Mustafa Spahiu: “POEZIA SHQIPE UDHËHEQ POEZINË BALLKANIKE”

0
480
Mustafa Spahiu

Poeti dhe përkthyesi i mirënjohur Mustafa Spahiu, tregon 55 vjet të krijimtarisë së tij

Hartimet e para (me drojtje) datojnë nga vitet 1962 – 1965, kur u botua vjersha ime e parë “MALl” në gazetën javore “Flaka për fëmijët tanë” në Shkup, e diel, 21 mars 1965, me redaktor z. Talat Avçe (i ndjerë). Si të merrnja kurajë e trimëri e t’ju thonja moshatarëve të mi, se mua më është botuar një vjershë dhe se unë hartoj vargje e vjersha, poezi për fëmijë… Kjo do ishte një bombë e kurdisur me sahat…! Shihe, shihe ti, ai çuni i usta Veliagës qerrepunues, na qenkërka bërë edhe “kojkatar!” e po shkruajka edhe në gazeta… Mirëpo, fletorka ime me ditë e me javë mbushej me vjersha dhe me tregime të vogëla…

Intervistoi: Mujë Bucpapaj

1. Mustafa sivjet bëhen plot 55 vjet nga koha kur keni botuar vjershën e parë, më 1965 në “Flaka për fëmijët tanë” në Shkup. Çfarë është për ty ky përvjetor si njeri dhe si poet?

– M.S.: Prej pyetjes suaj po më sjell ndërmend, po më përkujtoni at kohën e artë me një këmbë në fëmijëri dhe me tjetrën në djalëri… Gjithnjë me libra në dorë, si ato shkollore dhe ato me belitristikë në Bibliotekën “Drita” që për fat ishte në fshatin tim, me një fond goxha të pasur me mbi tetë mijë ekzemplarë, natyrisht gjashtë mijë në shqipe dhe dy mijë në serbishte dhe kroatishte. Biblioteka ishte një tempull i vërtetë për të gjithë fëmijët (nxënësit) edhe të 12 fshatrave të afërta.

Ne, të fshatit tim dhe te fshatit Dajkoc lexonim në bibliotekë, kurse lexuesit tjerë natyrisht, pasi iu regjistroheshin emrat dhe mbiembrat i merrnin në shtëpitë e tyre, me porosinë e bibliotekistit që brenda dhjetë ditësh pas leximit t’i kthenin dhe të merrnin ndonjë titull të ri. Prandaj, hartimet e para (me ndrojtje) datojnë nga vitet 1962 – 1965, kur u botua vjersha ime e parë “MALl” në gazetën javore “Flaka për fëmijët tanë” në Shkup, e diel, 21 mars 1965, me redaktor z. Talat Avçe (i ndjerë).

Pst! Si të merrnja kurajë e trimëri e t’ju thonja moshatarëve të mi se mua më është botuar një vjershë dhe se unë hartoj vargje e vjersha, poezi për fëmijë… Kjo do ishte një bombë e kurdisur me sahat…! Shihe, shihe ti, ai çuni i usta Veliagës qerrepunues, na qenkërka bërë edhe “kojkatar!” e po shkruajka edhe në gazeta… Mirëpo, fletorka ime me ditë e me javë mbushej me vjersha dhe me tregime të vogëla… Kur i shfletoj ata fletë të zverdhura e të zhubrosura… Sytë më rrëshqasin mbi vargje: Mbi kodrinë të fshatit / Një djalosh qëndron / Këngën më të bukur / Vendlindjes ia këndon… Ndërmendi atë kohë të artë të djalërisë dhe fort përmallem… Po, po sivjet u mbushën 55 vjet. Ky përvjetor është një thesar që s’ka peshore gëzimin tim që e peshon, as faleminderimet më të florinjta s’mund t’i shpaguhem prestigjiozes Nacional, që askënd nuk lë me buzë në vaj…

Nacional, Portën triumfale e ka të hapur natë e ditë. Për mua, ky 55 vjetor është mrekullia e tetë në botë, ky përvjetor është si kopshtet e varura të Semiramidës, si Ujëvaret e Viktorisë! Në këto 55 vjet po gëzohem si fëmija dhe po derdhi lot mallëngjimi për tërmetin e 26 nëntorit që e goditi Durrësin me rrethinë dhe tërë Shqipërinë etnike dhe tani kjo e fundit Korona virusi. Shëndet mbarë njerëzimit… Le të rriten fëmijët pa strese e trauma…!

