M Ë K A T I

0
782

M Ë K A T I
nga libri i ri me tregime
«Ajtanga»

Faslli Haliti

Kadri Sina, agronomi i Kooperativës « Jeta e Re », me ta parë bashkëfshatarin e vet Kamber Haxhiu, në vend që ta përshëndeste e pyeti:
-Më mirë bojaxhi këtu në qytet, apo më mirë bujk në Çairet e Zeza, Kamber Haxhiu?
-O ho…, ia bëri bojaxhiu, – po si je,- o Kadri Sina e pyeti Neli agronomin e Kooperativës « Jeta e Re »
-Mirë, i thotë agronomi, – po ti…?
-Siç më sheh, i përgjigjet bojaxhiu.
-Po ç´kemi këtej nga qyteti ?, e pyet agronomi.
-O, o…, i thotë bojaxhiu, lere, lere mos pyet, ka plasur burokracia këtej.
-Ishin ditët e fundit të shkurtit të vitit 1966. Frynin erëra të ngatërruara si flokë kecke…
-Ka plasur burokracia, the….?
-Po. Po i lenë zyrat… po ikin zyrtarët dhe zyrtarkat… S‘ka. Të gjithë në prodhim, të gjithë në fshat. Kështu thuhet, kështu po thonë, kështu po të them edhe unë ty, siç dëgjoj të thonë ata lart…
Bojaxhiu qeshi me gëzim, i kënaqur…
-O lele, o lele,- tha bojaxhiu Kamber Haxhiu, duke tundur kokën sa djathtas e majtas sikur donte të shkundte diçka të dhimbshme nga koka e tij…
Ishin ditët e fundit të shkurtit dhe burokracia po derdhej fshatrave, atje në prodhim…, atje ku punohej toka…
”Nëse ato zonjushkat që më mbajnë çizme këtu në mes të bulevardit, le të shkojnë t’i mbajnë atje në ugare, ku prodhohet buka, – flitej, sikur kishte thënë i nervozuar kryeministri…Mehmet Shehu.
– Mirë zonjushkat me çizme, por dhe punëtorët e fabrikës së tullave, burokratë qenkan që po i çojnë në fshat ?, – pyet jo pa ironi agronomi.
– Nuk janë burokratë, po kanë ardhur nga fshati me miqësi, ama. Siç erdhën, ashtu edhe do të ikin, – tha bojaxhiu.
-Po dhe ti bujk ke qenë, nga fshati ke ardhur- i thotë agronom bojaxhiut, Kamber Haxhiut.
-Bujk, bujk, kam qenë, por kam kohë që kam ardhur në qytet. Kështu që ndaje mirë shapin nga sheqeri, shoku agronom – i thotë Kamber Haxhiu pak i prekur dhe shtoi me pompozitet:
-E di si po derdhen njerëzit në fshatra? Si partizanët nëpër male në kohën e luftës. Nuk ia bëjnë fjalën dysh atij Babaxhanit atje lart.
-Gjë e mirë, thotë agronomi, po ti, nuk do zbresësh andej nga ne?
-Jo. Unë jo. Mua… nuk më kap burokracia, punëtor jam unë, zanatçi, në Kooperativën e Artizanatit.
– Po dhe punëtorët e Fabrikës së Tullave, punëtorë janë, por ja që po i kap burokracia dhe po kthen në fshat.
Punëtorë janë, por nuk janë zanatçinj si unë, dhe s’po kthehen, por po kthejnë, thotë Kamberi agronomit dhe shkundi furçën…
-Çfarë zanatçiu je ti, o Kamber i thotë agronomi me shaka, – eja, eja, zbrit andej nga ne!
Kjo erë…
Era që kishte nisur të frynte, po i shkund të gjitha «gjethet» e verdha.por bashkë me to, siç thotë ajo fjala popullore, bashkë me të thatin digjet dhe i njomi. Ishte një erë e ngatërruar si flokë kuçedre…
Ndërsa agronomi buzëqeshte, bojaxhiu, po çuditej me të qeshurën e tij, u ul në. bisht mbi trotuar, shtyu me gju kovën me bojë të gjelbër; furçën e re shpatuke me bishtin kuqezi e mbajti në dorë. Dorën e mbështeti mbi gju dhe…
-Ah unë…, – tha bojaxhiu dhe, ia nguli agronomit sytë e tij të veshur, të mjegulluar nga hutesa, drejt e në sy.
-Ti, Kamber Haxhiu, na qenke bërë bojaxhi…, si kështu?!, u shpreh si me habi e mosbesim, agronomi.
-Po, i tha, bojaxhiu, kurse ti agronom. – Çfarë t’i bësh. Ç‘do gjë me fat. Eh fati, fati!, tha bojaxhiu…, nuk hahesh dot me fatin…
-Jo fati, Kamber Haxhiu, po puna, përpjekjet, studimi, i thotë agronomi si i prekur…
-Po, po. Puna, përpjekja, studimi…, falëndero kohën e…, ti, Kadri Sina. Kohën e….. Unë kam zhgarravitur brazda me plorin e parmendës që kur isha kalama. Kurse ti… Mos u mburrni kot me zotësinë apo zgjuarsinë ju fatlumët… Falëndero kohën e. I ngrini një xhami kohës së Re se… Kush u fut në shkollë dhe nuk mësoi, dhe s’e mori diplomën?!
-Ky, po më prek, – tha me vete agronomi, megjithatë, ka të drejtë. Edhe pse nuk ishte shumë i vjetër kur ndiqej shkolla, prapë ai s’e pati fatin tim që të shkonte në shkollë, por mori ugareve…
-Ke të drejtë vëlla, i tha agronomi, s’ke ç’i bën, koha, fatia, Partia, siç thua me të drejtë ti Kamber.
-Jo se e them unë, po kështu është e vërteta, shoku agronom…

* * *

Agronomi Kadri Sina, e kishte bashkëfshatar bojaxhiun, Kamber Haxhiu. E njihte mirë. Kamber Haxhiu kishte qenë bujk i rëndë, bujk me nam. Vetëm ishte ca patriarkal, ca kokëfortë..
Kur u krijua kooperativa, Kamber Sina nuk pranoi të futej në kooperativë. «Punën me një vend nuk e ka pëlqyer as shejtani», thoshte. Çudi. i dukej gogol kooperativa. E përse! Ndoshta pse qe bujk i rëndë, i rrallë, i vërtetë dhe nuk punonte dot me ca këmbështrembër që pengoheshin nëpër plisat e ugarit… Dy vite pas krijimit të kooperativës, Kamber Haxhiu punoi si bujk individual në ca toka të këqija të quajtura Kripore, atje ku ia caktoi qëllimisht qeveria. Tokat quheshin kështu nga që ishin të kripura e të mbushura me një lloj bime që quhej njelmës. Kooperativistët e morën zët bujkun individ, Kamber Haxhiu sepse kur ndonjë anëtar i kooperativës shfaqte frymë individualiste, të gjithë e shanin: Na u bëre si Kamber Haxhiu që kërkon të bjerë shi vetëm në arën e tij! » Kur një mbrëmje vjeshte, Kamber Haxhiu pa misrat e kooperativës që nxinin dhe shtriheshin si ujanë, pa dhe misrin e vet që zverdhonte dhe degët e misrit dukeshin si një mori të veremosurish, i erdhi turp, edhe pse e kuptonte fare mirë që misrat rreth arës së tij, kooperativa i kishte ushqyer me shumë pleh qëllimisht që ata të dallonin nga misri i bujkut individ Kamber Haxhiu…
Që atë mbrëmje korriku me erë të verdhë pjeprash dhe bari të korrur, ai vendosi ta linte bujqësinë dhe e la… Ishte njeri me sedër dhe ambicioz në punë. Nuk duronte të ishte më poshtë se të tjerët. Ja tani ai bujku i mrekullueshëm i Çaireve të Zeza po lyen qepenat e dyqanit të « Ondulacionit » që ndodhet afër urës së përroit. Agronomi i thotë, jo pa ironi dhe keqardhje:
-Bujku i rëndë, bujku i rrallë dikur, Kamber Haxhiu dhe tani bojaxhi… !
-Po, i thotë Kamber Haxhiu, – bujku…, bojaxhi! Qeshin të dy. Neli e kupton edhe ironinë edhe keqardhjen e bashkëfshatarit agronom. Pranë një pallatit në ndërtim e sipër, shkarkohen makina riportabël me zhavor. Zhurmë e madhe.
-Fol pak me zë më të lartë, i thotë Kamber Haxhiu, agronomit.
-Eh Kamber Haxhiu, i thotë agronomi, – si e çaje atë të shkretë brazde, dylbi!
-A ha…, iku ajo kohë, – thotë Kamberi.
-Jo. Nuk ka ikur, i thotë agronomi, nuk ka ikur…
-Po, po ka ikur, thotë i vendosur bojaxhiu.
-I harrove Çairet e Zeza, domethënë…!
-Jo jo, s´i kam harruar, as Çairet e Zeza, as Çairet e Buta, i kujtoj dhe shpesh më mbushen sytë me lot. Më merr malli. Kam vuajtur në ato toka, megjithëse ishin toka të bekuara. Ç‘e do. Atëherë nuk kishte kanale, plehra kimikë, traktorë…Tokave të shkreta u thahej buza, për një pikë ujë. Mbinte misri, rritej një pëllëmbë, dyllë i verdhë si krimb mëndafshi, çonte një kaçot sa gishti i vogël i dorës dhe thahej.
