NGJARJE NË POLIGON

0
1147
Ndue Logu - helikopterë

GJIN MUSA

Pjesë nga libri “Shqiponja e Qiellit” kushtuar deshmorit te atdheut aviatorit NDUE LOGU.Shkruar nga GJIN MUSA

Ajo ishte një ditë si gjithë të tjerat. Një ditë e mezit të shtatorit, me një diell që me kalimin e orëve fillonte e ngrohte më shumë. Në poligonin e qitjes në Farkë të Tiranës ishte një ditë e zakonshme qitjeje luftarake me granata dore. Qitje të tilla ishin normale dy herë në muaj dhe bënin pjesë në përgatitjen e rregullt luftarake të ushtarëve e kuadrove të regjimentit. Shefi i Armatimit të Regjimentit, oficeri Ndue Logu, drejtonte qitjen në poligon. Kishin filluar që në mëngjes, kur dielli sapo ishte ngritur mbi kreshtën e Malit të Dajtit dhe ngrohte me rrezet e tij atë luginë të ngushtë, të rrethuar me kodra të buta të pyllëzuara kryesisht me shqopë. Përmes kodrave, buzë një përroi të vogël, gjarpëronin transhetë luftarake, që i bënin të padukshëm ushtarët gjatë lëvizjeve në orët e stërvitjes.

Ushtarët vinin njëri pas tjetrit në pozicionin nga ku do të hidhnin granatat e dorës në drejtim të objektivit të vendosur brenda një rrethi të bardhë. Synimi ishte për ta hedhur brenda atij rrethi, pasi kishte siguri më të plota preçizioni në asgjësimin e armikut. Granatat e vërteta luftarake shpërthenin me zhurmë e ushtarët uleshin në transhe për të mënjanuar rrezikun e goditjes nga ciflat vdekjeprurëse. Ndue Logu, i ndiqte ata me vëmendje, me përkujdesje, me seriozitet e rreptësi për zbatimin e rregullores dhe të kushteve të sigurimit në poligon. Ai kishte punuar për 25 vjet si pilot dhe si kuadër drejtues i regjimentit të helikopterëve në Farkë.

Por, pas 25 vjetësh, gjatë një vizite mjekësore, mjeku i dha një lajm të papritur e të hidhur për të: Nuk duhej të fluturonte më. Nuk kishte asgjë për t’u shqetësuar në gjendjen e tij shëndetësore në përgjithësi, por pas kaq vitesh në ajër, disa parametra fizike nuk janë më në lartësinë që kërkon një mision i tillë. E priti me hidhërim, por duhej të bindej. Kushtet e punës në aviacion e kërkonin edhe këtë. Kur doli jashtë në oborr, sytë vetvetiu i shkuan nga qielli, ku ai ishte mësuar të ngjitej sikur konkuronte me shqiponjat. E në mendje i erdhën fjalët e Leonardo Da Vinçit: “Njëherë ta keni provuar fluturimin dhe do të ecni tërë jetën me sytë në qiell”. Për të mos u ndarë nga regjimenti, kolegët e ushtarët , pranoi të mbulonte detyrën ushtarake që kryente tani.

Ora po shkonte 11. Bulëza djerse fillonin të dukeshin në ballin e ushtarëve me uniformë, por edhe të komandantit të tyre. Dielli i shtatorit dhe uniforma e bënin punën e tyre. Ishte radha e një djaloshi 19-vjeçar, pak i ndrojtur nga natyra. Ishte i fundit që do të kryente qitjen. Ndueja i rrinte afër, instruksionet e këshillat e momentit, si për secilin. Shokët, të gjithë djem të rinj, 19 – 20 vjeçarë, ishin fare afër e ndiqnin me vëmendje shokun e tyre që do kryente qitjen. Ai, mori nga pozicioni i zjarrit granatën dhe ja hoqi sigurecën. Në fraksione sekonde duhej ta hidhte atë drejt objektivit armik.

Por në momentin kur shtriu krahun për ta hedhur, një çast pasigurie, bëri që granata t’i shpëtonte nga dora e të binte në tokë. Në dorë i kishte mbetur vetëm sigureca. Djaloshi e humbi toruan dhe u zverdh në fytyrë. Momente paniku dramatik tek fytyrat e shokëve. Papritur vdekja ugurzezë ishte shfaqur mes tyre e mund t’ua merrte jetën nga një sekondë në tjetrin. Sytë e tmerruar të të gjithëve ishin drejtuar tek ai objekt në formën e një veze e pak më i madh se ajo, që mund të shpërthente në mijëra copa e t’i godiste për vdekje.

