NJË POET I LIRIKËS SË DASHURISË, I RRAFSHIT TË EPËRM

0
716
Sabit Rrustemi - Hyjnorja ime je ti 1

Timo Mërkuri

Rreth dy vëllimeve poetike “Hyjnorja ime je ti” 1, 2 të Sabit Rrustemit. Botoi Shtëpia botuese “Faik Konica”, Prishtinë 2019

Gjatë leximit të përmbledhjes poetike dy vëllimshme “Hyjnorja ime je ti” të Sabit Rrustemit m’u krijua vetiu një qetësi shpirtërore apo m’u vetë imponua një ndjenjë heshtjeje, e ngjashme me atë në një lutësore kishe. Një lexim i ngadalshëm, i ndërprerë shpesh si një frymëmarrje nga ankthi, një kalim i fletëve me heshtjen e bërjes së kryqit, një përulje e lehtë e kokës mbi tekstin e poezisë thua se përulesha mbi ndonjë ikonë dhe në fund një dritë që vinte prej tekstit, sikur brenda tij të ishte ndezur ndonjë qiri si në të dielën e Pashkës së Madhe. Kjo ndjenjë dukej se reflektohej në subkoshiencën time nga vargjet e poezive… E diela e dashurisë… Le të jetë kjo dita e faljeve / për mëkatet që nuk i themi/ E diel e dashurisë/qoftë çdo ditë… teksa ti këndon lutjen e re… Hyjnesha ime/ mos më le pa atë që ma more…dhe…Hyjnorja ime/ e kam pritur këtë orë lumturi-mi/kam jetuar/për ta dëgjuar magjinë e këtyre buzëve…të dua.

1.
Për këtë gjendje të krijuar ndikimi nis që nga titulli i dy vëllimeve poetike, titull që hyjnizon, shenjtëron femrën, dashurinë për ‘të dhe poezinë kushtuar asaj, “Hyjnorja ime je ti”, titull që dëshmon për ngritjen në altar shenjtërimi të femrës pikërisht për shkak të ndjenjës së dashurisë, asaj ndjenje që aq shumë është penguar me doke e kode zakonore në jetën shqiptare, që shpesh është tulatur nga dëbora dhe ngrica kanunore por gjithsesi ka mbirë si manushaqe e prillit në mes të dëborës…Më ftove sërish për një dashuri/kur të vijë tjetër ditë/ tjetër festë në atë planet /që e gjetëm pas mijëra vjet ecjesh/ dashurish// Imja Hyjneshë…dhe erdhi në jetën tonë e pastër dhe e bukur…U rrëzuan lisat/ si fijet e barit/ zunë udhën/ n’të fund të livadhit/ E dashur/ eja shtegut të ballit/ rreth qerpikëve të djegur mallit…apo shkuan e morën djemtë …E dashur më prit se kthehem/ përmes një gjethi në pranverë/një kënge në verë/apo një fryti në vjeshtë/… Ngricat nuk i presim/I shkrijmë me dashuri …madje edhe duke u kërkuar ndjesë …Më fal dashuria ime,/ më fal/ se shumë më ke dashur/e pak të kam përfillur…duke e ndriçuar në këtë mënyrë me dritën e prozhektorëve të së sotmes moderne vizionin e saj të djeshëm, lënë në haresë, duke shpërthyer hovshëm në hare…Sa më ke munguar-oooh/si më ke rizgjuar/më ke hyjnuar brenda yllësisë sate…E lexoj dhe rilexoj vargun me cilësimin “Hyjnorja ime” dhe ndërmend më vjen Albert Camus që, ndërsa nisej për në Paris, në letrën e tij të fundit drejtuar të dashurës shkroi… .Po vij e dashur…dhe në fund të letrës shtoi “Të bekoj me gjithë shpirt”. Ajo qe fjala e fundit që shkroi në jetën e tij të ndërprerë tragjikisht nga aksidenti i atij fillim janari 1960 në moshën 47 vjeçare. Poetët e shenjtërojnë dashurinë dhe vajzën e dashur me shpirt dhe me vargje, sepse Zotit i pëlqen poezia. Jo më kot edhe hymnet kishtare janë thurur në formë poezie.

