Monografi për Mësuesin Veteran, Ibrahim Thaçi nga fshati Zakut i Llapit

0
955
Zymer Mehani - Ibrahim Thaçi - libër

Zymer Mehani

(Zymer Mehani “Ibrahim Thaçi-Pishtar i Arsimit Kombëtar”, Prishtinë, 2020)

I
Përcaktimi ynë për prezantimin e figurës së mësuesit veteran, Ibrahim Thaçi nuk është vetëm i karakterit përkujtues, por është edhe obligim për ne që këtë pishtar të arsimit tonë kombëtar t’ua sjellim si model gjeneratave të reja se si duhet të punohet për komb dhe për atdhe.

Në fillim, me iniciativën e ndërmarrë nga familja e mësuesit veteran Ibrahim Thaçi, ne iu rrekëm punës të shkruajmë për këtë figurë kolosale të arsimit kombëtar me qëllim që të bëjmë një monografi, ku do ta paraqesim jetën dhe veprimtarinë e tij edukativo-arsimore. Puna eci mirë, ngase, ne patëm mundësi të hulumtojmë në arkivën personale të këtij mësuesi (që sot e ruan familja e tij) dhe kështu arritëm t’i sigurojmë shumë të dhëna të rëndësishme për këtë pishtar të arsimit. Pra kësisoj, në faqet e librit tonë kemi sjellur disa shënime, kryesisht të dhëna biografike, dokumente personale dhe arsimore të mësues Ibrahimit, si dhe ca fotografi, që e kompletojnë portretin e këtij9 mësuesi veteran.

Meqë familja shprehu gatishmëri dhe na dha leje për të shkruar për Ibrahim Thaçin, ajo na dha mundësinë që të kemi qasje edhe në arkivën personale të mësuesit, kështu që na u dha rasti të mësojmë edhe më gjerësisht për jetën dhe për veprimtarinë e tij arsimore.

Ai ishte shembull prej atdhetari të denjë, i pafjalë, konkret dhe i vendosur.
E falënderojmë publikisht familjen e mësuesit Ibrahim Thaçi për bashkëpunim, me të cilën kemi mundësi për të kontaktuar dhe jemi gjithnjë në kontakt që nga fillimi i punës sonë rreth librit.

Libri “Ibrahim Thaçi-pishtar i arsimit kombëtar” është konceptuar në katër kapituj. E tërë lënda është mbarështruar dhe sistematizuar edhe në disa nënkapituj. Kapitulli I faktikisht paraqet edhe temën bosht të librit, d.m.th. në të trajtohet jeta dhe veprimtaria edukativo-arsimore e veteranit të arsimit, Ibrahim Thaçi.

Në këtë kapitull kemi bërë fjalë pra, për jetën dhe për punën edukative, për fëmijërinë e mësuesit Ibrahim Thaçi; për rrugëtimin e tij të gjatë, por të frytshëm; për trashëgiminë kulturore dhe arsimore si dëshmi e së kaluarës, për thjeshtësinë, për punën e devotshme, për karakterin, për personalitetin dhe për shëmbëlltyrën e tij prej frymëzuesi dhe ndriçuesi; për vizionin e tij atdhetar etj.

Në Kapitullin II flitet për Shkollën Shqipe të Kërpimehut; për punën edukativo -arsimore të mësuesit Ibrahim Thaçi në këtë shkollë prej vitit 1941, kur edhe inkuadrohet aty; për rolin e tij në zgjerimin e rrjetit shkollor; për tekstet dhe lëndët mësimore të shkollave të
Kërpimehut dhe të Dobratinit, ku punoi mësuesi Ibrahim Thaçi; për Kurset Pedagogjike të viteve 1942 e 1943, që i ndoqi edhe mësuesi Ibrahim Thaçi; për sistemin shkollor gjatë viteve 1945-1966; për sfidat dhe vështirësitë e shkollës së Kërpimehut gjatë viteve ’80; për periudhën
1981-1989, kur bëheshin përpjekje për rrënimin e pavarësisë së sistemit të arsimit në Kosovë; për vështirësitë e shkollës shqipe gjatë viteve ’90 etj.

