MALËSIA E MADHE KRENOHET ME NJË POET TË MADH SI GJEKË MARINAJ

0
147
Gjeka - qytetar nderi i Malësisë

Gjekë Marinaj ka lindur në Brrut të Kastratit më 26 maj 1965. Që fëmijë, ai pati një dashuri të veçantë për librat dhe letërsinë. Gjeka shkruan në kujtimet e tij, se leximi i librave i jepte atij jo vetëm dije e kulturë por edhe lirinë personale, që nuk e kishte shoqëria, ku ai jetonte. Gjeka kujton gjithashtu se në fshatin e vogël e të varfër maje malit, shpeshherë si fëmijë, kishte netë, që flinin pa bukë e pa ushqim. Shtëpia e vjetër dhe e amortizuar e familjes pikonte ujë nga çatia, dhe Gjeka fëmijë kujdesej që të mos i lageshin librat, gjëja më e shtrenjtë, që ai kishte.

Që në rininë e tij, Gjeka shkruante poezi, si një rrugëdalje nga realiteti i hidhur dhe ai përpiqej kështu që të afirmohej në jetë. Në moshën 25 vjeçare, ai dërgon një tufë me poezi për gazetën e shkrimtarëve shqiptarë, “Drita”. Poezitë e kalojnë kontrollin editorial dhe botohen. Ndër to ishte edhe poezia “Kuajt”, e cila u konsiderua si një poezi kritike për regjimin komunist, që i kishte kthyer njerëzit thjeshtë, në kuaj! Kuajt punonin dhe ndanin hierarkinë, por ata mbetën kuaj para njerëzimit.

Sfida që i bëri Gjeka regjimit me “Kuajt”, nuk kaloi në heshtje. E thirrën në Degën e Brendshme në Shkodër, por ai duke parë se çfarë ndodhë në raste të tilla, mendoi të arratisej. Në çantën e arratisjes, Gjeka futi edhe 4-5 libra me poezi… Gjeka mori një vëmendje të shpejtë me poezinë e tij provouese. Në muajt më pas, studentët u ngritën në protestë. Poezia e Gjekës kaloi dorë më dorë si shprehje e një pakënaqësie popullore gjithnjë në rritje, kundrejt një regjimi despotik, të mbyllur në absurd, që i la njerëzit pa zhvillim, pa bukë e pa jetë! Regjimi komunist ra, por Gjeka kishte ikur tashmë… “Kuajt” e tij e dërguan Gjekën në SHBA. “Kuajt” e shoqëruan Gjekën edhe më pas në jetën e tij, si shprehje simbolike dhe metaforike e një impulsi drite, në errësirën e një regjimi, që i kishte zënë frymën një populli të tërë.

Me punë e sakrifica, me një përpjekje të madhe për të kapur kohën, Gjeka në liri ia rriti të realizonte atë, që në Shqipërinë e mbyllur nuk do të kishte qenë e mundur ta arrinte kurrë! Ai u shkollua në Universitetin e Teksasit në Dallas, dhe më pas mbrojti doktoraturën për letërsinë botërore të krahasur. Tani punon si Drejtor i Përgjithshëm në Shtëpinë Botuese të Universitetit të Teksasit në Dallas. Gjeka u rrit në shkollim e dije, në profesion e kulturë dhe poezitë e tij erdhën duke u sofistikuar më shumë, së bashku me shkrimet e ndryshme të tij, në gazeta të ndryshme, ku vërehej një shkallë e lartë e sofistikimit dhe elegancës së mendimit të tij të thellë, kritik dhe intelektual. Gjeka thotë se letërsia i ngjan atij me një oqean, ku sa më thellë futesh, aq më e vështirë është të kthehesh pas.

Duke jetuar në një shoqëri të hapur e të lirë, me poetë e profesorë të njohur dhe të afirmuar, si Reiner Schulte dhe Frederik Turner, etj. dhe tani me punën e tij, që e lidhë me botën e librave dhe të letërsisë, Gjeka jo vetëm që erdhi duke u bërë një poet më elegant dhe më i sofistikuar, por kontaktet me poetë nga e gjithë bota, në 5 kontinente, e rritën edhe afirmimin e tij si poet në botë. Poezitë e Gjekës u përkthyen në më shumë se 18 gjuhë të ndryshme, u botuan edhe libra në gjuhë të ndryshme me poezitë tij. Media të njohura në botë, shkruan për Gjekën si poet tashmë amerikan. The Dallas Morning News, La Gazzetta del Mezzogiorno, Boston Herald, Kitob dunyos (Bota e librit – Uzbek), gazeta vietnameze e koreane etj. etj. Por Gjeka i mbante lidhjet me rrënjët në Malësinë e tij, në Shqipërinë e tij, pa lënë mënjanë edhe Kosovën. Ndërsa personaliteti i tij rritej në botë, Gjeka ruante anën njerëzore dhe thjeshtësinë e tij, prej një malësori të mirë shqiptar, i përulur gjithmonë para njeriut. Prej një poeti, që priret të thotë gjithmonë të vërtetën.

“Detyra bazë e një poeti është të tregojë të vërtetën”, thekson Marinaj në intervistën e fundit me gazetarin korean Hyunsoo Jung. Në gazetën koreane flitet edhe për nominimin e Gjekë Marinaj për çmimin Nobel në Letërsi për vitin që vjen. Janë 12 shoqata dhe organizata, që e kanë propozuar Gjekën për çmim Nobel. Ky është një vlerësim i madh për një poet shqiptar, pas Fishtës e Kadaresë, dhe plotësisht i merituar. E fiton Gjeka apo jo këtë çmim, ai është dhe mbetet një Nobel Man – një njeri fisnik, që na krenon edhe ne malësorëve të Malësisë së Madhe.

Gjekë Marinaj ka marrë shumë çmime kombëtare e ndërkombëtare, është shpallur edhe ambasador i kulturës shqiptare në SHBA. Nisur nga këto arritje të Gjekës në art e kulturë, që kanë patur impakt edhe për ngritjen e vlerave të vendit të tij të origjinës, Bashkia Malësi e Madhe i jep Gjekë Marinajt titullin QYTETAR NDERI me motivacionin:

Për vlera të pamohueshme në fushën e krijimtarisë letrare, atë përkthyese, akademike dhe publicistike me kontribut në lartësimin e trevës tonë Malësi e Madhe e më gjërë.

VIDEO-PREZANTIMI NGA BASHKIA: