NDËSHKIMI I MERITUAR

0
732
Shefqet Dibrani

Shkruan: Shefqet DIBRANI

Në zgjedhjet e 11 qershorit 2017, LDK-ja pësoi humbje të thellë. Koalicioni LDK-AKR-ALTERNATIVA, ka dalë e treta me një kuotë të ulët, por pa këto parti, LDK-ja ka pësuar një humbje shumë ma të thellë, e cila do të duhej t’ia trondiste themelet strukturës së partisë. Përgjegjësia nuk mund të lahet vetëm me emrin e Isa Mustafës, i cili është shkaktari themelor për dështimi e radhës të LDK-së. Por kjo humbje lidhet me një kronologji të gjatë, ku implikohet një strukturë më e gjerë e cila nuk qe në gjendje t’iu prij proceseve reformuese.

Tashmë kanë filluar me deklarata ata që garantuan fitore të sigurt të LDK-së?! Ata që mbështetën humbësin e madh tashmë po transformohen në viktima. Njëri ndër ta është Muhamet Mustafa, i cili me të kuptuar dështimin, paska dhënë dorëheqje?! Pak qesharake, pasi për moshën e tij bënë përpjekje për të mashtruar elektoratin i cili e mposhti atë dhe sojnikët si ai. Bajram Gecaj, ka qen zyrtari më i zhurmshëm i Isa Mustafës. I kthyer nga Londra nuk e tha asnjë fjalë për mërgatën, sikurse edhe Bardhyl Meta, për të cilin thuhet se në rrethana enigmatike qenka detyruar ta lëshojë Zvicrën. As ai nuk e tha një fjalë të vetme për diasporën, përkundrazi shfrytëzoi pozitën për t’i shëruar komplekset e vjetra. Këtë avaz e bëri edhe Muharrem Sfarqa, për të cilin paskan rënë kambanat në Ferizaj. Vargu i personaliteteve të kabinetit qeveritar të cilët janë eliminuar nga zgjedhësit është i gjatë, por LDK-ja theu mitin për t’i ndëshkuar fëmijët e lazdruar ë disa personaliteteve politike të cilët nuk janë më në mesin e të gjallëve.

Një kryetar Dege i cili ia shpiku idenë e mashtrimit Isa Mustafës, pasi ka pranuar humbjen paska thënë se “duhet ta fillojmë reformimin rrënjësor, në bazë të një analize të ftohtë e përmbajtjesore”. Edhe një tjetër kryetar dege na motivon “për të mos u ndalur asnjëherë në rrugën e nisur për një Kosovë më të mirë”, gra që folën në mënyrë patetike pat sa të duash, aso që kanë demagogji të perfeksionuar për të mbijetuar në të gjitha kohërat e demokracisë së ngatërruar.

Por pjesë e mashtrimit ishte thirrja për ta kryer obligimin qytetar, pa shpjeguar se “Vota për LDK-në”, kishte qëllim për ta shpëtuar e për ta mëkëmbur autoritetin e vrarë të Isa Mustafës, i cili kësaj radhe nuk i shpëtoi ndëshkimit të cilin tashmë e ka ndarë me vartësin e tij Abdullah Hotin, i cili ishte padyshim viktimë e radhës. Por ishte shqetësuese konstatimi për gjestin mashtrues të Isa Mustafës për të cilin u thanë fjalë miradije, ndërsa për Abdullah Hotin se i ka duart e lira për ta nxjerr partinë dhe shoqërinë nga kriza, ndonëse udhëheqjen e fushatës zgjedhore e bëri vet Isa Mustafa duke përçuar imazhin se nuk ka ndryshime në LDK, kurse në anën tjetër dëmtoi edhe personalitetin e kandidatit për kryeministër. Me të tjerë që vrapojnë nga ana e botës për ta ndihmuar Isa Mustafën mbase jemi mësuar. Nuk është aspak etike, as demokratike dhe hiq më pak njerëzore një standard kaq i dyfishtë. E një gjë mjaftë shqetësuese mbetet demagogjia e një elite që orkestroi demokraci të brendshme, për të cilën qytetarët, përmes votës së tyre ndëshkuan LDK-në, e cila që prej vdekjes së dr. Rugovës nuk është duke marrë veten.

