LUTFULLAH BABA NË ALTARIN E MISTIKËS

1
636
Sheh Hasan Selimi

Shejh Hasan Muzli SELIMI

Esé nga Sheh Hasan Muzli SELIMI

“… N’saher vakt e dha teslimin,
Për këtë popull bashkë kombëtar…
… Mos t’mërzitesh o nana jonë,
Ne do rrimë bashkë përditë,
Është e rëndë kjo rruga jonë…”

Sa kam mbaruar një shënim në fletët e mia të zakonshme. Kam vendosë të mos pushoj së shkruari. Ndoshta dikush thotë pse shkruan ky? Ne jemi në fund të rrugës, e ndoshta këto shënime nuk kanë për t’u lexuar kurrë. Prapë unë rezistoj me këmbënguljen time të një sufisti. Më vjen mirë që më kanë dhënë këtë këmbëngulje, qyshse kam mund të mbaj mend historinë time të rritjes. Nuk jam nga ata që dinë nga kam ardhur e të di se ku shkoj. Më mjafton të përshkruaj gjendjen time të formës dhe të mos formës në hapësirat e diellit tim. Ndoshta ky diell më ka mbajtur, jo vetëm tani, por ka që në vogli. E tash vendi ndodhet midis Zotit dhe dëshpërimit. Duhet të shikohet në konceptin psikologjik.

Një terren i minosur me një frymë propagande të shfrenuar për një luftë pa armik, por që dikund duhet të jetë. Në harmoni me çka flas më lart vërtetohet se gjithçka që ka qenë do të jetë, gjithçka që do të jetë është, gjithçka që do të jetë ka qenë. Kështu mbesim në ëndrrat e përbashkëta se një ditë do të dalin më e mirë se sa ishte sot. Pra ëndrrat dhe hallet na bashkojnë, kur këto janë të një rrugëtimi dhe bashkimi me këto ëndrra, ide, projekte, lutje, besim në lutjen dhe në madhështinë e lumturimit, pas lutjes na vjen në ndihmë individi. Këta individë përçojnë mirësi në tokë për njerëzit në nevojë. Si rrallë ndonjëherë flamurin e shpëtimtarit e kanë marrë ëngjujt, profetët, por edhe njerëz si Babë Lutftullah Haxhi Za Baba.

Dihet nga ne të gjithë se Haxhi Za Baba është një klerik me norma të pa limitueme. Ai erdhi në vendin e tij për të dhënë emër e jetë klerikut vendas. U përgatit për të shërbyer në shërbesat fetare në Shqipëri si i pari mistik shqiptar. Me vete mori tre djemtë e vet. Babë Danjollin, Babë Lutfullarin, dhe Babë Avdylvehabin. Në Prizren qëndroi vet me djalin e vogël Babë Avdylvehabin. Në Gjakovë vendosi Babë Danjollin dhe Babë Lutfullahun.
Vendi po kalonte situatën më të rëndë të koleres. Babë Lutfullari doli në rrugët e Gjakovës dhe po shikon që njerëzit po binin në tokë të vdekur.

Ai kthehet në Teqe dhe bisedon me nanën e tij. Nga dialogu me nanën dhe ajo nuk e kuptoi dhe e shtyrë nga rrezatimi njerëzor i mirësisë ndihmoi Lutfullarin, i cili eci drejt altarit të mirësisë, pra amshimit. Ai ra dëshmor në rrugën e sakrificës për të shpëtuar me shërbimin e tij më sublim njerëzisë që i besonin. Kështu ndodh, kur në besimin që ke në çështjen që e pranon dhe e merr me seriozitet e ata që ta japin me seriozitet gjithmonë në krah e brenda teje është Zoti, i qofshim falë. Në kësi rastesh ai të bëhet udhërrëfyes e në harmoni me shkallën e sakrificës të shpërblen.

Kam qenë vizitor gjithë atoherë në tyrben e madhe që ndodhet në Teqen e Madhe të Sadive në Gjakovë. Kam pa një kobur të mbuluar me copë të kuqe. Nuk kam pyet arsyen pse të gjithë koburët të mbuluar me copë jeshile e ky kobur që i përket Babë Lutfullahut me të kuqe. Por tani që po shkruaj pas një studimi dhe hulumtimi racional vërtetohet që ai është dëshmor i të vërtetës, i dritës së zemrës, i shpirtit të mirësisë.

