusht i panegociueshëm për të hyrë në zgjedhje a ju kujtohen?

Prej muajsh e kemi lënë në dorë të opozitës, të vendosë për reformën zgjedhore dhe kemi pranuar pikë për pikë, çdo rekomandim të ODHIR-it për atë reformë, siç këshillon edhe raporti i Këshillit Europian në funksion të çeljes së negociatave. Ashtu sikundër kemi punuar vetë ne, duke studiuar e bërë teste për të futur numërimin e votimin elektronik si projekt pilot në disa njësi vendore gjatë zgjedhjeve të qershorit. Po ata, të interesuarit për zgjedhje transparente? As kanë denjuar të dëgjojnë as për ato që kanë kërkuar vetë, jo më të ulen në tryezë.

A mund të kishim bërë më shumë për ta ndihmuar procesin e ndërveprimit qeveri – opozitë?
Nuk e di, mbase edhe mund të kishim bërë më shumë. Por kemi qenë, jemi e do të jemi gati të ulemi e të dialogojmë për gjithçka që i shërben forcimit të demokracisë në vend.

Ama një ndër shumëçkatë që mund të diskutohen dhe që mund t’i shërbejnë realisht forcimit të demokracisë, nuk është as retorika e dhunshme, as dhuna mbi institucionet, as imponimi me dhunë i ndryshimit të raporteve politike dhe padyshim, as ndërprerja e një mandati legjitim qeverisës, përmes kamikazërisë politike mbi mexhelisin e jetës parlamentare.

Ata e dinë se humbjen e zgjedhjeve vendore e kanë të pashmangshme, sepse e dinë që nuk kanë shumicë në popull dhe megjithë respektin për punonjësit e bashkive që u kyçën sot për qytetarët nga Shkodra, në Kamëz e deri në Mallakastër, për të furnizuar protestën para parlamentit, Sovrani nuk është ai që del në rrugë, po ai që gjykon në zgjedhje.

U blenë zgjedhjet në 2017-ën, e këtë e provoi Zëri i Amerikës, prandaj duhet zëvendësuar parlamenti me rrugën dhe Sovrani me militantët që dalin në rrugë?
Ndjesë po këtë logjikë nuk e pranon jo demokracia dhe bota demokratike, e cila e ka dënuar me forcë tanimë përmes deklaratash shumë të rënda për fjalorin diplomatik, po s’e pranon dot asnjë nga ata njerëz të zakonshëm i këtij vendi, që mund ta duan largimin e kësaj qeverie qysh sot. Sepse s’mundet dot të duan kurrësesi që vendi i fëmijëve të tij të bëhet një territor i paqeverisshëm kurrë më, nëse futet rregulli i ri e i padëgjuar kund në botë, se kur një opozitë arratiset nga parlamenti, shumica duhet të ndërpresë mandatin e saj dhe të shkojë në zgjedhje me qeverinë që i pëlqen opozitës.

Kjo është logjikë humbësish që jo vetëm e dinë që nuk fitojnë dot, po kanë humbur edhe arsyen nga dëshpërimi.
Dhe dëshpërimi, lejomëni t’jua them deri në fund, lidhet jo vetëm me pushtetin që iku e s’duket në horizont, po edhe me drejtësinë e re që po vjen e nuk ndalet dot me asnjë shpikje, me asnjë grup deputetësh të maskuar si popull i zemëruar, me asnjë fantazëm të rrëmujave të vjetra e me asnjë dhunim të institucioneve të gjithëhershme demokratike.

Sa për blerjet e votave, nuk e fsheh dot që kur shoh Monikën që i thërret Zotit ta mbrojë Shqipërinë nga blerësit e votave, them se me siguri i Plotfuqishmi nuk merret me zgjedhje! Sepse ndryshe Monika do ishte e para në listën e personave që do të shkonin në ferr për mëkatin e shitblerjes së votave. Ndërsa kur shoh kolegun e saj opozitar, që i rrëmben mikrofonin nga dora të dërguarës nga qielli dhe rifillon në qiell të hapur këngën e Çadrës, më kujtohet i njëjti zë që në çdo ditë të fushatës, u betohej demokratëve se do t’i çlironte përgjithnjë nga skllavëria e SHPK-së së Monikës dhe u thoshte, merrjani lekët asaj, po votën përdoreni për të fituar lirinë e për t’u kthyer në shtëpi! Për dreq, në shtëpi erdhi ajo e lekëve, ndërsa skllevërit tani s’janë më as popull, se popull u bë Luli me Monikën…

