Në luftë morën pjesë me ushtri sundimtarët shqiptarë Gjergj balsha nga Shkodra, Teodor Muzaka nga Myzeqeja, Dhimitër Jonima, Lezhë-Prizren dhe Andrea Gropa nga Ohri
Në fillim të qershorit 1389 trupat osmane, pasi që kaluan Nishin, iu drejtuan Fushës së Dardanisë (në historiografi në serbe dhe atë botërore Fushës së Kosovës, nocion ky politik i shfaqur në shekullin XIX), ku tashmë, krahas ushtrive të disa sundimtarëve të Arbrit (Gjergjit II Balshës – bir i Strazimit nga Shkodra, që ishte dhëndër i Lazarit (kishte marrë për grua të bijën Jelenën), pastaj Teodor Muzakës nga Myzeqeja, Dhimitër Jonimës, zot i trevave përgjatë rrugës Lezhë-Prizren dhe të Andrea Gropës nga Ohri), po i prisnin ato të princit tribal të Rashës Llazarit me ato të dhëndri t të tij, Vuk Brankoviqit.
Nga Jusuf BUXHOVI
Tri data janë të rëndësishme për të shpjeguar ecurinë e pushtimeve osmane në pjesën europiane dhe kahun historik të tyre me ç’rasat krijohen disa nga parakushtet për t’u kuptuar një prej ngjarjeve më me peshë historike për Europën, por edhe për qytetërimin perëndimor në përgjithësi. Këto janë: viti 1354, viti 1371 dhe, viti 1389. Ndërsa, për Arbrit, krahas këtyre, edhe viti 1385, ka një domethënie të veçantë, meqë beteja e Savrës që lidhet me këtë datë, si dhe rrethanat në të cilat do të zhvillohet ajo (lufta e Osmanëve kundër Balshajve dhe disa feudalëve të tjerë arbër në afërsi të Durrësit si dhe “enigma” e ndodhjes së Thopijave në anën e Osmanëve), pasqyrojnë gjendjen e ndodhjes në fronte të kundërta, gjendje kjo që ishte përsëritur shpesh nga ndarja e kryqit e këndej, së cilës i ishte paguar tagër i rëndë.
Viti 1354 paraqet kohën kur Osmanët, pas pushtimeve të Bursës në vitin 1326, duke kaluar Dardanelet hidhen në Gadishullin Ilirik, prej nga në vitin 1361 morën Adrianopojën, të cilën do ta quajnë Edrene dhe do ta shpallin kryeqytet të tyre. Për të arritur këtë Osmani I, ngarkoi të birin, Orhanin që Bizantit t’i hynte nga brenda. Kështu, Sulltan Orhani, pasi pushtoi Bursën e detyroi Perandorinë Bizantine të kthehej në aleate, me ç’rast Kantakuzeni (Cantacuzenus Constantinopolitanus Imperator) duhej t’i jepte për grua të bijën, Theodorën Paleologinë-Kantakuzenë nga dera e Paleologëve, martesë kjo që sipas burimeve osmane u realizua më 1346.
(Shih: Hammer, J von :”Histoire de l’Empire Ottomane depuis son origjine jusque’ a nos jours par J.de Hammer, vëll III-III Paris /Londres/Sant-Petersbourg 1835-1836, I 230-231; Miltitz: Manuel des consuls, II, 166. Raguza do të përtërijë këtë traktat më 1408 me Sulejmanin dhe po ai traktat përtërihej edhe më 1414 me sulltan Mehmetin I. (Shih: Plasari, Aurel: “Skënderbeu”, Tiranë 2010 faqe 192).
Viti 1371 – paraqet, një etapë tjetër të rëndësishme për depërtimet osmane në Gadishullin Ilirik (të quajtur Gadishull Ballkanik në shekullin XIX) dhe për shtrirjen e mëtejshme të tyre në pjesën europiane, ngaqë, pas pushtimit të Adrianopojës, Osmanët pushtojnë edhe pjesë të tjera të Trakisë me çka despotët e shkapërderdhur të jugut europianë (Rasianë dhe Bullgarë, veçmas këta të parët që tashmë pretendonin edhe kurorën e Bizantit), për herë të parë ndjehen të rrezikuar seriozisht edhe nga dyshimi se Osmanët ishin aty në njërën anë ngaqë kjo mund të ishte pjesë e marrëveshjeve të perandorit Kantakuzin, tashmë në krushqi me sulltanin, që t’ia eliminonte kundërshtarët dhe, në tjetrën anë, ngaqë edhe vendet e krishtera europiane deri më atëherë kishin treguar më shumë vullnet dhe përkushtim që t’i përdornin ata si “digë” parandaluese kundër Osmanëve, se sa vetë të përfshiheshin në ndonjë aleancë të krishterë përmasash europiane që do t’u priste rrugën pushtimeve osmane.