2.
Të gjithë poetët kanë shkruar poezi dashurie, madje shumë prej tyre kanë shkruar poezi tepër të realizuara dhe të ndjeshme, poezi që ndrijnë nëpër vëllimet e tyre poetike si copëzat e floririt në rërën e lumenjve, por poezitë e tyre kanë qenë të vetmuara nëpër ato, si një vajzë e bukur që ka humbur rrugën nëpër pyll. Ca më tepër që këndvështrimi i këtyre poezive ka qenë kryesisht dhimbja e një dashurie të parealizuar për arsye të ndryshme, qoftë shoqërore apo refuzime dhe braktisje individuale. Sado të realizuara artistikisht që kanë qenë, të linin një ndjenjë trishtimi në shpirt…

2. a
Përkundër kësaj dukurie, përmbledhja dyvëllimëshe e Sabit Rrustemit “Hyjnorja ime je ti”, e mbushur me krijimtarinë gati dyzet vjeçare të autorit është si një pyll vetëm me pemë e fidanë dashurie. Është rasti i parë në letërsinë shqipe që jepet një përmbledhje e tillë vetëm me poezi dashurie, leximi i të cilave të fut në një botë gati magjepëse.

Poezia është kënga e dashurisë (klithmë dhimbjeje apo hymni i saj), madje edhe perëndia e poezisë, Apoloni me harpën e tij këndonte vetëm këngë dashurie, duke ngjallur hare në Olimp. Që nga antikiteti na vjen mesazhi se dashuria dhe poezia janë të perëndishme që jetojnë në simbiozë me njëra – tjetrën. Natyrshëm poezia shkon te lexuesi (dëgjuesi) nëpër-mjet leximit apo dëgjimit, por në poezinë e Sabit Rrustemit ndodh diçka e ndjeshme, duke e lexuar (apo dëgjuar) këtë poezi, lexuesi /dëgjuesi lëviz drejt saj dhe hyn brenda në botën e poezisë, duke u bërë pjesë e saj nëpërmjet përjetimit të poezisë. Fenomeni i depërtimit të lexuesit brenda poezisë ndodh sa me lexues entuziast dhe të kualifikuar aq dhe me poezi të arrira artistikisht e shpirtërisht. Të dy këto element i ka poezia e Sabit Rrustemit, ndaj është e natyrshme dukuria e cituar. Në Malin e Çepurit e ka selinë poezia e Sabitit si Apoloni në Olimp… Fle rrëzë Çepuri/erën e tij prej mali thith …Tërë natën e lume/nëpër faqe lulesh e gjethesh / strukem / e nuk bëj zë…, duke kërkuar dashurinë…të shoh në çdo lule/peme e flatër zogu… sepse edhe vendi ku takohen të dashuruarit është i shenjtë ose shenjtërohet me dashuri …Çepuri/ deri n’atë kup të qiellit shpërthen/për Ty moj Peri… Aty ku takohemi/në cilëndo botë/përmes të përzjartës dashuri/diell të ri krijojmë… Të krijosh një diell të ri do të thotë të krijosh një botë të re, të krijosh një jetë të re. Këtë magji e ka vetëm dashuria dhe e pasqyron magjishëm vetëm Sabit Rrustemi. Lexojeni dhe jetojeni poezinë e tij, më të bukur do ju bëjë, ju siguroj unë.

2. b
Ajo që karakterizon natyrën e këtyre poezive është poziviteti, besimi absolut në dashuri pa asnjë paramendim. Dhe më kryesorja, ky besim është i dyanshëm, i djalit te vajza si dhe i vajzës te djali … Nuk mërzitem në pritje/as zhgënjehem prej saj/duke pritur ardhjen tënde/…Të ndjej dhe në pritje…/pres derisa pritja të gjunjëzohet/prej pritjes sime….sepse …ti je e tëra me mua edhe kur je larg…prandaj…Veten time e përpive me vete e more /sakaq një perde të kaltër sysh më lëshove/ derisa u fshehe në një yllësi të re/brenda qerpikëve të mi…. Këtë fat ma fali jeta/të të ndjej/ e të të ringjall/në secilin çast…dhe unë….E shijoj/ ashtu siç shijohet një lule/ e dua/ më shumë se sa duhet një lule…Ajo qëmoti ka mbirë në mua/shtat ka lëshuar/dhe unë/oh unë/I mjegulluar sysh nga ëndrra të përnatshme/çuditërisht nuk e kisha vërejtur/derisa më zgjoi aroma e saj…