Gjatë gjithë këtyre ditëve në veçim të detyruar mendja ime ka punuar tek studimi për mistikën. Prejardhjen e saj, normat e vërtetimit të suksesit, radha e nxjerrjes së vërtetës dhe e studimit saj, historikut dhe përvetësimit në aspektin e fshehtësisë. Kam patur gjithnjë mendim dhe dëshirë të jem një studiues i thjeshtë, pasi nuk kam patur në dispozicion tërë kohën e mjaftueshme, për ta bërë atë pjesën më prioritare të punës. Lindin mendime edhe mendorja vihet në lëvizjen e materies së trunit njerëzor, në tregimet historike të ngjarjeve dhe të idealistave të mëdhenj të quajtur liderë të fushës së mistikës.

Teqja e Madhe Autoqefale Ballkanike, Gjakove-Prizren

Këta liderë janë dhe mbetën frymëzim i prakikave e të ndodhive nga këto praktika. Realisht gjithmonë historia është rezultat i veprimtarisë praktike të popujve. E njëjta gjë vlen edhe për filozofinë. Mendimet plus praktikat kanë sjellë studime që kanë marrë emër në të gjitha format në filozofinë materialiste dhe idealiste të shoqërisë njërzore. Por nuk ka gjë më të vështirë se sa të shkruash histori.

Shpesh në hartimin e tezave studimore janë marrë edhe disa shembuj të njerëzve që kanë dhënë kontribut në aspektin e tyre jetësor. Jo vetëm për vetën e tyre, por për mbarë njerëzinë. Ata kanë qënë devocioni i mendimit idealist në prurjen e re pas një ngjarje. Ne e dimë edhe ju e dini që të gjitha festat si ato fetare e kombëtare, ato ndërkombëtare e fetare kanë një datë historike, kanë një veprim njerëzor në shërbim të një situate psikologjiko-ekonomio-politike e fetare.

Në fillesat e shoqërisë njërëzore njerëzit nuk bënin shumë vizita tek njëri-tjetri për arsyet që ne i njohim në histori. Por edhe pas e.r kemi patur ngjarje të kësaj natyre. E pse lind pyetja? Në shumë etapa të historisë dhe këto janë të shumta kemi patur luftëra me armë të llojeve të ndryshme sipas periudhave historike. Kemi patur edhe epidem, bile edhe pandemi të emërtuara në emra të ndryshëm. Kemi patur edhe hasmari mes njëri-tjetrit që kemi edhe tani në epokën e internetit e s’kemi as moralin, as të drejtën ta vizitojmë fqinjin, apo tjetër njeri. Për këto arsye e të tjera njerëzit kanë qëndruar të ndarë.

Biles edhe janë sulmuar nga fise e komunitete të tjera e janë pushtuar shumë lehtë për shkaqet e lartpërmendura e ne i kemi quajtur me të drejtë Profetë. Vazhdojmë t’u thërrasim Hazret, prijës, shdërrues të epokave, ndryshim të kthesave historike etj. Këta me politika studimore e rregulla zakonore kanë arritur të mbledhin njerëzit në tubime të ndryshme, për festa të ndryshme deri aty sa janë vendosur edhe datat fikse Pashkë e Bajram, Shëngjergj e Shënkoll.

Më del për detyrë të flas për tiparet e religjionit. Ka shumë mendime lidhur me religjionin. Religjioni është dukuri organizative dogmatike, që përçon lehtë idetë tek mendja njerëzore. Nuk e pranoj që me religjion çdo ditë e jetës të jetë e konsideruar burg. Parimi i religjionit është dallimi i pikëpamjeve në mënyrën e të jetuarit, në mënyrën e të vepruarit, pra të formës dhe veprimit praktik. Ndërsa lidhur me shpirtin, sakrificën, sekretin, praktikimit në misticizëm, bashkimi i shpirtit me objektin frymor fizik, ndarja biologjike me atë shpirtërore, dashamirësia e ndërsjelltë e shpirtërores dhe materialës në një objekt frymor, ndërlidhja mes shpirtit, trupit, nga nervorja dhe mendorja, kapërcimi i lumenjve të furnizimit me gjak të këtyre bashkë materialen me hyjnoren janë gati-gati të njëjta.