Përkundrazi, bie në sy se në kohën kur disa nga feudalët dhe despotët e krishterë të Ilirikut Qendror përpiqeshin të bënin ndonjë veprim kundër Osmanëve (ai në Maricë), kemi edhe marrëveshjet e para të perëndimorëve me Osmanët, me të cilat, ata do të fitojnë kohë për pushtime të tjera dhe do t’i arrijnë disa favore strategjike në raport me vetë Perëndimin, meqë marrëveshjet me ta nuk ishin tjetër pos veprime dinake kundër njëri-tjetrit qoftë edhe nën thirrjen e “unitetit kundër Osmanëve”. I tillë ishte “traktati tregtar” që lidhi Qyteti i Raguzës më 1365 me Muratin I për mbrojtjen e tregtisë përkundrejt një haraçi prej 500 dukatesh, që Republika i ofronte vetë sulltanit, me çka mund të thuhet se Murati I ishte i pari i prijësve osmanë që hyri në lidhje me një shtet perëndimor europian.
(Shih: Hammer, J von: ”Histoire de l’Empire Ottomane depuis son origjine jusque’ a nos jours par J.de Hammer, vëll III-III Paris /Londres/Sant-Petersbourg 1835-1836, I 230-231; Miltitz: Manuel des consuls, II, 166. Raguza do të përtërijë këtë traktat më 1408 me Sulejmanin dhe po ai traktat përtërihej edhe më 1414 me sulltan Mehmetin I.)
(Shih: Plasari, Aurel: “Skënderbeu”, Tiranë 2010, faqe 192).
Përkundër përçarjes, më 26 shtator të atij viti (1371), u zhvillua beteja e dytë pranë lumit Marica, në Kermianon midis të krishterëve të Ilirikut, të cilëve u ishte bashkuar edhe Aleksandri i Vlorës, dhe Osmanëve të komanduar nga Lalë Shahini. Edhe në këtë betejë të krishterët e Ilirikut, kryesisht ortodoksë, pësuan humbje të rëndë. Në luftë ranë despoti Uglesha dhe princi Vukashin. Kjo pati për pasojë pushtimin e despotatit të Seresit dhe të Vllahisë si dhe pranimin e vasalitetit osman nga despotët rasianë, Bullgarë e të tjerë.
(Shih: Hammer, Joseph von: “Histoire, I, 242 dhe 409).
Despoti rasian Lazar Grebljanoviq (bir i paligjshëm i Stefan Dushanit) pranoi vasalitetin me çmimin e një haraçi të dyfishtë ndaj Osmanëve dhe Bizantit.
(Shih vlerësimin e Idrisi-i Bitelsi: Hest Bihist, 170 a-170 b – Nga Lufta shqiptaro-turke, 77-78, te Plasari, Aurel “Skënderbeu”, Tiranë 2010, faqe 211).
Para se të shkohet te viti 1389 dhe beteja e Fushës së Dardanisë, (pa marrë parasysh përmasat e saj të njëmendta dhe si e mitizuar në shekullin XIX dhe të shumtën e interpretuar në përputhje me falsifikimet e historiografisë serbomadhe), kur princat e bashkuar të Ilirikut (Arbër, Rasianë, Boshnjakë dhe Bullgarë të ndihmuar edhe nga vullnetarë Hungarezë, Polakë e të tjerë të krishterë), do ta humbin atë betejë vendimtare që do t’ia hapë rrugën pushtimit pesëshekullor osman, është viti 1385, i cili për Arbrit dhe Arbërinë, do të jetë me pasoja të mëdha. Në fushën e Savrës, në Myzeqe, ku do të shfaqet Timurtash Pasha dhe aty do t’ia marrë kokën Balshës, princat kryesorë të Arbrit (fjala është për Thopinë e Durrësit dhe Balshën), nuk ishin bashkë. Kishte kohë që ata luftonin kundër njëri-tjetrit dhe se kjo betejë duhej të përcaktonte “të parin” midis tyre.