2. Jeni një gazetar dhe publicistit i mirënjohur në hapsirat shqiptare. Por pyetja ime ka të bëjë me përvojën tuaj si gazetar në Radio Shkupi – programet në gjuhën shqipe, ku për 25 vjetë me radhë e keni drejtuar me sukses emisionion më të dëgjuar për fëmijë “Lule më lule”. Çfarë ishte për ty kjo përvojë e rrallë?

M.S.: Gazetar dhe publicist? Pyetja juaj është më se e qëlluar dhe po godisni në nishan – përvoja si gazetar në Radio Shkup – programet në gjuhën shqipe. Rrumbullak 41 vjet punë të pandalur! Gazetarët e rinj janë si “pushka e shkurtë” të përdorshëm e të papërtueshëm për çdo zhanër dhe gjini radiogazetareske nga lajmi deri te dokumentari etj. Gazetarët e gazetave dalin me shërbim me laps dhe notes në xhep.

Radiogazetari është i ngarkuar – them – deri në vitet 1995, me manjetofonin 12 kg dhe rekuizitat tjera ose manjetofonin e quajtur Nagra (radio lëvizëse) me mikrofon në dorë në vijën e parë të ngjarjes ose vendndodhjes, për të qenë sa më aktual dhe atraktiv. Fat i madh ka qenë se kam punuar dhe kam përthithun (sfumuar) përvojë, njohuri e dituri nga gazetarët më të shquar të kohës. Teknikën e incizimit e përvetësova nga mjeshtrit e zërit nga kolegët maqedonas.

Emisioni i fëmijës në gjuhën shqipe i koduar “LULE MË LULE” që si gazetar-redaktor për 25 vjet sa e drejtova e moderova dhe e udhëhoqa me dashuri të përkushtuar plot 25 vjet në kohëzgjatje 115 minuta, me dëgjueshmeri deri në Librazhd, Pogradec, Korçë, Preshevë dhe Kaçanik, Viti dhe Gjilan. Për Maqedoni as mos ta diskutojmë. Buka e radiogazetarit, është bukë me shtatë kore dhe krahasohet me kazmën e xehetarit (madenxhiut). Dhe bjerr në gjumë pa bukë – të nesërmen zgjohu me temë të re…

3. Po në radio Shkupi keni drejtuar mbi 14 vjet emisionin letrar të quajtur “Tingulli i artë i fjalës”. Cfarë kujton nga kjo periudhë? Vështirësitë për të promovuar letërsinë shqipe dhe problemet tjera që ka një emision letrar?

– M.S.: Po, po është e vërtetë si Dielli në pëllëmbë të dorës. Në Radio Shkupi, ekzistonin katër programe: Programi i parë dhe programi i dytë në maqedonisht, ne shqiptarët dhe turqit ishim hisetar të programit të dytë, që emetohej çdo ditë me një kohëzgjatje prej 2 orëve e 15 minuta, mirëpo programi ynë me gazetarë punëtorë të shkathtë e entusiastë, që lënë për dëshiruar. Programi në gjuhën shqipe, pos lajmeve dhe Radioditarit, tekstualisht ishte në oazën e vet të pashterrur çdo ditë i kishte zhanret e veta, ku përfshiheshin të gjitha emisionet më vitale që dëgjoheshin me respekt dhe konsideratë.

Të kuptohemi se po flas për një auditorium të gjerë të javores evropiane NACIONAL. Në atë kopsht të vogël figurativisht po them, ku dhemb dhëmbi vete gjuha, do t’i thotë një poet “më vrau fjala më e rendë se plumbi!” Çdo javë emetohej edhe emisioni letrar dhe përgatitej nga gazetarët poet të shquar, ju lutem po i kursej emrat e tyre, për mua kanë qenë si prindër shpirtërorë! Le të prehen të qetë në botën e amshuar… Në këtë bisedë do të bëja një gafë, sikur të mos e përmendja Radiodramen në gjuhën shqipe, që në at yrt të vogël emetohej çdo të dytën javë në muaj.

Në rastin konkret as që më ik nga mendja muzika tepër e mrekullueshme, sepse të gjitha emisionet e gjinive radiogazetareske ilustroheshin pikërisht me muzikë të mirëfilltë shqiptare. Të ndalemi te emisioni letrar, sepse kopshtarit të emisionit me kalimin e viteve – filluan kordhat e zërit të bëhen bariton. Programi në gjuhën shqipe, si të thuash, gati vit për vit zgjerohej, rritej minutazhi, shtoheshin edhe emisione të reja…

Për një fjalë të një kolegu, se ma “shau” emisionin e fëmijës, unë me kokeforcinë time u ndava me Emisionin për fëmijë “Lule më lule” dhe u kapa për lisat e lartë – emisionin letrar “Tingulli i artë i fjalës” dhe plot 14 vite e përgatita, e mbarështrova, e moderova dhe mora rolin e aktorit dhe vargjet e atyre poetëve vetë i deklamoja. Për 14 vjetë janë emetuar dhe kanë parakaluar 728 emra, që nga Rilindasit e Vjetër, Rilindasit e Rilindjes dhe të zgjimit kombetar, deri te krijuesit më të rinj. Mburrem me një poet i lindur në Shkup, fjala është për rilindësin Ndue Bytyqi (1847-1917). Lista e emrave të tjerë është e gjatë, që janë të denjë respekt të lartë.

4. Në vitin 2008, programi i Radio Shkupit në gjuhën shqipe të ka akorduar mirënjohjen më të lartë për vepër jetësore. Si jeni ndjerë nga ky nderim prej redaksisë, ku keni punuar një jetë të tërë?

M.S.: E vërtetë nga puna ime ku punoja, pra në Radio Shkupi – Programi në gjuhën shqipe. Dy herë më 1998 dhe më 2004 më shpallen gazetar i vitit. Një hov edhe më i madh m’u dha për motive e gjetje të reja… Puna vazhdonte në shtratin e rrjedhës së lumit të jetës. Në zanatin e gazetarit tashmë kisha fituar një përvojë të kalitur e të skalitur jo vetëm si gazetar i shërbimit në terren, por edhe, do ti si mjeshtër i zërimit (incizues) i përpikët me manjetofonin “Uher”. Sillnja inçizime të mrekullueshme… U magjepsa në punën e radiogazetarit.

Ia behi viti 2008, ashtu si në shaka redaktori më tha në mirëbesim se ne nga koligjumi unanim kemi vendosur ta akordojmë jë shpërblim të lartë. Mirënjohjen më të lartë për vepër jetësore… Bah! Unë u stepa në vend, duke mos iu besuar veshve të mi! Vallë, është e mundur që unë të vlerësohem e nderohem me një mirënjohje kaq të lartë, kur në Radio Shkupi ekzistojnë programe me gjuhët nga më të ndryshe 8 – 11 gjuhë të nacionaliteteve…

Thënë të drejtën fort u gëzova, se djersa herët ose vonë e paska shpërblimin. Në moshën e
re ia nisa punës ende pa i mbushur 21 vjet… Pse mos ta them, sepse u gëzova që gazetari i fëmijëve u bë goxha burrë i pjekur. Në moshën 60 vjet m’u akordua Mirënjohja më e lartë për vepër jetësore… Lumi i kaltërt i jetës vazhdonte rrjedhën e vet…

5. Keni marrë shumë shpërblime letrare e mirënjohje nga shumë institucione dhe
asociacione të fëmijëve, në shkallë republike dhe jashtë Maqedonisë. Në takimet letrare të organizuara nga Shoqata e artistëve “Pushkin” në Tetovë u nderua me çmim të parë. Çfarë janë për një shkrimtar këto mirënjohje?