Në fillim të këtij materiali thashë se gjatë gjithë kësaj kohe kam menduar për mistakën dhe kam hedhur poshtë gjithë teoritë konspirative. Mundet të jem i gabuar. Ne shqiptarët në veçanti e gjithë shoqëria njerëzore në përgjithësi është konspirative. Është konspirativë, sepse është vetë natyra e njeriut materie e paeksploruar. Pa lëre më njerëzit që nuk kanë lidhje në mendime me njëri-tjetrin. Ata, njerëzit në tërësi, pra janë të lidhur direkt me Hyjn. Do të më bërtasin disa njerëz që nuk e kanë idenë se ç’është njeriu, Udhërrefyesi, Myrshydi, Shejh e të tjera si këta. Unë kam bindje se të tre këto funksione të mistikës e të jetës shoqërore janë në bashkëveprim dhe në sinkron me praktikat e Tezavufit, që ne i themi mistikë. Parimi i vet ndërlidhjes me ndërlidhjen përmes funksioneve të sufizmit është e përbashkët në vijën e drejtpërdrejtë paralele të përballta.

Shoqëria është konspirative, sepse ne në përgjithësi jemi rritur me lëgjenda, jemi rritur me mite. Ne ju besojmë atyre dhe gati gjithmonë sado i ditur të jetë njeriu i pranojmë për të vërteta. E për këtë konspiracioni tek ne është mit dhe bëhet lëgjendë. A janë legjenda përrallat e Lafontenmit. A është sot lëgjendë dhe mit interneti, fb. Po të gjitha këto janë fantazi e natyrës mendore të njeriut. Por në apektin mistik (Tezavufit), kurrë jo. Të gjitha këto janë tani më të njohura edhe nga prejardhja, ndërsa mistika ka akoma shumë, shumë për t’u eksploruar.

Pastaj psenë e kërkoni dikund tjetër thoni ju. Po unë në këtë kohë të ligë për nga gjendja shpirtërore, mediatike dhe krizës që po rritet në botë edhe këtu më doli në mendje gjatë këtyre ditëve baba Lutftullah. Baba Lutfullah djali i dytë i Haxhi Za Babës. Ka qëndruar në këmbë të babës tij shpirtëror e biologjik në Teqen e Madhe në Gjakovë. Duke zëvendësuar Babën Danjoll, të cilit i dilte detyrë të kalonte nga një krahinë në tjetrën për të ringritë e ngriti teqet Sadi. Ai jetonte me nanën, sepse ishte beqar akoma i pamartuar. Ka jetuar, siç flitet në shekullin e 15-të. Gjatë kohës që ai ka qenë me detyrë postëmbajtës në Teqen e Madhe të Sadive në Gjakovë, ka patur shumë praktika sufiste, që ka treguar të vërtetën e Zotit në ekzistencën e materieve. Flitet për shumë gjëra.

Gojëdhëna ka ardhë deri në ditët tona. Qysh i vogël e kam dëgjuar si tregim rreth zjarrit në dimër edhe nga miq që vinin me bujtë në ditët e gëzuara e të rastësores, që ky njeri e në fakt njeri, krejt tokësor, i lindur nga nana njeri, që është ushqye me bukë, e ka shuar etjen me ujë, ka bërë veprime që ndoshta lexuesi do t’i quajnë krijesë të fantazisë së lëgjendës, apo mit i krijuem për interesa të kohës. Por unë mendoj se një njeri me shpirt nuk është si çdo njeri tjetër. Ai mbizotëron kohën dhe hapësirën në mos formë. Ai sundon me sakrificën. Ai sundon me sekretin. Ai sundon me mallin për jetën. Ai sundon dhe mbi gjithçka vendos besimin, bindjen si shkalla më e lartë e bukurisë, si shenjë lavdie e përulje. Vendos mbi gjithçka të ardhmën e njerëzisë. Ai e quan veten borxh të popullit që me koshiencë i beson.