Por, komandanti Ndue nuk e humbi gjakftohtësinë. Truri i tij punoi me shpejtësi marramendëse. Nuk mund të humbej qoftë edhe një fraksion sekonde. Jeta e atyre djemve 20-vjeçarë ishte në rrezik. Ai, si komandant, por edhe si prind, nuk mund ta lejonte këtë. Në shtëpi, kur kishte dalë në mëngjes, kishte lënë në gjumë dy vajzat e tij, ende të vogla, të cilat e prisnin me aq dashuri kur kthehej në darkë. Ata djem kishin prindër që i prisnin të ktheheshin shëndoshë e mirë nga shërbimi ushtarak e drithëroheshin për ta. Komandanti, me shpejtësi të rrufeshme kapi për krahu djaloshin e hutuar nga tmerri dhe e zhyti në transhe, duke e shmangur nga rreziku.

Si një shqipe që hidhet pingul mbi gjarpërin, ai u hodh mbi granatën që ishte duke plasur. Me trupin e tij të lartë prej atleti zuri rrezen midis granatës dhe grupit të ushtarëve. Tentoi ta hidhte drejt objektivit, por granata plasi pa e marrë ende mirë rrugën. Një nga ciflat e mallkuara gjeti krahërorin e komandantit, duke çarë arterien kryesore të trupit të tij, aortën. Ai ra përdhe thuajse pa ndjenja. Gjaku filloi të vërshonte mbi uniformë që nga krahërori. Ushtarët, që i kishin shpëtuar rrezikut, u mblodhën të tërë rreth trupit të Komandantit. Ai, si nëpër gjumë, i hapi sytë me mundim, u hodhi një vështrim, ravijëzoi një buzëqeshje dhe mezi foli: Gjallë jeni të gjithë? E sytë e tij u mbyllën pa pritur përgjigjen…

TRADITË BREZASH

Përpara një ngjarjeje të tillë, gjithësekush mund të bëjë natyrshëm pyetjen: Si është e mundur që njeriu të hidhet kaq lehtë, me vetëdije në krahët e vdekjes, kur fare mirë mund t’i shmangej asaj? Vërtet, Ndue Logu, mjaftonte të zinte ushtarin për krahu e të hidhej bashkë me të brenda transhesë. E do të kishte arritur si për natë gjallë e shëndoshë tek bashkëshortja Vera dhe tek vajzat e tij Albana e Laureta. Po ata djem 20 – vjeçarë, me të cilët e lidhte jo vetëm detyra, por edhe miqësia e dashuria njerëzore prej vëllai apo prej prindi? Ata mbase do të kishin mbetur përjetë aty, shtatore të palëvizshme në poligonin e qitjes.

Një komandant e një njeri si Ndue Logu, nuk mund t’ja lejonte kurrësesi vetes një gjë të tillë. Për të ishte më e lehtë, më e natyrshme e më burrërore hedhja në krahët e vdekjes në emër të jetës së të tjerëve, sesa lënia e të tjerëve në thonjtë e vdekjes. E kjo mund të kuptohet fare mirë vetëm po të kemi parasysh zonën nga vinte ky djalosh me tipare shqiponje dhe traditat e trimërisë e të heroizmit të familjes së tij.

Ndue Logu u lind më 8 maj të vitit 1940 në fshatin Brashtë të zonës së Dukagjinit në malësitë e Shkodrës, pikërisht në prehër të Alpeve. Mjafton të përmendësh krahinën e fillon menjëherë të kuptosh shumë gjëra. Si autor i librit, duke qenë dukagjinas, kam dëshirë të ndalem pak pikërisht mbi ato vlera të pakrahasueshme që mbart kjo zonë e që ua ka ushqyer bashkë me qumështin e nënës edhe bijve e bijave të tij në shekuj e deri në ditët tona. Ato zona me bukuri të egër por të mahnitshme kanë qenë në shekuj teatër betejash të përgjakshme për mbrojtjen e Atdheut dhe të tërësisë territoriale të tij. E në atë teatër ngjarjesh tragjike, bijtë dukagjinas kanë qenë përherë protagonistë. Poeti i mirënjohur Hysni Milloshi shkruan : “Kur sjellim në vëmendje kreshnikët e rapsodive veriore, para syve na del Dukagjini i Shkodrës me rrethinat e tij. Në ato male me bukuri përrallore lindën Ajkunat, Mujot e Halilët.