– M.S.: Populli ynë hyjnori dhe më i lashti e ka një shprehje perlë: “Vete malli te hallalli!” Kur e kemi në spikamë çështjen e shpërblimeve nuk mund të rri indiferent. Shpëblimet janë si nje kopsht me lule. Lulishtari i devotshëm që në hapat e parë vizitorin dhe mikun e luleveve e shquan prej së largu dhe hëpërhë e din se cilën lule ia dhuron në shenjë mirënjohjeje dhe devotshmërie. Shpëblime letrare e mirënjohje kam marrë nga shumë institucione dhe asociacione të fëmijëve, duke u nisur nga Krahina e Kosovës (sic), në shkallë republike dhe jashtë Maqedonisë, nga Shqipëria, Zara në Dalmaci, nga Mostari në Hercegovinë.

Në takimet letrare të organizuara nga Shoqata e artistëve “Pushkin” në Tetovë u nderova me çmimin e parë në mesin e 40 poetëve pjesëmarrës. Kryetar i jurisë profesionale ishte Prof. Dr. Bardhyl Maliqi, për poemën time “GRAMI” I, II dhe III. Vlerësimin e jurisë atë ditë e çmua dhe vlerësua me respekt! Çmimi letrar “Pushkim” ka një vlerë dhe rëndësi të rëndësishme ndërkombëtare.

E veçantë për mua, është një mirënjohje e një emri të madh siç është Pushkini. Marrë një dromcë guxim dhe e flaki modestinë – gëzimi për mua personalisht ka një kuptim dhe një domethënie të madhe letrare e artistike. Fjalën e ka poeti e liriku me vargun e tij filigran Profesor Bardhyl Maliqi, që veprat e tij janë përkthyer në kroatisht dhe në mënyrë dinjitoze janë vlerësuar lartë nga kritika në kroate.

Mustafa Spahiu

6. Mustafa përveçse jeni i njohur si poet, kritik letrar, esesit, gazetar e publicist, keni arritje të mëdha edhe si përkthyes. Keni të përkthyer mbi 30 vepra nga gjuhët kroatisht, boshnjakisht, maqedonisht, serbisht, malazeze dhe nga shqipja në këto gjuhë. Çfarë është për ju përkthimi?

– M.S.: Miku im Mujo, me të gjitha ato alamet atribute letrare që po më cilësoni pesë-gjashtë sosh letrare, je një virtuoz i letërsisë dhe syrit tënd nuk iu ikin edhe arritjet e përkthimeve, që janë prurje e suksese në letërsinë panshqiptare…

Të përgëzoj për kujdesin e madh edhe në fushën e përkthimit! Deri më tani kam përkthyer jo 30, por 40 vepra nga pesë gjuhët sllave, që i ke piketuar me një ekzaktësi brilante. Pikërisht gjuhët që Ju i apostrofuat unë shqipen ua kam prezentuar me djersë e mund, pa kursyer as atomin e fundit të shpirtit e mendjes time…

Për mua përkthimi ose shqipërimi është art i vërtetë letrar. Shpresoj se përkthim të përkryer nuk ka, sepse cili akcil filani, pa i njohur të dyja gjuhë rrënjësisht e veçmas frazeologjinë gjithashtu të të gjuhëve përkthimi, për veten time del çalaman ose siç thotë fjala e urtë: “Nusja e bukur, por njerin sy të verbër!” Një shembull në serbisht ata i thonë: “kiselo mljeko”, ne e përkthejmë fjalë për fjalë, ose tekstualisht duhet t’i themi “qumësht i thartuar”.

