NË LLAP NË ÇDO KOHË PATI PËRPJEKJE, SAKRIFICA DHE BETEJA TË PARESHTURA PËR LIRI

0
924

Hamdi V. Thaçi “Ilir Durmishi – dëshmor i kombit” – Printing press, Prishtinë, 2019

Milazim F. KADRIU

Historia e Llapit është historia e një krahine shqiptare, e cila tradicionalisht ishte një krahinë kryengritëse. Këtë krahinë, përveç se karakterizohet me trimërinë e burrave të kësaj ane në luftë për t`u çliruar nga zgjedha e robërisë shekullore, e karakterizon edhe trashëgimia kulturore historike në mënyrë të pashkëputur, nga koha më e lashtë e deri më sot.

Kështu e nis autori Hamdi Thaçi monografinë për dëshmorin Ilir Durmishi, të cilën e ka konceptuar në 16 kapituj (LLAPI GJATË HISTORISË, LËVIZJA ILEGALE NË LLAP , 1945-1990, SHAJKOCI (ALBANIKU)VENDLINDJA E FAMILJES DURMISHI, FAMILJA DURMISHI, GJENEALOGJIA E TRUNGUT FAMILJAR, ILIR HILMI DURMISHI- DËSHMOR I KOMBIT (21 QERSHOR 1967- 02. 12. 1998), ILIRI DHE ILEGALJA, ILIRI NË SHËRBIMIN USHTARAK, HISTORIA E UÇK-SË, UÇK NË LLAP, ILIRI DHE UÇK, RËNIA E ILIR DURMISHIT, DOKUMENTE DHE DËSHMI, BASHKËLUFTËTARËT E ILIR DURMISHIT, DËSHMORËT E LLAPIT, KRIJIMTARIA PËR ILIRIN DHE ALBUM ME FOTO TË DËSHMORIT,FAMILJARËVE … )

Përpjekjet e shqiptarëve për liri e pavarësi s’kanë pushuar kurrë. Këto përpjekje u bënë në të gjitha trojet shqiptare, e që Llapi në këtë drejtim u shqua në çdo kohë dhe llapjanët gjithherë kanë rezistuar me armë në dorë duke ju dal në ndihmë edhe krahinave tjera shqiptare.

Në të gjitha periudhat e vëlimeve dhe trazirave kombëtare që ishin përpjekje e gjakime për çlirim, Llapi ishte gjithmonë aktiv. Andaj me të drejtë thuhet se Llapi gjithherë e mbajti ndezur flakën e lirisë.

Ndjenja e krenarisë kombëtare, shpirti i pa përkulur i njerëzve të Llapit, qëndresa dhe rezistenca e pathyeshme e tyre ndaj dhunës së ushtruar nga regjimet antishqiptare nëpër histori na vijnë të prezantuara në këtë monografi kushtuar dëshmorit Ilir Durmishi, të autorit Hamdi Thaçi.

Përkalimet historike nuk vijnë e ikin vetëm duke lënë hijen e pranisë së tyre për një kohë, por lënë dhe gjurmë mbi ngjarje të shënuara, heronj e individualitete që rrezatojnë lavdinë e kohës së vet. Asgjë më mirë se libri nuk e shënon këtë kujtesë vlerash, veçmas kur vepra është ngjizur në ngjarje reale, me një spektër të tërë nuancash emocionale mbi atdhetarizmin e kombit, të cilit i përket.

“Llapi gjatë historisë“ është kapitulli i parë i këtij libri ku autori lexuesit i sjell një histori të begat për krahinën e Llapit, ku si thotë ai kjo krahinë ka qenë gjithmonë krahinë kryengritëse. Po ashtu në këtë kapitull flet edhe për periudhën e viteve 1875-1878 që njihet si KrizaLindore, pastaj për Llapin dhe Muhaxhirët, ku përshkruhet tragjedia e shqiptarëve të Sanxhakut të Nishit që filloi në dimrin e ashpër të vitit 1877 dhe zgjati deri në fund të vitit 1878, ishte përjetësuar rëndë edhe në krahinën e Llapit. Pastaj këtu bëhet fjalë edhe për rolin e Llapit në periudhën e Rilindjes Kombëtare Shqiptare.

