NJERIUN E NDRYSHON – MËSIMI OSE VUAJTJA E MADHE

0
104
Ganimete Pashoja - Rilindja

Kritikë letrare:

Ganimete Pashoja Myftiu, “RILINDJA”, 99 thënie dhe mendime, botim i autorës, Prishtinë 2020.
(“Mënyra më e mirë për ta gjetur veten tënde është ta humbish vetëveten në shërbim të të tjerëve.” G.P.M.)

Nga Shefqet DIBRANI

Libri me thënie, urti dhe poresi, sa mistike po aq kozmopolite, i Ganimete Pashoja Myftiu, është mesazh i strukturuar si vlerë humane, njerëzore dhe kulturore njëkohësisht, që përbëhet nga 99 postulate, disa prej të të cilave janë mirë të realizuara sa ta ndalin frymëmarrjen. E gjitha, si strukturë organike duket të jetë konceptuar për të rrëfyer mendim psikoanalitik, e frymëzuar nga psikoanaliza e Frojdit, dhe sikur të thellohej edhe më tej, në psikoanalizën e zviceranit Karl Gustav Jung, veçmas në shtjellimin e “12 Arketipeve” të njohura si “Ego – Unë”, të individit, jo vetëm këto postulate mirësie, por vet shpirti i njeriut rikthehet në mënyrën më mistike për të materializuar “RILINDJEN”, jo aq si proces, por si domosdoshmëri me të cilën është marrë autorja.

E “RILINDJE” fizike s’ka, por rikuperim të shpirtit dhe shpresës, padyshim se ka dhe mund të ketë, dhe këtë e dëshmojnë këto mesazhe – porosi të kësaj autoreje. Më duket se edhe vet ajo ka pasur këtë synim, për të meremetuar shpirtin e rrëzbitur dhe të degraduar të individit, për ta mëkuar atë dhe për ta kthyer, kuptohet për aq sa mundet në jetën normale. Porosi të tilla i gjejmë në librin “RILINDJA”. Duket se, autorja ka shpenzuar energji duke i kushtuar përkushtim këtij procesi, gërshetuar me përvojën dhe ndodhitë e jetës. Shpeshherë duke mos ua gjetur fillin ngjarjeve, ajo tërë potencialin energjik e mbështet në një fuqi mistike e padukshme e cila kontrollon gjithësinë, fenomen jo si risi, pasi dihet se kështu është ndërtuar universi, dhe janë ndërtuar koncepte të shumta mbi shoqërinë, individin dhe anasjelltas.

E, sikur disa nga këshillat e saj t’i kishte pozicionuar në vetën e tretë, dhe sikur fenomenet të ishin kundruar nga ajo pozitë, e jo nga veta “Ego – Unë”, sigurisht mesazhi do të përjetohej edhe më i thellë, si manifestim i brendshëm psikologjik, ndjenjë kjo jo vetëm e një gruaje, që paska mësuar nga përvojat e saj jetësore, por nga një grua e formuar në sfidat e jetës, qofshin ato udhëtime që i kanë mundësuar kontakte me kultura dhe besëtytni, e qofshin ndodhi që kanë mundur ta tronditin shpirtin e saj, por përgjithësisht kanë zhvilluar një mendim universal në shërbim të shoqërisë njerëzore, qysh nga njeriu i parë e gjerë më sot në kohët moderne.

Koncepti i këtyre thënieve, porosive a postulate këshilluese duket si një mozaik mendimesh, përmes të të cilave autorja bëhet edukuese, këshilluese dhe mbase edhe predikuese, që shpesh përfaqësohet nga “Egoja”, por jo edhe nga “Qëllimi”, përkatësisht “Misioni”, sepse janë thirrje, humane e morale për t’i besuar secili vetës së vet, përkatësisht “Egos-Personale”, edhe pse aty këtu manifestohen si klithje që dalin nga zemra e një nëne në kriza të mëdha, e cila kur është tronditur dhe nuk e ka gjetur shpëtimin e dëshiruar, tërë potencialin e energjisë së akumuluar, e vë në shërbim të Fuqisë së Zotit, nga i cili kërkon ndihmë, për shpëtim a shërim, ta zëmë të shpirtit të lënduar ose për foshnjën, qoftë ajo e sëmur a me nevoja të tjera sociale. Ndoshta këto tronditje atë e kanë vënë përballë dyshimit për arritjet e shkencës së mjekësisë, prandaj ndjenjat mistike përjetohen si forcë hyjnore, që sfidojnë shpirtin në raport me zhvillimet e shkencave moderne.