Shqipja jonë e ka fjalën kos, prodhim i qumështit! U tromaksa kur lexova një përkthim nga rusishtja në shqipe, se Sergej Esenini, i kishte tre xhaxhallarë!!! O, njerëz të tre vëllazërit e nënës nuk janë xhaxhallarë, por janë dajallarë!!! Meseleja e përkthimit është për mua sikur me majen e gjilpërës fillon dhe hap një bunar (pus). Punë të mbarë atyre penave që kanë talent dhe durim!…

7. Përveç se jeni shkrimtar dhe përkthyes i shquar i letërsisë shqipe në disa gjuhë, jeni edhe veprimtar i shquar, jeni anëtar i dy shoqatave letrare: Shoqata e shkrimtarëve shqiptarë në Maqedoni dhe Shoqata e shkrimtarëve të Maqedonisë. Jeni po kështu edhe anëtar i Klubit të shkrimtarëve “Konstandin Kristoforidhi”
të Elbasanit, R. e Shqipërisë. Jeni qytetar nderi i qytetit të Durrësit dhe Mik i
madh i fëmijëve, akorduar nga prefektura e qytetit të Durrësit. Si e bashkërëndoni punën si shkrimtar me atë të veprimtarit shoqëror?

M.S.: Po është e vërtetë e kristaltë! Krahas atyre atributeve që po m’i ndërmendni mua personalisht qëndrojnë dhe mbajnë të dhëna të pamohueshme. Më duhet në këtë intervistë ta them një sqarim për lexuesit e devotshëm.

E para, është Lidhja e Shkrimtarëve të Maqedonisē, e formuar më 1947 dhe para tri viteve e shënoi 70-vjetorin e ekzistmit të vet. që edhe unë jam (tani figuroj vetëm në regjistër). Gjatë asaj periudhe të monizmit tri herë kam qenë anëtarë i kryesisë, sipas atij të famshmit, “vëllazërim-bashkim” dhe dihet mirëfilli nga një anëtar: shqiptar, turk dhe rom!!! Poashtu më zgjidhnin edhe anëtar i shpërblimeve letrare të të gjinive, kurse natyrisht të tjerët ishin goxha shkrimtarë e kritikë letrarë par excellence!

Ata vetë vendosnin dhe vetë vulosnin!!! E – mua nuk më pyesnin as sa bante tërshëra. Që prej themelimit të LSHM, kurrën e kurrës nuk ka pasur nënkryetar shqiptar??? Vetëm njëherë ka qenë sekretar Adem Gajtani (1935-1982). Dhe dihet se kush i vjelte të gjitha shpërblimet dhe udhëtimet deri në Sankt Petërburg dhe nëpër Evropë, kuptohet me shpenzime të majme të shtetit.

Në “Muzgjet poetike të poezisë të Strugës“, në atë manifestim letrar ndërkombetarë e ashtuquajtura “ajka” aristokrate e poetëve maqedonas merrnin pjesë familjarisht, biles edhe me vjehrrat e tyre se ato ishin meritore që dhëndurët i kishin poetë. Kishte tek-tuk ndonjë shkrimtar bredhës anëtar i LSHM-së, e ndonjëri përbirohej nëpër vrimën e gjilpëres – poet ose shkrimtar nga Kosova.