Bukuritë e jashtëzakonshme natyrore të atyre bjeshkëve madhështore ndikuan që në ato kulla të rriteshin burra me shtat e mendje madhështore. Në ato vise u krijua për herë të parë legjenda e Orëve e Zanave prej fantazisë popullore, gjë që me siguri ka ndodhur në kohërat para Homerike. Sepse vetëm në ato vise me njerëz shtatlartë e plot fuqi të mbinatyrshme mund të besohej një Orë, domethënë një grua shtatlartë me fuqi të mbinatyrshme dhe me hijeshi po aq të jashtëzakonshme. Sepse vetëm në vise si ato të Dukagjinit mund të besohej se rrojnë zanat, vajza të reja me bukuri të jashtëzakonshme e gati të mbinatyrshme si orët, që endeshin pranë krojeve, fushave e lëndinave plot lule, ku dhe shirat derdhen në formë ylberesh. Edhe sot e kësaj dite të krijohet përshtypja se malësorët shtatlartë e fisnikërilartë të Dukagjinit kanë lindur prej Nënës Orë për me mbrojtë vendin, traditat e shenjta, fisin, njeriun…”

Dukagjini. Emri i tij e ka prejardhjen pikërisht nga njëri prej bijve të tij të shquar. Të dhënat historike tregojne se aty nga viti 1281, i pari i kësaj zone ishte Gjin Tanushi. Ai tregoi aftësi të veçanta ushtarake në shërbim të Bizantit dhe për meritat e tij iu dha titulli “Dukë”. Pra Duka Gjin. Me kalimin e kohës titulli me emrin u shkrinë në një të vetëm dhe familja e tij filloi të njihej me emrin familja e Dukagjinëve, çka i dha emrin krahinës e Principatës së Dukagjinëve. Padyshim, personaliteti më i njohur e më i shquar i kësaj familjeje mbetet Lekë Dukagjini, i njohur si për trimëritë e tij në luftë kundër pushtuesve turq, përkrah Skënderbeut dhe pas vdekjes së heroit tonë kombëtar, ashtu edhe për kanunin, që për shekuj me radhë ka qenë kushtetuta e maleve.

Në vitet e zjarrta të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, dukagjinasit ishin një forcë aktive në mbrojtje të tokave shqiptare. Përfaqësuesit e kësaj zone, Mark Lula e Gjekë Gega, ishin pjesëmarrës në Lidhjen e Prizrenit më 15 qershor të vitit 1878. Ndërsa mbi 200 luftëtarë dukagjinas morën pjesë me armë në dorë në betejat kundër aneksimit të tokave shqiptare në Ulqin, Tivar, Hot e Grudë. Faqe të tjera të lavdishme janë edhe krijimi i “Djelmënisë së Shalës” në vitin 1890 nën drejtimin e Mehmet Shpendit. Djemtë e Shalës e të gjithë Dukagjinit morën pjesë në përpjekjet për pavarësinë kombëtare përkrah Dedë Gjo’ Lulit e Bajram Currit. Këto bjeshkë krenare kanë qenë historikisht një bastion i qëndrueshëm përballë rrebesheve të historisë. Në përleshje të përgjakshme me ushtritë malazeze, në korrik të vitit 1915 dhanë jetën 104 luftëtarë të kësaj krahine.

Edhe në vitet e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare dukagjinasit u shquan për patriotizmin dhe atdhedashurinë e tyre, duke u hedhur në luftë kundër pushtuesve. Më 5 nëntor të vitit 1943 ata krijuan çetën partizane të Dukagjinit, e cila në ditën e saj të parë pati 32 luftëtarë.

Pikërisht në këtë vatër që e kishte përherë të ndezur prushin e lirisë e të dashurisë për atdheun, do të spikaste edhe një derë e madhe e një familje e shquar nga Brashta e Shoshit të Dukagjinit, familja e Gjon Marashit. Gjon Marashi do të ishte vazhduesi dhe transmetuesi i denjë i atyre vlerave të kreshnikëve e trimave të mëparshëm të historisë. Krijuesi Prelë Milani e përshkruan kështu këtë trim të maleve të Dukagjinit: “Një burrë sa fin aq edhe madhështor, me temperament e me ndërgjegje të zhvilluar kombëtare, me një zgjuarsi natyrore për t’u adhuruar nga gjithkush, me një bukuri fizike për t’u lakmuar edhe nga zanat e malit”. Ndërsa poeti Hysni Milloshi shkruan: “E kam njohur Gjon Marashin në një konferencë kombëtare veteranësh në qytetin e Korçës. Ai kishte një pamje të mahnitshme malësori, si i lindur e rritur prej Nënës Orë”.

Edhe trungu familjar i Gjon Marashit, kishte traditat e tij të hershme të trimërisë, besës e burrërisë. Babai i tij, Marash Pjetrushi, ishte kushëri i parë me një figurë tjetër legjendare të Dukagjinit, si Marash Tuci. Legjenda e tij u shkrua në pranverën e vitit 1806, kur Valiu i Shkodrës kishte thirrur në besë prijësat krenarë e trima të Nikaj – Mërturit, Ruc Ulën e Bash Vatën. Thirrja e tij nuk kishte qëllime mikpritëse, por prerjeje në besë, për t’u këputur atyre kokat si rebelë ndaj regjimit turk.