Ne kapërdisemi me mendjen e një studiuesi, të një poeti, të një prozatori, të një piktori, të një vepre arti skenike, mburremi me interpretimin aktorial, mburremi me bariun e mirë, mburremi me punën në arë, në fabrikë e kudo ku ka punë të mirë e që ka sjellë të mira për shoqërinë. Vjen fjala: A janë këto të gjitha një aventurë e mendjes? Po dhe s’ka asnjë dyshim. Vetëm me mendje kapen dhe realizohen të gjitha këto. Pyes. A është mendja bukuria që na ka dhënë Hyjt dhe e ka zgjuar nëpërmes shpirtit që të gjithë shpirtërat janë të shenjtë?

Unë mendoj se bukuria është një gjurmë e çmuar, të cilën përjetësia e shkakton për t’u shfaqur tek ne dhe pastaj na e merr atë prapë. Ajo është një manifestim i përjetësisë dhe gjithashtu i vdekjes. A është vdekja madhështia e ndryshimit? A sjellë ajo në shumë raste ndryshim dhe bukurinë e pasardhësve? E nëse ju e pranoni e që unë e kam pranuar se vdekja këtu sjellë dhimbje mërzi, lot, por sjellë gëzim në një botë tjetër e bota është materia njeri. Ky njeri me aventurën e mendjes përpunon gjithçka në të mirë të njerëzisë. Mendja e njeriut që ne i themi materie, çliron fuqi e kjo fuqi ka çaste të padukëshme, që deri me veprimet praktike duken krejt abstraskt.

Baba Lutfullah në harmoni me çka kishte mësuar dhe praktikat e reales me jo realen e kanë përgatitë të jetë misionari i të vërtetës absolute në epidemin e viteve të shekullit 15-të ku dha një shembull që asnjë mistik nuk e përmbushi në formën e tij. Ja siç thotë gojëdhana. Në mëngjes herët sapo kishte lindur dielli dhe pasi kishte punuar tërë natën në sherbimet e veta si shërbëtor i idesë dhe koshiencës së tij. Ai arriti në përfundimin që duhet të kalojë në jetën tjetër për të shpëtuar gjithë Rrafshin e Dukagjinit e më gjërë nga epidemia e frikëshme. Thuhet se gjithë fshatrat kishin mbetur bosh. Vdekja duke fshirë nga harta demografike familje të tëra.

Në këtë çast sublim, i thërret nënës së tij dhe e pyet në formën e fshehtësisë. Këtë e bëri, pasi nana është nanë dhe nuk duron që djali, apo fëmija i saj të largohet kurrë për jetën tjetër. Është dhimbje, është vlim i shpirtit që s’ndalon kurrë së qari. Nanë, a është më mirë një, apo njëqind. Kështu e pyeti nanën Lutfullahu. Këtë pyetje e përsëriti tre herë. Edhe nana pa ditur gjë për mistikën e të birit – tani heroi i kohës, apo që po don të bëhet hero – të tri herat i kthen përgjigje, ma mirë një se sa njëqind. Mirë pra nënë, u pafshim në atë dynja.

Kështu Babë Lutfullahu kaloj në botën e eksperiencave të radhës. Në këtë çast e në vazhdim edhe epidemia mbaroi së vepruari. Jeta tani erdhi në normalitetin e zakonshëm. Nana u mërzit dhe nuk pushoi duke e mallkuar veten për përgjigjen e pamatur që i dha djalit. Në ato ditë i paraqitet i biri Lutfullahu dhe i thotë. Mos u mërzit nanë. Unë do vij çdo natë të rri me ty. Do vij, por me një kusht. Të mos i thuash kujt që unë vij. Kështu ndodhi. Kaluan disa kohë. Shoqet i flasin nënës si bane ashtu me djalë. Ajo qeshi dhe iu thotë se unë çdo natë rri me djalin tim. Ai ka vdekur për ju, por për mua jo. Me këtë zbulim babë Lutfullahu nuk u duk asnjëherë tjetër para nënës tij. Tani unë mendoj që të gjitha tregimet e legjendave dhe të miteve kanë një bazë, jo vetëm llogjike, por edhe praktike dhe mendoj që çdo kush mund t’i parashikojnë gjërat vetëm, kur ato kanë ndodhur. Këto me veprime dhe mjete për qëllimin.

Shumë ide dhe mendimtarë të këtyre ideve besojnë në mençurinë. Besojnë në energjinë e mendjes. Besojnë në aventurën e saj. Me mençuri e vendosmëri të jashtëzakonshme bëhen burim i rezistencës për ruajtjen e vlerave. Të vlerave të fituara me sakrificë e mençuri. Është shumë e vështirë për shumicën e njerëzve që t’i dorzojnë mitet, idetë e progresit filozofik-shkencor. Këto të fituara gjatë rritjes si në formën fizike ashtu edhe intelektuale. E kjo do të thotë në aspektin mistik. Të gjitha këto gjenden në ngadalësinë e rritjes, kur gabimet vërehen. Në proçesin e edukimit duke riparuar gabimet ecet shumë avash.

A pranohen gabimet tek ne? Jo. Mbasi këto ide dhe mite të marrin formën e tyre të proçesionit për t’u përvetësuar nga shkolla e re në këtë çast ato janë në dispozicion të masave dhe kurrë më nuk janë vetëm të një individi. Duke realizuar me një mirënjohje të vërtetën e Babë Lutfullahut dalim në një konkluzion të vërtetuar se në jetën njerzore janë dy mistere. E para është lindja dhe e dyta është vdekja. Lindja si filllim dhe vdekja si fund.

Të dyja këto, sipas konceptit e mundësisë që na japin ne në këtë fushë të fshehtësisë. Ka shumë mendje dhe studime me mendje të hapur, që pyesin se çka është jeta? Jeta është një zinxher molekular AND-je, ku shfaqet një mikro-fizikë shumë e ndërlikuar. Vdekja është një moment i trishtë, që në shumicën e rasteve përjetohet shumë dobët. Kjo vjen nga njerëzit që shpirtin e dinë pronë të veten. Pra me vdekje ne kuptojmë se të ndalon fryma, të ndalon zemra dhe kaq. Jo vdekja është rilindje, është mishërim në bio-fizikën e materializuar të bio-hapësirës në një objekt fizik të ndryshëm. Nga e gjithë kjo vërehet se shpjegimi na ndan ne nga hutimi, i cili është i vetmi shteg drejt së pakuptueshmes.

Që të zbërthejmë të pakuptueshmen duhet të dimë se ku qëndron ajo në aspektin filozofik. E pakuptueshmja është mistikë dhe duhet të pyesim. Pse? Si? Kur? Të ndalemi me psenë. Pseja hyn në kategorinë e përgjigjeve të detyruara. E nëse i përgjigjemi duhet të dimë t’i përgjigjemi, si t’i përgjigjemi, kur t’i përgjigjemi. Përgjigjen për këtë e ka dhënë shkenca e filozofisë. Dhe e ka futur në kategorinë e mistikës. Nëse misticizmin e kanë kanalizuar shkollat e ndryshme si kategori kryesore dhe para së gjithash, një pikëpamje irracionale, filozofike, teologjike, fetare, një substancë, fuqi mbinatyrore si baza më e thellë e botës.

Mistika është krejtësisht e para së gjithash, një bindje mbi mundësitë dhe rregullat e saj të çojnë nga bashkimi mistik i njeriut me Zotin si qënie absolute. Kjo sjellë parimin e madh të bindjes me koshiencë të mbylljes së gojës, syve, hundës. Këtu qëndron fakti se si e mban dhe e ruan njeriu sekretin në rrugën e sufizmit. Me këto veprime ai kultivon edhe sakrificën që është mjeti bazë i qëllimit në këtë rrugë. Në kalimin e kohës me këto dy elemente dhe zbatimin korrekt të rregullit, siç është hyzmeti e namazi vjen edhe telepatia si njoftim i absulutit.

Nëse përpiqemi të japim sot përkufizime për mistikën do të gabojmë, sepse nesër do të dalin një përkufizim i ri, një ndryshim i domosdoshëm, një përcaktim kategorik, që i shërben kohës. E kjo ka ardhur si rezultat i përvojës së madhe të sufive në këtë fushë. Mistika është përvoja bazë e thellë dhe e thellimit të shpirtit të njeriut, si qëllim të bashkimit tij me Zotin. Bashkimit të tij me Zotin vetëm fizikisht, sepse shpirtërisht është i bashkuar. E them këtë, sepse shpirti është në përbërjen e mirënjohjes, që lidhet me arsyetimin mendor të nëndijes, që paraqet si pjesë shpirtrat të Hyjt. E shpirti i një objekti material është domosdo pjesë e molekulave të substancës së energjisë bio-fizike. Lidhur me këtë mistika është subjektivizëm i skajshëm, nëse njeriu ka synime të mos heqjes dorë nga të qenit njeri si në atë fizike e trupore edhe në ato të tundimit psikologjiko-material.

