Ministrat e Jashtëm të BE-së: Skeptikë ndaj shkëmbimit të territoreve

0
475

Nga Barbara Wesel*

Organizatorja, Karin Kneissl, është krejtësisht në frymën e Kongresit të Vjenës, që rivendosi rendin në Europë pas Luftërave të Napoleonit në vitin 1814. Krahas negociatave në atë kohë thuhej edhe se “Kongresi vallëzon”. Ministrja e Jashtme e Austrisë e sheh veten tërësisht në këtë traditë.

Qesënditë dhe kritikat për aspektet politike të vallëzimit të saj me Vladimir Putinin, dy javë më parë, në festën e dasmës së saj, i kaloi pa kokëçarje.

Pas darkës me kolegët e BE-së të enjten në Vjenë, ajo raportoi tejet e vetëkënaqur, se kishte bërë të kërcenin samba dhe bossanova edhe ministrat e jashtëm të Britanisë, Greqisë, Polonisë dhe Rumanisë. Ministri gjerman i Punëve të Jashtme, Heiko Maas, paskësh shpëtuar.

Karin Kneissl, organizatorja e takimit joformal të ministrave të jashtëm të BE-së

Diplomacia është më shumë se të vrasësh veshët me raporte”, do të justifikohej Kneissl për stilin me kaq shumë lëvizje të politikës së saj.

Skepticizëm për planet serbo-kosovare

Por përveç ushtrimeve shtendosëse të austriakes, duhej kaluar edhe lista e gjatë e krizave në politikën e jashtme: Aktit balancues në raportet me Iranin, çështjes së financimit të Autoritetit të palestinezëve dhe frikës nga një betejë finale në Idlib të Sirisë, i është shtuar tani edhe një tjetër dhimbje koke: propozimi më i ri presidentëve Aleksandar Vuçiç dhe Hashim Thaçi për shkëmbim territoresh ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Propozimi i tyre: që të shkëmbejnë një pjesë të Kosovës Veriore që banohet kryesisht nga serbë me Luginën e Preshevës në jug të Serbisë, ku jetojnë kryesisht shqiptarë.

Këtu ka potencial shpërthyes, sepse jo vetëm që do të ketë shkëmbim territoresh, por sepse ky këmbim do të bëhet përgjatë kufirit etnik.

Prandaj edhe tre ish-të ngarkuarit e posaçëm për shtetet pasardhëse të ish-Jugosllavisë, suedezi Carl Bildt, britaniku, Paddy Ashdown, dhe gjermani, Christian Schwarz-Schilling, i kanë dërguar një letër Federica Mogherinit, kryediplomates së BE-së, ku kritikojnë këtë propozim dhe shpjegojnë se një paqe e qëndrueshme mund të realizohet “vetëm në një shoqëri shumëetnike”.

Edhe qeveria gjermane ka shprehur dyshime ndaj këtij propozimi: Angela Merkel theksoi në fillim të javës se integriteti territorial aktual është një dimension i rëndësishëm. Edhe ministri i Jashtëm, Heiko Maas, tha në Vjenë se shkëmbimi i territoreve “nuk zgjidh punë, përkundrazi hap shumë plagë të vjetra në popullsi”.

Maas: Shkëmbimi i territoreve vetëm sa hap plagë të reja

Ndërsa homologu i tij luksemburgas, Jean Asselborn, që parapëlqen të shprehet troç, paralajmëron që “rajoni të mos copëtohet”. Kjo mund të sillte pasoja negative për të tjerët, për shembull, të inkurajonte Republikën Srpska në Bosnjë-Hercegovinë që të bashkohej me Serbinë ose presidentin rus, Vladimir Putin, që ta shikonte këtë rast si një mundësi për të justifikuar aneksimin e Krimit.

Mogherini tërhiqet

Diplomatja e BE-së, Federica Mogherini, në fillim dyshohej se ishte dakord për një shkëmbim territoresh mes Serbisë dhe Kosovës. Por në Vjenë ajo u tërhoq.

“Në radhë të parë duam të mbrojmë dhe të nxisim dialogun e filluar ndërmjet dy kryeqyteteve”, tha ajo. Ajo shtoi se nuk donte t’i pengonte bisedimet e vështira, duke i përcaktuar rezultatet që më parë, dhe konfirmoi takimin e saj me dy liderët, Vuçiç dhe Thaçi, të premten e ardhshme, më 7 shtator, në Bruksel. Mogherini përpiqet të mbështesë “çdo rezultat” të këtyre bisedimeve, me kusht që ai të jetë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe atë europiane. Dhe kjo do të thotë, sipas saj, refuzim të çdo rezultati që synon shtete të pastra etnikisht – një refuzim i shprehur me gjuhën e komplikuar të diplomacisë ndaj planeve për “spastrime etnike” në territoret e dy shteteve.

Cili është qëllimi i negociatave të saj atëherë?

“Duam një marrëveshje”, thotë Mogherini, që do të zgjidhte të gjitha “problemet e hapura” dhe ajo përfshin këtu në mënyrë të qartë edhe njohjen e Kosovës. Plani kohor është ambicioz, sepse ajo shpreson të arrijë një sukses brenda muajve të ardhshëm, gjithsesi deri në fund të këtij viti.

Sinjal i BE-së ndaj Beogradit dhe Prishtinës

Sinjali që ministrat e BE-së i dërgojnë nga Vjena dy liderëve, Vuçiç dhe Thaçi, është i qartë: Këta të dy bëjnë mirë t’i shpenzojnë energjitë për zgjidhjen e problemeve që kanë mbetur, për pajtimin dhe kompensimin. Ideja e dy presidentëve për shkëmbime territoresh nuk gjen mbështetje. Ka mjaft çështje të pazgjidhura, siç janë përmirësimi i mbrojtjes së pakicave etnike ose zgjidhja e çështjeve të hapura mbi pronat, thonë ministrat.

Kneissl, Maas, Mogherini në Vjenë

Edhe Komisioneri i Zgjerimit, Johannes Hahn, tani thotë se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të merren njëherë me çështje të tjera. Serbia është tashmë kandidate e BE-së, megjithëse përparimet e saj nuk quhen përsa kohë që Beogradi nuk ka arritur të njohë pavarësinë e ish-krahinës jugosllave.

Nëse arrihet që ky konflikt të zbutet në muajt e ardhshëm, atëherë vërtet që do të ishte një sukses i madh diplomatik i BE-së. Por se a mund të zgjidhet kjo nyje politike, pa krijuar konflikte të reja, kjo mbetet e hapur.

*DW