Mund ta shpëtojmë Bashën nga Rusia, po jo PD-në nga Basha

0
483

Nga Mero Baze

Alarmi që shumë mbështetës të Lulzim Bashës në shtyp, apo shoqëri civile, kanë nga akuzat e bëra nga shtypi më serioz amerikan për lidhjet e tij me rusët, është pa shpjegim. Të gjithë po nxitojnë ta quajnë “përrallë ruse”, shpikje të Edi Ramës, apo çfardo gjë tjetër, përveçse siç e paraqet shtypi amerikan.

Ne fakt, të vërtetat që po dalin janë aq larg përfytyrimit, sa vështirë se dikujt do t’i kishte shkuar në mendje.

Por është interesante se të gjithë “nihilistët” e këtij debati, janë gati të quajnë letër higjenike “New York Times”, “Zërin e Amerikës”, “Mother Jones” e dhjetëra gazeta të tjera, por nuk vënë në dyshim vetëm dy persona, Lulzim Bashën dhe lobistin e Muzin.

Kushdo që e dëgjoi Lulzim Bashën dje në “Opinion”, e ka të qartë që Lulzim Basha nuk ka përgjigje më për asgjë. Ai nuk ka përgjigje për shumën që ka paguar PD zyrtarisht me transfertë bankare nga Tirana në Uashington, për Muzin. Nuk ka përgjigje përse kompania ‘Biniatta Trade LP”, me aksionerë rusë, ka paguar për llogari të tij 675 mijë dollarë. Nuk ka përgjigje pse Muzin thotë që ka marrë 500 mijë dollarë për llogari të PD-së nga ‘Biniatta Trade LP” me pronarë rusë.

Nuk ka përgjigje kush është fondacioni shqiptaro- amerikan që vetë Lulzim Basha e zbuloi para tre muajsh, po në “Opinion”, kur ju desh të gënjente për herë të parë për këtë çështje. Nuk ka përgjigje kë ka paguar fondacioni dhe kush janë 100 shqiptarët, që sipas tij, kanë sponsorizuar PD-në aty. Nuk ka përgjigje në ç’rrugë janë bërë pagesat…!

Ai ngjan si një balonë që dikush e ka lëshuar në ajër, i ka shpuar membranën, dhe nuk di ku do bjerë. Mban mend vetëm kur u nis balona.

Ai thotë se do ta hedhë në gjyq shtypin amerikan, thotë që Edi Rama i ka blerë ata, bile dhe gjëra më qesharake, të tipit “që Edi Rama e bën këtë, se urren Trumpin”, por nuk thotë fjala vjen se do hedhë në gjyq lobistin Muzin, pasi në fund të fundit, të gjithë, atij dhe deklaratave të tij po i referohemi, që na del Basha mashtrues dhe agjent rus.

Tani të gjithë këta që mbrojnë Lulzim Bashën nga akuza ruse, është mirë një herë të flasin me Lulzim Bashën dhe t’i sqarojë “off record” çfarë ka bërë, se një klient në rrezik, së paku duhet të sqarojë avokatin e tij. Ky siç e ka zakon, gënjen dhe avokatin. Në këtë rast, të gjithë avokatët e tij, vullnetarë dhe të paguar.

Pra, para se të vëmë në dyshim shtypin amerikan dhe burimet e tyre, që nuk e kanë zakon të gënjejnë, është mirë të vëmë një herë në dyshim këto që thotë Lulzim Basha, i cili që kur e njohim, vetëm na ka gënjyer. Ky besimi i verbër që Lulzim Basha po thotë te vërtetën, si një “njeri që s’ka gënjyer kurrë”, që ndërkohë nuk i rakordon më asgjë nga ato që thoshte dhe para tre ditësh, do të thotë se mbrojtësit e tij, janë një tufë kamikazësh që në fund do t’i turpërojë ai që duan të mbrojnë.

Po aq paranojake është dhe pyetja pse po hapet tani ky debat. Mbi të gjitha, ky nuk është një debat i hapur tani nga ndonjë teori konspirative. Ky është një debat i hapur në SHBA, kur lobisti Muzin dorëzoi letrat në fund të vitit të kaluar. Ai u bë publik fillimisht nga BIRN dhe që gjithë këta kamikazët e Bashës e injoruan. Me të u mor gazeta “TemA” dhe dy gazeta të tjera, dhe se zuri njeri në gojë.

Kjo pyetja idiote “pse u hap tani”, duhet të zëvendësohet me pyetjen “pse u djeg tani”, se ajo nuk është hapur tani dhe nuk është hapur për shkak të Lulzim Bashës, por për llogari të palës amerikane.

Nga ana tjetër, për të qetësuar të gjithë të shqetësuarit për lidhjet ruse të Bashës, unë kam parandjenjën se kjo histori është më keq se sa Lulzim Basha të ketë paguar lobistin amerikan të Trumpit, me para ruse. Unë nuk mendoj se rusët e kanë të rëndësishëm Lulzim Bashën, përveç kohës së çadrës, kur mund ta kenë marrë seriozisht si destabilizues. Edhe pse koha përkon, sërish më shumë jam i prirur të besoj se edhe më keq se kaq, është se Lulzim Basha, si një njeri që nuk di ç’ti bëjë milionat, në përpjekje për t’i fshehur ato përmes miqve të tij problematikë (njësoj i ka pas të gjithë, që nga Fazlliçi, deri tek Alptekini), është zhytur në duar “ustallarësh”, të cilët, edhe paratë ja kanë marrë, edhe ja kanë kanalizuar përmes llogarive bankare të miqve të tyre rusë.

Kjo është tragji-komike, por më duket më e vërtetë, se sa versioni që rusët të paguajnë për Lulzim Bashën. Lulzim Basha ka paguar në emër të rusëve. Lulzim Basha e ka blerë belanë me para, dhe vetëm shtypi amerikan, që e merr seriozisht, e merr dhe si agjent rus. Ky është thjesht një idiot, që s’di ku të çojë lekët që ka vjedhur këtu, dhe për t’u dukur interesant, si i dërguar i Trumpit në Kamëz, ka rënë në rrjetën e rusëve.

Ky është i vetmi skenar i imi dashamirës, që e shpëton Lulzim Bashën nga rusët, por jo PD-në nga Lulzim Basha. Ajo që ky i ka bërë PD-së me këtë akt, tregon qartë se ai e ka PD-në një parti private, një sigël për të justifikuar miliardat, një seli për të ekspozuar fotografitë e blera me miliona, dhe në fund, një zyrë kamikazësh, ku në Prokurori, në vend të tij, dërgon gjithmonë Arben Ristanin, i cili zor se e ka marrë vesh që Rusia nuk quhet më Bashkimi Sovjetik.