-Eh, sikur t’i shohësh tani Çairet e Zeza, i thotë agronomi Kamber Haxhiut.
– Janë vërtetë toka të bekuara. I kemi mbjellë misër. I ushqejmë me «kripë» e «sheqer». Ato ndizen për ujë. Ne u fusim kanalin. Dhe ato shuajnë etjen. Pastaj misri nuk mbahet. Çfarë misri, Kamber Haxhiu…! Ta shohësh si harliset! Duket sikur në këto toka nuk kemi mbjell misër, por lisa, plepa…, thotë agronomi. Nxin misri në Çairet e Zeza, sterrë i zi është bërë. Nxijnë Çairet e Zeza nga drithërat, si të them, si Çaire të Zeza që u thonë… Ca nga tokat e Ledheve i kemi mbjell fasule! Çfarë fasulesh! E dredh lastarin fasulja, ja si buklat e këtyre vajzave që hyjnë e dalin nga dyqani i ondulacionit që ti po i lyen qepenat me bojë jeshile.
Kamber Haxhiu pa vajzën që doli nga floktorja me flokët e dredhura dhe vërtetë flokët dukeshin si lastarë të përdredhur fasuleje.
-Eh dhe këto vajzat!, ia bëri Kamber Haxhiu, ngjiten pas modës siç ngjiten fasulet pas degës së misrit.
-Eh…, ia bëri Kamber Haxhiu dhe iu kujtuan arat, misrat, grunjat. Iu kujtua ajo mbrëmja e korrikut kur la bujqësinë, kujtoi ditën kur u krijua kooperativa… Kujtoi mbrëmjet e majit, perëndimet e kuqe me ato retë e përgjakura si lëkura të varura mbi kodrat e Karatoprakut. Eh ato mbrëmje maji! Ato livadhe ku Kamberi kulloste qetë. Qetë e tij mbushnin gojën me shkumë bari të njomë, ai rrinte i shtrirë mbi bari. Po një mbrëmje maji atij nuk do t‘i harrohet deri në varr. Ishte pikërisht ajo mbrëmje maji kur ai, duke dashur të mbaronte edhe ovratin që i kishte mbetur pa lëruar, nuk i zhbreu qetë edhe pas perëndimit të diellit. Atëherë i lodhur i këputur Syziu, kau më i mirë, ra poshtë. Nuk mundi, nuk duroi dot më. Kamber Haxhiu atëherë s´e kishte kuptuar pse kau i tij kishte rënë poshtë. Pandehu se Syziu po protestonte kundër tij, prandaj Kamber Haxhiu e shpoi me inat me bodec. Po Syziu nuk u ngrit. Ishte i këputur, i rraskapitur. Si të ngrihej? Nuk mundej. Një rrëke gjaku i rrodhi si një vetëtimë e vogël dhe ngriu mbi qimet e murrme. Ndoshta Syziut i vinte rëndë që ra. Ndoshta po nga turpi nuk çohej. Kau tjetër, Zambaku e shikonte me dhimbje shokun e tij të zgjedhës, Syziun e shkretë, kurse Syziut i dukej sikur shoku i tij, Zambaku, e shikonte me përbuzje ngaqë ai e kishte turpëruar para të zotit, domethënë para bujkut të rëndë Kamber Haxhiu. Sa turp i vinte Syziut…Ai e kuptoi më në fund se Syziu nuk po protestonte, por… Iu afrua, i fërkoi shpatullat dhe kur pa se kaut po i rridhnin lot nga sytë nga që i vinte turp nga shoku i zgjedhës, nga Zambaku. Duke parë kaun të qante, qau dhe vetë Kamber Haxhiu, i rrodhën dhe atij lot nga sytë…

