MEGJITHATË, A DUHET TË GËNJESH?

0
1181

Foto ilustrim: Miss Bjeshka si Megan Fox, Malësi e Madhe

Arben Çokaj

Shota e Shkupit më tha një herë: “po nuk i rrejte femrat, nuk ke sukses…” “Femrat e kuptojnë se je duke gënjyer për to, e kënaqen…” – vazhdoi të më thoshte ajo. Kur unë i thashë Shotës se “burri budalla është dhuratë e gruas…”, ajo kundërshtoi. “Jo, tha, dhuratë e krv-së”, ku nënkuptonte gruan jo besnike…

E kështu ata jetuan të lumtur gjithë jetën, duke rrejtur njëri-tjetrin. Dmth. kjo është filozofia e jetës…

Më kujtohet në fillim, kur shkova në Danimarkë (Kopenhagë), e kërkova azil… Duke ecur nëpër qytet, shoh se kishte muzikë në një kishë. Futem brenda, e aty nga fundi, një vajzë si drita… Flasim pak anglisht me të dhe dalim bashkë me të nga koncerti dhe gjatë bisedës filluam të njiheshim.

Shkëmbyem adresat, dhe u ndamë. E rrejta, i thashë se isha italian. E pra, nuk isha mësuar me rrejtë, se isha “njeri i ri” i komunizmit… 😛 (sot e kanë shqiptarët rrenën për sport, sa vështirë të besosh dikë…)

U ndjeva keq nga kjo dhe kur më erdhi letra e saj me postë, thashë t’i kthej përgjigje, e t’i tregoj të vërtetën, ashtu bëra, e humba… Ajo nisi një letër tjetër duke thënë se varet çfarë ka rezervuar e ardhmja për ne dhe e mbyllte letrën me një vizatim, një pëllumb duke fluturuar… Unë, nuk mund ta kapërceja rrenën time dhe nuk i shkrova më. Me kaq e mbylla historinë e rastësishme me Sofien, si drita…

M’u kujtua koha kur në fillimet e demokracisë në Shqipëri, Afrim Krasniqi thoshte, i nxitur nga Saliu, se Eduard Selami nuk është politikan, sepse ai nuk din me rrejtë. “Selami nuk din me e rrejtë as edhe një femër…” – thoshte Afrimi, me idenë se nuk ka ndryshe, duhet me rrejtë… Por Selami ishte “njeri i ri“ si unë, nuk dinte ndoshta me rrejtë!

Kështu e hëngra edhe unë, se duhet me rrejtë nga pak, me rrejtë veten e të tjerët, ndryshe nuk ecën… Njerëzit e sidomos femrat këtej, duan me u rrejtë, mor shokë. Shikoni ma shumë politikë shqiptare e telenovela turke dhe rreni sa ma shumë, për me pasë sukses…

Këtu po nuk rrejte, mbetesh pa bukë” – më thoshte një kryetar komune, që kishte vjedhë miliona nga fondet e komunës, i cili për veten, një fjalë flet e shtatë rrena qet! “Nuk është si jashtë shteti, ku po rrejte një herë, ta vënë vizën…

Nëse në disa vende në Perëndim rren një herë, edhe e ha. Por në Shqipëri e ndër shqiptarë, nëse rrena nuk poliferon, nuk ke sukses! Por kjo punë është edhe me të lindur. Jo të gjithë e bëjnë. Dhe në fund, ata që nuk rrejnë, e kanë edhe ndërgjegjen më të qetë! Megjithatë…

Për ta mbyllur këtë trajtim serioz, po rrejmë veten pak. Imagjinojmë sikur kemi aktoren e njohur të humorit shkodran, Zyliha Miloti, të cilës ia tregon këtë histori… Si shprehet ajo?
– “Shko more dreq, se ti nuk e vyen nji lek!”
– “Pse more?”
– “Po ti nuk din as me vjedhë, e as me rrejtë! hahahahahaha… 😛”

Shqiptarët në përgjithësi, nga kultura orientale e padija, janë popull që vidhen e rrehen lehtë… Por po i shoh përditë pra, se nuk janë edhe aq të lumtur…