Luigj Gurakuqi – pionieri i qytetërimit perëndimor

3
3725
Luigj Gurakuqi

E përgatiti Prof. Zymer Mehani

Atdhetari Luigj Gurakuqi (1879-1925) krahas veprimtarisë së tij patriotike dhe arsimore, ka vendin e vet në zhvillimin dhe pasurimin e letërsisë shqipe dhe, në veçanti, të letërsisë për fëmijë.

Luigji u shkollua në kolegjin arbëresh te Shen Mitër Koronës, ne Kalabri, pastaj ndoqi studimet në Universitetin e Napolit, në fakultetin e shkencave të natyrës, ku dhe u diplomua. Studioi edhe filozofi; qysh në fillesat poetike të tij shfaqi frymë romantike me elemente të thella realiste. Luigj Gurakuqi pati fatin se ra në duar të mësuesve tepër të zot, atdhetare e intelektuale të shquar si Anton Xanoni, Gasper Jakova – Mërturi dhe Jeronim De Rada, i cili nuk qe vetëm edukator i vërtetë për të, por dhe një figurë që e frymëzoi për tërë jetën.

Në rrugën e parë të poezisë Gurakuqi pati edhe një udhërrëfyes e mësues tjetër të shquar, vjershëtorin e mallit për atdhe, Filip Shirokën, i cili në fund të shekullit XIX ishte bërë i njohur me pseudonimin Geg Postriba. Ky komunikim i dy poetëve shkodranë: Luigj Gurakuqi dhe Filip Shiroka, më tepër ishte nje dialog poetik, ku shfaqet malli dhe dashuria per vendlindjen, nga mërgimet e gjata te tyre. Dallëndyshja e Gurakuqit ashtu si Dallëndyshja e Shirokes i çon poetët në vendlindje, Shkodër, tek varret e të parëve të tyre, tek kujtimet dhe malli për Shkodrën.

Tek personaliteti i Luigj Gurakuqit spikat kultura e gjerë dhe enciklopedike. Ishte njohës i thellë i trashëgimise kulturore të popullit të vet dhe i kulturës klasike romake e latine. Historia e vendit dhe ajo botërore ishin objekt i përhershëm i studimeve të tija. Njihte arkeologjinë e shkencat ekonomike e financiare, trashëgiminë arsimore kombëtare dhe europiane.

Gurakuqi ishte poliglot. Përveç shqipes, zotëronte në mënyrë të shkëlqyer latinishten, italishten, turqishten dhe frëngjishten.
Dinte greqisht e gjermanisht. Ka të ngjarë edhe anglishten. Fan Noli e cilësonte Luigj Gurakuqin pionier të qytetërimit perëndimor në Shqipëri, si një nga shqiptarët e flaktë që thithi me themele kulturën e Perëndimit dhe si njeriun që punoi më gjatë e më shumë se kushdo tjetër për të mbjellur farën e saj në Shqipëri.

Luigj Gurakuqi ka meritën se është ndër hartuesit kryesore të programit arsimor e kulturor të lëvizjes sonë kombëtare për liri e pavarësi. Në këtë kuadër ai ishte njohësi dhe propaganduesi më i mirë i traditave të popullit tonë, i traditave kulturore e patriotike, i traditës gojore e shkrimore dhe i psikologjisë së popullit tonë. Thelbin e qëndrimit të tij në këtë fushë e përbën ideja se nuk duhen mohuar të parët, paraardhësit, sepse përndryshe nuk do jemi shqiptar, s’kemi kujt t’i shkojmë mbrapa e prej kujt të frymëzohemi.

Duke propaganduar me zjarr traditat e popullit tonë ai kishte një synim të qartë: Shqiptarët të njohin vlerat e veta, të njohin e çmojnë vlerat e gjakut të tyre.
Gurakuqi është një ndër personalitetet kryesore që luftoi për njësimin e alfabetit. Edhe në këtë problem ai u udhëhoq nga parudha një komb, një gjuhë dhe një alfabet.
Gurakuqi ka qenë figurë qëndrore e Komisisë Letrare të Shkodrës.
Luigji, si përfaqësues i Shkodrës dhe i arbëreshëve, mori pjesë në vitin 1908 në Manastir ku u mbajt Kongresi për alfabetin e përbashkët. Madje u zgjodh nënkryetar e anëtar i komisionit që hartoi alfabetin.

Gurakuqi është tekstologu më i shquar shqiptar i fillimit të shekullit tonë. Ai i dha shkollës shqipe, si autor e bashkautor, 8 tekste mësimore me një vëllim prej 738 faqesh. Vepra e Gurakuqit për fëmijë është e madhe dhe e shumanshme. Ajo u botua kryesisht në librat e tij për shkollat: Knime t’ para për msonjtore filltare t’ Shqypnis ( botuar në Napoli më 1905), Abetar i vogël shqyp… ( Bukuresht, 1906), Abetar i gjuhës shqipe (Athinë, 1912) për klasën e parë, dhe tri vëllimet Këndimet e para (e dyta, e treta) për çunat (Athinë, 1912) për tri klasat vijuese, të botuara në dialektin e Elbasanit, për të cilin ishte Gurakuqi në përpjekjet për gjuhën e njësuar.