* * *

-Eh…, psherëtiu Kamber Haxhiu, kam qenë shpirtkazmë, o Kadri Sina, i mundoja shumë qetë. E di që një mbrëmje, më ra kau poshtë nga lodhja… Atë mbrëmje i mundova shumë qetë. Nuk i zhbreva edhe pas perëndimit të diellit…, më kishte mbetur pa lëruar ovrati dhe unë doja ta lëroja patjetër dhe atëherë…
– Nuk ke qenë shpirtkazmë, i thotë agronomi, por ke qenë i pangopur me punë… Doje ta plugoje, ta nxije gjithë arën brenda ditës. Sikur edhe me dy traktorë të lëroje ti, në vend të qeve, me siguri njeri nga traktorët do të lodhej, do të binte poshtë ashtu si ra Syziu.
Qeshën… Sidomos Kamberi qeshi me gjithë shpirt e i erdhi mirë që agronomi e quajti bujk të pangopur me punë dhe jo shpirtkazmë.
-Kot nuk u fute në kooperativë, i thotë agronomi Kadri Sina. Dole mbi të gjithë atëherë. Ike. I le kot arat. E le kot bujqësinë… I harrove të gjitha: Çairet e Zeza, Ledhet, arat e Virovës, Budalles e Përroit të Zi…
-Lere, lere, tha, të gjitha i kujtoj, i kam këtu të gjitha dhe i ra kokës dhe gjoksi me gisht…
-Ike kot. E di ç’kooperative kemi?, për kokën e kooperativës.
-Lëre, lëre, e kush e dinte…
-Nuk e dije ti, por e dinin fshatarët që e kuptuan, vetëm ti nuk e kuptove… Të paktën kuptoje tan, Kamber Haxhiu.
-T´i përgjigjem tani thirrjes thua ti ? Të them të vërtetën, nuk më pëlqen kalldrëmi, xhadeja, pijetoret. Mua më kënaq shpirtin bari, plisi i ugarit, mor vëlla! Mua më kënaqet shpirti të lag këmbët me vesë, të vras këmbët nëpër gorga, të tremb shkurtat, thëllëzat, lepujt, gjarpërinjtë, po… Ja… Çfarë t’i bësh zanatit. Jam me zanat tani. E di si më thoshte plaku ? «Zanati s’të le pa bukë. Ngrysesh pa lekë dhe gdhihesh me lekë », kurse Koperativa…!

* * *

Kamber Haxhiu pa furçën e re shpatuke që mbante në dorë. Furça pikonte pika të gjelbra boje mbi pllakat gri të trotuarit. Furça dukej sikur pikonte pikë, pikë, pika djerse të djerse nga balli i saj, .dhe krijonte një lëndinë të vogël plot blerim…