Lufta psikologjike kundër identitetit shqiptar

0
437

Lis Bukuroca, bota sot, gazeta sot

Një përgjigje historianit turk Talha Ugurluel dhe…

Zoti Talha Ugurluel, ju bazoheni në imazhe dhe në infrastrukturë për të nxjerrë konkluzione që ju pëlqejnë. Kjo shihet edhe te konstatimi i Davutoglusë, që na shpalli mbetje osmane duke zhdukur vazhdimësinë ilire dhe autoktoninë tonë në Ballkan. Ai konkluzion ishte i mirëseardhur për Serbinë dhe Rusinë. Për pseudo- shkencëtarët. As Qeveria e Shqipërisë, as e Kosovës nuk kanë dërguar ndonjë notë proteste dhe zyrtarisht nuk ka protestuar asnjë politikan shqiptar tek ambasada turke. Edhe tek Davutgolu vërehet se ju nuk njihni natyrën dhe psikologjinë e shqiptarit. Emrat dhe mbiemrat nuk dëshmojnë përkatësinë turke apo krenarinë osmane, por janë vetëm pasojë e pushtimit shekullor. As religjioni jo. Miqësia me ne nuk ndërtohet duke u sjellë ndaj historisë shqiptare si Serbia. Islami jonë është islam me nuanca shqiptare dhe është europian.

Shqiptari mburret me historinë dhe traditën e vet. Religjionet i konsideron rezultate historike dhe jo zgjedhje. Ju nuk keni edhe aq shumë faj, sepse njihni vetëm politikanë shqiptarë dhe disa imam që ju pëlqejnë. Politikanët shqiptarë janë zvarranikët dhe shkuma e këtij kombi, që manipulojnë edhe juve, edhe popullin. Nëse dikush i qorton ata nesër, ose nëse dikush paguan më shumë, do thonë se nuk ju kanë njohur kurrë. Disa imam sot urrejnë kombin e vet. Politikanët tanë janë si edhe Edi Rama: në Tiranë ju këndojnë vargje xhihadiste, në Varshavë shpallin kushtrim kundër xhihadit, të cilin e keni sjellë ju tok me vëllezërit arab. Mund të kuptohet dëshira juaj për të pasur ndikim në Ballkan dhe nëpërmjet tij, përforcimi i pozitës në Europë dhe në skenën ndërkombëtare. Kjo mund të kuptohet sepse është në natyrën e hegjemonisë.

Ajo që nuk kuptohet, është krenaria shqiptare me zhvillimin ekonomik turk dhe vendin e saj të 15. Nuk mund të shpjegohet çfarë mesazhi dërgon popullit ithtari juaj, komunist i djeshëm, Rexhep Qosja, kur duke u bazuar në librin që ka lexuar, beson se Turqia do të bëhet ndër dhjetë vendet e para me zhvillim ekonomik. A është ai mendim sugjestionim i popullit se me Turqinë e pasur, nuk duhet më të punojmë? Për çfarë arsye ofrohet ai si argument mburrjeje? Natyrisht se turqit mund të mburren me ekonominë e vet, me punën e vet, por çfarë e bën Rexhep Qosjen të mburret me suksesin e huaj? Pse Rexhep Qosja nuk mburret me ekonomitë perëndimore, por me Turqinë? Pse kjo mburrje selektive dhe jo parimore? Çfarë kënaqësie na ofron neve zhvillimi ekonomik i Turqisë? Turqia nuk do të bëhet forcë rajonale siç beson Rexhep Qosja, por sot Turqia është forcë rajonale dhe derisa të jetë në NATO, do të jetë e sigurt edhe ajo. Në rast të daljes, në rast të krijimit të aleancave fetare çfarë i shtynë para Erdogani, atëherë copëtimi saj, me ndihmën ruse dhe krijimi i shtetit kurd, do të jetë e pashmangshme. (Tani për tani kanë nisur amerikanët ndërtimin e shtetit kurd në Irakun e veriut.)

E drejtë e tij, le të mburret edhe me Erdoganin, të cilin Orhan Pamuk e kritikon, edhe intelektualöt perëndimorë, por kurrë jo akademiku jonë. Ne jemi mik edhe me shtetet më të forta ekonomike, si SHBA, Gjermania, Franca, Anglia, Zvicra, por nuk mburremi as me ata. Ne mburremi vetëm me punën tonë dhe me sukseset tona. Ne mund t’i konsiderojmë miq të gjitha ato kombe që sot në Kosovë kanë ushtrinë e tyre dhe na mbrojnë nga ripushtimi serb. Nga shtetet e pasura perëndimore ka dekada që përfitojmë dhe jetojnë më shumë se 700.000 qytetarë të Kosovës, të cilët pastaj ushqejnë edhe një numër bukur të madh brenda. Ajo çfarë nuk duket logjike, është përpjekja për t’i imponuar popullit krenarinë për ekonominë turke. Jo për zhvillimin tonë, jo për punën tonë, por për të huajën!