Po në dy brigjet (anët) e lumit Drini i Zi, ku valonin flamujt e shteteve, dreq o punë gati çdo dy vjet grisej Flamuri i Shqipërisë! Shih me sy e plas me zemër!!! Hetimet gjithnjë ishin në vazhdim! Qindra anomali të tjera ndodhnin… Prit! Erdhi plurazmi! Sapo e morën pushtetin në dorë mua më dera m’u kyç me shtatë katinarë… – Ju lutem për SHSHSHM-së kurseni, nuk kam asnjë fjalë! Si anëtar i Klubit te Shkrimtarëve “Konstandin Kristiforidhi” të Elbasanit, derisa ishte gjallë poeti e haikuisti Milianov Kallupi (ndjesë pastë), Klubi në fjalë zhvillonte një aktivitet letrar me bëshmëri europiane! Tani nuk kam njohuri si zhvillohen aktivitet letrare në Elbasan?!

Rasti thonë është mbret i botës! Unë si gazetar kisha vajtur në qytetin e Tetovës. Në një restoran rrinin tre-katër zotërinj. Një miku im pa u përmbajtur thërriti me zë të hareshëm: “Ja njeriu!, ishte fjala për mua, që i njeh të gjitha shkollat, institucionet dhe asociacinet për fëmijë në tërë Maqedoninë.” Pas përshëndetjes vëllazërore, më thanë vëllazërit nga Durrësi të Qendrës kulturore të fëmijeve, ish-drejtori zotëri Rrapi (mbiemri s’më kujtohet) dhe drejtori tani i ri zotëri, Naim Kërçuku, kërkojnē bashkëpunim në R. të Maqedonisë… Me të thënë, me të bërë.

Atëherë çfarë bëra unë dhe pak më vonë edhe ime grua (ndjesë pastë) duke mos kursyer asgjë për QKF-në e Durrësit. Ja Durrësi ma hapi portën triumfale dhe më nderoi dhe më shpërbleu me mirënjohje të larta: “Qytetar nderi i qytetit të Durrësit“, “Mik i madh i fëmijëve“, akorduar nga prefektuara e qytetit të Durrësit. Tri herë QKF, tri vepra e mia i promovoi në Teatrin e qytetit “Aleksander Mojsiu” dhe në dy librari të qytetit. Pjesëmarrës dhe vlerësues i promovimeve të librave të zotëri Vaso Papaj; i ftuar dasmor me time nuse. “Oh, këtij Durrësit mos ia harrofsha, Për të mira gjithmonë ia shpagofsha!

8. Pas 41 vjet shtazh pune tani jeni në pension, por krijon, punon, lexon, përkthen, boton dhe jeton në qytetin e Shkupit. Energjitë tua për kulturën dhe letërsinë shqiptarë nuk shterojnë kurrë?

M.S.: Ndaç lyp, ndaç lep, po s’punove kush një dyshkë s’ta jep – thotë urtia jonë shqiptare… Ju keni të drejt katërcipërisht. Mua mundi po më shpagohet! Unë po e shrytëzoj vetëm djersën time! Jam i fundit poet fshatar dhe leximin e kam pas bukës ushqim të dorës së parë. Punoj, se puna është një nder i veçantë, nuk jam bjerraditës! Botoj se pena ime më qorton duke më thënë “…ku është kontributi im, mos ma ha hakun se nuk të ndihmoj, o mik im!Jetoj në qytetin e Shkupit plot 50 vite, në urbanizëm… pa e harruar fare jetën fshatareske.

Krahas shqipes, lexoj paralelisht edhe në pesë gjuhë sllave. Dikur isha si hidroçentrali i Asuanit në lumin Nil! Energjinë për kulturën dhe letërsinë shqiptare dhe kulturat tjera m’i gjunjëzoi sëmundja e reumit, katër unazat e lënduara të boshtit kurrizor dhe mizorja vetmia ekstreme po më godasin me rrufenat e Zeusit. Por, kot e kanë nuk iu dorëzohem fare. Me lexim e shkrim permanent jam i lidhur si Anteu për Dhemetrën – Tokën Nënë dhe me javoren NACIONAL

9. Nga leximet e krijimtarisë tuaj shoh që vendlindja është një burim i pashtershëm frymëzimi. Si e kujton vendlindjen, fëmijërinë, pridërit tu? Sa ka ndikuar vendlindja në kritijimtarinë tuaj ?