Kurse Zëri i Amerikës, futet në këtë mes me idenë se shqiptarët janë budallenj dhe mjafton të dëgjojnë Amerikë se pastaj s’do dëgjojnë më zërin matanë oqeanit, po zërin e çiftit opozitar që kapet si i mbyturi pas një fijeje telefonike, ku nuk flitet asgjë as për blerje, as për shitje, as për prova e as për vota.

Githësesi, askush nuk e ka mohuar se në Shqipëri nuk ekziston një fenomen i tillë. As unë jo e jo. Ka pasur edhe një sërë rastesh konkrete të zbuluara në zgjedhjet e shkuara, ku u kapën sasira me para dhe individë që u çuan në prokurori – askush s’flet ç’bëhet me ato denoncime zyrtare. Madje e panë të tërë se si u dha një zarf për një mandat në Lezhë, gjatë një inkursioni elektoral të rrufeshëm të Presidentit të LSI-së, kur doli nëpër Shqipëri për të bërë thirrje për armatosje të popullit. Shpjegimi zyrtar ishte, andje nga ajo zonë zarfi është traditë popullore.
As që më shkon ndërmend të them se unë kam zbritur nga qielli, bashkë me të dërguarën e Zotit për të mbrojtur shqiptarët nga paraja në politikë. Dhe nuk marr përsipër kurrësesi të pretendoj se askush, askund, asnjëherë, nuk e ka shkelur ligjin në këtë drejtim edhe në emër të Partisë Socialiste.

Prandaj kam qenë e jemi gati të marrim çdo masë ligjore për ta rënduar dënimin mbi shitblerjen e votës. Ama kush thotë se në këtë vend blihet shumica e popullit dhe fituesin e vendosin votat e shitura, ose e di për budalla këtë popull ose nuk di fare çfarë flet.

Zgjedhja që kjo opozitë ka bërë sot, është zgjedhja më e keqe që mund të bënte për t’i dalë zot zgjedhësve të saj, po edhe Shqipërisë që ka nevojë për një opozitë vizionare, alternative, elokuente e serioze.

Por kjo është përgjegjësia e lidershipit të sotëm të opozitës dhe ne mund të bëjmë pak ose aspak për ta shmangur vetëvrasjen politike të heqjes dorë nga përfaqësimi i zgjedhësve në parlament. Zgjedhësit do ta japin gjykimin kur të vijë radha e tyre për të folur me votë, qoftë në qershor të këtij viti, qoftë në qershor të vitit 2021.

Përgjegjësia jonë është të vazhdojmë drejt, në rrugën që na kanë përcaktuar zgjedhësit tanë, si edhe t’u shërbejmë me përkushtimin më të madh të gjithë shqiptarëve, pa asnjë dallim – aq më tepër në këto kushte kur qytetarët demokratë s’i përfaqëson më askush në tempullin e demokracisë e të fjalës së popullit mes dy palë zgjedhjeve.
Por kjo është një temë për t’u shtjelluar seriozisht më tutje.

Njëkohësisht, dora e bashkëpunimit dhe e dialogut me opozitën, pavarësisht vetëpërjashtimit të saj ekstrem nga jeta parlamentare, është e shtrirë dhe do të mbetet e shtrirë.

Edhe kjo temë me siguri do të ketë kohën e vet të shtjellimit, sepse jeta parlamentare e atyre që sot lanë mandatet, mesa duket mbaroi për këtë legjislaturë, por jeta politike vazhdon. Ashtu sikundër kjo shumicë qeverisëse do të vazhdojë punët për Shqipërinë, jo sikur s’ka ndodhur asgjë, po edhe sepse kjo që ndodhi na ngarkon me një përgjegjësi edhe më të madhe në udhëheqjen me largpamësi e maturi të vendit, e në shërbimin me përulësi e urtësi ndaj njerëzve të zakonshëm të këtij vendi.

● – RRJETAT.COM