Ky kapitull mbyllet me intervistën e zhvilluar me mësuesin Ibrahim Thaçi, diku në vitet ’70 nga prof. Gani Mehmeti, të cilin e falënderojmë për gatishmërinë e tij që kjo intervistë të jetë pjesë e librit tonë. Në kapitullin III janë paraqitur karakteristika të përgjithshme
(shtrirja gjeografike dhe kufijtë; territori dhe popullsia; klima dhe zhvillimi ekonomik etj.) të komunës së Podujevës dhe të vendlindjes së mësuesit Ibrahim Thaçi, Zakutit.

Në kapitullin IV kemi shkruar për fillet e arsimit në trevat shqiptare; për shkollat e hershme shqipe si shkolla tipike shqiptare dhe për kontributin e Ernest Koliqit dhënë këtyre shkollave më 1941; për arsimin në Kosovë në periudhën 1913-1941; për sistemin e arsimit te ne gjatë Luftës së Dytë Botërore; për hapjen e shkollave në Nënprefekturën e Podujevës (1942) etj.

Librit vlerën ia shton edhe një shtojcë me dokumente dhe fotografi të mësuesit Ibrahim Thaçi. Libri “Ibrahim Thaçi-pishtar i arsimit kombëtar” është një monument kulturor dhe pëkujtues për jetën dhe për veprimtarinë arsimore e atdhetare, për vullnetin e pashoq për punë të mësuesit Ibrahim Thaçi, që me sakrificë, me guxim dhe me atdhedashuri, edukoi breza të tërë, duke vënë para vetes interesin e përgjithshëm
kombëtar dhe duke sakrifikuar gjithçka vetëm për arsimim në gjuhën shqipe.

Ishte ky mësuesi, që pa rezerva, pas LDB-së, bsshkë me mësuesit ngs Shqipëria, që i solli në Kosovë ministri i Arsimit i Shqipërisë, Ernest Koliqi, punuan dhe vepruan me mund dhe me përkushtim për zhdukjen e analfabetizmit në Kosovë dhe për arsimimin e shqiptarëve të Kosovës.
Ata u përpoqën dhe ia arritën qëllimit që Kosova të bëhet shoqëri me arsim dhe shkollë kombëtare shqipe. Na mban shpresa se mangësitë eventuale apo gabimet lëndore, që mund të kenë rrjedhur në këtë libër, do të plotësohen dhe do të evitohen në të ardhmen, me rastin e ndonjë ribotimi të këtij libri.

Pishtari i arsimit, Ibrahim Thaçi me shokë meritojnë mirënjohje, respekt dhe lavdi. Zoti qoftë me ta!

II
Për të shkruar për figura dhe për personalitete të shquara kombëtare, siç është edhe ajo e mësuesit veteran, Ibrahim Thaçi, duhet pasur, së pari përkushtim, pastaj edhe informacion të bollshëm, dokumentacion dhe material tjetër, që flet për jetën dhe për veprimtarinë e tij edukativo-arsimore, të cilën e ushtori me pasion për 42 vjet me radhë.

Libri monografik për mësuesin Ibrahim Thaçi paraqet jetën dhe veprimtarinë arsimore të tij. Pra, një jetë të tërë kushtuar edukimit dhe arsimimit të brezave të rinj (1941-1986).
Me këtë libër po i shtohet edhe një gur përkujtues kalasë së pamposhtur, siç është arsimi ynë kombëtar, që e nderon jetën dhe veprën e mësues Ibrahimit, por edhe arsimimin shqip përgjithësisht.

