Nënkryetari i shoqatës patriotike “Klubi i Shkodrës-1908”, Lazër Pashko Prennushi

0
1189
Lazer Prenushi

Jeta e intelektualit patriot Lazer Pashko Prennushi ka qenë shumë aktive dhe e dendun qoftë si intelektual, qoftë si patriot, si komisioner dhe, si do të shohim në fund, edhe si nji nder kolecionistat e parë të filatelisë shqiptare. Shkodrani Pashko Prennushi Plaku (1852-1890) i martuem me Marie Gjonaj (1861-1923) kan lanë tre djelm, Lazer Prennushin (1884-1936), At Karl Prennushin (1884-1940) dhe Rrok Prennushin (1889-1971). Shiko foton këtu bashkanjitun.

At Karl Pashko Prennushi permendet në kangen e 19-të tek “LAHUTA E MALSISȄ” të At Gjergj Fishtes, e cila ka titullin “Pader Gjoni”, që në fakt asht vetë At Karl Prennushi. Këtu i këndohet popullit të zonës Kelmendit dhe në pergjithësi të Malsisë së Mbishkodres e cila luftoi me pushkë në dorë per çlirimin nga pushtuesi turk-osman në prag të Pamvarsisë së viti 1912. Në mbledhjen e malsorve famullitari françeskan Pader Gjoni (në këtë rast At Karl Prennushi) lot nji rol shumë te madh patriotik. At Karl Prennushi ishte bashkëpuntor me françeskanët At Gjergj Fishten, me At Justin Rroten si dhe me At Shtjefen Gjeqovin siç shihet në nji fotografi të tyne të perbashkët këtu bashkanjitun. Tre vllaznit Prennushi ishin kushrij të afert me imzot Vinçens Prennushin, me At Mati Prennushin dhe dom Kolec Prennushin, te tre martir në kohen e komunizmit.

Simbas Deshmisë së Pagzimit, të lëshum nga famullitari Pjeter Gjura i Famullisë së Shkodrës, të nxjerrun nga Libri i Pagzimeve të vitit 1884 Nr.176, Lazer Pashko Prennushi lindi në Shkodër me 10 tetor 1884.

Simbas rregjistrit të shkolles saveriane-jezuite në Shkodër me numer rendor 2009 rezulton se Lazer Pashko Prennushi ka ndjekë këtë shkollë në vitet 1890-1891 dhe 1903-1904; i vllai Rrok Pashko Prennushi ka ndjekë këtë shkollë në vitin 1885-1986 si dhe vllai At Karl Pashko Prennushi. Nga dokumentacioni historik i nxansve të kësaj shkolle po ashtu rezulton se Lazer Pashko Prennushi dhe i vllai Rrok Pashko Prennushi kan ushtrue ma vonë profesionin “komisioner” (nxjerrë nga libri “Kolegja Saveriane 1877-1927” me rastin e 50 vjetorit të shkolles, publikue në vitin 1927 në Shkoder nga kolegji saverian).

Mbas shkolles saveriane në Shkodër Lazer Pashko Prennushi ka ndjek po në Shkodër “Shkollen Italiane Tekniko-Tregëtare” të cilën e ka mbarue në vitin 1904. Kjo vertetohet nga deftesa shkollore e lëshueme me datën 6 tetor 1904 nga Komisioni i kësaj shkolle mbi kalimin e të gjitha provimeve perfundimtare në këtë shkollë.

Fillë mbas, në vitin 1904, Lazer Pashko Prennushi rregjistrohet në shkollen italo-shqiptare (arbëreshe) në Itali në Kolegjin italo-shqiptar të Shën Adrianit në San Demetrio Corone (Kozenca-Kalabrì). Ky Kolegj italo-arbëresh ishte hapë në vitin 1732 me interesimin e Papa Clementi i XII. Studimet në këtë kolegj i mbaron në vitin 1907 me rezultate të mira. Kjo vertetohet nga Deshmia shkollore e dates 22 shkurt 1908 e leshueme nga drejtori i këtij kolegji. Në këtë kolegj arbëresh kan studjue shumë patriot të njohtun arbëresh ashtu si edhe shumë të rij shqiptar nga jugu e nga veriu, të cilët kur u këthyen në Atdhè kan dhanë kontributin e tyne intelektual-patriotik si Luigj Gurakuqi, Avni Rustemi, ekonomisti Gjon Kamsi bashkpuntor i Luigj Gurakuqit si dhe i vllai profesor Kol Kamsi dhe shumë e shumë të tjerë. Në këtë shkollë kan dhanë mësim shkrimtari i njohtun arbëresh Jeronim De Rada, porfesor Gasper Jakova 1903-1904 (ma vonë edhe në gjimnazin e Shkodrës), Profesor Aleksander Gjovani gjatë viteve 1906-1909, Dr.Martin Camaj gjatë viteve 1911-1912, Mehdi Frashëri gjatë viteve 1911-1912 etj.