Zoti Talha Ugurluel, ju dëshironi vëllazëri me ne. E dëshironi jo pse jemi vëllezër, por për shkak të religjionit. Neve si komb europian, nuk na konvenojnë vëllazëri fetare, sepse nëse bëhet vëllazëria krishtere në anën tjetër, çfarë nuk do të ngurronte një Trump i çoroditur si Erdogani, atëherë do të jemi të parët para zhdukjes tok me boshnjakët, që ju gjithashtu bazuar në fe, i konsideroni vëllezër, por investimet më të mëdha, keni bërë në Serbi.

Nëse jemi realist, atëherë kuptojmë se neve mund të na mbrojë SHBA, por kurrë në rast lufte Turqia. Çdo lëvizje ushtarake turke drejt Ballkanit, do të ndikonte në zbarkim rus në Ankara. Kjo është matematika më e logjikshme e aleancave që zgjat me shekuj, pikërisht për shkak të religjionit. Qosja nuk sheh këtë rrezik dhe mbështet aleancat fetare. Zoti Ugurluel, Qosja është një shkrimtar i madh në Kosovë, por edhe publicist dhe polemist i madh, politikisht mirëpo është dështak me emblemë në ballë. Ka qenë trim i madh në kohën e Serbisë, tani çdo deklaratë të Erdoganit, konsideron të mirëseardhur, në kundërshtim me qëndrimet dhe parimet intelektual, sepse nuk ka mësuar asgjë as nga Albert Camus, as nga Jean- Paul Sartre.

Si komb i vogël patëm dy njerëz të shquar: njëri me pranim nacional Rexhep Qosja dhe tjetri me vlerë universale, Kadare. I dyti ngre alarm dhe kërkon të ruhet dinjiteti dhe identiteti shqiptar, i pari banalizon rrezikun dhe për inat të Kadaresë, minimizon çdo pasojë që mund të çrregullojë raportet shqiptare me Perëndimin. Kosova e veriut dhe demarkacioni me Malin e Zi, është përgjigje pragmatike e Perëndimit për subaleancën tonë në baza fetare. Ajo që mund t’i falet Turqisë, nuk i falet kurrë Kosovës. Deklarata e Erdoganit, i cili akuzohet se ka blerë diplomën, Kosova është Turqi, Turqia Kosovë, dërgoi botës një imazh se ne jemi turq dhe u bënë debate të shumta nëpër internet për prejardhjen tonë. Kjo habiti shumë veta, por pse mendon ashtu Erdogani dhe firmos Qosja? Erdogani mendon ashtu sepse në webfaqen e qeverisë turke u thuhet turqëve se gati 20 për qind, nga 1.600.000 shqiptarë sa ka Kosova, flasin gjuhën turke. Ja provat: “Turkish community of Kosovo has a population of 18.738, according to the most recent census in April 2011, which form a %1,08 of the Kosovar society. On the other hand, the approximate number of Kosovars who speak Turkish language is estimated at around 300,000.“ http://www.mfa.gov.tr/relations-between-turkey-and-kosovo_.en.mfa

Në letrën e tij ku historiani turk kërkon ndjesë thotë: “Skënderbeu ishte një shqiptare si shumë të tjerë, të cilët në kohën e Muratit II i ishin bashkuar Perandorisë. Skënderbeu i doli kundra Perandorisë dhe ka luftuar 25 vjet kundër osmanlinjve. Europianët mbështetën fuqishëm Skënderbeun për t’i dalë kundër miqësisë turko-shqiptare”.

Me atë mendim, nuk keni kërkuar ndjesë, por na keni ofenduar akoma më shumë. Herën e parë përbuzët Skënderbeun duke e quajtur terrorist, pse luftonte për atdheun e vet. Me këtë letër, na shpallni të gjithëve idiotë. E para, Gjergj Kastrioti nuk i është bashkuar kurrë Perandorisë Osmane. Bashkimi nënkupton vullnetin e lirë. E dyta, Skënderbeu nuk doli kundër Perandorisë, por kundër pushtimit. Nuk çliroi Istanbollin, por Krujën. Perandoria mund të ekzistonte diku tjetër. E treta, osmanët nuk kishin ardhur për të krijuar miqësi, por me masakra dhe maskarallëqe si edhe të Serbisë, na pushtoi, na nënshtroi për të vjelë tatime dhe për të ndërtuar Turqinë.

