NDIJIM LIRIK I POEZISË ARBËRESHE

0
111
Franco Esposito - Omero cieoco - ballina

Franco Esposito, “OMERO CIECO – HOMERI I VERBËR”, poezi, botoi “INTERLINEA EDIZIONI”, NOVARA – Itali 2002, përktheu: Diamant Abrashi

KODRA ARBËRESHE

Kodrat arbëreshe janë
mbretëria e erërave.
Nga kjo dritare
nuk merret vesh kush vjen
as kush ikën drejtë aventurës së madhe.
Sa darka të fundit… Sa mungesa…
Kush ngelet?
Qentë lehin të papenguar
në pyllin e plepave.

Poeti arbëresh Franco Esposito, është zë lirikë i poezisë bashkëkohore arbëreshe dhe asaj italiane, ai ka disa libra të botuar në gjuhën italiane, kurse në gjuhën shqipe është ky libri i parë. Në këtë përmbledhje janë përfshirë 32 lirika të shkurtra të futura brenda kopertinave të librit me format xhepi 12X16 dhe ka një përgatitje të lartë teknike, kurse në fillim e shoqëron parathënia e Carlo Della Corte, kritik letrar i njohur i Italisë, Franco Esposito, shkruan ai: “me këtë përmbledhje të fundit bën, njerëzisht, e për pasoj edhe letrarisht një hap të rëndësishëm përpara: janë, këto vargjet e pjekurisë së tij, të një lidhjeje me ngrohtësinë e bardhë në mes të bjeshkëve Arbëreshe, ku ka lindur dhe pjesërisht është rritur, dhe liqenit të Madh, Stresës ku jeton dhe boton që nga viti 1979 “Microprovincia” –n, revistën jehonëdhënëse të Rosminit, Continit, Reboras, Sinigaglia-s, Chiara-s, Serenit, Emanuellit dhe heronjëve të tjerë tashmë mitikë apo në rrugën e mitizimit”.

Jo rrallë për t’u kuptuar mesazhi i poezisë lirike dhe për t’u zbërthyer esencialiteti i saj duhet gjetur dhe përshtatur ambientit krijues të autorit, e sidomos të qenit larg atdheut do të jetë si parakusht i parë për të frymuar ndjeshëm e dhembshëm, privilegj tragjik që e kanë pasur me bollëk arbëreshët dhe shqiptarët e mërguar anë e këndë botës.

Këto pamje magjepse dhe po aq mallëngjyese, janë ndijime artistike të arbëreshit Esposito, mozaik i ndijimeve të këtij mërgimtari i cili ndër shekuj portretizon vetveten e atdheun e tij mbi sipërfaqen horizontale të ujit. Duke lexuar poezitë e poetit arbëresh Esposito, të përfytyrohen “kodrat arbëreshe (që) janë mbretëria e erërave” që figurativisht do të zbërthejnë jetën në këto anë me plot të papritura, ngase “qentë lehin të papenguar në pyllin e plepave”, kurse në mes të këtyre rreshtave të fillimit dhe atyre të fundit “nuk merret vesh kush vjen askush ikën drejt aventurës së madhe” sikundër nuk do të dihet as për “mungesa” të shumta, as për mbetje të gjalla, por do të dihet se:

Para kishës së vogël
greko – ortodokse
dy miq dhe një papas;
të ulur kujtonin vitet
e dëshpërimit dhe zisë së bukës,
vitet e dashurive dhe ndershmërisë
dhe flisnin shqip. Homeri i verbër.

Poezia: „Dy miq“, faqe 20.

Franco Esposito, merret dendësisht me fatin e arbëreshëve duke përshkruar me nota sentimentale të kaluarën e largët dhe ballafaqimet e përhershme duke i harmonizuar raportet e kohërave të ndryshme. Si karakteristikë do të jetë e dhëna se poeti në tërë përmbledhjen e tij artistike do të mbetet rob i të qenit shqiptar në tokën e tij i trajtuar si i huaj. Ai me një bagazh kulturor të thithur nëpër këto anë do të arrijë të bëjë krahasime hiperbolike të heronjve mitikë të Homerit me figura identike të arbëreshëve të cilët kaluan një det për të mbuluar një tokë plot kodra e mite historike.

Poeti ka prekur vëmendshëm të ndodhurat në Jugun e Italisë, atje ku jetojnë Arbëreshët, konotacion ky i cili del si pezëm lirik te poezia “Agonia e jugut” kushtuar kritikut letrar dhe personalitetit të shquar Dante Maffias, poezi, kjo mjaftë e shkurtër, me një notë të rreptë qortimi e distancimi nga veprimtaria mafioze të të rinjve arbëresh.