Pra në këtë Vater Kulture dhe Patriotike arbëreshe u formue dhe u brumos edhe inteklektuali patriot Lazer Pashko Prennushi, i cili mbas mbarimit të kësaj shkolle u këthye në Shkoder ku dha kontirbutin e vet kulturoro-patriotik per të miren e popullit shqiptar dhe per çlirimin e shqiptarve nga zgjedha pesë shekullore aziatike turk-osmane. Ai u zgjodh nenkryetar i shoqnisë kulturore patriotike “Klubi i Shkodrës” të formuem në muejin gusht të vitit 1908, në kohen që xhonturqit kryejshin bastisje dhe arrestime të figurave patriotike shqiptare.

Këtë periudhë të zorshme na e pershkruen Prof. dr. Ragip Gjoshi në shkrimin e tij ”Nga monografia – Mësimdhënia e gjuhës shqipe në Kosovë”(7) (15.09.2016) ndër të tjera shkruan:

“….Zhvillimi i lëvizjes politike-kulturore kombëtare ndeshi jo vetëm në pengesat e autoriteteve xhonturke, por edhe në kundërshtimin e atyre klerikëve konservatorë, myslimanë e ortodoksë, që u shërbenin fuqive të huaja. Në Tiranë, në Durrës, në Shkodër, në Ohër, në Strugë, në Dibër dhe në vende të tjera klerikët turkomanë u përpoqën t’i ndalonin shkrimin dhe mësimin e gjuhës shqipe, duke i shpallur në kundërshtim me fenë myslimane e me Kur’an-in. Në disa nga këto qendra administrata lokale turke kërcënonte me internim atdhetarët që përhapnin shkrimin e shqipes, ndërsa në Shkodër nxiti klerikët fanatikë myslimanë t’i dërgonin telegrame të stisura Ministrisë së Brendshme, në të cilat thuhej se nuk njihnin gjuhë tjetër zyrtare veç turqishtes. Edhe shovinistët grekë e klerikët ortodoksë grekomanë u orvatën ta pengonin hapjen e shkollave të para shqipe në Shqipërinë e Jugut. Këta vijuan t’i përdornin për këtë qëllim të gjitha mjetet e mundshme që nga kërcënimet, mallkimet e shkishërimet e atdhetarëve që dërgonin fëmijët në shkollat shqipe…..”.

Ndersa Imzot Fan Noli në “Noli VEPRA 2” në faqet 157-158 të botimit të vitit 1987 shkruen ma konkretisht per shoqninë kulturore patriotike “Klubi i Shkodrës”-1908. Nder të tjera Noli spjegon:

“… Një telegraf i “Tajmsit” (“Times”) të Londrës na rrëfen për shkak mysylmanët, të cilët domosdo kërkonin që shqipja në qoftë se munt të shkruhet, duhet bërë vetëm me shkronja arabisht. Gazeta greqishte “Pyrros” na rrëfen që mysylmanët u mblodhën një natë të Ramazanit, nonjë mijë, e rrethuan klubin dhe kërkonin ta diqnin, se shqiptarët që e bënë këtë klub qënkeshin vegla të Austrisë. Qeveria (turke) tjatrën ditë e mbylli klubin dhe zbriti tabellën e tij. Përandaj katholikët shqiptarë, nuk deshin të merrnin pjesë në konferencën që u bë prej mysylmanëve për të protestuar kundër Austrisë për çështjen e Bosnjës dhe Hercegovinës.

Një letër prej Elbasani nga tjatra anë na rrëfen për shkak një gjë që ka më tepër rëndësi nga këto të gjitha. Kjo letër na tregon që mysylmanët shkodranë u tërbuan kur mësuan se në këto klube janë shkruar katër a pesë mysylmanë dhe menjëherë u hodhën t’i mbyllin dhe pak mbeti t’ua diqnin shtëpinë atyre mysylmanëve që kuxuan të shkruhen anëtarë në këtë klub….”.

Pra në këto rrethana historike u arrestuen nga xhon turqit disa intelektual patriot në Shkoder me 26 gusht 1908 atdhetarin Dervish Hima si dhe intelektualin patriot Lazer Pashko Prennushi, nenkryetar i “Klubit të Shkodrës”. Ky arrestim do të shenonte nji këthesë të madhe në jeten e tij. Për këtë histori më ka folë daja im Anton Prennushi, i biri i Lazer Pashko Prennushit. Anton Prennushi më ka tregue se mbas arrestimit të të jatit Lazer nga xhonturqit, patriotët e Shkodrës mblodhen nji sasi të hollash me të cilen blenë rojen turke të burgut dhe kështu Lazer Pashko Prennushi iku nga burgu i veshun si nji grue myslimane e mblueme. Prej andej Lazer Pashko Prennushi së bashku me të vllan Rrok Pashko Prennushin iken në Budapest (Hungari) dhe mbas disa kohe u vendosen në qytetin italian të Triestes.