Në kapitullin e dytë të kësaj monografie bëhet fjalë për Lëvizjen ilegale në Llap(1945-1990), ku lexuesi ka mundësinë që të njihet me të gjitha lëvizjet atdhetare dhe personalitetet të ndryshme që u angazhuan në këto lëvizje përfshirë këtu edhe demonstratat e vitit 1968, 1981 dhe lëvizje tjera ku rinia dhe popullsia e kësaj krahine gjithnjë ishin të gatshëm për t`i dalë zot atdheut. Aty flitet edhe për Çetën e Llapit të formuar më 26 mars 1989 dhe prijësin e saj Ali Ajeti që ishte formacioni i parë i armatosur që u përlesh me forcat e okupatorit serbo sllav e që shënonte fillimin e një epoke të re, ku problemi i Kosovës do të zgjidhej me pushkë në dorë.

Në kapitullin e tretë dhe të katërt jepet një letërnjoftim për fshatin Albanik (Shajkofc) dhe për familjen Durmishi, në të cilën familje lindi e u rrit dëshmori Ilir Durmishi.
Ndërkaq në të gjithë kapitujt tjerë bëhet fjalë për jetën dhe veprën e dëshmorit dhe historikun e UÇK-së, aktivitetin e Ilirit në ilegale dhe inkuadrimin e tij në radhët e UÇK-së në ZOLL.

Siç shihet edhe në këtë libër në periudha të ndryshme pati një varg aktivitetesh, përpjekje, sakrifica dhe beteja të pareshtura, por sërish në Kosovë liria mungonte. Dhe kështu liria na mungoi deri në luftën e fundit, luftën e lavdishme të UÇK-së, kur djemtë më të mirë të këtij vendi rrokën armët dhe i dolën në ballë armikut dhe zhvilluan një luftë të drejtë çlirimtare.

Se trimat e UÇK-së bënë luftë të drejtë e pa edhe bota demokratike dhe doli në krahun e UÇK-së. Falë luftës heroike të trimave të UÇK-së (pjesë e së cilës ishte edhe dëshmori Ilir Durmishi) dhe ndihmës së NATO-s sot e gëzojmë këtë liri. Pra pas një shekulli nënë okupimin serbo sllav, Kosova fitoi lirinë e shumë pritur e më pas edhe pavarësinë me shpresën se një ditë do të realizohet edhe amaneti i dëshmorëve të rënë për liri, pra të ndodh ribashkimi kombëtar.

Të shkruash për dëshmorët në fakt nuk do të thotë asgjë tjetër, veçse të përkulesh para veprës së tyre monumentale, që është bërë për ne dhe kështu do të jetë edhe për brezat e ardhshëm shqiptarë.

Dëshmorët e kombit ishin rreze dielli, në qiellin e errët shqiptar. Ata ishin bijtë dhe bijat e kësaj toke që me heroizmin e vet shkruan faqen më të ndritshme të historisë sonë dhe janë më meritorët që ne sot jetojmë të lirë në Republikën e Kosovës.

Qëndresa, rezistenca dhe lufta e dëshmorëve është artikulimi më i mirë i patriotëve sypatrembur që ruajtën traditën e pushkës nga stërgjyshërit e tyre, duke u bërë vetë vazhdimësia fisnike e dëshmorëve të parë.

Dëshmorët simbolizojnë feniksin e lirisë, që rilind dhe do të rilind nga hiri i tij i shenjtë, në çdo kohë e në çdo cep të Shqipërisë Etnike. Dëshmorët në përgjithësi jo vetëm të luftës së fundit janë dëshmia, krenaria e vula historike e lirisë së Kosovës që na frymëzon për vepra të mrekullueshme historike e letrare.

Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka zhvilluar një luftë të pabarabartë me një pushtues terrorist e kanibalist, i cili e ka sulmuar Kosovën dhe shqiptarët, me terror e krime në vepër si dhe me urrejtje patologjike në shpirt.

