Mosmirënjohja është zhveshje nga turpi

0
511
Dilaver Goxhaj

Nga Dilaver Goxhaj

Në kuadrin e 20 vjetorit të Luftës në Koshare, TV Dukagjini organizoi një fushatë dymujore intervistash, si kundërpërgjigje ndaj deklaratës sime, në cilësinë e anëtarit të SHP të UÇK-së, se formacioni taktik GO-3, (Br.138), nuk e realizoi detyrën luftarake për hapjen e korridorit, për furnizimin e UÇK-së me armë e municione nga Shqipëria. Në kulmin e atij tërbimi “patriotik”, një prej kuadrove kryesore drejtuese të atij formacioni, sot gjeneral, Hysen Berisha, në datën 4 maj 2019, midis të tjerave i tha gazetës “Bota sot”: “Koloneli nga Shqipëria Dilaver Goxhaj nuk la ndonjë gjurmë për t’u theksuar në luftën për çlirimin e Kosovës edhe pse ishte në Shabin e Përgjitshëm të saj.”

Kam pritur deri këto ditë që dikush nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së t’i përgjigjej kësaj mosmirënjohjeje të shprehur prej këtij gjenerali. Kam pritur sepse nuk më takon mua të flas për kontributin tim gjat dhe pas asaj lufte. Por kur mësova se Hysen Berishën Kadri Veseli po e bën deputet të PDK-së në zgjedhjet e 6 Tetorit 2019, e kuptova se Hyseni nuk e ka nga nga vetja këtë deklaratë, kur dihet që Hyseni nuk ka qenë as në Kosovë dhe jo më në luftë, gjatë kohës që unë isha në SHP të UÇK-së. Por, derisa po më imponohet kjo luftë morale, ia vlen të luftohet, përderisa “patriotët” Hysen Berisha e udhëzuesit e tij janë zhveshur nga mirënjohja, që do të thotë, se janë zhveshur edhe nga turpi.

Jo më kot filozofi Frederik Niçe pat thënë: “Cila gjë paguhet më rëndë? Modestia jote, mos vënia veshit nevojave të tua, e cila është mungesë respekti kundrejt vetes dhe që shpërblehet me humbjen e shëndetit dhe të miqve, me humbjen e mirëqenies, krenarisë, guximin dhe kthjelltësisë.”

Nëse nuk e di, o gjeneral Hyseni, mësoje, se ai Shtab i Përgjithshëm për çdo luftim vendimin e merrte në mënyrë kolegjale, prandaj dhe dolëm faqebardhë. Ai SHP, si komandant kishte Sylejman Selimi, por Shef Shtabi ishte koloneli me përvojë të gjatë lufte në drejtimin e një Divizioni në luftën e Bosnjës, Bislim Zyrapi, me anëtarë kolegët e tij: kolonelët Ekrem Rexha, Sali Veseli, Mensur Kasumi dhe majori ing. Kurtesh Fondaj, edhe këta me përvojë lufte në Bosnjë e Kroaci, si dhe Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli, Sokol Dobruna, Sokol Bashota, Rexhep Selimi, Fatmir Limaj, Adem Grabovci, Nuri Bexheti, Idriz Hyseni dhe drejtuesit e mediave të vetme në interes të asaj lufte: Ahmet Qeriqi e Berat Luzha, të gjithë me arsim të lartë, që unë dhe kolonel Bardhyl Tahiri i gjetëm dhe punuam me ta.

Si intelektualë që ishim, vendimi shoshitej bashkarisht, duke i shkëmbyer mendimet me njeri-tjetrin. Në secilin vendim është dhe roli im, pasi nuk kisha shkuar në luftë, se më kishte marrë malli të arratisesha nga liria, duke lënë rehatinë familjare e profesionale në Shqipëri e të shkoja të haja ushqim një herë në ditë në mes të plumbave dhe predhave. Pse kemi vepruar në mënyrë kolegjale, prandaj ai Shtab i përbërë nga profesionistë ushtarakë e intelektualë e fitoi luftën, pa mohuar ndihmën e aviacionit të NAO-s. Besoj se duhet ta dish edhe ti si ushtarak që pretendon se je, se vetëm me aviacion nuk çlirohet kurrë asnjë shtet. Kjo fitore është një nga gjurmët më të mëdha jo vetëm në historinë e Kosovës, por për tërë kombin shqiptar. Në këtë gjurmë historike është edhe kontributi im, pavarësishtë se ju cinikët mundoheni që ta mohoni.

Por ky cinizëm e ka shkakun, se kur mbaroi lufta dihet që formohet klani “patriot”, ku je pranuar edhe ti, me Hashimin, Kadri Veseli, Agim Çeku, Xhavit Haliti, Azem Syla, e disa sivëllezër të tyre, të cilët, duke u shfaqur fillimisht si idealist përfituan dhe treguan fytyrën e vërtetë matrialiste, duke privatizuar luftën dhe Kosovën. Unë u them klan “patriot”, pasi bëtë të pamundurën ta çonit UÇK-në në Gjykatën Speciale, për ta shpallur ushtri terroriste, si dhe realizuat Demarkacionin. A mund të më gjeni tradhëti më të madhe se këto dy aktet tuaja, vetëm e vetëm për të qëndruar në pushtet me ndihmën e të huajve? Ai klan u përpoq që edhe mua e djalin tim të na bënin servila dhe vegla qorre të tyre, por ngaqë nuk mundën, na shpallën armiq. Madje, shkuan deri atje, sa bënë të pamundurën, në bashkpunim edhe me Fatos Klosin, të ma dënojnë djalin me burgim, me akuzën: “dezertim nga ushria shqiptare”; njëkohësishtë kanë urdhëruar që ne të dyve të mos na njihet statusi i veteranit. Ai klan nuk do të kishte bërë shumë përkrahës të fuqishëm shqiptarë e të huaj, nëse do të kishte dhënë llogari se ku shkuan financat e Fondit “Vendlindja Thërret”.