Historia jonë e gjysmës së parë të shekullit XX është e njohur për sakrificat dhe për përpjekjet e pareshtura të shqiptarëve të viseve shqiptare të ish-Jugosllavisë (Kosova, Maqedonia e Veriut, viset shqiptare të Malit të Zi, Kosova Lindore) për liri dhe të drejta, ngase edhe pse ata luftuan kundër nazi-fashizmit, prapëseprapë ngelën nën regjimin jugosllav, pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.
Me gjithë represionin që ushtrohej haptas mbi popullatën shqiptare nga regjimi sllav, shqiptarët asnjëherë s’u ndalën së vepruari.

Veçanërisht, edhe pse në numër të vogël, ata u shkolluan nëpër shkolla të kohës, nëpër vende e në gjuhë të ndryshme, sepse e dinin fare mirë se vetëm arsimimi i sjell kombit përparim dhe të ardhme të sigurt. E njëri prej djemve të Llapit, që veproi kësisoj është edhe Ibrahim Thaçi, nga Zakuti, i cili, në radhë të parë u brumos me edukatë dhe me atdhedashuri nga prindërit dhe familja e pastaj u pajis me dije duke u shkolluar në shkollat e kohës, siç qe edhe Medreseja “Isa Beg” e Shkupit dhe Shkolla Normale e Prishtinës, të cilat i pat kryer me sukses.

Ibrahimi asnjëherë nuk hezitoi për rrugën drejt shkollimit të tij dhe përherë ishte i mbështetur moralisht dhe materialisht nga familja. Misioni që kishte marrë për t’u arsimuar ishte sa njerëzor, po aq edhe atdhetar, ngase mbi supet e tij dhe të mësuesve të tjerë po peshonte barra tejet e rëndë, në radhë të parë për zhdukjen e analfabetizmit dhe të përhapjes së arsimit në gjuhën shqipe edhe në trevën e Llapit, ku ai qe mësuesi i parë në Kërpimeh, në Metehi dhe në Dobratin.

Personalitetet e shquara të kombit, siç ishte mësuesi Ibrahim Thaçi, i duheshin popullit, ngase ai u shndërrua në pishtar që përhapte dritë kudo që vepronte. E kjo është detyrë shumë humane dhe hyjnore, prandaj kërkon persona me karakter të fortë, të arsyeshëm dhe të ndërgjegjshëm. Fatmirësisht, i një kalibri të tillë ishte edhe djaloshi nga Zakuti i Llapit, Ibrahim Thaçi.

Të 42 gjeneratat që i nxori duke i edukuar dhe arsimuar (1941-1986), mësues Ibrahimin e patën shembull se si duhet punuar me përkushtim për të mirën e familjes dhe të kombit. Këto gjenerata qenë me fat që e patën mësues një atdhetar të tillë, i cli me pasion e me përkushtim s’reshti asnjëherë për mësim dhe dije të tyre, gjithmonë në frymë të shëndoshë kombëtare. Prandaj, mësuesin Ibrahim Thaçi, ata breza që i edukoi dhe i mësoi do ta kenë model se si punohet për interesa madhore kombëtare, siç ishte edhe edukimi dhe arsimimi i brezave në gjuhën shqipe, në një kohë, kur kjo e drejtë legjitime dhe universale po u mohohej shqiptarëve të ish-Jugosllavisë.

Qëndrimet e mësuesit atdhetar, Ibrahim Thaçi për arsimim të shqiptarëve në gjuhën e tyre amtare janë fare të ngjajshme me qëndrimet e atdhetarit të madh, të shkrimtarit dhe të pedagogut të devotshëm Ernest Koliqi, që ishte ministër i arsimit të Shqipërisë, i cili pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, në Kosovë dhe në viset tjera shqiptare të ish-Jugosllavisë do të shpërndante rreth 300 mësues nga Shqipëria për t’i dhënë dërmën analfabetizmit, duke shpërndarë dije kudo me arsimim të popullit tonë në gjuhën shqipe. Pra, qëllimi i dërgimit të këtyre mësuesve ishte që të ndihmohej Arsimi Kombëtar Shqiptar në Kosovë.