Në raport me të ardhmen, dëshmorët janë kujtesa më e ndritur e jetës njerëzore, jo vetëm shqiptare ngase liria nganjëherë shprehet si parim universal i jetës njerëzore, që s’do të shlyhet nga qenia kombëtare asnjëherë, janë subjekti i falënderuar fuqishëm në faqet e kohës, janë ditari i së djeshmes, i lexuar me respekt dhe janë bardhësia shpirtërore, morale dhe njerëzore të cilët gjithmonë do të kujtohen me respektin më të madh.

Dëshmorët e UÇK-së në mesin e tyre edhe Ilir Durmishi, i përkasin kësaj kohe të lindur për mundime, heroizëm e mos përkulje. E patën fatin të përgjaken, sepse nuk e pranuan nënshtrimin, tjetërsimin as asimilimin.

Autori në këtë monografi ka pas për ide që të përjetësoi personalitetin e Ilir Durmishit, ta nderoj veprën e tij dhe ta ndriçoj atë për brezat e ardhshëm që edhe ata ta dinë sakrificën e popullit që kaloi në këto kohë deri në arritjen e lirisë, që nuk ishte aspak periudhë e lehtë,pa i lënë anash edhe bashkëluftëtarët e tij të luftës e të idealit.

Autori ka arritur që me sukses të prezantojë një pamje realiste për dëshmorin Ilir Durmishi, por edhe të dëshmorëve tjerë jo vetëm të luftës së fundit në Llap e më gjerë.
Portreti i dëshmorit që i kushtohet kjo monografi përshkruhet fuqishëm me tiparet dhe gjithë veprimtarinë atdhetare të tij që deri tani nuk njihej si dhe sa duhet.

Në këtë libër përjetësohet kujtimi për dëshmorin Ilir Durmishi dhe një pjesë e historisë së lavdishme të Llapit nëpër periudha të ndryshme nëpër të cilat kaluam ne si popull, por njëherësh libri ndihmon për të ruajtur energjinë tonë memorizuese për Krahinën e Llapit e sidomos për periudhën historike, luftën e UÇK-së që u kurorëzua më lirinë e Kosovës.
Libri i autorit Hamdi Thaçi, kushtuar Dëshmorit të kombit është thurur i bazuar në burime të shumta arkivore, historike si dhe në literaturën e historike për të gjitha periudhat historike nëpër të cilat ka kaluar Llapi.

Lidhur me veprën jetësore dhe ushtarake të Ilirit autori, përveç një sëri dokumentesh të periudhës luftarake, deklarata e dëshmi të bashkëluftëtarëve dhe eprorëve të UÇK-së, sjell edhe kujtimet nga familjarët e tij, përmes të cilave zbardhët qëndrimi i vendosur i Ilirit, për luftë deri në fitore ose deri në vdekje. “Tash e kam Orgesin, edhe nëse vritem, nuk është me rëndësi, dikush duhet të vdes!” Në këtë citat pasqyrohet flijimi i vullnetshëm i dëshmorit të lirisë, i cili nuk është personazh letrar, i imagjinuar, ai është personalitet historik, që flijimin e bënë me shumë vetëdije, vetëm e vetëm brezat e rinj të rritën në liri.

Në libër autori sjell edhe një varg dëshmish, faksimile dhe rrëfime të familjarëve të dëshmorit. Andaj rrëfimet e familjarëve të dëshmorit janë rrëfime që flasin me gjuhën e shpirtit dhe që këto rrëfime e ndriçojnë në masë të madhe jetën dhe veprën e dëshmorit. Ja dy rrëfimet e fëmijëve të dëshmorit:

Dea Durmishi. “Kur dikush me flet për babin, thotë Dea Ilir Durmishi, mundohem ta imagjinoj si do të ishte ai tash. Si do të ishte jeta jonë me të? Sa më të lehtë do ta kishim pasur jetën po të ishte edhe ai me ne?

Orges Durmishi, Të gjithë me thonë i ngjaj atij, babait tim Ilirit. Kur ma thonë këtë fjalë, shumë emocionohem, sepse të gjithë kanë shumë kujtime prej tij, unë –jo.

