MËNGJEZ DIMRI NË PLAZH

0
526
Kadare

Ismail Kadare, 16 gusht 2019publikoi Luan Lapi në TopKadare

Mermer i vdekur. Për ty, për tjetrin, por jo për skulptorin që ka qëndruar përballë tij. Me sytë e veshur nga mjegulla e artit, në atë gur ai sheh tjetër gjë. Aty është gruaja, barku, ijët, aroma, dënesa e saj. Diçka e ndjell, diçka ia bën të afërt atë gur, marrëveshja shpallet befas midis tyre dhe ngadalshëm, dhembshëm, ai ngre çekiçin.

Në po atë mënyrë, por ndoshta më ndërlikueshëm, nga trungu i ditës së zakonshme, nga sfondi, pllaka e saj, shkrimtari përpiqet të zgjojë poezinë. Ajo është aty, ndihet prania e saj, por ka kaq shumë pengesa për të mbërritur gjer tek ajo. Së pari, duhet që të ngjallet ose, më saktë, të fanitet në trurin e shkrimtarit, por, në një formë të mbijetshme (të nënjetshme ose te tejjetshme, merreni si të doni), në një formë që asnjë i vdekshëm nuk e ka parë. Por kjo jetë e parë është tepër e brishtë dhe e përkohshme. Qenia e porsalindur, që t’i përshtatet klimës së ashpër të këtij planeti, duhet të kalojë nëpër ferrin e shkronjave.

Të përgjaket nga heshtat e tyre, të përpëlitet, të kryqëzohet, të vdesë në torturë, gjersa të rishfaqet përsëri. E lodhur, gati e alivanosur nga mundimi, ajo ka përpara makina të reja torture: gjuhën letrare, teknikat e shprehjes, stilin. Ajo ngjallet, vdes, prapë ngjallet, per të vdekur përsëri.

Nëpër kalvar kalon kështu si të ishte Krisht.

Më në fund, fantazma e saj shfaqet në letër. Por ajo është aq e shfytyruar, saqë shkrimtarit i vjen te klithë: ti je? Shkrimtarin ndërkaq e duartrokasin, e ftojnë në bankete, por ai s’është kurrë aq i gëzuar sa ç’mund të duket. Sepse vetëm ai e di se ç’ka dashur të thotë, por nuk e tha dot, ndaj i vetëm do të ndryjë në shpirt brengën per atë që vdiq. Ai e di gjithashtu se ajo që nxori në dritë është vetëm një pjesëz, një copëz që shpëtoi rastësisht e nuk u vra nga mulliri i përbindshëm. Të tjerat dergjen atje poshtë, por ai s’ka forcë t’i nxjerrë, i mungon përherë diçka: çikrikët, veglat, së fundi, ditët e jetës së tij, që janë të numëruara.

Një ditë në fletoret e mia gjeta njé varg të dikurshëm:

Nga filmat e së shtunës, ekranet janë të lodhur.

E dija se s ‘ka gjë më të kotë të kërkosh kohën e saktë dhe aq më pak rrethanat që e kanë pjellë një varg. Disa mendojnë, e ndoshta kanë të drejtë, se jeta (trupi i saj, mishi i saj) nuk është e gjitha e poetizueshme. Ka pjesë të forta, pa shije, që janë të pazbutshme, ose që kërkojnë një kuzhinë (shkrimtar) të veçantë për t’u përpunuar.

Godit këtu… godit atje… Një goditje e pakujdesshme e daltës së skulptorit mund ta thyejë mermerin. Letërsia nuk është më pak e thyeshme. Sidomos në tryezën e parë të operacionit kur shkronjat, ashtu si pincat, gërshërët, skalpeti, mund ta vrasin ose, së paku, ta gjymtojnë përjetë.

Nga filmat e së shtunës, ekranet janë të lodhur.

Në ç’ditë ka qenë kjo butësi. Në një mbrëmje ndoshta në një plazh. Por jo në verë. Në dimër. Dhe, me sa duket, në një pasdarke. Ti dëshiron ta ngjallësh atë çast, por ai nuk vjen. Si shpirti i thirrur prej mediumit në seancën e spiritizmit që s’afrohet. Për ta ndjellë, duhet një tendosje e re. Trurin e shkrimtarit e përshkojnë si në ethe shigjeta mendimi, pamje-vetëtima, shumicën e të cilave, duke i pérzgjedhur aty për aty, ai i kthen mbrapsht. Njëra nga pamjet, befas pranohet. Éshtë tabloja “Këmbéngulja e kujtesës”, e Dalisë. Pa dyshim që ka një gjiri me atë varg, kështu që ka ndihmuar në ngjalljen, domethënë në shkëputjen e tij nga ajo pasdarke plazhi. Gjirija është e largët, disi e pashpjegueshme, megjithatë e pakthyeshme.

Një tjetër pamje pranohet fill pas saj: një fytyrë e bukur gruaje, që ndoshta ka lidhje me ekranet. Një grua që ti e ke deshiruar më fort më parë e tani më pak. E megjithatë, është ende e ëmbël në pasdarket e tua. Ti i je mirënjohës lodhjes së saj. Mungesës së trysnisë që ajo nuk e krijon më. Diçka midis teje e asaj është thyer. Ka vdekur, por pa zi. Është një lloj vyshkjeje plot pasuri, si në varrezat e pasanikëve.
I ke dhuruar asaj një stoli e ajo të ka dhënë atë që quhet dashuri. Por guri i unazës ngjan i verbër, si syri që prej kohësh është shuar nga glaukoma. Pak dëborë përpiqet të rrëzëllejë rreth portretit të gruas. Herë ngjan si dëborë Pogradeci, e herë Stokholmi. Por s’mundet kurrsesi. Megjithatë, në mos vetë dëbora, ndriçimi i saj shfaqej në perdet e mëngjesit…

Ky do të ishte pak a shumë shpjegimi se si nga një varg, lindi më pas vjersha e shkurtër “Mëngjes dimri në plazh”:

Tryeza e pambledhur ashtu siç mbet pas darket.
Nga filmat e së shtunës të lodhur janë ekranet.

E diela që nga rëra mbi perde përsëritet.
I shkretë është plazhi jashtë, ku erë e dimrit ndihet.

Kursyer dielli i dimrit përmbi guaskat bie
Si copërat e servisit që rastësisht u thye.

Por sa i largët është megjithatë ky shpjegim nga e vërteta. Dhe, veç kësaj, ky lloj shpjegimi, kjo shajni e së vërtetës shfaqet si e tillë sot, më 25 shkurt 1990. Më 27 shkurt do të jetë ndryshe. Dhe ndryshe më 19 mars. Dhe prapë më ndryshe më 23 prill. Në dimrin e vitit 2000. Në shtratin e sëmundjes së fundit. (Kadare, “Ftesë në studio”)