Pavarësisht atyre që ndodhën midis Thopisë dhe Balshës, luftës së tyre, epilogun do t’ia japin Osmanët, prej nga del vlerësimi se kapitull hap fillimet e sovraniteti osman në Arbëri.
(Shih te Idris-i Bitlisi “Hest Bihist”, 170 a Nga Lufta shqiptaro-turke, 128) ruhet varianti sipas të cilit Karl Thopia tashmë ishte vasal i sulltanit nga koha e pushtimit të “vilajetit të Karli-ilisë” më 1382. Këtë mendim e përfaqëson edhe historiani i Balashëve Guiseppe Gelcich, për të cilin thotë se “Karl Thopia, i rënë nga froni, u vendos në Krujë dhe aty i ujdisi mirë punët me turqit me shpresë se ata mund ta ndihmonin për ta marrë pushtetin”).
Edhe pse kjo betejë diku shihet si pjesë paraprake e fushatës osmane në vendet e Arbrit, e filluar me strategjinë e njohur të marrjes së saj me kujdes, ku feudalët Arbërorë do të shfrytëzohen kundër-njëri tjetrit ndërsa diku tjetër shihet vetëm si një luftë e hapur midis dy princave arbër për mbizotërim të plotë, që kishte shpërthyer nga koha e vdekjes së Dushanit, kur nga të gjitha anët ishte ndezur lufta për rikthimin e tokaveqë ai kishte pushtuar dhe të tjerave në hapësirën bizantine pa zot, në të cilën Osmanët u “përfshinë për pak” pse u thirrën në ndihmë, kjo lufte, megjithëqë pasqyron luftën e ashpër midis Balshës dhe Thopiave rreth “të pari” të Arbrit.
(Shih “Zeta dhe dinastia e Balshajve”, Tiranë 2009, faqe 143). Interpretimi për “thirrjen” e turqve nga ana e Karl Thopisë gjendet edhe te Pulaha: “Hyrje në Lufta shqiptaro-turke”, 12 dhe 26).
Andaj ajo duhet parë edhe si strategji të Osmanëve, të shfrytëzohet rivaliteti midis feudalëve dhe princërve Arbërorë, që prej andej nga ana e Adriatikut, jugut të Europës, t’i afroheshin sa më parë, pikërisht aty ku mund të mbrohej hinterlandi, siç ishte vepruar ngaherë dhe të përgatitej terreni për depërtime në thellësi të kontinentit.
(Shih: Jireçek, Konstantin: “Historia e Serbëve”, pjesa e dytë, Tiranë, 2010, faqe 137; Ostrogorski, Georg: “Historia e Perandorisë Bizantine”, Tiranë, 2002, faqe 382).
Kjo pra ishte korniza shoqërore dhe politike në të cilën u gjendën Arbrit dhe hapësira e tyre etnike kur Osmanët u shfaqen në viset e tyre. Për t’u parë më së miri konteksti historik i atij zhvillimi, kur ata të shumtën do të shfaqen si vasalë të vasalëve e me këtë do të detyrohen që t’i përcjellin ngjarjet në përputhje me kahun që ua caktonin të tjerët, (të shumtën princat tribalë të Rashës, që mbikëqyrnin një pjesë të mirë të vendeve të tyre), siç ishte Lufta e Maricës, ajo e zhvilluar në Beliqe të Bosnjës dhe e Fushë-Dardanisë, shumëçka e së cilës mbetet e paqartë, duhet rikthyer te paraqitja e faktorit osman në kufijtë lindorë të Perandorisë si dhe depërtimet kah pjesa perëndimore e Bizantit me çka, në masë të madhe, do të ndikohen që të gjitha zhvillimet shoqërore dhe politike të kohës brenda dhe jashtë përmasave perandorake.