Poezia e Gurakuqit për fëmijë përfaqëson një prodhim të vogël.
Ajo u botua për herë të parë në vitin 1905 në Knime t’ para për msojtore filltare t’ Shqypnis.Vepra poetike për të vegjlit përbëhet nga 14 vjersha, prej të cilave katër janë përkthyer ose përshtatur nga gjuhë të huaja.

Në mjaft vargje e strofa shihet se poeti i këndon atdheut, shkollës dhe familjes, në shpirtin e vocërrakëve ndez fantazine dhe ëndrrat e tyre. I pajisur me një kulturë të thellë, pedagog e psikolog, Luigj Gurakuqi, në botën poetike për të vegjël, pasqyron nje koncept te veçantë artistik: për të, prindërit dhe mësuesit janë kopshtarët që e edukojnë dhe arsimojnë brezin e ri të Shqipërisë, i cili është pasqyra e tyre. Krahas kësaj, familja dhe shkolla, për Gurakuqin, zënë vendin qendror në pajisjen e të vegjëlve me dituritë, duke ndikuar drejtpërdrejt në qytetërimin e ardhshëm të Kombit shqiptar dhe atij evropian. Në mjaft nga motivet e poezisë për fëmijë të këtij poeti, jepet dashuria për nënën dhe vatrën familjare, mjedisin malësor të Veriut, portretet e fëmijëve, por edhe drama e jetës dhe e fatit të tyre në gjysmën e parë të shekullit XX.

Temat e këtyre nuk i kalojnë kufijtë e shkollës dhe janë të njëjta me ato të rilindasve të tjerë: natyra, mësimi, tema morale etj. Në mjaft vjersha të këtij poeti dhe sidomos në atë me titull Shqiptar,mbajeni këtë vllazni!, poeti ushqen tek fëmijët shpirtin liridashës të shqiptarëve, dashurinë për atdheun, shenjtërime këto që i bëjnë fëmijët të mendojnë për fatet e ardhme të kombit.

Për të nxitur dashurinë e fëmijëve ndaj atdheut, Gurakuqi ne vjershat e tij përmend Prizrenin, Shkodrën, Krujën, besën dhe mikpritjen shqiptare, malësorët që derdhen në luftërat për liri e mbi të gjitha vetë fëmijët që nxitojnë në udhët e shkollës ”për të shndritur mendjen”.

Poeti Filip Shiroka, duke çmuar vlerat e poezisë së Luigj Gurakuqit (në vjershën e vet Shqiptarëve lidh në besë) e cilëson atë Bilbyl të ri të kombit shqiptar. Në vjershërimin për të vegjël të Luigj Gurakuqit ka mjaft vargje që përcjellin ndër fëmijët vlerat etike dhe morale, duke shpotitur dhe qortuar veset dhe mendësitë që pengojnë zhvillimin e tyre në jetën e përditshme.

Një cikël më vete, në krijimtarinë poetike për të vegjël të Luigj Gurakuqit, përbëjnë vjershat (Prendvera, Vera, Vjeshta, Dimni, Stinët e motmotit etj), në të cilat përshkrimet sjellin një gëzim emocional tek fëmijët, me botën e madhe dhe të gjerë të vetë fëmijëve, ku atyre u duket sikur bëhen pjestarë të peizazhit shqiptar dhe ndërtojnë lodrat e tyre, thurin këngët dhe vallet e tyre, të cilat mbartin edhe elemente rituale e zakonore.

Krahas kësaj në këtë peizazh shqiptar shfaqen dhe detaje nga mjedisi shkodran dhe katundet malësore:

Dehet bora!…Ç’kan lulzue
Fushë e mal për bukuri!
Bleta mjaltën tue kërkue
Nëpër lule fluturon;
(Prendvera 79)
……………………
Pemët tek janë pjekur – qeshin mbi ne;
Me rreze dielli – gjithcka po xenë,
Por i ftofët uji – e freskon dhenë.
(Vera 80)
Vjeshta mrrijini, pemët jenë pjekë,
T’ mbledhim kokrrat tue këndue;
…………………………………..
Djersët e ballit ka me i gzue.
(Vjeshta 81)
Bora malet i ka mbulue
Gjethi i landës asht shkrumbue
Mjeri ai qi shpie nuk ka,
Se shumë t’ zeza ka me pa:
T’ vorfnit pra ti njitja dorën,
Sidomos kur t’shofish borën.
(Dimni 82)

Ndërsa në vjershën Stinët e motmotit ai pikturon vetëm pamje nga natyra në kohë të ndryshme. Si pedagog dhe mësues, i pajisur me një kulturë evropiane, por edhe si një rilindës, Luigj Gurakuqi me vjershat e tij për të
79 Luigj Gurakuqi, “Vjersha” , Bari 1940, f. 30
80 Po aty, f. 30
81 Po aty, f. 30
82 Po aty, f. 30

vegjëlit ushqen dashuri të thellë për ta, sidomos për shkollën dhe mësimin, pasi dëshira e tij e zjarrtë është formimi kombëtar i brezit të ri. Keto ide dhe mesazhe poeti i shpreh në Vlera e këndimit, Mesimi apo Mbarimi i vjetit të shkollës, në të cilat zbërthehen marrëdhëniet mësues-nxënës por edhe dashuria e fëmijëve për shkollën si vatër diturie.