Vargjet…Çepuri shkrihet nën diell vjeshte/njësoj si unë tek Ti/nën atë zjarr dashurie/Zgjate zot këtë ditë / mos të na ikë pa u kthyer dhe ajo stinë/ / Tek buzët që ëmbëlsohen me zjarrmi… jehojnë si një psalm dashurie shpateve të Çepurit. Me siguri që ky duhet të jetë mal i shenjtëruar me dashuri, e vlen të shkosh për pelegrinazh njëherë aty përderisa poeti ja afron vajzës aq ëmbëlsisht e ngrohtësisht… E dashur/ po e deshe malin/qe ku jam/po e lype detin/qe ku e ke/në shpirtin tim/ dhe mua të tërin/diku thellësive të tua/të paprekura. Ç’mund të të afroj më shumë/pos shpirtit tim/të rinuar prej dashurie…,sepse poeti është i bindur se … Nëse nuk i këndoj asaj që dua/as Librat e Shenjtë s’më falin/e le më të gjallët. Asaj që dua nëse nuk i këndoj / nuk shpëtoj prej mëkatit…

3
Të dashurosh do të thotë të japësh, të dhurosh ndjenjë e siguri, të lutesh e të falesh për tjetrin e jo për vete. Dhe poeti di të dashurojë dhe të lutet… falem/dhe i lutem zotit/ bëje ma të bukur/çdo ditë mbas sodit…sepse poetit i intereson dhe kërkon… vetëm shenjtërimin e saj…

3. a
Të dashurosh do të thotë të besosh te dashuria siç beson Sabit Rrustemi… Ajo mund të vijë me ditën/mund të fshihet me natën/mund të mos bëjë zë/me ditë e net/ Mund të mbyllet si lulja/ nën petale të blerta/me muaj e me vjet…unë do ta ndjej/orë e çast/në secilën sekondë/Orë Zemra do ta kujtojë/si tash…Por ti mos ki frikë/ecë e plotë/si Hëna në t’pesëmbëdhjetë/qiellit të kthjelltë / shndrit syve të mi/…/Një puthje që fluturon ajrit/assesi nuk të tremb/…

3. b
Të dashurosh do të thotë të përkujdesesh për vajzën që dashuron, siç përkujdeset Sabit Rrustemi kur thotë… Nuk do ta trazoj/ as dhe me një puthje/se mos ta prish atë ëndërr/ brenda së cilës më ke fshehur… Kësaj nate që fryn/i tëri jam tek ty/ /Nuk lejoj të të tremb/as edhe një ëndërr / përpos puthjes sime…Nuk do t’ia prish gjumin/a ëndrrën e re që thurr/dhe njëmijë vite po u vonua /s’do ta urrej…Ajo vjen me një trokitje luleje… duke pritur ditë e natë/ atë trokitje/ me aromë luleje…, a mund të thuhet më bukur se kaq? Djaloshi i ndrojtur, sit ë gjithë djemtë e dashuruar nuk dihet në flet a belbëzon me veten… Veç nga larg t’shikoj/e kënaqem kur të shoh si çelesh ….Ty veç të ndjeva/ oh sa të ndjeva/e nuk të preka… Se ç’na kujton përjetimet e dashurisë së parë me këto vargje o Sabit Rrustemi, të lumtë pena.

4
Dashuria të bën më të bukur dhe më të mirë, të pasuron dhe ëmbëlson fjalorin dhe shpirtin … Hape zemrën moj e uruar/qofsh e fushës a e malit zanë/ hape e mere këtë varg…Ai varg që rend pareshtur/që troket e s’pushon/ jam unë moj e mirë…, shihe me sa ëmbëlsi flet autori, me një ëmbëlsi perëndie. Thua se është i mishëruar te vargu si Zoti te fryma e shenjtë. Vetëm kështu shkruhet për dashurinë.

Dhe vajzës së dashuruar vetëm kështu i flitet… aromë e shpirtit tim.… zemra trëndafilore… Lule e Jetës Sime/emblemë dashurie… Orëzemra/në dymbëdhjetë dritare/trokiti/dymbëdhjetë herë/për tu bërë një me ty/përmes puthjesh ….Mermë në krah të gjirit tënd/më përkëdhel si puhi/e ma vajto njëherë/sall dhe njëherë atë synë e zi/ tek jep shenjë për nën lamë/ tek ai bli lahet me hanë/e flokët i than me timin zjarr/ /Ndizem sa herë mendoj për ty…me një fjalor të ëmbël, të ngrohtë e të zgjedhur ku fjalët të rrjedhin si lotët prej syrit…Adresa më e ndritur je Ti/ ditë e Mbarë/ Botës sate i mrekulluar mbes/Nën strehën tënde pushoj/përmes një Nate të Mirë/ me Ëndrën e ëmbël ma dhuron/kujtimin që s’vdes/ Me ty jam/dhe atëherë kur do të lë/pa Lamtumirë. . me një dëshirë e një premtim.. Po vij qetas/pa të trembur/ vetëm për një ëndërr të pafund/me mua…sepse… Më ndez lehtë përmes një fjale./ Prush bëhem i tëri/nga përndezjet e gjuhës sate/ / A nuk shtrihet edhe mbi ty/kjo valë zjarrmie/a nuk të ndez si mua/ajo ekstazë mrekullie/ lugut të dafinës/krojeve të venerës/tek ajo majë mali/ në plisore…