M.S.: Mrekulli syrin e keni skyfter! Vlerësim diamant. Anamorava ime nuk është e madhe sa Myzeqeja. Ka ndonja pesë-shtatë lumenjthë që kurrë nuk shterrojnë. Janë si burimet e pashtershme të frymëzimeve të mia. Vendlindja ime e shtrenjtë është një hapësirë kodrinore-rrafshnore me fshatarët (dikur) tepër bujqër e punëtorë; tepër të vyeshëm, të sertë e të prapë, por bujarë e mikpritës për çdo nder e lakmi! Kam qenë djalë i dëshirit. Kalin tim eti e shaloja pa kapistër, pa shalë dhe pa frê!

Me shokët e mijë në një vend të quajtur grellinë në muajin korrik me sajët tona dilnin për të rrëshqitur (hahaha). Im atë ishte autodidakt dinte e shkruante dhe lexonte vetëm në alfabetin cirilik! Ju lutem, NANA ishte një punëtore më e vyeshme se bleta dhe i dinte mbi 300 këngë nga ninullat, bulmetit dhe ritet e tjera të stinëve. Im at ishte edhe zejtar i dëgjuar si qerrepunues në tërë Anamoravën e Poshtme. E kishte durimin dhe burrërinë e 124 burrave të odave. Tepër ndihmoheshin me njeri-tjetrin. Nana për mysafirët me babain digjeshin si qirinj. Tani me gusht iku vapa dhe çapenllëqet e mia gjenden nëpër vargje…

10. Si e vlerësoni letërsinë e sotshme për fëmijë?

M.S.: Vlerësimet e mia personale për letërsinë për fëmijë kanë filluar të veniten sikur lulet në vazo? Pse? Sepse fëmijët e shekullit 21-të, janë thelluar në epokën e kompjuterikës e kibernetikës. Po u them një të vërtetë të pamohueshme e të pakontestueshme. Shembull eklatant, një kalama vjeç 5-6, këto aparatet e komunikimit mobilin, telefonin e xhepit, viberit etj. në praninë tënde t’i çmonton dhe t’i monton dhe të thotë: “xhaxhi, urdhëro mobilin, ditën e mirë!”

E moshatarët e mij ende mirremi me përralla, me princër e princesha… dhe na ishte njëherë një… kush na ishte… Ose ajo tjetra, i themi viçokut ha bar! Viçoku na thotë neve hani ju bar, o të uruar poetë, se nuk po gjeni motive tjera…

11. Po poezinë bashkëkohore shqiptare ?

M.S.: Nëse e keni pyetjen dhe fjalën për poezinë shqiptare për fëmijë në Shqipërinë Etnike, në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Luginën e Preshevë dhe në diasporë. Unë, po flas në veten e parë njenjës… Poetët për fëmijë as që i qasen leximit, nuk kërkojnë frymëzime, as tema, biles as motive të reja dhe mbresëlënëse.

Po ende nuk e kanë imagjinatën që fëmijën ta gudulisin me vargje tejet të afërta e të thekura që fëmija të magjepset në vargun e skalitur si me bisturi dhe të mos e harroj si qumështi i nënës. Duke zënë fill nga Konstandin Kristoforidhi e deri tek akcil filani, shkruajnë: shpezët shtegtarë dhe florën që kanë shkruar Rilindësit më bukur se ne. Fjala e artë: “gjeje temën tënde dhe ndërto poezinë për fëmijë.” Uroj!

12. Prej 12 vjetësh bashkëpunoni me gazetën kombëtare “Nacional”, e cila ju ka
vlerësuar më çmimin e “Përkthyesit të vitit”, si e vlerësoni këtë media të letërsisë dhe kulturës shqiptare?