Nga kjo, mund të themi se autorja fikson forcën shpirtërore në dukuri të pashpjegueshme, dhe nëse ajo në jetë ka patur sukses, është vendosmëria si funksion i jashëzakonshëm për të ngydhënjyer, dhe me këtë për tu bërë Grua e suksesshme, me energji të shumta pozitive, sado që ky rezultat i suksesit kundrohet si mrekulli Hyjnore, mesazhi i shndërruar në fenomen është stërmbushur me veprime humane, prandaj përvojën e vet, autorja guximshëm e predikon si vlerë dhe njëkohësisht ka rrezatuar mendime pozitive në shërbim të të tjerëve, dukuri që nuk i posedojnë miliona gra të tjera në rruzullin tokësor, prandaj duhet të kuptohet se sfidat dhe përvojat jetësore atë e kanë bërë të fortë dhe me besim në suksesin e arritur, si qenie njerëzore sado që ato vlera i amplifikon si të ardhura nga Hyji.

Ganimete Pashoja Myftiu, me këto mesazhe të strukturuara si porosi humane, ca hyjnore e mistike, ka synim për të ndryshuar shpirtin e përvuajtur, shpirtin në kriza të mëdha që mund të kaloj njeriu, ndërsa suksesin e këtij mesazhi, si porosi e transformon në vullnet për të jetuar, përkatësisht për tu RILINDUR, jo aq hyjnishëm sa realisht për t’iu kthyer jetës dhe dashurisë për të jetuar, që është një meremetim e meritokraci e shpirtit, që si përjetim shpirtëror mund të rikuperohet si mushkëritë për jetën e njeriut, përpjekje kjo e rifituar dhe si vullnet i shtuar, prandaj materializohet koncepti RILINDJA, qoftë ajo individuale, e njeriut të shkatërruar, nga padrejtësitë gjinore, nga fenomene të ndryshme ose nga tragjeditë natyrore dhe luftërat e shumta dhe padrejtësitë të cilat i shkaktojnë mendjet e krisura dhe vet dora e njeriut harbut, ndërsa porosia e atores rezulton të bëhet fanar i suksesit për dritë edhe kur ajo nuk duket fare në horizont.

Kjo mënyrë e të shprehurit, i jep lexuesit për të kuptuar se sa e rëndësishme është për të qenë vetvetja, nëse dëshirojmë për t’i ndihmuar tjetrit dhe shoqërisë në përgjithësi, përkatësisht për të “zgjedhur veprimin, ndërsa urtësinë për të arritur suksesin si mision përçues i mesazhit se vullneti kurdoherë e sfidon pengesën, çfarëdo që të jetë ajo. Shoqëria njerëzore ka përvoja të mëdha dhe të shumta, e nëpër këto përvoja kanë lindur dhe janë formuar personalitet e famshme,” duket sikur edhe vet autorja është pjesë e këtij procesi, pjesë e këtyre dukurive të cilat i ka sfiduar për të jetuar dhe vepruar, që në aspektin mistik do t’i kategorizonim si RILINDJE për vete dhe të tjerët.

Këto 99 postulate, nuk janë gjë më shumë se mesazhe për t’i shërbyer njeriut, në sfidat e jetës, në vështirësitë e tij. E këtë e gjejm edhe në parathënien e këtij libri, me format xhepi, me lidhje të fortë dhe me një strukturë organike mirë të sistemuar.

“Të gjitha idetë frymëzuese vinë nga një Burim Universal, nga Bota e Ideve, nga Universi, nga Perëndia apo Zoti”, shkruan autorja, dhe fare nuk ka rëndësi burimi i tyre, me rëndësi është “që ne ta njohim ekzistimin e një Qendre të Vibracionit Kozmik që funksionon në harmoni të plotë,” dhe më tutje ajo saktëson se “rëndësi është që ne ta ndiejmë veten pjesë të Universit”, këtë universe ku luhen dramat më tragjike në të cilat individi “harron se i takon diçkaje shumë më të madhe se ajo që Njeriu është në gjendje ta perceptojmë” dhe gradualisht hasim në një element mbi të cilin është ndërtuar koncepti i besimit në RILINDJE, kur autorja pohon se: “Pikërisht ashtu ndihem dhe unë pas rilindjes së djalit tonë Fatit.