4. a
Interesante në këto poezi është fakti se e njëjta ndjenjë dhe i njëjti mendim a siguri është te të dy të dashuruarit, edhe pa komunikuar me njeri tjetrin, thua se kemi të bëjmë me një ndjenjë telepatie… Ende nuk jam nisur/as zë kam lëshuar/ /Si nuk të mposhtën pritjet/ a s’ma thua e dashur? … Nuk arrita të të ruaj nga vetja. As Veten time nga Ti… Dhe mbete Lulja e Dashurisë/ për shpirtin tim… Shih sa bukur e shpreh poeti dëshirën e tij… Në se kjo natë vjen me ty/mirë se ardhtë/ po erdhi vetëm/ do ta përzë…madje dhe atëherë kur duket sikur s’vjen… Në cilën rremb je fshehur/ e po më prêt moj grishë Çepuri… Ajo hyri tërësisht në mua/duke kaluar portat/ oborrin / shkallët /pas një fjale të vetme/ /Theu dhe drynat e ndryshkur/ dhomave të shpirtit/ Pushtoi çdo gjë timen/të dëshirtë/të ëndërrt/ /Aq sa s’mund ta dëboj më…

5
Sabit Rrustemi ka përdorur një fjalor poetik dhe figuracion të natyrshëm dhe pa sforcime, i cili bën që poezia të lexohet e ndjehet me një kënaqësi të njëjtë me thithjen e ajrit të pastër pranveror, duke treguar në këtë mënyrë elegancën e gjuhës sonë në meloditetin e poezive të tilla por edhe mjeshtërinë e tij poetike.. /…Rrobat lozin në ballkon me gjuhët e erës/Dashuri a ime/gjithësia jote unë jam/ në fronin e zemrës të mbaj …Me ag/fillon vetëm njëra pjesë e ditës./ Pjesa tjetër/ nuk mbyllet pa ty…Nuk e trazoj këtë krua/ ku pinë ujë buzët e tua…Le të bjerë shi me erë e furi/le të bjerë/vetëm le të bjerë/…/ Pas shiut shfaqesh Ti hënë e plotë/ në qiellin e syve të mi.…mbeta nën atë strehë zemre/tek ata sy/…që edhe kur të befason me kthesat e ligjërimit, të krijohet përshtypja se ishte diçka e pritshme, ndonëse jo kaq fine… Në një cep të vetmisë sate/…hyra fshehtas përmes erës// Lule e shpirtit nuk je vetëm/të përftohem pa pushim… Ç’fat i pashkruar/ Ëndrrat e natës/nuk ikin në mëngjes/…Shtegtimet e tyre/shpesh digjen nëpër bebëza…ose …Me hënën në Pesëmbëdhjetë/u mbarsën retë/ Ra shi e shi/tokës së etur gjithandej /solli paqe/ Dhe ty mbi qiellin tim/ si Pogaqe…

Vargjet e tij të lira me një dendësi mendimi që shkojnë rrugëve të poezisë në strofa dy a tre a pak më shumë vargje, si djem të dashuruar duke fërshëllyer lehtazi melodi. Se poezia e Sabit Rrustemit është plot melodi, si pylli në pranverë ku veç zogjve këngëtarë edhe gjethet fëshfërijnë melodi.

Sabit Rrustemi shkruan me vargje të lira përgjithësisht, por poezitë e tij të dashurisë vetëm me vargje të lira, grupuar në strofa me një, dy a pak më shumë vargje mund të shkruhet, prandaj ngjajnë strofat e poezive të tij si grupe djemsh adoloshentë që shëtisin rrugëve të Gjilanit gjer pas mesnate, të zhurmshëm e gazmorë. Në botën e dashurisë së Sabit Rrustemit s’ka vend për vargje të rregullta si skuadra ushtarësh në parakalim. Duhet të jemi të ndërgjegjshëm se çdo poezi ka një natyrë vargu që i përshtatet. Sabiti e ka gjetur vargun që e prezanton poezinë e tij, ashtu si velloja prezanton së largu nusen.