Megjithatë, jeta e autorit pranë Liqenit të Madh të Stresës në të gjitha vargjet e bënë melankolik, të butë dhe të sinqertë, të tejdukshëm sikurse uji i liqenit, shpirt që tejduket ashtu siç tejshikohet dendësia në ujin e këtij liqeni me sentenca lirike sikur të lexonim poezitë e Lasgushit, i cili ndër shqiptarët është poeti më i lidhur me liqenin, ashtu sikurse Franco Esposito që strumbullar të poezisë e ka të qenit në bashkëjetuesi me pamjen dhe bukuritë magjepse të Liqenit të Madh të Stresës.

Metaforat e shumta si: “hëna e liqenit rrëshqet nëpër xhama” apo “era e liqenit e pret kryeneças”, “në këtë vjeshtë të liqentë”, “si hëna gungaçe e këtij gushti mbi liqe” e sidomos te poezitë “Era e liqenit”, “Kafeneja e liqenit” dhe në disa poezi të tjera, të cilat në mënyrë figurative dëshmon poetin pranë liqenit dhe do të ngjizej me një toponim të ri letrar si “liqenizim i poetit”.

Ishin këto metafora poetike të nxjerra nga vargjet e disa poezive që sforcojnë të dhënën se Franco Esposito është një poet tjetër i liqenizuar dhe që me afsh e dashuri i ka kënduar Liqenit të Madh të Stresës. Poezia e shkurtër “Poeti i vjetër”, është një ligjërim emocional i ngarkuar me pezmin e trazuar, duke shprehur zemërimin e theksuar për “teoritë labile të fajdexhinjve” letrarë do të shtonim në rastin konkret:

Është i njëjti poet i vjetër
që si një Pasquin guxon
t’i varë vargjet e tij natë
nën stelën e liqenit.
Thotë: ‘Miqë, zgjoni vetëdijet e varrosura
nga paratë tua’. Pasuria nuk ka lumturuar askë
megjithë teoritë labile të fajdexhinjve.

Poezia: „Poeti i vjetër”, faqe 50.

Franco Esposito, është poet i mendimit të gjerë dhe i metaforave të fuqishme, lirik i kristalizuar me plotë mallëngjim letrar dhe do të vënë në pah se të jesh arbëresh është një sfidë e pafundmë për të mbijetuar dhe për të ruajtur vlera të rralla letrare, kulturore dhe etnografike.

Gjithmonë kam urryer ngulmin
e krimbave që punojnë në heshtje
,

Sidomos metafora e shkruar në fillim të poezisë “Letër mikeshës” me përkushtim Dianës ku thotë se “duhet qenë poetë për t’a dashuruar vetminë. Heshtjen”, i përmbyll vargjet me një notë të theksuar pesimizmi e dëshpërimi si një alarm a kumt për të papriturën e mundur:

pas vdekjes sime
askush s’do t’a ndjejë mungesën e një poeti
të pasigurt, pa publik, të padashur
( mbase të urrejtur ),
të poshtëruar, që si një i mallkuar
ka peshkuar pa leje në ujëra të ndaluara”,

Këto vargje që i theksuam do të mbeten mesazhi më rrëqethës jo vetëm i arbëreshit Franco Esposito, por i një krijuesi të ditëve tona.

Duke lexuar librin “OMERO CIECO”,apo “Homeri i Verbër”Franco Espositos, kam vërejtur se për një çast ndjenjat poetike më vunë mbi rrafshin horizontal të ujit, puhiza e ditëve pranverore prishte fytyrën reflektuese të ujit, me ç’rast mesazhet poetike të arbëreshit Franco Esposito, nuk janë të ngurta. Ato janë të ndjeshme, ato tani largoheshin edhe nga unë, nga vetja ime, ngase më parë kishin dalë nga ndjenjat e poetit dhe lundronin qetas në formë kojrrilash si në vjeshtën e bruztë.

E, po poezia ka këtë qëllim, të depërtoj në ndjenjën e tjetrit, ta shqetësoj atë, në momente të caktuara ta lumturoj dhe posa të ikën të lë gjurmën e një kujtimi të gjatë, si një shplodhje ndjenjash e ndijimesh letrare që si mbresa do të kujtohen gjatë. Aq gjatë sa as mendja e poetit nuk e ka paraparë ngase ai në çastin e caktuar i ka shprehur vetëm ndjenjat, vetëm përjetimet e tija.

Ishin këto përshtypje dhe përjetime që më mbajtën gjatë pran liqenit të Stresias, aq gjatë sa vetëm kur dielli reflektonte mbi relievin e thyer të ndjenjave e mesazheve krijonte në vetdijën time atë mozaikun arbëresh, që nuk është metaforë, por një dhembje e përmallshme duke lidhur të gjitha harqet e kohërave mitike dh të ngjarjeve mistike: Dhe pa dashje, dielli do të rrokulliset matanë një bote të tretë duke i lënë vend muzgut të pafund dhe metaforave lirike të mbyllura në brendësinë e kopertinave të këtij libri.