Përmes thënieve, lutjeve, përgjërimeve në vijim, unë dua ta përjetësoj falendrimin tonë ndaj Cenacolos, vendit të mrekullive,” duke vënë atributin e saj të suksesit mbi Shkollën e Jetës Cenacolo, kurse përjetimin e fenomenit e shndërron në frymëzim përjetues duke iu shërbyer të tjerëve, përkatësisht lexuesve të mundshëm të këtij libri, sa i veçantë po aq frymëzues.

Edhe kur lexon mendimin se: “Në një vend të qeverisur mirë, duhet të kesh turp nga varfëria. Në një vend si Kosova, duhet të kesh turp nga pasuria.” Po ashtu autorja ka ndërtuar mendim fisnik edhe mbi fenomenet e ndryshme dhe të përditshme në rrjetat sociale. Ja si shprehet ajo: “Të gjorë janë ata që suksesin e masin me numrin e ndjekësve në rrjete sociale. Suksesi matet me atë se sa e vërtetë je ti ndaj shtegut të jetës. Nëse nuk je i vërtetë në këtë shteg, asnjë shteg shoqëror kurrë nuk do të kënaqë. Nëse je i vërtetë në shtegun tënd, mënyra se si të pranon bota ka pak rëndësi.

Tashmë e ke gjetur rrugën e jetës.” Këto mendime që i theksuam, që nuk janë të vetmet, i fuqizojnë edhe mendimet e shprehura për fenomene e botëkuptime, qofshin, mistike, hyjnore a kozmopolite, sepse sipas autorës “Synimi kryesor i rrjeteve publike të komunikimit duhet të jetë promovim i edukimit publik,” dhe“Nëse je neutral në situata të padrejtësisë, ti e ke zgjedhur anën e abuzuesit,” që duket se është vërejtje e saktë, ndërsa në anën tjetër, sipas autorës, “Apokalipsa është vetëm një shpalosje e mjerimit shpirtëror.”

Për të sjell tek lexuesi një pasqyrë më të kompletuar të lëtyre thënieve – mesazheve humane, ne po sjellimnjë vistër porosish nga libri “RILINDJA”: “Vdekja nuk është humbja më e madhe në jetë. Humbja më e madhe në jetë është ajo që ne lejojmë të vdesë derisa jemi gjallë”; “Lotët e grave do ta rimëkëmbin njerëzimin”; “Brengat nuk shërohen duke i fshehur, por duke i rrëfyer”; “Nuk duhet të jesh gjeni të jesh njeri i mirë”; “Të gjitha format e agjërimit çojnë drejt fisnikërimit shpirtëror”; “Pasioni i Dashurisë është shndërruesi më i madh i dhimbjes në forcë”; “Frymëzimi është manifestim kulminant i dashurisë hyjnore”; “Shenjtorët nuk ndërtuan kisha apo tempuj.

Ata e kishin kuptuar të vërtetën se kur e bën të shenjtë çdo frymë, ti vetë bëhesh tempulli”; “Dikur kam menduar se lutja i ndryshon gjërat. Por, tani e di se lutja na ndyshon ne dhe ne jemi ata që i ndryshojmë gjërat”; “Po ta dinim të Vërtetën, që të gjithë do të mbeteshim pa veprimtari”; “Profetët nuk ishin të preokupuar që të sigurojnë ithtarë. Për të gjithë ata, më me rëndësi ishte shpërndarja e një mesazhi, në thelb, të njejtë. Mesazhi i tyre ishte dashuria dhe kuptimi i jetës.

Është njeriu, injoranca dhe epshi për kontroll që e ka zvetënuar mesazhin dhe i kanë mësuar njerëzit të luftojnë kundër njeri-tjetrit. Do të ishte tallje të mos besoje se sa shumë dhimbje i ka sjellur kjo njerëzimit”; “Jam e gatshme të mësoj në çdo kohë. (Të jesh i gatshëm të mësosh në çdo kohë)”; “Çmimi i çdo gjëje është i barabartë me kohën që ti jep nga jeta jote për të”; “Edukimi është arma më e fuqishme me të cilën mund ta ndryshosh botën”; “Hyjnorja jeton në zemrat e dëlira”; “Sprovat e jetës nuk vijnë për të na dënuar por për ta na zgjuar”; “Mos ndiq rrugën, por shko aty ku nuk ka udhë dhe krijo shtegun tënd”; “Mëso nga çdokush, veçanërisht nga armiqët e tu”; “E vetmja mënyrë për të ndërtuar ura është të shohim hyjninë te njëri-tjetri”, etj.

Libri “RILINDJA”, përmbyllet me këshillën e 99 e cila rezulton të përbëhet nga gjashtë shkronja: SHKRUAJ!…

Prishtinë, 24.10.2021.