Marash Tuci e kuptoi që Valiu po ja përdhoste e shkelte besën, ndaj u hodh si shqipe kundër asqerëve turq për mbrojtjen e dy trimave e luftoi derisa u vra. Një akt sublim në mbrojtje të besës proverbiale shqiptare, të njohur edhe tej kufijve të Shqipërisë. Albanologu i shquar Franc Nopça, duke shkruar për Dukagjinin, thoshte: “Po të jesh në besë, në asnjë vend tjetër të botës nuk do të ishe më i sigurtë”.

Këtë gjak patriotizmi kishte ndër deje edhe Gjon Marashi dhe familja e tij. Ishte ende i ri, 15 vjeç, kur u rreshtua bashkë me vëllezërit e tij më të mëdhenj, Kolën e Mëhillin përkrah luftëtarëve të tjerë në përpjekjet për pavarësi. Kurorëzimin e tij të parë në betejë ai e pati në korrikun e vitit 1915 në Qafë të Agrit kundër forcave malazeze të kryesuara nga Veshoviqi. Më vonë ai ishte kundër regjimit të Zogut, në përkrahje të Fan Nolit. Zogu e kishte dënuar me vdekje dhe i kishte ngritur disa herë kurthe për ta vrarë, por nuk ja arriti qëllimit. Gjon Marashi ishte komandanti i Çetës së parë partizane të Dukagjinit dhe komandant kompanie në batalionin “Perlat Rexhepi”. Edhe vëllai i tij, Mëhilli, ishte aktivist i Luftës Nacionalçlirimtare.

Pas çlirimit, Gjoni ishte aktivist i pa parti në rindërtimin e vendit. Në kongrese kombëtare veteranësh apo të Frontit Demokratik binte në sy xhamadani i tij i kuq, i qëndisur me fije ari e me gajtana, i zbukuruar me dekoratat e shumta që i mbushnin gjoksin. Në vitin 1980 ai u tha Enver Hoxhës e Ramiz Alisë: “Tani jam burrë i vjetër, mos më thërrisni më nëpër kongrese e kuvende. Në vendin tim thërrisni Bal Markun (Milanin), burrë mjaft i mirë e me zë në tërë Dukagjinin”. Edhe ky fakt është një shprehje e zgjuarsisë së malsorit e mbase duhej t’u vlente si shembull atyre figurave politike që nuk largoheshin nga pushteti edhe atëherë kur kishin filluar të rridhnin nga trutë e të bëheshin objekt barcaletash në popull.

Populli i zonës së Dukagjinit, por edhe më gjerë e respektonte shumë Gjon Marashin. Atij i janë dedikuar edhe këngë. Ja njëra prej tyre:

DUKAGJINI KA QITË TRIMA

Dodë Kaçaj

(Këngë për Gjon Marashin, xhaxhai i Ndue Logut)

Dukagjini ka qitë trima,
si qet qielli bubullima,
nji kreshnik kanë rritë këto male,
pushkë e madhe e besë e madhe,
ka rritë bjeshka nji lis me rrema:
Gjoni i Shoshit me shtatë zemra.
Ç’asht kjo pushkë që bjen në Mollë?
Kush po qet në mish kaq hollë?
Kush po i çart xhandarët e Zogut?
Nji kaçak po lufton logut,
s’e merr plumbi, s’e zen pushka,
në shpellë rri ai me harusha.
Kalon rrugë, kalon rreziqe,
tue pritë me gjoks ortiqe,
kërset pushka Lugut të Ashtës,
nam po le ai Gjoni i Brashtës,
me nji plumb vret pesë a gjashtë,
ç’po vret serbë e malazez
i ve në shenjë e i pret përmes.
Duhet kanga njëmijë rreshta,
gjithë ortiqet që ka bjeshka,
të gjitha malet t’kishin gojë
Gjon Marashit t’ì këndojnë.
I thonë krojet eja e pi,
i thonë hijet eja e rri,
zana e malit i ban za:
hajde Gjon se jena gja.
Ç’po kërset kjo pushka e trimit,
Komandantit të Dukagjinit,
Sa në çetë sa në bataljon
I lumtë pushka ç’po lufton.
Në Postrribë atje mbi Boks
I ka pritë gjermanët me gjoks,
I ka dhënë besën Enverit,
Për flamur e fjalë të nderit,
Se gjithmonë do jemë me ty,
Sa ta shoh diellin me sy.
Pranë Enverit në kongrese,
shpesh ka dalë ai me qeleshe,
herë në Tiranë e herë në Shkodër,
ç’asht nji burrë i madh sa nji kodër,
mos asht Muji me gjyslykë,
Enver Hoxha e merr ngrykë
Nji kreshnik shetit në Brashtë,
sheh me mall Shoshin e lashtë,
njashtu zemra ja ka dashtë.
Plaku i bukur del te dera,
sytë i shkojnë nalt te miniera
ky kreshnik, ky lis me rrema,
Gjoni i Shoshit me shtatë zemra.