Shkruan: Engjëll KOLIQI, 23 maj 2019
Në shenjë proteste për aplikimin e taksës 100% për hyrjen e mallërave nga Serbia në Kosovë, nga Qeveria e Republikës së Kosovës, katër kryetarët e komunave të atjeshme (e Mitrovicës Veriore, e Leposaviqit, e Zubin Potokut dhe e Zveqanit) kanë dhënë dorëheqje të parevokueshme. Kanë dhënë dorëheqje për të protestuar kundër qeverisë e cila ua ka paguar rrogat e majme. Kanë dhënë dorëheqje për të protestuar kundër qeverisë që filloi të luftojë kontrabandimin e mallërave në veri të Kosovës dhe për ta palandaluar dëmtimin e buxhetit të shtetit tonë. Kanë dhënë dorëheqje sepse ata janë të një partie jashtë Kosovës, të “Partija Srbija” që udhëhiqet dhe dirigjohet nga presidenti kriminel i Serbisë Aleksandar Vuçiq, parti që ka filluar të quhet “Lista Srpska”. Kanë dhënë dorëheqje, sepse ata nuk i njohin institucionet shtetërore të Republikës së Kosovës.
Ata dhanë dorëheqje e shkuan në shtëpi. Kush e di, athua kanë marrë rrogat?! Mbas një kohe presidenti Thaçi i shpalli zgjedhjet e jashtëzakonshme. KQZ mori vendim që të njëjtit nuk mund të kandidohen në këto zgjedhje. “Lista Srpska”, që në të vërtetë është “Partija Srbija” e Vuçiqit u ankuan dhe pasoi vendimi i KQZ për lejimin e kandidimit të kryetarëve të dorëhequr. U kandiduan dhe fituan të gjithë. Sonte në televizion pashë lajmin, ku u tha se të gjithë ata kanë fituar. Ani trumpetohej se edhe PDK dhe VV kanë kandidatët e tyre. Athua nuk është ditur. Çdokush e ka ditur se fitorja është e tyre. Lëri ata të PDK e të VV, por askush nuk fitoi as nga partitë e serbëve të Kosovës. Në rrethanat tona gjithçka është normale. Kanë votuar shumë qytetarë të Serbisë, të identifikuar me dokumente serbiane. Dihet pse dhe për kënd kanë votuar ata.
Kur nënkryetari i Listës Serbe (“Partija Srbija”) Milan Radojçiq, si i dyshuar kryesor për vrasjen e kundërshtarit politik Oliver Ivanoviq po kërkohej të arrestohej nga policia e Kosovës, ai iku e kërkoi strehim në Beograd. Shefi i tij – dyshohet regjisor e sponzorizues i
asaj vrasjeje, Aleksanda Vuçiq e strehoi, madje edhe duke i dhënë punë dhe detyrë të rëndësishme në qeverinë e Serbisë.
Pas të gjitha këtyre që u thanë, në këto rrethana, kur Serbia ruifitoi zgjedhjet lokale në ato katër komuna, me plot arsye pyesim: – Kush qeveris dhe kush e ka pushtetin atje?! Nën cilin sovranitet është ajo pjesë e Kosovës, ku edhe po trumpetohet lëvizja e kufinjëve?! Shihet haptas se taksa, për të cilën po “bombardohet” Kryeministri ynë Ramush Haradinaj nga të gjitha anët, me sintoninë e Hashim Thaçit e Edi Ramës, të ndihmuar nga Baton Haxhi Stanishiqi e klani i tyre, është taksë mbrojtëse e sovranitetit të Republikës së Kosovës.
Mbase për të kontestuar këtë “fitore” politike, ka nevojë për marshime e protesta gjithëpopullore në veri të Mitrovicës, ngjajshëm me ato të vitit 1988 në mbrojtje të minatorëve e të Trepçës. Duket se edhe sot po jehojnë thirrjet për ndihmë që na vijnë nga Trepça jonë. Zgjohuni o shqiptarë!!!