Kështu, mund të thuhet se Osmanët ishin pasardhës të Turqve Oguzë. Këta filluan të depërtojnë në pjesët lindore të Perandorisë pasi që u shkëputen nga bërthama e tyre në Azinë Qendrore. Perandoria, fillimisht nuk do t’u kushtojë gjithaq vëmendje depërtimeve të tyre, meqë kishte telashe me sjelljen e brendshme të Sllavëve dhe Bullgarëve, por edhe ato që i vinin nga Arabët, me të cilët do të ketë ballafaqime të shpeshta dhe tepër sfiduese nga shekulli VII e këndej. Ndeshja e parë e Bizantit me Selxhukët ndodhi në vitin 1071, kur ushtria perandorake pësoi humbje të thellë që për pasojë do të ketë humbjen e një pjesë të madhe të zotërimeve të tyre në Lindje.
Turqit Orguzë hynë në histori kur prijësi i tyre, Ertogrulli mori shpërblim prej sulltanit selxhuk një zotërim të vogël në brigjet e lumit Sangaria (Sakaria). Meqë shteti i Selxhukëve u shpërbë në shumë pjesë të vogla pas disfatës që i shkaktuan Mongolët në vitin 1243, ishte i biri i tij, Osmani I (1290 -1323), i cili zgjeroi zotërimin atëror dhe e ktheu në një shtet të pavarur me emrin Emirati Osman, që u bë bërthamë e Perandorisë Osmane. Me këtë rast Osmani I mori titullin e sulltanit dhe nënshtetasit e tij u quajtën Turq-Osmanlinj.
(Shih: Inhalxhik, Halil: “Perandoria Osmane”, Tiranë 2010).
Këtu, pra ndërlidhemi me vitin 1354, kur Osmanët kaluan në Ilirik, prej nga krijuan parakushtet për pushtime të mëtutjeshme, me të cilat pak më vonë do të prekin edhe vendet e Arbrit të shkapërderdhura në feude dhe despotate të shumta, të cilat pas vdekjes së despotit të Rashës Dushanit (një vit më vonë), ishin përfshirë në një zhvillim të rikthimit por edhe të zgjerimit të autonomisë së humbur gjatë pushtimeve rasiane. Kështu, familjet e njohura fisnike të Balshajve në veri, të Muzakajve, Thopiave dhe të tjerëve, filluan përpjekjet e tyre për zgjerimin dhe ngritjen e principatave të pavarura. Këtu dallohen Balshajt, të cilët pos zgjerimeve në veri, ia dolën që të marrin edhe Prizrenin dhe të vendosën në pjesën më të madhe të Dukagjinit.
(Shih: Jireçek, Konstandin: “Historia e Serbëve”, I, Tiranë 2010, faqe 486; Gelcich, Giuseppe: “Zeta dhe dinastia e Bashajve”, Tiranë 2009, faqe 29-45).
Në këtë zhvillim, që mund të quhet i brendshëm – meqë Arbrit silleshin në hapësirën e tyre dhe në përputhje me lojalitetin ndaj shtetit bizantin ku ai ishte i pashmangshëm, ose në marrëdhënie vasaliteti me perëndimorët, siç ishte Venediku, ku kjo ishte e pashmangshme – ata ndjenin për rrezikun osman, por pa ndonjë ballafaqim të drejtpërdrejtë me të. Madje, larg prej tij do të mbeten, edhe atëherë kur në vitin 1364, në Betejën e Adrianopojës, mundën ushtritë perandorake dhe atë e shpallën kryeqytet, me emrin Edrene.
Madje, në vorbullën e përpëlitjeve për zgjerimin e principatave të tyre, qoftë edhe në dëm të njëra-tjetrës, siç ndodhte midis Balshajve dhe Thopiajve, ata do të mbesin edhe gjatë ndeshjes së parë të një lidhjeje ushtarake të udhëhequr nga zotët e Rashës vëllezërit Mërnjaqeviç (Vukashin dhe Uglesha) në luftën e Maricës të vitit 1371, kur forcat e tyre të ndihmuara nga ato Bullgare dhe Grekët pësojnë humbje të thellë, që për pasojë do të ketë pranimin e vasalitetit osman nga princat e Rashës si dhe ata të Epirit.
(Shih: Jirecek, C: “Geschihte der Bulgaren”, f.309; Nga i njëjti autor “Historia e serbëve” I, Tiranë 2010, faqe 480-485).
Mospërfshirja e drejtpërdrejtë e Arbërve në orbitën e veprimeve luftarake osmane nga koha e depërtimeve të tyre të drejtpërdrejta ushtarake në pjesën jug-lindore dhe vendosja në Bullgari e Thraki pasi që ta kenë pushtuar Andrianopolin (Edrenën) nga vitet 1345-1361, nuk do të thotë se ata kanë qenë “të kursyer” nga Osmanët nga koha e fërkimeve të para me Bizantinët (shekulli XI).
Burimet bizantine bëjnë të ditur se trupat osmane duhet t’i kenë njohur së pari viset e Arbërisë në vitin 6854 (1336/1337), kur Androniku III Paleologu, i thirrur nga despotina Ana Paleologinë-Engjëllinë, hyri në Arbëri dhe në Epir për të shtypur Arbrit e kryengritur në viset mes Valagrit, pranë Beratit dhe Kaninës. Perandori mori për këtë qëllim dy mijë turq mercenarë nga rrethi i Iz-mirit dhe Koinës dhe, me të ardhur pranvera, hyri me ta në “vendin e Ilirëve”.
(Shih: Gregorae: “Historiae Byzantinae”, I, 146, 544-545 dhe Joannes Cantacuzenus ex Imperatoris Historiarum, I,II, 495-501, cit. sipas Plasari.A: “Skënderbeu”, Tiranë 2010, faqe 204. Rreth veprimit të mercenarëve turq në Arbëri shih edhe “Lufta shqiptaro-turke”, 33 shën. 6).
Por, gjendja nga “takimet” e tërthorta të mercenarëve osmanë në shërbim të perëndimorëve por edhe Bizantinëve për veprime të caktuara dhe të përkohshme në vendet e Arbnit, të cilat si do të shihen do të përdoren nga qarqe të larta perandorake, do të ndryshojë sakaq, kur Osmanët, një vit më vonë, pasi që ta kenë marrë Plovdivin (kryeqytetin e Mbretërisë Bullgare) dhe Bullgarët të pranojnë vasalitetin osman, do të duken në Traki dhe Epir, siç ishin depërtimet e tyre në Shtip, Përlep dhe Manastir, Kostur dhe Ohër.
Dhe, bashkë me Paleologun, gjendjen e vasalitetit do të detyrohen ta pranojnë edhe disa fisnikë dhe feudalë të Arbrit, nga despotati i Epirit. Prej andej Osmanët do t’u afrohen edhe qyteteve bregdetare, ku e dinin se do të ndesheshin me Venedikun dhe perëndimorët, qëndrimi i të cilëve më së miri mund të testohej me pjesët që tashmë zotëronin princat e Arbrit, qoftë edhe në gjendje armiqësie siç ishte ajo midis Balshajve dhe Thopiajve. Kështu, Savra ishte një sprovë shumë e mirë për Osmanët. Ata morën pjesë në atë betejë dhe përcaktuan fituesin madje, por njëherësh u larguan prej andej, në mënyrë që fitorja t’i “dhurohej” Thopisë si vasal, vasalitet ky që do ta pranojë edhe Muzaka dhe pjesa tjetër e feudalëve të Jugut, që nuk ishte tjetër pos një paralajmërim se ajo që kishte filluar nuk kishte të ndalur.
(Rreth thirrjes që ua drejtoi Thopia turqve për t’i ndihmuar në luftë kundër Balshës II si dhe vasalitetit shih gjerësisht Gegaj, At Athanas: “Arbëria dhe Gjergj Kastrioti Skënderbe 1405-1468”, Tiranë 1995, faqe 33).
Në të vërtetë, “tërheqja” e përkohshme e forcave osmane nga Savra (për rreth dy vjet), ishte një matje që Osmanët ua bënin venedikasve si dhe faktorëve të tjerë perëndimorë si do të silleshin pas hapave të tyre të mëtejshëm, që nuk mund të ishin ndryshe pos në përputhje me taktikën e pranimit të vasalitetit, që u krijonte favore të mëdha, qoftë pse përfitonin nga haraçi që ua caktonin vartësve të tyre, të cilët ashtu dhe në atë mënyrë “akomodoheshin” në rrethanat e reja të një perandorie dhe të një qytetërimi tjetër.