Nuk kemi nevojë t’ia numërojmë dështimet Isa Mustafës, të cilat nisin në vitin e largët 1981, as mashtrimet që ua bëri diasporës, por mungesa e etikës njerëzore, papërgjegjësia e Isa Mustafës është shqetësuese. Ai duhet të tërhiqet, e nëse nuk e bënë janë mekanizmat partiak që e detyrojnë, por duhet vullnet dhe vendosmëri për ta detyruar atë, bashkë me kryesinë e LDK-së, me kryetarët e Degëve të LDK-së, në komunat ku kjo udhëheq por që kanë pësuar debakël në këto zgjedhje duhet të shkojnë, në të kundërtën të gjitha përpjekjet mashtruese do ta sfilitin edhe më tej LDK-në.

LDK-ja ka nevojë për reforma, por jo për arnime me individ të një instituti i cili kohëve të fundit po atakohet si qendra e nëntokës për ta shkatërruar LDK-në.

Një humbje kaq e madhe duhet ta prek ndërgjegjen qytetare te Isa Mustafës. LDK-ja pësoi humbje të thellë e cila regjistroi edhe një dështim të radhës të Isa Mustafës. Tashmë rënien e LDK-së nuk e frenojnë demagogjitë shterpe. Aq më pak demagogjia e Isa Mustafës. Por ai nuk jep dorëheqje, sepse komunistët dhe diktatorët nuk dorëzohen. Atë dhe klanin e tij duhet përjashtuar nga LDK-ja.

LDK-ja po shkatërrohet si Alepo e Sirisë?! As Bashar al-Assad, nuk ka dhënë dorëheqje?! Si duket edhe Isa Mustafa do ta emitoj këtë diktator për ta shkatërruar LDK-në. Nëse Bashar al-Asadi, me kryeneçësinë e tij mbetet udhëheqës i Sirisë, LDK-ja nuk duhet ta tolerojë Isa Mustafën të tallët më tej me partinë e Ibrahim Rugovës, me partinë që shkatërroi komunizmin jugosllav, për të cilin si duket ai po i hakmerret partisë. E çka i duhet LDK-së, mbetja e atij me të gjitha ato shkatërrime dhe veprime klanore që janë instaluar në kohën e tij.

Shkatërrimin e Kosovës e shpëtoi “Mocioni për rrëzimin e Qeverisë Mustafa”, qeveri e cila ra për faqe të zezë, por çuditërisht Isa Mustafa nuk do të tërhiqet pa e shkatërruar LDK-në dhe kjo është shqetësuese. Ai bëri një mashtrim të cilin e kapërdinë ata që aktronin demokraci të brendshme në LDK, duke mos iu hëngër palla pse Isa Mustafa po i ndëshkon edhe ata, mu siç ndëshkoi diasporën, për të cilën askush nga Lista e LDK-së, nuk u merakos, nuk e ftuan dhe as nuk kërkuan votën e Degëve të LDK-së në Diasporë?!

Qytetarët gjetën një alternativë tjetër (LVV), ndërsa LDK ra poshtë, shumë poshtë?! Isa Mustafa, nuk pendohet për dështimin e radhës?! Historikisht dihet se komunistët dhe diktatorët për të shpëtuar kurdisin mashtrime të reja, por elektorati i LDK-së duhet zëshëm të kërkojë shkarkimin e tij!

St. Gallen, 14.06.2017

Shënim: Ka humbë më shumë PDK e Presidentit dhe e kryeparlamentarit zgërdhirës e rrahës gazetaresh, kanë marrë vetëm 18% të votave e janë në pushjtet… /AÇ