NUMRI I MADH I PARTIVE POLITIKE MUND TA DËMTOJË INTERESIN KOMBËTAR

0
107
Xhelal Zejneli

Xhelal Zejneli

Në hapësirën politike shqiptare ka numër të madh partish politike. Sipas të dhënave të Komisionit qendror të zgjedhjeve, të vitit 2014, në Shqipëri kanë qenë të regjistruara 124 parti politike. Në zgjedhjet vendore të vitit 2015 kanë marrë pjesë 54 parti politike. Parti kryesore janë Partia Socialiste dhe Partia Demokratike.

Kosovë ka 47 parti politike. Deputetë në Kuvendin e Kosovës kanë tetë parti politike. Në skenën politike figurojnë edhe tetë parti të tjera politike të vogla. Minoritetet në Kosovë kanë 31 parti politike. Ka raste kur një minoritet të ketë disa parti politike. Tetë parti politike të Kosovës, që kanë vepruar më parë, tanimë nuk veprojnë politikisht, përkatësisht nuk ekzistojnë.

Kosovën lindore (Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë) veprojnë pesë parti politike: Partia për Veprim Demokratik, Alternative për Ndryshime, Lëvizja për Progres Demokratik, Lëvizja për Reforma e Partisë Demokratike Shqiptare dhe Partia Demokratike.

Mal të Zi ka disa parti politike shqiptare. Në vitin 2020 këtu vepruan pesë forca politike shqiptare: Alternative Shqiptare, Forca, Lëvizja Demokratike Shqiptare, Unioni i Tuzit, Perspektiva. Janë edhe tri parti të tjera: Partia Demokratike, Unioni Demokratik i Shqiptarëve dhe Lidhja Demokratike në Mal të Zi. Kjo e fundit është themeluar në vitin 1990 me në krye Memet Bardhin.

Maqedoninë e Veriut veprojnë 43 parti politike. Kuvendi i Maqedonisë së Veriut përbëhet prej deputetëve të 22 partive politike: koalicioni i LSDM-së me 6 parti të tjera, koalicioni i VMRO-s me 6 parti të tjera, si dhe deputetët e 8 partive të tjera.

Në Maqedoninë e Veriut figurojnë edhe 11 parti jashtëparlamentare, 8 parti të minoriteteve, 2 parti politike shqiptare – PPD-ja dhe RDK-ja.

Në Maqedoninë e Veriut janë edhe 6 ish-parti, që tanimë nuk ekzistojnë.

Në hapësirën politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut veprojnë: Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), Aleanca për Shqiptarët (ASh), Lëvizja Besa, Alternativa, Partia Demokratike Shqiptare, Partia për Shtet dhe Drejtësi, e themeluar në vitin 2018. Në zgjedhjet vendore të vitit në vazhdim, për këshilltarë të këshillit bashkiak të bashkisë së Tetovës, mori  pjesë edhe Nisma “Më mirë për Tetovën”, e cila – sipas të dhënave të KQZ-së – fitoi 2.842 vota, përkatësisht 7.41 për qind të numrit të përgjithshëm të votuesve të bashkisë së sipërthënë.

*    *   *

            Po të kihet parasysh numri i banorëve apo i popullatës shqiptare në Kosovën lindore   (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë) si dhe në Mal të Zi, do të nxjerrim përfundimin se numri i partive politike shqiptare në këto dy hapësira është i madh dhe i panevojshëm, për të mos thënë i dëmshëm. Numri i madh i partive shqiptare në këto hapësira ndikon që vota e votuesit shqiptar ta humb peshën, vlerën apo rëndësinë e vet. Përpos kësaj, ndodh që në Mal të Zi, parti shqiptare e caktuar të manipulohet nga ndonjë parti malazeze apo nga pushtetarët malazias.

Edhe në Kosovë, numri i partive politike është tejet i madh. Numri i madh i partive krijon mundësinë e konflikteve, zënkave, denigrimeve dhe të përçarjeve për qëllime personale apo të grupeve. Kur kemi shumë parti politike, ndonjëra prej tyre qëllon të jetë parti e ndonjë bajraktari, parti e fisit, e zonës, e rajonit apo e krahinës. Numri i madh i partive politike bëhet pengesë për ndërtimin e politikës kombëtare, përkatësisht shtetërore, për ndërtimin e strategjisë kombëtare, d.m.th. shtetërore, për përkufizimin e interesit shtetëror. Në një shtet të vogël me shumë parti politike, vlojnë zënkat, konfliktet, denigrimet dhe përçarjet ndërpartiake. Kjo ka për pasojë që shteti i vogël dhe ekonomikisht i pazhvilluar të harxhojë energji për çështjet që fare s’kanë të bëjnë me interesin shtetëror. Në rastin e Kosovës, kjo shkon në favor të armikut – Serbisë.

