MBARËSITË E ZHVILLIMIT TË ARSIMIT NË TREVËN E FERIZAJT (1941-1999)

0
418

Nga Isak   A H M E T I

Pas botimit të librit “Vatrat e shuara arbërore” (2015), autori Tefik Ajvazi-Mjaju, me një përvojë të gjatë arsimore-pedagogjike, edhe si këshilltar pedagogjik, vjen me librin e tij të dytë, me monografinë studimore me titull:

MBARËSITË E ZHVILLIMIT TË ARSIMIT NË TREVËN E FERIZAJT (1941-1999).

Është ky një libpër mjaft përmbajtësor, i shkruar me shumë përkushtim e dije, rreth problematikës së trajtuar. Aty autori ka paraqitur, në mënyrë mjaft të gjithanshme, rrugën e zhvillimit të arsimit në trevën e Ferizajt në periudhën 1941-1999.

Librin në fjalë autori e ka strukturuar në pesë pjesë. Te pjesa e parë e librit, autori, Tefik Ajvazi-Mjaku, ka përfshirë 29 personalitete që kanë punuar në trevën e Ferizajt, qoftë ajo edhe kohë shumë e shkurtër. Aty, siç e ka vënë re edhe Latif Nallbani, janë personalitete të brezit të parë, të dytë dhe të tretë, pa ndonjë përkufizim të saktë të breznive ; ata ishin të gërshëtuar brendapërbrenda brezave.

Brezi i parë, sipas autorit të veprës në fjalë, ishte kryesisht nga Shqipëria, të ardhur sipas kërkesës të organeve të Kosovës, që ishin dërguar nga ministri i atëhershëm i arsimit, në Qeverinë e Shqipërisë, Ernest Koliqi.

Të brezit të dytë ishin arsimtarët nga Ferizaj dhe rrethina, të cilët, siç dihet, pas LDB, ishin përgatitur në kurse të ndryshme pedagogjike vetëm e vetën për ta ndihmuar arsimin në këtë trevë. Në këtë printe Shaban Vata, Hysen Luma, Fejzullah Çerkini, Metush Maloku etj., të cilët, përveç arsimtarë e arsimdashës ishin, sipas vlerësimit të autorit, edhe atdhetarë të dëvotshëm.

Brezi i tretë vjen pasi ishte trasuar një pjesë e rrugës së arsimit kombëtar. Ishte kjo një periudhë e vështirë kur arsimtarët përballeshin me shumë sfida:persekutime, diferencime, burgosje etj. Por ata nuk pushuan kurrë së vepruari për ta zhvilluar, përparuar e mbrojur arsimin shqip , substancën kombëtare, shpirtin e kombit. Në atë kohë të vështirë, siç dihet fare mirë edhe nga popullata e kësaj ane, ishte dhe vepronte tandemi:Sinan Sahiti dhe Halil Buçinca, të cilët bënë shumë për t’i mbrojtur arsimtarët nga përndjekjet e egra serbo-sllave. Vlen të theksohet se përshkrimi i secilit personalitet është shoqëruar edhe me foto, gjë që lëndën e trajtuar dhe mbarështruar në libër e bën më interesante , më të prekshme dhe më të kapshme.

Te pjesa e pestë e librit, autori bën fjalë për themelimin, suprimimin dhe rithemelimin e Entit Pedagogjik në Ferizaj, i cili ishte herë komunal e herë ndërkomunal. Te kjo pjesë e librit autori shkruan edhe për vështirësitë me të cilat ishte përballë Enti Pedagogjik, veçanërisht vihen në spikamë obstruksionet e shumta serbo-sllave për ta zhvlerësuar dhe dëmtuar këtë Institucion… Për të gjitha këto autori shkruan me shumë përkushtim, me shumë fakte dhe me një gjuhë sa të pasur aq edhe të rrjedhshme.

Ky libër studimor, siç e ka vënë re edhe Halim Hyseni, një njohës i mirë i arsimit shqip në Kosovë, është një almanah udhërrëfyes për rolin që ka arsimi për të ardhmen e Kosovës dhe të kombit në përgjithësi. Libri në fjalë, nëpërmjet mësuesve, institucioneve arsimore etj. pasqyron mjaft qartë aspiratat kombëtare si dhe terrorin shtetëror serbosllav të ushtruar mbi shqiptarë me qëllim të zhdukjes së tyre dhe pushtimit të përjetshëm të tokave të tyre.

Nga leximi që i kam bërë këtij libri( të cilin vetë autori ma ka dhuruar me dedikim të veçantë për çka e falënderoj nga zemra), kam kuptuar se, ashtu siç e ka thënë edhe Halim Hysenu, Komuna e Ferizajt nuk do ishte kështu si është po të mos ishin shkollat në gjuhën shqipe, institucionet edukative dhe arsimore shqiptare dhe bartësit – mësuesit atdhetarë shqiptarë, të cilët bënë çdo gjë që të mos harrohej memoria kolektive e kombit tonë, gjuha jonë, të parët tanë(fq 13). Krejt në fund le të themi se një meritë e veçantë i shkon autorit i cili, pas një pune dhe hulmtimi të përkushtuar, me plot vetëmohime e sakrifica, ka arritur t’ia dhurojë lexuesit shqiptar dhe jo vetëm atij një libër me shumë vlera. Ky libër vjen tek lexuesi shqiptar falë përkushtimit, sakrificës, guximit dhe vetëmohimit të autorit, Tefik Ajvazi-Mjaku, të cilit do duhej t’i takonte një mirënjohje e veçantë edhe nga ana e Komunës së Ferizajt ! Le të shpresojmë!