Me siguri se “paqja” midis vasalëve të krishterë, ku tashmë me dëshirë dhe pa dëshirë ishin të përfshirë edhe shumica e Arbërve me zotërimet dhe titujt e tyre, që nuk thoshin shumë, do të mund të vazhdonte edhe për një kohë të mirë, ose edhe më gjatë, po mos të ishin perëndimorët, të cilët, meqë e dinin se gjendja e tillë “akomoduese” jashtë ngulfatjeve dhe anarkisë së shekullit të fundit në të cilën ishte përfshirë Perandoria jo edhe pa “meritat” e shumta të tyre që lidheshin me dobësimin apo rrënimin e saj nëpërmes forcimit të despotëve Sllavë dhe Grekë, do t’u shkonte për shtati Osmanëve, që të përgatiten sa më mirë për pushtime të reja drejt qendrës europiane, do të fillojnë t’i nxisin ata që të luftojnë kundër Osmanëve, edhe pse e dinin se e gjitha do të përfundonte me disfatë. E rëndësishme ishte që të fitohej në kohë, pa marrë parasysh çmimin që do t’i paguhej nga Ilirikasit, të cilët edhe ashtu ishin mësuar me sakrifikime të tilla.
Natyrisht, se përballë kësaj gjendjeje me shumë paqartësi dhe druajtje, por edhe shpresa se mund të mbrohej diçka, fitohej përshtypja se despotët dhe princat e kurorës së shprishur të Bizantit nga pjesa e Ilirikut dhe Dardanisë ishin të detyruar për t’iu dhënë një veprimi të përbashkët, sado që shpejt do të shihet se edhe aty kishte hesape të caktuara dhe hile të ndryshme. Të përkrahur dhe të këshilluar nga misionarët e shumtë nga vendet katolike, në vitin 1387, filloi nisma për krijimin e një koalicion të gjerë të Ilirikut. Edhe pse e gjitha do t’i përshkruhet princit tribal të Rashës Llazar Hrebelanoviqit, prej nga vinë ftesat për veprim të përbashkët, megjithatë prapa saj gjenden Selia e Shenjtë, Venediku, e mbi të gjitha Hungaria. Kjo e fundit, madje, kishte shumë arsye të ishte e nxehur, pasi që ishte në shënjestër të fushatës së ardhshme osmane kundër Europës, e cila duhej të kalonte pashmangshëm nëpër tokat e saj.
Lëvizjet e të krishterëve të pjesës perëndimore të Bizantit, të nxitura drejtpërdrejt nga Selia e Shenjtë dhe vendet katolike dhe nën flamurin e krish-terë, që mund të përdorej si emblemë e vetme “bashkuese” në ato rrethana edhe pse në emër të tij të krishterët kishin zhvilluar shumë e shumë lufta mes veti, vunë në veprim edhe Osmanët, të cilët për ta siguruar shpinën dhe për të nxjerrë nga loja çfarëdo veprimi të Bullgarëve hapësira e të cilëve tashmë paraqiste një faktor të rëndësishëm strategjik drejt qendrës europiane, gjatë vitit 1388, përqendruan forcat e veta në Plovdiv në vijën drejt Nishit, qytet ky të cilin e kishin pushtuar para dy vitesh, ndërkohë që jashtë mbikëqyrjes osmane kishte mbetur pjesa nga Rasha deri në Prishtinë dhe Shkup, pra qendra e Dardanisë, pjesët e së cilës pjesërisht shfaqeshin si zotërime të princit të krishterë, tribalit Vuk Brankoviq, (nga familja e të cilit kishte prejardhjen edhe bashkëshortja e Gjon Kastriotit Vojsava), e pjesërisht gjendeshin nën zotërimin e Balshës, ndërsa rruga Lezhë-Prizren gjendej nën mbikëqyrjen e Dhimitër Jonimës.
(Shih: Petrovski, Boban: “Vojsava Tribalda”, në simposiumin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, Shkup, 2006, faqe 67-77. Se Brankoviqët ishin Tribalë, pra mbetje e një fisi antik të afërt me Dardanët, por sipas kronistit bizantin Halkokondilit “Tribalët ishin degë ilire” (shih: “Historiarum Demonstrationes” I, Budapesti, 1922, faqe 24-25). Këtë e thonë edhe Barleti te “Histori e Skënderbeut” dhe Gjon Muzaka (Kronika e Gjon Muzakës te Xhufi, “Nga Paleologët te Muzakajt”, Tiranë 2009), të cilët kur bëjnë të ditur për bashkëshorten e Gjon Kastriotit, Vojsavën, tregojnë se baba i saj ka qenë Tribal.)
Në fillim të qershorit trupat osmane, pasi që kaluan Nishin, iu drejtuan Fushës së Dardanisë (në historiografinë serbe dhe atë botërore Fushës së Kosovës, nocion ky politik i shfaqur në shekullin XIX), ku tashmë, krahas ushtrive të disa sundimtarëve të Arbrit (Gjergjit II Balshës – bir i Strazimit nga Shkodra, që ishte dhëndër i Lazarit (kishte marrë për grua të bijën Jelenën), pastaj Teodor Muzakës nga Myzeqeja, Dhimitër Jonimës, zot i trevave përgjatë rrugës Lezhë-Prizren dhe të Andrea Gropës nga Ohri), po i prisnin ato të princit tribal të Rashës Llazarit me ato të dhëndrit të tij, Vuk Brankoviqit.
(Rreth pjesëmarrjes së Arbërve në luftën e Dardanës, shih: Pulaha, S: “Lufta shqiptaro-turke në shek. XV – burime osmane”, Tiranë 1968 faqe 297; Sathas, C: “Bibliotheca Graeca Medii Aevi” vol, I, 1872, f.247-248; “Kronika e Gjon Muzakës”, faqe 301-365 te Xhufi, Pëllumb: “Nga Paleologët te Muzakajt”, Tiranë 2009; “Historia e Popullit Shqiptar”, I, Tiranë 2002, faqe 366-367; Frashëri, Krishto: “Skënderbeu”, Tiranë; Frashëri, Kristo: “Shqiptarët dhe beteja e Kosovës”, në “Rilindja javore” 9-15 korrik 1995; Gegaj Athanas: “Skënderbeu”, Tiranë 1995; Malltezu, L: “Shqiptarët në betejën e Kosovës”, Tiranë 1998; Plasari, Aurel: “Skënderbeu”, Tiranë 2010, faqe 194,195. Ndëra te autorët osmanë shih: Soklakzäde: “Tarihi,” 43; Nesri: “Kitäb-i Cihän-nüma”, 70-72,80; Idris-i Bitlisi: “Hest Bihist”, 182; Sa’deddin: “Täcü tevarih”, 120, Uzunçarisili: „Osmanli Tarihi”, I, 200, 249; Oruç Ben Adil; “Tevarih-i al-i osman”; Inhalxhik, Halil: “Perandoria osmane”, Shkup 2010, etj.)
Atyre u ishin bashkuar edhe forca rumune të drejtuara nga Vojvoda Mirçea, trupat kroate nën drejtimin e banit kroat, Ivan Horvat, dhe të Bosnjës në krye me mbretin Tvrtko.
(Shih: Hammer, Joseph von: “Geschichte des Osmanischen Reiches” vol. I Pest, C. H. Hartleben 1840; Jireček, K: “Historia e Serbëve“ I, Tiranë 2010, “Geschihte der Bulgaren”, Prague 1876; Gelcich, G: “Zeta dhe dinastia e Balshajve”, Tiranë 2009, faqe 169-171; Jorga, N: “Geschihte des osmanishchen Reiches nach Quellen dargestellt”, vëll, I-II, Gotha 1908-1909; Fine, J. V. A: “The Early Medieval Balkans”, Michigan 1983; Mallcom, Noel: “Kosova një histori e shkurtër”, Prishtinë 2001, faqe 59-67;“Historia e Popullit Shqiptar”, I, Tiranë 2002, faqe 336.)
Sipas disa burimeve historike, Beteja e Dardanës filloi më 15 qershor të vitit 1389 dhe përfundoi po atë ditë, diku në orët e mbrëmjes me humbjen e forcave të lidhjes së krishterë ilirike.
(Vijon numrin e ardhshëm)
Marrë nga Nacional