Me atë gjykim, ju na konsideroni popull debil dhe ofendoni akoma më shumë se herën e parë. Ashtu si arsyetoni ju miqësinë, domethënë duke konsideruar pushtimin vizitë, tregoni arsyen pse jeni kthyer përsëri në Ballkan, sepse ju besoni se pushtimi bëhet për të mirën e të pushtuarit. Problemi që ju nuk kuptoni, është problemi me historinë tonë. Radikalizmi juaj nuk ju lejon ta kapërdini dhe shpjegoni si është e mundur që kombi shqiptar të ketë një hero të krishterë, edhe atë, një që ka zbythur osmanët 25 vite. Pse kur edhe Al Quaida rrëzoi përmendoret e Budës në Afganistan, por jo arnautët? Pse nuk rrëzoni Skënderbeun, kur edhe Kalifati rrënoi trashëgiminë romake apo të qafirëve? Pse të mos jetë sulltan Murati heroi jonë, por Skënderbeu? Ju këtë nuk kuptoni. Bindja juaj është se nipi duhet të vrasë gjyshin, ose djali babain, nëse kanë pasur religjion tjetër.

Humanisti i juaj dhe sulltani i ndritur Mehmet Fatihu, që ju konsideroni hero, bëri më shumë se njëmijë kilometra për të vrarë terroristin Skënderbe dhe për të lidhur i papenguar miqësinë me arnautët e mbetur. Sulltani humanist, që plot dashuri dhe respekt kishte armatosur ushtrinë e tij, humbi dy herë nga terroristi Skënderbe, në vitin 1466 dhe në vitin 1467. Vetëm 12 vite pas vdekjes së Gjergj Kastriotit, arriti të pushtojë miqësisht, të dhunojë vëllazërisht, të masakrojë plot dashuri Krujën dhe Shkodrën. Me atë vëllazëri të madhe, u shpall gjuha shqipe haram. Haram llaf!
Ne si miq të mirë që jemi, nuk kërkuam kryeterroristin e atij shekulli ta largoni nga historia.

Ne jemi popull europian dhe nuk zhdukim personalitet historike për shkak të besimit. Ne përkujtojmë me respekt personalitete ortodokse, myslimane dhe katolike, që kanë dhënë kontribut për vendin. Europa nuk ndan personalitet në baza fetare. Nuk e bëjmë as ne me mbretërit ilirë që ishin politeist, nuk e bën as Italia me perandorët romak, as Gjermania dhe asnjë komb në Europë. Europa ka përjetuar iluminizmin dhe për ekstremizma të tilla fetare, kanë humbur jetën miliona veta. Europa e sotshme është rezultat i ndarjes së religjionit nga shteti dhe nga humanizmi pranon miliona refugjatë arab.

Ju duke qenë i bindur se po i drejtoheni një populli analfabet, siç e kishin lënë në kohën e obskurantizmit osman, vazhdoni: “Skënderbeu mund të ketë qenë kundër osmanlinjve, por kjo gjë nuk dëmton miqësinë turko-shqiptare. Sepse për qindra vjet, heronjtë shqiptarë, si Sami Frashëri, Mehmet Akifi apo shumë të tjerë kanë qenë dhe liderë të turqve. Ne, nuk shqetësohemi nga liderët tanë, poetet tanë, artistet tanë shqiptarë, por krenohemi me ta”.

Në fillim pohuat se Skënderbeu kishte luftuar 25 vite Perandorinë Osmane, tani thoni Skënderbeu mund të ketë qenë kundër osmanlinjve. Ju historian dhe: “ mund të ketë qenë…“, në cilin bazar keni blerë atë diplomë, sa heroin që mbron vendin e vet, shpallni terrorist? A keni lexuar se Serbia quan Adem Jasharin terrorist? Nëse jo, atëherë mësojeni se çdo pushtues shpall çlirimtarin terrorist. Ishte shpallur i tillë edhe Mandela, edhe Arafati, apo jo historian?

Shqiptari europian nuk vlerëson kontributin njerëzor në bazë religjionit, por në bazë të vlerës humane dhe kontributit që ka dhënë ai njeri për kombin, për njeriun. Miqësia me shqiptarët nuk mund të ndërtohet duke stigmatizuar të kaluarën e tij. Shqiptarit nuk i pëlqen kur dikush i futet si mik në shtëpi dhe i kërkon të ndryshojë bindjet, qëndrimet dhe ta largojë nga kontinenti i vet apo ta polarizojë për të përfituar ai mundësi hegjemoniste. Shqiptarin mund ta bësh mik vetëm kur e pranon ashtu si është, përndryshe do të paguani shumë për të mbajtur disa veta si altoparlant, disa kërcënues si askerë, por asnjë rezultat nuk do të arrini, por kaosit çfarë i konvenon Serbisë.