Me qenë se Lazer Pashko Prennushi dhe i vllai Rrok Pashko Prennushiu kishin mbarue Shkollen Tregëtare Italiane në Shkoder, të dy vllaznit krijuen në Trieste shoqninë tregëtare “VLLAZEN PRENNUSHI”. Më kan tregue pleqt shkodranë se vllaznit Prennushi bajshin tregëti me Shkoder ku i dergojshin tregëtarve shkodranë pa dallim, mallna të ndryshëm me lehtësina tue u thanë që paret e mallit mund të ua dergojshin kur ta shitshin mallin.

Simbas dokumentit të noterit në Trieste Emilio Candellari të dates 16.06.1921 me nr.11.891 i Protokolit, me firmë të lagalizueme nga konsulli shqiptar Ali Asllaj dhe i perkëthyem në shqip e i legalizuem nga noteri në Shkodër Dr. Eduard Suma, Rrok Pashko Prennushi emnon si perfaqësues të tij të pergjithëshem vllaun Lazer Pashko Prennushi per të veprue edhe në emnin e tij, pra per firmen “VLLAZEN PRENNUSHI”.

Nga ky dokument rezulton pra se firma “Vllazen Prennushi” asht formue para dates 16.06.1921 dhe se lidhjet me Shkodër i kan pasë pak a shumë menjiherë mbas vitit 1918 të mbarimit të luftes së parë botnore. Kjo vertetohet edhe me dy fakte se të dy vllaznit u martuen me gra nga Shkodra, Lazri me Rozen të bijen e tregtarit të njohtun Gjon Daberakut, ndersa Rroku me Luçinë të bijen Simon Shulit. Fakti i dytë asht se fëmijtë e tyne të parë ishin të datëlindjeve të viteve 1920-1922. Kështu ato ruejten pa nderprerje lidhje të ngushta dhe të vazhdueshme me Shqipninë. Të dy vllaznit kan sherbye si mbështetje per shqiptart duke i ndihmue kur ato shkojshin në Trieste.

Paralelisht me aktivitetin e tregëtisë Lazer Pashko Prennushi u muer edhe me mbledhje pullash postare pra me filateli. Mbledhjen e pullave postare ai e pasunoi nepermjet numrit të madh të korrispondences tregëtare që zhvillonte me qytete të ndryshme mbrendë e jashtë Shqipnisë perfshi këtu edhe Shkodren ku ato në rrugen Gjuhadol kishin hapë nji filjal tregëtar per shitje Radiosh. Në këtë dyqan sherbente rediotekniku i njohtun Mati Jubani, i cili kishte krushqi familjare me Rrok Prennushin.

Mbas vdekjes së Lazer Pashko Prennushit pasionin e tij të filatelisë e ka ndjek ma vonë nipi i tij, i biri i të vllait, Pashko Rrok Prennushi (1925-2002), i lindun dhe me banim të perhershëm në Trieste, nji nder filatelistat e njohtun në Itali dhe në rrang europian. Pashko Lazer Prennushi ka qenë zv/ President i Shoqates filatelike Europiane. Ai ka ba shkrime me vlerë në gjuhen italiane rreth filatelisë shqiptare: “Studimi i emisioneve të para të filatelisë shqiptare” ne numrt 63, 64, 65 ne revisten “Filatelia” në muejt mars, prill, maj 1969. Po ashtu e zhvilloi filatelinë shqiptare edhe filatelisti i njohtun Zef Prendushi baxhanaku i Rrok Pashko Prennushit.

Mbasi Lazrit i ra nji smundje e rande, ai u detyrue të këthehej me familje në Shkoder në moshen 51 vjeçare. Mbas nji viti Lazer Pashko Prennushi ndrroi jetë. Simbas fletë-shpalljes së LAJMRIM VDEKJES rezulton se ai vdiq me 17 tetor 1936 dhe se varrimi i tij në Varrezet e Rrëmajit u ba në oren 9.00 të dites së diel me 18 tetor 1936. Simbas dokumentave familiare del se me këtë rast i erdhen familjeve të Lazer dhe Rrok Prennushit shumë telegrame ngushëllimi nga shqiptarë pa dallim besimi, qoftë nga Shkodra si dhe nga shqiptart e shperndamë jashtë Shqipnisë.

Lazer Pashko Prennushi veç grues ka lanë tre fëmij, Marien e martueme në Shkoder me juristin Dr.Emid Tedeschini dhe dy djemt Anton dhe Niko, të cilet kan lindë dhe kan jetue në Trieste.
Firmen “VLLAZEN PRENNUSHI” e qoi perpara me shumë sukses i vllai Rrok Pashko Prennushi karrjera e të cilit do të trajtohet në nji shkrim tjeter.

Pregatiti Paul Tedeschini, 02.04.2017