Rrëfimet dhe dëshmitë e shkruara dhe ato gojore e kompletojnë dhe e fuqizojnë në masë të madhe monografinë për dëshmorin Ilir Durmishi, ndërsa personaliteti i Dëshmorit të Kombit, në këtë rast pra i Ilir Durmishit del i skalitur, ashtu edhe siç ishte, si personalitet historik, tipik luftëtarë i UÇK-së. Ushtarët e UÇK-së kishin një ideal tek i cili ishte i sublimuar i gjithë guximi, trimëria dhe vendosmëria e luftëtarëve të lirisë gjatë historisë sonë krenare e të përgjakur. Ushtari i UÇK-së është personalitet i ngitur, i vetëdijshëm se robëria në fund të shekullit XX, filli i shek. XXI më nuk durohej, prandaj duhej të luftohej per lirinë si e drejtë e natyrshme e një populli, nëse është nevoja edhe të flijohej, ashtu si thuhej në tekstin e Betimit. Siç shihet në këtë monografi Iliri do ta mbaj betimin e dhënë dhe do të flijohet për lirinë e kombit të vet.

Një histori e shkurtër por e pasur është paraqitur nga autori edhe për dy bashkëpunëtorët e rinisë së Ilirit, Hyzri Talla dhe Afrim Maliqi. Autori, me kujdes u len vendin meritor këtyre dy bashkëluftëtarëve të Iliri, me të cilët Ilir Durmishi, pjesën më të mirë të jetës e bëri bashkë me ta, duke bërë edhe vdekjen bashkërisht. Pra, edhe pse monografia i dedikohet dëshmorit të kombit Ilir Durmishi, portreti i eprorit të UÇK-së, Hyzri Tallës dhe bashkëluftëtarit Afrim Maliqi, treshes së ilegales, dalin si të plotë dhe të fuqishëm ashtu real si ishin. Autori nuk i ka vënë pikën e fundit përshkrimit të jetës dhe veprës së këtyre luftëtarëve. Ai vetëm e ka hapë rrugën për një studim më të gjerë për ta.

Dëshmorët vijnë në të sotmen dhe do të kujtohen në të nesërmen. Nderimi është për të kaluarën, respekti për të sotmen dhe të ardhmen.

Libri ofron edhe dëshmi për mbrojtjen e vlerave të luftës së drejtë çlirimtare, të luftës të cilën e imponoi dhuna shekullore që u ushtrua mbi këtë popull.

Se dëshmorët janë burim i krenarisë dhe i lavdisë kombëtare, realitet madhështor dhe inspirim për krijuesit e ndryshëm, kjo dëshmohet edhe me këtë rast ku një kapitull i librit përfshin krijime letrare përkushtuese kushtuar Ilir Durmishit nga autor të ndryshëm. Në këto krijime sajohen imazhe artistike, artikulohet me mjeshtëri përshkrimi i figurës së dëshmorit, nga secili nga autorët në mënyrën dhe mundësinë e tij krijuese.

Librat e tillë e mundin harresën për të kaluarën, e sidomos për luftën e lavdishme të UÇK-së. Librat e shkruar për dëshmorët ua sigurojnë atyre dëshminë e përjetësisë së tyre e me këtë rast ky libër këtë ia siguron dëshmorit Ilir Durmishi.

Me leximin e këtij libri krijohet përfytyrimi për heroizmin, atdhedashurinë, virtytet, trimëritë e dëshmorit Ilir Durmishi por edhe të shumë dëshmorëve tjerë dhe atdhetarëve me përmasa kombëtare të Llapit e më gjerë.

Autori në këtë libër ka përdorur një gjuhë të kuptueshme për lexuesin, ka ruajtur origjinalitetin e rrëfimtarëve dhe burimeve tjera ku e ka vjelur materialin e që kanë një rëndësi historike. Libri është i pajisur me një akribi të bollshme burimore shkencore të evidentuar me referenca si dëshmi autentike për një libër shkencor.

Andaj kjo monografi e Hamdi Thaçit, kushtuar dëshmorit Ilir Durmishi, u bashkohet librave tjerë të historisë së UÇK-së që janë thesar i Luftës Çlirimtare të Kosovës.