Ashtu si rilindësit e tjerë: Naimi, Çajupi etj., edhe Luigj Gurakuqi shpreh botpërjetimin e tij; lumturia e Atdheut dhe begatia e tij krijohet nëpërmjet diturisë dhe qytetërimi të punës. Temën e Atdheut dhe dashurisë për të poeti i shtjellon në mjaft vargje, në të cilat jepen marrëdhëniet e shqiptarëve me Atdheun dhe flijimin e tyre për ta mbrojtur atë nga armiqtë.

Me këto motive atdhedashurie mbruhen edhe vjershat I tretuni dhe Luftetari tue dekë, të cilat kanë qenë përfshirë në tekstet shkollorë edhe në vitet 40 shekulli XX. Tek vjersha I tretuni fëmijët mësojnë se malli i mërgimtarit fluturon si zog nëpër qiej për të puthur ballin e Atdheut por edhe për të përqafuar gruan dhe fëmijët. Në këtë kuptim, poeti shpreh konceptin estetik dhe filozofik se, pa vatrën familjare, nuk ka Atdhe; lumturia e njeriut duhet të krijohet në vatrën e tij dhe jo nëpër mërgime.

I tretuni është një portret i gjallë i shqiptarëve në brazdat e vuajtjeve dhe mundimeve që fëmijëve u mbetet në mendje.
Po kështu, te vjersha Luftetari tue deke poeti ndjell emocione tek fëmijët për të shpalosur në sytë e tyre shpirtin liridashës të luftëtarëve të lirisë, përpjekjet e mëdha të atdhetarëve tanë për lirinë dhe pavarësinë e Atdheut.

Në tërësi, krijimtaria poetike për të vegjël e Luigj Gurakuqit është thurur prej tij duke njohur mirë botën psikologjike të fëmijëve. Ajo më së shumti ka vlera pedagogjike e didaktike pasi është hartuar si pjesë e teksteve mësimore për t’u mësuar gjuhën shqipe dhe për të rritur krenarinë kombëtare të fëmijëve.

Në përgjithësi vjershat e Gurakuqit janë të shkurtra, me gjuhë të pasur e të bukur, me varg të rrjedhshëm, megjithese nuk u kanë shpëtuar notave moralizuese të tonit urdhëror:

…Nadje herët çohu, o fëmi,
Me lanë shtratin mos prito;
Nisu n’shkollë bashkë me shoqni,
Udh’s me luejte mos u ndalo,
Shko me zell n’shkollë e me gzim
Aty gjen për shpirt ushqim.
(Mësimi 83)

Gjithsesi, kjo krijimtari poetike e Gurakuqit zë një vend të nderuar në letërsinë shqipe për fëmijë. 83 Luigj Gurakuqi, “Vjersha” , Bari, 1940, f. 34 Në prozë Gurakuqi na la kryesisht disa fabula të shkurtra për fëmijë. Edhe këto shquhen për thjeshtësinë, për bukurinë e stilit e të gjuhës. Përmendim: Mendoni për të tjerët, Luani, Gomari e dhelpra etj, ku Luigji përpiqet t’i bëjë fëmijët të zellshëm, të ndëgjueshem ndaj prindërve, të guximshem në jetë dhe të dashur me të afërmit e tyre.

Krijimtaria për fëmijë, në proze e në poezi, e këtij autori u mblodh pas Çlirimit nga shkrimtari Mark Gurakuqi në vëllimin Dëshirë (1960).

Vlen të përmendim se Gurakuqi ka merita të shquara në zhvillimin e gjuhës letrare shqipe, në përpunimin e gjuhës letrare dhe në njësimin e shqipes së shkruar, në stabilizimin e drejtshkrimit, në pasurimin e fjalorit, në çështjet e leksikologjisë, terminologjisë e të gramatologjisë.

Gurakuqi ka meritën se përcaktoi drejt e qartë, më shume se çdo paraardhës, konceptin mbi shkollën kombëtare shqiptare, përmbajtjen, karakterin dhe parimet e ndërtimit të saj. Ai kërkonte që gjithë fryma dhe përmbajtja e shkollës të ishte në funksion të qëllimeve dhe idealeve kombëtare.

Komentet janë mbyllur.