MBI ÇËSHTJEN E REFERENDUMIT NË MAQEDONI

0
446
Abdulla Mehmeti

Abdulla Mehmeti

Shqiptarët në Maqedoni siç duket do t’i thonë „Po“ referendumit me karakter konsultues të 30 shtatorit, në lidhje me ndryshimin e emrit të shtetit në bazë të Marrëveshjes së nënshkruar më 17 qershor të këtij viti mes Maqedonisë dhe Greqisë, të njohur si Marrëveshja e Prespës, si dhe për deklarimin e qytetarëve të këtij shteti në lidhje me integrimin në NATO dhe BE.

Partitë politike të shqiptarëve janë deklaruar se e mbështesin këtë referendum, ndërsa një grup i intelektualëve shqiptarë të përkrahur nga sektori civil angazhohen që shqiptarët ta përkrahin këtë referendum, por jo pa kushte dhe pa marrëveshje paraprake mes faktorëve vendës dhe faktorit ndërkombëtar, duke marrë parasysh se nuk ka alternativa të tjera në interes të popullit shqiptar në këto rrethana.

1. Mbajtja e referendumit është obligim që del nga Marrëveshja e Prespës, një projekt ndërkombëtar i përgatitur me shumë përkushtim, kompetencë, profesionalizëm dhe përgjegjësi, e cila ka të metat e saj në pjesën për të cilat faktori politik shqiptar vendës nuk ka qenë i preokupuar dhe i kujdesshëm sa duhet, prandaj edhe pasojat do t’i vuajnë vetë qytetarët shqiptarë për shkak të mbështetjes dhe mandatit që u kanë dhënë këtyre forcave politike që t’i përfaqësojnë ata. Faktori ndërkombëtar nuk e konteston vullnetin politik të qytetarëve vendës përderisa ata nuk i ndryshojnë qëndrimet e tyre ndaj forcave politike që duhet t’i përfaqësojnë interesat e tyre në mënyrë të denjë.

2. Referendumi i 30 shtatorit në Maqedoni ka karakter konsultues, nuk është obligues, dhe si i tillë nuk e ndryshon procedurën e hyrjes në fuqi dhe zbatimin e Marrëveshjes së Prespës.

3. Referendumi që organizohet pas marrëveshjes mes dy shteteve, siç është Marrëveshja e Prespës mes Maqedonisë dhe Greqisë, e ndërmjetësuar, përkrahur dhe kontrolluar nga faktori ndërkombëtar, nuk organizohet për të dështuar, por për t’i arritur qëllimet për të cilat organizohet, dhe këtë pushteti në Maqedoni me ndihmën e faktorit ndërkombëtar do ta realizojë me sukses.

4. Çështjet e pazgjidhura që i preokupojnë shqiptarët në Maqedoni që nga pavarësimi i këtij shteti, sidomos statusi juridik-kushtetues dhe politik i tyre, zyrtarizimi i gjuhës shqipe dhe çështje të tjera lidhur me të drejtat e natyrshme të popullit shqiptar, një pjesë e të cilave janë përfshirë në Marrëveshjen kornizë të Ohrit, nuk lidhen dhe kushtëzohen nga suksesi ose mossuksesi i këtij referendumi, nga shprehja e vullnetit të lirë të qytetarëve të këtij shteti për intergimin në NATO dhe BE, por nga koncepti i shtetit që duhet të definohet me ndryshimet e reja kushtetuese, si dhe nga vullneti politik dhe marrëveshja mes faktorëve politikë të brendshëm për këto çështjeve, të cilat përfundimisht duhet të zgjidhen pas referendumit.

Për çështje të tjera lidhur me referendumin e 30 shtatorit do të ndiqni edhe analiza politike, sqarime dhe udhëzime përkatëse gjatë ditëve në vijim.

(28 gusht 2018)