Vendimi i Ibrahim Thaçit për t’u bërë mësues nuk ka qenë i rastësishëm, por ishte i menduar dhe i analizuar mjaft mirë, ngase ishte i orientuar drejt së ardhmes së sigurt të një realiteti i cili do të krijohej, kur gjuha shqipe, pas shumë pengesash nga regjimet e huaja, më në fund do të futej në përdorim legalisht kudo ku kishte shqiptarë. Ky ishte qëllimi dhe vizioni i këtij mësuesi atdhetar, që fëmijët shqiptarë t’i edukonte dhe t’i arsimonte në shkollat shqipe dhe në gjuhën shqipe. Vizioni i tillë përqafohej nga të gjithë të rinjtë që përgatiteshin për t’u bërë mësues, ngase ata kësisoj po e sendërtonin realizimin e projektit të madh kombëtar-arsimimin e shqiptarëve të ish-Jugosllavisë në shkollat e tyre në gjuhën shqipe.

Ky brez mësuesish, bashkë me ta edhe Ibrahim Thaçi, treguan se fuqishëm dhe dinjitetshëm po e mbronin interesin dhe të drejtën e shqiptarëve për arsimim në gjuhën e tyre amtare.

Një qëndrim kësofare i atyre pak intelektualëve shqiptarë, kryesisht i mësuesve, bëri jehonë të madhe në raport interesi kombëtar- regjim, duke ia bërë me dije këtij të fundit se populli shqiptar i Kosovës nuk do të pajtohet me liri gjysmake, por dëshiron t’i realizojë të drejtat e veta, siç është edhe arsimimi në gjuhën shqipe, si e drejtë themelore.

Nga këto qëndrime, kuptohet se edhe Ibrahim Thaçi ishte tejet i shkathët dhe largpamës, ngase kishte përkushtim të veçantë në kërkim dhe në realizim të së drejtës për shkollë në gjuhën shqipe, që ishte parësor dhe interes kombëtar. Nga kjo pikëpamje, mësojmë se mësuesi Ibrahim Thaçi dhe vargani i mësuesve shqiptarë i viteve ’40 të shekullit XX qëndrimet e tyre i ndërlidhnin me idetë e mendimtarëve iluministë të Rilindjes sonë Kombëtare dhe të atyre evropianë, të cilët së pari kontribuuan në ngritjen e vlerave shoqërore, siç është arsimimi në gjuhën amtare, pastaj liria e individit dhe e kombit.

Ideali i mësuesit Ibrahim Thaçi për edukim dhe arsimim të brezave në gjuhën shqipe ishte njëkohësisht edhe ndërgjegjësimi i tij personal dhe përmbushje e obligimeve të tij intelektuale dhe nacionale që i kishte kundrejt kombit, të cilit i përkiste.

Shembulli i një plejade mësuesish shqiptarë të viteve ‘40, sikurse edhe i Ibrahim Thaçit do t’i shërbejë kombit për ndërtim të një jete më të mirë dhe tipike shqiptare në trojet e veta. Prandaj këta pishtarë të arsimit dhe të shkollës shqipe, bashkë me ta edhe mësuesi Ibrahim Thaçi, do të jenë udhërrëfyesit më të mirë të gjeneratave të ardhshme për inspirim kombëtar plot atdhedashuri, maturi e largpamësi.

Dihet fare mirë se asnjëherë nuk zbehen figurat e mëdha të tabanit kombëtar, por me kalimin e kohës, ato shkëlqejnë edhe më tepër. Një figurë e tillë emblematike është edhe mësuesi Ibrahim Thaçi, emër i shquar i arsimit tonë kombëtar.
Lavdi u qoftë mësuesve të kombit shqiptar!

Lavdi mësuesit të arsimit kombëtar, Ibrahim Thaçi!