6
Poeti i këndon dashurisë si një ëndrre të bërë realitet vetëm për të personalisht dhe për pasojë, ka bindjen se ai, i dashuruar do jetojë përjetësisht, se vetëm ai e njeh dhe e ka provuar dashurinë, çelësin e përjetësisë… Bota gënjehet nëse mendon/se mund të jetojë pa ne/e dashur…Ajo ëndërr që nuk po e shoh/dashuria ime është./ /. Vetëm po e ndjej se e dëshiroj/ orë e çast po e jetoj…ti je e paprekshmja ime/..ëndërr që nuk shihet/e një jetë të tërë kërkohet… Ecejakeve pas një ëndrre/na mërdhinë fjalët/ / E dashur/acar fjalësh mërdhiu dhe motin/ Mua jotja mungesë … sepse……kjo botë/ është krijuar nga dashuria…

7
Të befason dhe të mrekullon këndvështrimi i autorit për dashurinë, që nga elementet personale tek ai i natyrës, nga subkoshienca njerëzore te elementet atmosferike. Stinët janë thjeshtë kohë dashurie dhe koha varion sipas gjendjes së tyre shpirtërore … Të prisja pas Lame/ te Pojata / Të prisja/ e s’vinte as hëna…Qielli mrrolej/frynte/binte shi. Ti strukeshe/flije në sytë e mi… Prilli i trimërisë/ ruan lulen e Dashurisë/ në dritaren time…E kam parë në ëndërr/ ëndrrën time…E shtuna / mbledh fundjavën/e ik e vetme. Ti / fshehur botës/strukesh në mua/për një të nesërme tjetër. Të dielën do pushojmë/ në sytë e njeri tjetrit/do të lutemi/do të falemi pafundësisht /vetëm për dashurinë…Shiu/dhimbjen nuk e lau/as flladiti. Vetëm ajo kur trokiti/një botë e fjetur/ u shpërgjum /e lindi…

Kjo është poezia e vërtetë e dashurisë që lexohet me ëndje, që rilexohet e admirohet, poezia ku befasohesh nga larmia e figuracionit poetik, madje të dëshirosh të jesh personazhi i tij në vargje…. Deti shtrihet para meje/si një mashtrim ri….Në eter diku/pa oksigjen mbeti kumti… Përmes dashurisë lëshon farë/e mbin mu në zemër/Lulja e Shpirtit. Rrënjët e saj / ujiten me puthje,… ose elegance e paraqitjes së misionit të poezisë si lajmëtare e dashurisë … Ai varg i tëri jam unë/që prehje kërkon në tëndin gji/shpirti im i fshehur në poezi… E dashur rri e qetë/..një varg poezie do të nis andej ku je/ për të thënë atë magji jete me dy fjalë…apo qasja me motive popullore të situatave dashurore… Mollëzat kuq si gjaku/ruhen për majë bajraku. Pa treqind martina e nji mal pritjesh/ajo nuk futet në gji…Dada Hanë namë e s’pranë/t’shitoftë shita qi na le pa zemër/oj Zanë…

Mund të citonim shumë vargje, madje çdo poezi mund të citohej lehtësisht në këtë shkrim dhe nuk do ishte gabim, sepse të gjitha poezitë e përfshira në përmbledhjen dy vëllimshme janë përzgjedhur me kujdes e shije, si gurët e zgjedhur, gdhendur e latuar për të ngritur muret e një kulle, të aftë që të përballojë vrunduj ere të kritikës dhe peshën e dëborës së harrimit.
Me këtë përmbledhje Sabit Rrustemi dëshmoi se është një poet lirik i rrafshit të epërm të poezisë, deri tani i pa krahasuar me asnjë tjetër për poezinë e dashurisë. Individualiteti dhe bota e tij poetike e pasqyruar në këtë përmbledhje flet shumë dhe qartë dhe, së paku në këtë fushë është një botë për eksplorim.

Ndaj dhe mbyllja e fletës së fundit të kësaj përmbledhjeje mbart nga unë dhe një falënderim për Sabit Rrustemin që na pruri një poezi rinore, të pastër dhe të bukur dashurie, duke na treguar se si shkruhet e si duhet të shkruhet sot për dashurinë.

Sarandë, më 28.01.2020

Dërgoi për publikim, Nikë Berisha, poet & shkrimtar