Fiksoje mirë z.Hysen Berisha, se unë erdha vullnetar në atë luftë kur grupi juaj i oficerave dezertuat prej asaj lufte, por, ama, nuk e shkova kurrë ndërmend dezertimin. Unë erdha në radhët e UÇK-së, ashtu siç erdhi dikur në çetën e parë partizane të Labërisë, (ku kishte pjestarë dhe të familjes time), Xheladin Beqiri nga Karadaku juaj, i cili është i pari Hero i Populli Shqiptar, shpallur qysh në nëntorin e vitit 1945 nga Qeveria e Përkohshme e Shqipërisë. Qysh kur unë e mësova këtë fakt, prej atëhere unë Kosovën e quaja Shqipëri, prandaj dhe erdha. Po ti dhe klani ku je rreshtuar, a e keni këtë mendim?

Besoj se këta zotërinjtë “patriotë” të kanë treguar, se SHP më ngarkoi edhe detyrën e mbajtjes së bashkëveprimit midis UÇK-së dhe aviacionit të NATO-s, e cila ishte lufta e parë e saj, bashkëveprim për të cilin Komandanti i saj, gjenerali Uesli Klark, në ditën e fundi të luftës u shpreh: “Bashkëveprimi më i mirë luftarak në historinë 50 vjeçare të NATO-s”. Ky falënderim i Uesli Klark do të thotë se SHP e prezantoi UÇK-në në nivel të njëjtë me ushtritë e tjera të NATO-s. Por ti dhe “patriotët” që të mësuan të shprehesh ashtu, nuk e keni aftësinë intelektuale që të mund ta kuptoni këtë nderim kaq të jashtëzakonshëm, i cili vështirë se mund t’i jetë bërë ndonjë ushtrie tjetër guerile çlirimare në historinë e luftrave botërore.

Është po ai SHP që atij “kolonelit nga Shqipëria që nuk ka lënë gjurmë” dhe djalit të tij u ngarkoi edhe detyrën e mbajtjes së bashkëveprimin me Misionin Ushtarak Amerikan, por që Kadri Veseli dhe Agim Çeku nuk lejuan që ai mision të ishte prezent në Shtabin tonë të Përgjithshëm. Arsyet ndoshta do t’i tregoj në ndonjë rast tjetër. Është po ai kolonel që vendosi komunikimin e drejtëpërdrejtë mes SHP të UCK-së dhe gjeneralit Uesli Klark, dhe që u ndërpre po me urdhër të Kadri Veselit e Agim Çekut. Sa gjëra nuk dihen nga populli, o Hysen…

Por gjurmët e asaj lufte, o gjeneral, po nuk u shkruan, nuk janë më gjurmë, por llafe odash. Gjurmë janë librat dhe artikujt historiko-shkencorë për atë luftë çlirimtare, dhe jo mburrjet tuaja nëpër ndenjie e nëpër intervista gazetash e TV. Unë, përveç se mbi 100 artikuj të tillë, të botuar gjatë dhe pas lufte, kam botuar edhe 6 libra: “Rruga që më çoi në rradhët e UÇK-së”, “Romanika e luftës së UÇK-së”, “UÇK-ja dhe Kadareja”, “Një kolonel midis Tiranës dhe Prishtinës”, “Drama e UÇK dhe e Adem Demaçit”, dhe ditët e fundit “Lufta e Koshares”, si dhe dy të tjerë që janë gati për botim. Pa më thuaj ti dhe klani që të adaptoi ti, se sa gjurmë të tilla keni lënë?

Këto të vërteta nuk i pëlqejnë klanit tuaj, pavarësisht se në pamje të parë kategoria e juaj duket se e doni të vërtetën. Por e vërteta është e hidhur, prandaj dhe nuk mund të jetë mikeshë e njerëzve shpirtvegjël.

Z. gjeneral Berisha, përmendia vetëm e këtyre pak gjurmëve, shpresoj se do t’ia ngacmojë disi ndërgjegjen kallëpit tuaj “patriot”, për t’u çliruar sadopak nga mbingarkesa e lartë mosmirënjohëse që keni. “Mosmirënjohja, – shkruan Sami Frashëri, – është ligësia më e madhe në botë. Shërbyesit e njerëzimit, kundrejt veprave të tyre të mira që kanë bërë, shpresojnë që të paktën të dëgjojnë një falënderim, të shohin pak nderim, por kundrejt tyre mbahet një qëndrim mospërfillës e harese dhe shumë herë bëhen objekt mërie, armiqësie e përbuzjeje. Kjo gjëndje i bën ata të pendohen pse janë njerëz.” Duket sikur Samiu e ka thënë këtë shprehje posaçërisht për këtë kallëp “patriotësh”, i cili nuk respektoi as edhe dy korifejt e ndërgjegjësimit të popullit shqiptar në Kosovë, duke e bindur se liria fitohet me gjak dhe jo me lutje, Adem Demaçin e Rexhep Qosen, ku as për deputetë e ministra nuk i propozuat.

Ua dhashë këtë përgjigje të detyruar, për t’u thënë: Njihni veten!, pasi po më përforcohet bindja se i gjithë klani juaj ka shumë gjasa që të mos ketë të njëjtën ADN shqiptare, jo vetëm me ne bashkëluftëtarët e UÇK-së, por ka gjasa as edhe me fisin nga rridhni, ndryshe do të kishit deri diku një sens mirënjohjeje sado të zbehtë.

Tiranë, 30 shtator 2019