NDONËSE ME SHPRESËN SE NJË DITË DO TË KTHEHEN NË VATRAT E TYRE, MUHAXHIRËT U INTEGRUAN SUKSESSHËM NË VENDBANIMET E REJA

0
840
Milazim Kadriu

Ma. sc. Adem Ajvazi “ Integrimi i muhaxhirëve në Kosovë 1878-1955 “, botim i autorit, Podujevë 2016

Milazim F. KADRIU

Pas librit “Muhaxhirët e Llapit” autori Adem Ajvazi vjen me librin e më të ri të tij që është edhe temë e masterit të autorit në fjalë. Libri ka për temë integrimin në vendbanimet e reja në Kosovë të të përndjekurve nga vatrat e tyre nga Sanxhaku i Nishit- Toplicës.

Problematika e muhaxhirëve të Sanxhakut të Nishit – Toplicës është njëra ndër temat më të ndjeshme dhe më tragjike e po ashtu është edhe temë e ndjeshme që donë një trajtim të veçantë të cilës mendojmë se ja ka arrit autori Ajvazi. Shqiptarët e dëbuar nga vatrat e tyre shekullore u vendosën në Kosovë por edhe në vende tjera deri në Turqinë e largët. Me shpresën se një ditë do të kthehen sërish nw vatrat e tyre muhaxhirët e Sanxhakut të Nishit – Toplicws, shumica nga ta u vendosën në Kosovë, ngase ata shpresonin që të jenë më afër vatrave dhe të kthehen sa më parë por që kjo nuk ndodhi kurrë më dhe me këtë shpresë mbetën gjithë jetën e tyre.

Siç thotë edhe autori i librit kjo popullatë u ballafaqua me sfida nga më të ndryshmet si: Sigurimi i strehimit, sigurimi i ushqimit, sëmundjet, shqetësimet emocionale, krimet që i kishin parë gjatë dëbimit, që ju rrinin në kokë si shpata e Demokleut e mbi të gjitha integrimi i tyre në popullatën vendase, e cila ishte një popullatë shumë e varfër.

Vlen të ceket se muhaxhirët e Sanxhakut të Nishit- Toplicës ishin shumë njerëz punëtor dhe shumë shpejt arritën të integrohen dhe të gjejnë veten në vendbanimin e tyre të ri ngase këtu ishin në mesin e vëllezërve shqiptar dhe ishte paksa më relaksues në raport me tërë atë katrahurë, që përjetuan gjatë dëbimit. Ata ndërtuan shtëpitë e tyre që ishin kasolle banimi gjysmë në dhe, filluan të punojnë zejet e tyre të preferuara dhe të përdorura edhe në vendlindje, të cilat ishin burim i jetesës së tyre e që risit që sollën muhaxhirët ishin atraktive edhe për banorët vendas.

Siç dihet shpërngulja e madhe e shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit – Toplicës gjatë viteve 1877 – 1878, ishte pasojë e politikës ekspansioniste të Serbisë së Obrenoviqëve të motivuara dhe të nxitura nga programi nacional – ekspansionist serb i ministrit të punëve të jashtme Ilia Garashanin të njohur me emrin “Naçertania”, të vitit 1844, program ky që parashihte zgjerimin territorial të Serbisë dhe daljen e sajë në Detin Adriatik.

Libri “ Integrimi i muhaxhirëve në Kosovë 1878-1955 “ të autorit Adem Ajvazi ndahet në katër kapituj ku në kapitullin e parë “ Kriza lindore nga prizmi i diplomacisë së fuqive të mëdha ” flitet për rrethanat politiko – ushtarake të Perandorisë osmane në gjysmën e dytë të shekullit XIX, për luftën ruso – osmane 1877 – 1878. Më tej autori shkruan për Sanxhakun e Nishit dhe rajonin e Toplicës dhe kazatë e këtyre anëve që ishin të banuara kryesisht me shqiptarë, për të vazhduar me motivet dhe shkaqet e shpërnguljes së shqiptarëve nga këto treva ku dëbimi i tyre filloi në dimrin e vitit 1877 për të vazhduar në verën e vitit 1878.

Në kapitullin e dytë “ Vendosja sukcesive e muhaxhirëve në Kosovë ” bëhet fjalë për shpërnguljen dhe vendosjen e tyre në Kosovë, në Maqedoni, pastaj për vështirësitë e tyre nëpër qendra të ndryshme në Kosovë, themelimin e vendbanimeve të muhaxhirëve, vendosja e tyre buzë vendbanimeve të shqiptarëve vendas . Më gjerë autori në këtë kapitull fletë për Mahallën e muhaxhirëve në Prishtinë që edhe sot e mban këtë emër dhe është njëra nga lagjet e kryeqytetit. Më pas bëhet fjalë edhe për vështirësitë dhe ndihmat e ofruara nga popullata vendase, vizitat që u bënë krerët e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit muhaxhirëve të vendosur në Gallap, për muhaxhirët në marrëdhënie çifligare, për bujqësinë, zejtarinë, tregtinë e muhaxhirëve etj.

Në kapitullin e tretë “ Integrimi socio – ekonomik i muhaxhirëve ”, autori fletë për jetesën dhe mbijetesën e muhaxhirëve nga bujqësia, blegtoria, zejtaria duke sjell një varg zejesh që muhaxhirët i kanë zhvilluar në vendbanimet e tyre të mëhershme dhe i kanë vazhduar në vendbanimet e reja e po ashtu sjell edhe të dhëna mbi veshmbathjen e muhaxhirëve si dhe marrëdhëniet e shqiptarëve muhaxhirë me shqiptarët vendas.

Në kapitullin e katërt ” Integrimi kulturor i muhaxhirëve ” flet për shkollarët muhaxhir duke sjell edhe biografi të disa personaliteteve muhaxhir si Hasan Masurica, Mulla Mustafë Braina, Mulla Hysen Statovci, Rrustem Statovci etj. Po ashtu në këtë kapitull flet edhe për humanizmin dhe solidaritetin e muhaxhirëve mes vete, e po ashtu edhe të kosovarëve me muhaxhirët. Më tej na sjell informacione rreth jetës së muhaxhirëve nga aspekti etnologjik, për mjekësinë popullore ndër muhaxhirë etj.

Në pjesën e fundit të këtij libri që autori e shënon si shtojcë materiale sjell evokime të kujtimeve, intervista me pasardhës të moshuar që i kanë ruajtur nga të parët e tyre për vendbanimet nga të cilat janë përzënë me dhunë e që për pasardhësit e muhaxhirëve gjithmonë këto kujtime janë të freskëta sepse janë përcjellë gjeneratë pas gjenerate. Po ashtu këtu sjell edhe faksimile të tapive të një familje që e ruan ende për tokën e tyre në Sanxhakun e Nishit.

Për këtë libër historik shihet se autori ka përdor një literaturë të gjerë, botime të autorëve tjerë, burime arkivore, burime nga gazetat, interneti dhe intervista. Libri është botim i autorit ndërsa për recensent ka Ma. sc. Kastriot I. Veselaj që ka dhënë një vlerësim mjaft pozitiv për librin.