Mitmarrja, plagë e pandreqshme e spitaleve publike

0
297
Pirro Prifti, UET

SHKRUAR NGA PIRRO PRIFTI, 16 JANAR 2021

Pas viteve`90 lindi një fenomen i ri në sistemin shëndetësor publik shqiptar – mitmarrja.

Në kohën e diktaturës mitmarrja në spitalet publike nuk ekzistonte, por ekzistonte tradita si dëshira e pacientit për të falënderuar mjekun apo ekipin mjekësor që i kishte shërbyer nëpërmjet qerasjes me një drekë apo duke i dërguar dhurata në formë ushqimesh apo pijesh mjekut që e kuroi atë. Kjo traditë egziston jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë vendet ballkanike.

Pas viteve ‘90 me ndërrimin e sistemit, solli në sistemin shëndetësor reforma të thella duke larguar sistemin shëndetësor falas si në sistemin parësor ashtu dhe në sistemin spitalor dhe duke e orientuar atë në një sistem me pagesë nëpërmjet mbulimit me Siguracionet shëndetësore duke krijuar institutin e Sigurimeve dhe Kujdesit Shëndetësor (sot Fondi i Sigurimeve Shëndetësore), duke privatizuar farmacitë, sistemin Stomatologjik, hapjen e shkollave të larta profesionale të infermierisë dhe të profesioneve të tjera mjekësore, duke përmirësuar disa ligje, por pa i shkuar deri në fund.

Por këto reforma nuk arritën të konsolidohen në spitale, të cilat mbetën pa u reformuar sepse ndërrimi i pushteteve, ndihmat e shumta që erdhën në atë kohë nga jashtë nëpërmjet fondacioneve dhe institucioneve të tjera ndërkombëtare u përvehtësuan nga individë që kishin mundësi t’i merrnin sepse ato erdhën në formë dhuratash dhe duke mos patur një paketë ligjore të saktë, ato u morën dhe me to u krijuan farmacitë e para private, qendrat shëndetësore ekzaminuese dhe analiza të para private, dhoma stomatologësh të para private të pajisura me aparatura dhe pajisje të tjera të dhuruara për spitalet dhe qendrat shëndetësore publike, por që u përdorën privatisht pa asnjë pagesë apo tarifë e taksë.

Kështu lulëzoi shërbimi privat shëndetësor në fillim pa rregulla, por se Ministria e Shëndetësisë gradualisht përshtati legjislacionin disa vite me vonesë. Kjo ndikoi shumë në punën e mjekëve dhe infermierëve madje dhe të sanitarëve dhe të personelit ndihmës në spitale, të cilët me rroga fare të ulta punonin në kushte mizerabël në ato spitale.

Protestat publike, firmat piramidale, ngjarjet e ‘97-‘98, ndërrimet e pushteteve, emërimet e drejtuesve në sistemin shëndetësor me militantë, lëvizjet dhe grumbullimi i mjekëve dhe infermierëve në qytetet e mëdha duke lënë zonat rurale pa punonjës shëndetësorë, shkeljet ligjore të ministrave me tenderat, me urdhrat për largimin e mjekëve nga zonat e thella në qytetet e mëdha, mungesa e një pakete ligjore të përmirësuar përveç asaj të reformave të sistemit shëndetësor në vitin ‘93-‘94, shkaktuan një mungesë disipline në spitalet terciare, rajonale madje dhe të spitaleve më të vogla një pjesë e të cilave u mbyllën si pasojë e reformave në sistemin shëndetësor duke u kthyer në qendra shëndetësore.

Për pasojë spitalet ngelën pa kontroll, në spitale u futën mjekë e infermierë jo cilësorë, pa konkurs, nëpërmjet presioneve të politikanëve që ishin në pushtet, u vendosën drejtues jo profesionistë, nuk u miratua bordi drejtues i spitaleve megjithëse Projekti i reformimit të spitaleve sidomos i Qendrës Universitare Spitalore të Tiranës, u drejtuan nga njerëz të emëruar nga politika të cilët e shthurën disiplinën në spitalet publike dhe i transformuan ata në spitale gjysmë private ku pacientët paguanin nën dorë dhe askush nga shteti, nga ministria nuk reagonte për vite me radhë. Miratimi i hapjes së spitaleve private tregoi menjëherë diferencën në cilësinë e kujdesit shëndetësor të pacientëve.

Një nga gabimet e rënda të qeverive të viteve ‘90-2020 ishte mbajta e një GDP për Shëndetësinë shumë të ulët në raport me fqinjët e aq më pak me botën, rreth 2.2%-2.7%, mbajtja e rrogave të ulta për mjekët e familjes dhe të mjekëve specialistë dhe personelet shëndetësorë profesionalë si infermierë, fizioterapistë, imazheristë, mami, logopedistë etj. Një plagë e hapur që në vitet ‘90, por që u rëndua me kalimin e viteve ishte largimi i mjekëve dhe infermierëve jashtë shtetit. Përsëri Drejtuesit e Sistemit Shëndetësor megjithë rregullimin e ligjit për spitalet dhe qendrat shëndetësore dhe diagnostikuese private, lejuan që mjekë dhe infermierë, fizioterapistë, imazheristë, të punonin jo vetëm në spitalet publike, por edhe në ato private njëkohësisht, duke dobësuar shërbimin shëndetësor në spitalet publike, sepse aty nuk kishte kontroll dhe as zbatim disipline administrative dhe shkencore. Kjo lindi dëshirën e pasurimit të shpejtë e për pasojë mitmarrjen, e cila u rrit në mënyrë galopante me kalimin e viteve.