M.S.: E vërteta del prej kallamit të liqenit. U mbushën 12 vjetë që po bashkëpunoj me gazetën kombëtare “Nacional“, të së cilës i falënderohem përzemërsisht, e cila më ka vlerësuar me çmimin “Përkthyes i vitit“, si mund ta vlerësojë ndryshe se pikërisht ky medium më futi nën regjimentin e përkthyesve me famë botërore, veçmas i regjimentit të kulturës dhe letërsisë shqiptare… Unë, poeti i fshatit si përkthyes me ato pena të nderuara dhe të denjura për respekt! Krenohem dhe jam i nderuar.

13. Si përkthyes i gjuhëve ballkanike, si e shihni poezinë shqipe në krahasim me atë ballkanike?

M.S.: Si përkthyes i gjuhëve sllave do isha shumë i njëanshëm, nuk do më ngjante të them se letërsia kroate, boshnjake etj., nuk janë të arrira. Secila e ka vlerën e vet letrare artistike… Vetëm bufi i mburr zogjtë e vet, se nuk shikon ditën… Letërsia shqipe bashkëkohore po ecën me hapa të sigurtë dhe pa hamendje jo vetëm në Ballkan, Europë dhe në botë mund të mburremi. Poetët tanë janë maestro të poezisë, pse jo edhe të prozës e gjinive të tjera. Bota kërkon të përkryerën dhe të përsosurën….

14. Si është një ditë e jetës tuaj në Shkup?

M.S.: Një ditë e jetës sime në qytetin e Shkupit, për një krijues, për një lexues të devotshëm është e zymtë, pa gjallëri. Dhe do t’i papandehur u shfaq një lëngatë e papritur Koronavirusi që çdo gjë paralizoi. Me të drejt ligjërisht hyri në fuqi ndalim-qarkullimi dhe të tjerat varg e vij, ndryshoi itinerari i çdo gjëje vitale. Vetëm lumi Vardar nuk e ka ndryshuar rrjedhën e vet. Një urti shqiptare thotë: “Frika e ruan vreshtën!” S’do mend se frika është e pranishme te çdo qytetar i ndërgjegjshëm dhe që ka vetëdije të lartë për të miren e mbarë njerëzimit. Me librat kam lidhur kontratë për t’i lexuar me vëmendje dhe helbete, kushtimisht nëse vjen ndonjë varg, strofë ose vjershë… Tani për tani kjo është dita e jetës time, me vetminë në shoqëri!

15. Çfarë jeni duke punuar këto kohët e fundit?

M.S.: Në janar-shkurt, më dukej se fluturoja pa krah, vrapoja pa këmbë, puthja pa buzë!!! Sapo më doli nga shtypi vepra ime më e re me vjersha për fëmijë “Piknik mbi liqenin e bardhë“. Tri vepra të tjera i kam në shtypshkronjë, të pestën në lektorim letrar, por mrazet e pranverës të Virusit Korona, m’i mbytën filizat m’u në farë!

Kam disa cikle me vjersha nga polonisht në kroatisht nga Olga Llalliç-Kroçicka, nga boshnjakishtja… Shpresa vdes e fundit! Me shpresë të zjarrtë do kam kurajë të madhe, se ne jemi pjella e Ditëve të Reja – plot diell e shëndet dhe dashuri. Do të ngadhnjejmë me shumë vullnet!

16. Çfarë dëshironi të shtoni tjetër?

M.S.: Uroj që javorja prestigjioze NACIONAL për të gjithë lexuesit si një bukë, si një litër qumësht në çdo shtëpi, të futet brenda. I lus ata më të vjetrit mos të derdhin lot grabofçi, sepse edhe në mulli ka rend për të bluar miell!!! Unë, kam frikë nga Gjykimi i fëmijëve, ngase mos po ju hyjmë në hak dhe ata do të na gjykojnë për gabimet tona të vogëla ose të mëdha!

Ju faleminderit përzemërsisht!
Puna ju vaftë përplot mbarësi!

Marrë nga Nacional