Ju nuk mund të llogariteni si miq, derisa silleni si tutor dhe derisa shqiptarëve i ndaloni gjuhën në Turqi. Ju ndaloni kurdëve në shkolla publike edhe gjuhën amtare, por dëshironi vëllazëri me ne, edhe atë vetëm nëse bëhemi si ju. Ju nuk po kërkoni miqësi tek ne, ju po rikërkoni skllevërit e dikurshëm. Ata kanë vdekur. Si mund të konsiderohemi vëllezër, kur ju keni lejuar të kalojnë nëpër Turqi brigada terroriste, që luftojnë sot në Siri? Ju me vëllazërinë tuaj, po mendoni se jemi idiot! Ju mund t’i mbushni mendjen Nexhat Dacit, Rexhep Qosjes dhe politikanëve shqiptarë, por jo popullit. Ne jemi mësuar të ftojmë miq, jo tutorë që përpiqen të na përdorin për ta shantazhuar Europën. Miku nuk kërkon ta ndryshosh historinë apo kombin. Nuk e bëjnë as ata që na kthyen nga malet në shtëpi. Ju me sjelljen tuaj na përkujtoni vazhdimisht Serbinë, kurse Qosja, Sinan Hasanin.

Ju me kërkimfaljen tuaj dëshmuat injorancën që ne padrejtësisht e quajmë anadollake, sepse në Anadoll ka edhe njerëz të dijshëm, por na denigruat akoma më rëndë. Mos i vështroni shqiptarët si mbetje anadollake, sepse aty bëhet gabimi tragjik. Ne jemi qytetar europian dhe konsiderojmë veten europian. Religjioni nuk na bën popull lindor, siç nuk bën as gjermanët popull lindor krishterimi. Miqësi po, bashkëpunim, po, por jo nënshtrim edhe pse përkohësisht keni pasur sukses në blerjen e të gjithë politikanëve shqiptarë.

Ju dëshironi të mburreni me shqiptarët që kanë vepruar për Perandorinë, edhe Serbia mburret me Rrahman Morinën, por ne nuk mund të mburremi me vezirët shqiptarë, që sundonin duke qenë e ndaluar gjuha e tyre amtare me kanun. Merreni edhe Qosjen edhe Nexhat Dacin, Tërnavën, Krasniqin, Albinin, Thaçin, Isa Mustafën, Haradinajn, Limajn sepse këta ose heshtin për luftën psikologjike që keni ndezur, ose e përkrahin kokëvarur. Merreni Qosjen sepse deri dje ishte autoriteti moral, por që nuk ka pasur guxim me asnjë fjali të kundërshtojë baballëkun e Erdoganit.

Për terroristin Skënderbe janë shkruar në Europë romane, opera, drama dhe film. Ka përmendore dhe sheshe që mbajnë emrin e tij, si hero nacional i joni. Nëse shkruani zoti Ugurluel në Wikipedia hero nacional, do ta gjeni terroristin Skenderbe prnaë Garibaldit, Martin Luter Kingut, Madelës, Pietrit të Parë të Rusisë, Georg Washingtonit…edhe atë, në më shumë se dhjetë gjuhë, por në Europë.

PS.
Psikologët e Zyrës Federale për Migracion dhe Refugjat në një fletushkë me titull Besim apo radikalizim dhe nëntitullin: Ndihmë për pjesëtarë të familjes u drejtohet prindërve se si mund të kuptojnë a është radikalizuar fëmija. Aty numërohen faktet që tregojnë kalimin në ekstremizëm: e para, fëmijë i radikalizuar është ai i cili ka ndryshuar stilin e jetës, si për shembull ushqimin, oraret e fjetjes, kalimin e kohës së lirë dhe sulmon të kaluarën e vet si degjeneruese. E dyta: rrallon kontaktet me rrethin e mëparshëm apo nuk takohet më me ta, krijon miq të rinj dhe viziton faqe interneti me pikëpamje ekstremiste. E treta, nuk lejon kritikë ndaj religjionit të vet dhe botën vështron vetëm bardh e zi.” Se të gjithë që kanë bindje tjera e kanë gabim, janë të ligë dhe të pafe.” E katërta, përdor fjalë dhe formulime agresive, kur është në pyetje mbrojtja e religjionit. E pesta ëndërron të luftojë dhe të vdesë për qëllime islamike. Këtu teksti në origjinal i psikologëve gjerman: Bundesamt für Migartion und Flüchtlinge: https://www.bamf.de/SharedDocs/Anlagen/DE/Publikationen/Broschueren/glaube-oder-extremismus.pdf?__blob=publicationFile