Përvojat super realiste të mistikës sufiste kanë kapërcyer vetvetën e të qënit njeri. Ata si Haxhi Za Baba janë bërë njësh me Zotin dhe prej tij i kanë marrë ato që i nevojiten njerëzisë. Kanë marrë një njoftim që i përgjigjet kohës tashme, apo të së ardhmës. Ai bani me dije se Lutftulla Baba ka shkuar tek Zoti si Hazreti Isaj (Krishti). Këtë njoftim e mori gjatë Namaz-Hyzmetit në ditët më të vështira të kohës për popullin e Dardanisë e Rrafshin e Dukagjinit në veçanti dhe të Rumelisë së kohës në përgjithësi. Sheh Sulejman Bushatllia kapërceu veten, duke e quajtur veprimin e të birit një veprim hyjnor dhe vetë si klerik me përmasa globale vijoi rrugën në hapësirat e epidemisë, për t’i bërë nderet dëshmorit, që u flijue me koshiencëen e tij të pashpjeguar prej atëherë e sot nga ana mistike. Shpjegim i cili ka të ngjarë që nuk ka një studim shkencor, përveç dëshirave të besimtarve në tërësi.

Në këso ngjarjesh një njeri që ka shpirt të një objekti bio-fizik, tërë jashtësinë e tij mendore, intelektuale, atë materiale e ndijore, shpirtërore e fizike e identifikon me një qënie të mbinatyrëshme. Kështu e vërteta njeriun e nda nga frika, nga besimet e rremë, duke nxitur vrullin e brendshëm, me të cilën i zgjedh dhe i zgjidh të tëra dallimet mbi hapin dhe të fshehtat. Në këtë çast vendos paqen në zemër, duke ia kaluar shpirtin në dorë absolutit. Kjo ishte dallimi i dy klerikëve me shumë të tjerë, Baba Haxhi Za Babës dhe Babës Lutfullah. Të dy këta klerikë, babë e bir si biologjikë, edhe shpirtërorë, morën përsipër të përballojnë sakrificën. Të përballojnë sakrificën e ardhur nga sekreti, që ne po i themi mistikë, ose tezavuf. Njëri të durojnë dhimbjen e ngjarjes dhe tjeri të mposhtë veten për njerzinë.

Ëndrrat dhe hallet na bashkojnë. Kjo është deviza e projektuesve të shkollës së madhe të filozofisë idealiste, ose asaj mistiko-shpirtërore. Ne e dimë që shpirti nuk preket, ai nuk shihet, ai është krejt abstrakt. Por ne e dimë që nëse nuk ka shpirt një objekt bio-fizik nuk qëndron. Meqënëse shpirti qënka i fshehtë edhe veprimet e njeriut duhen të jenë të fshehta në lidhje me bindjen dhe besimin. Ai duhet të përcaktohet se çka është fshehtësia e çka nuk është për tu fshehur. Gjatë kohës që Haxhi Za Baba dha njoftimin dervishëve, myhybëve të vet, se në Gjakovë Lutfullahu ka shkuar tek haku ishte një njoftim tash i publikuar dhe nuk ishte më fshehtësi. Por të afërmëve të tij shpirtërorë, Ai iu tregoi edhe pse ka shkuar tek haku Lutfullahu. Për këtë ndërtoi edhe elegji, ose këngë, ose ilahi. Baba Lutfullah kërkon hakun, Se Sadi neve na thonë. Për këtë popull jetën dha. Këtu mistiku i kohës paraqiti sekretin e ngjarjes ndodhur nga dialogu i Lutfullahut me Nanën e tij.