Kjo u vu re nga statistikat ku nga 3 mjekë për 1000 banorë në 1991, sot është 1 mjek për 1 mijë banorë në 2019, dhe nga 4 infermierë/mami për 1000 banorë në 1991 në 3 infermierë për 1000 banorë në 2019, siguracionet shëndetësore mbulojnë vetëm disa medikamente të rimbursuara vetëm 450 medikamente dhe ato jo shumë cilësore, me një taksë shëndeti prej 3.7%, pra të ulët dhe me një rimbursim të pjesshëm të ekzaminimeve në spital, duke lënë në mëshirë të fatit analizat që të siguruarit i paguajnë me lekë në dorë kryesisht në privat sepse nuk ka qendra shëndetësore analizash publike përveç një pakete të cunguar analizash nëpërmjet checkup-it të realizuar me PPP.

Është e vërtetë që qeverisja e sotme ka bërë hapa seriozë në përmirësimin e pjesshëm të gjendjes, duke rritur në mënyrë të konsiderueshme rrogat e personelit shëndetësor, duke investuar në përmirësimin e infrastrukturës së spitaleve, gjë që u vu re në kohën e pandemisë, por janë shumë pak për një sistem shëndetësor publik të dalë nga binarët ku spitalet madje dhe ato qëndrore dhe universitare në Tiranë janë kthyer në një makth të vërtetë për pacientin, i cili praktikisht është kthyer në klient, megjithëse paguan siguracionet shëndetësore.

Pacientët në shumicën dërrmuese të rasteve paguajnë nën dorë mjekët, infermierët, sanitarët, në një kohë që spitali është i shtetit, pajisjet mjekësore janë shtetërore, personeli shëndetësor paguhet nga shteti. Çpo ndodh kështu pra në Shqipëri? Një mitmarrje katastrofike, ku pagesa nën dorë në javë në QSUT shkon afërsisht rreth 30.000 -50.000 euro nga shtrimet konsultat. Harxhimet e popullatës për kapital për shërbimet mjekësore janë nga më të lartat në Europë sepse paguhen nën dorë nëpërmjet mitmarrjes dhe shkojnë në 60.000 lekë të reja në vit për persona të sëmurë, megjithëse funksionojnë siguracionet shëndetësore. Ky është një turp i madh. Reforma duhet të bëhet e thellë dhe e ashpër, pavarësisht se dikush mund të thotë se kemi pak mjekë e pak infermierë.

Po nuk u shkatërrua sistemi i mitmarrjes në Spitalet publike, nuk do të ketë shërbim cilësor të kujdesit shëndetësor për pacientët e shtruar. Po nuk u vendos konkurrimi për t’u futur në punë qoftë në spital për mjekë dhe infermierë dhe po nuk u stimuluan mjekët dhe infermierët e talentuar qoftë me pagesa qoftë me bonuse dhe po nuk u futën në punë në spitalet terciare dhe rajonale, mjekë dhe infermierë nga më të mirët (dhe këtë do ta vendosë komisioni i konkurrimit), nuk do të ketë shërbim cilësor të kujdesit shëndetësor. Po nuk u vendos drejtimi me bord i spitaleve nuk do të ketë disiplinë administrative, disiplinë shkencore dhe kontroll i harxhimit të pajisjeve, medikamenteve, konsumeve mjekësore, nuk do të ketë shërbim cilësor mjekësor për pacientët.

Po nuk u përmirësua legjislacioni mjekësor duke vendosur kategorizimin e infermierëve dhe mjekëve, po nuk u ndalua dypunësimi i mjekëve dhe infermierëve, po nuk u nda puna midis pedagogëve mjekë dhe infermierë me internistët, nuk do të ketë shërbim cilësor të kujdesit shëndetësor në spitale. Ka plot elementë të një reforme të saktë në shëndetësi. Ndryshe fenomeni i mitmarrjes që ka degraduar aq shumë në spitale sa që edhe një sanitare si Tirja t’u zhvatë fatkeqëve pacientë para, në këmbim të shërbimit- do të shkatërrojë përfundimisht sistemin spitalor shëndetësor. Shpresojmë që qeverisja e sotme dhe e nesërme krahas përpjekjeve për të mposhtur pandeminë, të krijojë një mundësi për një reformë serioze në Sistemin Spitalor dhe të mos ia lërë vetëm Ministres së Shëndetësisë barrën e punës.