Ma mirë një o nanë a’njëqind? – i thotë dëshmori nanës vet. Një ma mirë, o djali jem, Se juve Sadi ju thonë. Këtu kemi të bajmë me një varg që është kënduar gjatë rrugës nga Prizreni në Gjakovë. Rrugë që po bëhej për të nderuar dëshmorin e ngjarjes së madhe, i cili dha jetën e tij për të ndërprerë Zoti i tij epideminë e madhe të kohës. Me këtë Lutfullah Baba u ba kurbani i çështjes së shpëtimit. Zoti i pranoi kërkesën duke ndërprerë epideminë dhe dhanë jetë heroizmit tij për Atme. Ishte shkaku që ai u ba njësh me Zotin dhe në mistikën e tij me babën e vet, njëri në Gjakovë e tjetri në Prizren, i hedhin bejte njëri- tjetrit, duke mos pasur në atë kohë internetin e sotëm. Nuk është pa as s’është dëgjue, Babë e bir komunikojnë, Baba një bejte n’Prizren ia thotë, kurse djali në Gjakovë. Ja kjo është fuqia mendore e përbashkuar me shpirtëroren në harmoni me shkrirjen në fshehtësi me absolutin.

Asnjë shoqëri nuk ka qenë e zonja të çrrënjosë pikëllimin njerëzor, fetare e cila është rrugëtare, qyshse ka lind njeriu. Asnjë material shkollor i kategorive dhe rrymave filozofike që i kanë dhënë jetë e hijeshi njeriut, asnjë system, apo krijesë jashtë vullnetit të njeriut nuk mund të na çlirojë ne nga frika e të jetuarit si fillesë, nga frika jonë e vdekjes si përfundim, nga etja jonë për absoluten. Është gjendja njerëzore ajo që i përcakton kushtet sociale, puna, vetmohimi, besimi në veten dhe në Hyjn, përulja ndaj tij si shenjë çlirimi e lavdie. E kundërta ka dështue, ka dalë në rrugë dhe po shkelmohet.

Mendoj që në hapësirën mbarë-shqiptare nuk mund të jetonin katër klerikë të përmasave globale. Katër klerikë të një dege, siç ishte ajo e Bushatllive. Haxhi Za Baba (Sulejman Bushatllia), Danjoll Baba, Lutfullah Baba dhe Avdylvehab Baba. Tre të fundit djem biologjikë e shpirtërorë të Hazhi Za Babës. Bota ka nevojë për njerëz të tillë, por si e përcakton e fshehta…

Bashkalidhur me këtë material po japim edhe Ilahin, që është thurur nga Haxhi Za Baba.

ILAHI PËR BABËN LUTFULLAH

I
Baba Lutfi kërkon hakun,
Se sadi neve na thonë.
Për këtë popull jetën e dha,
Se sadi neve na thonë

II
Nuk është parë, as s’është dëgjue,
Babë e bir komunikojnë,
Baba një bejte n’Prizren ia thotë,
Kurse djali në Gjakovë.

III
Haxhi Za Baba nuri i hakut,
Baba Lutfi bëhet kurban
K’to janë vepra t’ehlibejtit
Se neve sadi na thonë.

IV
Kush s’na sheh mos e paftë dritën
Nuk do të shoh ai nur për jetë
E kush na kërkon qoftë me ne
Se neve sadi na thonë

V
Ma mirë një o nanë a ‘njëqind?
I thotë shehidi nanës vet
Një ma mirë, o djali jem
Se juve sadi ju thonë.

VI
Mos t’mërzitesh o nana jonë
Ne do rrimë bashkë përditë
Është e rëndë kjo rruga jonë
Se sadi neve na thonë

VII
N’saher vakt e dha teslimin
Për këtë popull bashkë kombëtar
Mori rrugën e t’ahjretit
Tuj na lënë neve krenar
Se sadi neve na thonë

VIII
Gjersa të ketë diell mbi këtë botë
Ky vend burrash u trashëgoftë
Janë të sojt Evlias
Janë të barkut Haxhizas
Se sadi neve na thonë

Neve na thonë HYJ
Haxhizaja ziqrit ia nis
Lutfi haku pranë Perendisë
Kjo është dera e Harabatis
Teqja e madhe e Rumelisë.

8 Muharrem 1427
(7 shkurt 2006. Marrë me sms nga Shejh Musa Shejh dhe Shejh Beqiri).

1 KOMENT

  1. Një shkrim që ia vlen ta lexosh, me devizën OPOZITARË po VËLLEZËR:
    Guri Naimit D.

Komentet janë mbyllur.