Shoqërisë i duhet zhvillimi ekonomik, zhvillimi i parimeve demokratike dhe ndërtimi i shtetit ligjor. Shteti i vogël, me shumë parti politike dhe me ekonomi të pazhvilluar, vështirë e ka të zhvillojë ekonominë, të zhvillojë demokracinë dhe të ndërtojë shtet ligjor. Në shtetin e tillë korrupsioni dhe nepotizmi s’kanë të ndalur dhe s’kanë të sosur. Në shtetin e tillë lehtë politizohen dhe partizohen sistemi i arsimit, sistemi i shëndetësisë, administrata publike, të gjitha poret e shoqërisë. Në shtetin e tillë lihet hapësirë edhe për veprimin e kontrabandës.

Në Shqipëri ka shumë parti, por dy janë kryesore – Partia Demokratike dhe Partia Socialiste, ndërsa në Kosovë, janë më shumë se dy – Lëvizja Vetëvendosje, Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës etj.

*   *   *

Partitë janë grupe interesi. Është e drejtë e një grupi të formulojë, të artikulojë dhe të përkufizojë ide apo ideologji të caktuar, me interes shoqëror më të gjerë. In ultima linea, po qe se një parti politike apo një subjekt politik nuk mbulon një interes shoqëror më të gjerë se interesi i individit apo i grupit të ngushtë, ajo parti apo ai subjekt, vjen një ditë dhe shuhet vetvetiu. Mirëpo popujt me probleme politike, ekonomike dhe sociale s’kanë shumë kohë të merren me eksperimente të tilla.

Partitë politike nuk lindin rastësisht. Lëvizjet politike apo partitë, lindin kryesisht në momente historike të caktuara. Momente historike mund të jenë luftërat çlirimtare. Ka raste kur partitë politike lindin në momente krizash të theksuara politike, ekonomike, sociale dhe morale. Jashtë këtyre momenteve vështirë lindin partitë. Ato mund të regjistrohen si subjekte politike, por vështirë shtrihen në shoqëri. Ka raste kur një subjekt politik krijohet me kërkesën dhe me mbështetjen financiare të një shteti të jashtëm.

Në shumë raste partitë politike manipulojnë me kauzën kombëtare, me interesin kombëtar apo me interesin e përgjithshëm. Nuk mund të qëndrosh me vite dhe dekada në pushtet në emër të kauzës kombëtare apo në emër të shqiptarizmit. Askush s’ka të drejtë të keqpërdorë kauzën kombëtare apo interesin kombëtar, vetëm e vetëm për të ruajtur interesin një individ, një grup, një koniunkturë apo një nomenklaturë. Marrëveshja e Ohrit duhej të ishte implementuar në vitin 2004 apo 2005. Që atëherë kanë kaluar gati dy dekada. Për këtë vonesë dhe për këtë prolongim askush s’mbajti përgjegjësi.

Ka raste kur partitë politike të mëdha i mbyllin dyert e veta për të rinjtë, për inteligjencien dhe për ekspertët e lëmenjve të ndryshëm. Në partinë e tillë, vite me radhë të njëjtët njerëz rrotullohen nga posti në post, nga detyra në detyrë, nga dikasteri në dikaster. Ka raste kur i njëjti person katër a pesë herë bëhet deputet kuvendi. Ka raste kur i njëjti person katër a pesë herë bëhet këshilltar bashkie. Ndërkohë, një i ri i shkolluar, nuk përfillet, shpërfillet, nëpërkëmbet, injorohet, margjinalizohet, konsiderohet i tepërt, i panevojshëm.

Partia në të cilën të njëjtët njerëz vite me radhë rrotullohen nga posti në post, mund të qëndrojë në skenën politike vetëm nëse nuk kanë opozitë të fortë. Partia që sundon vite me radhë me të njëjtët njerëz, pashmangshëm zhytet në korrupsion dhe në nepotizëm. Në rrethana të tilla, doemos lind pakënaqësia në shoqëri, sidomos ndër të rinjtë të konsideruar të tepërt dhe ndër inteligjencien e shpërfillur, të anashkaluar dhe të injoruar. Partia e tillë që mbizotëron apo që sundon me vite me të njëjtët njerëz, gëzon mbështetjen e oportunistëve, e konformistëve, e poltronëve, e pseudointelektualëve, e kalemxhinjve, e pakurrizorëve, e butakëve, e mediumeve të kontrolluara prej saj, e analistëve mercenarë.

Kur i riu i shkolluar vëren sesi shoku i tij i klasës apo i gjeneratës i cili për nga suksesi në shkollë ka qenë shumë më i dobët se ai, me mbështetjen e ndokujt ngjitet në pozita politike apo shoqërore, s’i mbetet tjetër përvese – i zhgënjyer dhe i rezignuar – të marrë rrugën për në Gjermani.

Me fjalë të tjera, në rrethana krizash politike, ekonomike, sociale dhe morale lindin parti të reja.

*   *   *

Pluralizmi politik, pluralizmi ideologjik si dhe pluralizmi i interesave janë vlera demokratike. Megjithëkëtë, në hapësirën politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut do të ishte më mirë të ketë jo më shumë se dy parti politike: Bashkimi Demokratik për Integrim, në një anë dhe të gjitha partitë e tjera, në anën tjetër. Me fjalë të tjera, Aleanca për Shqiptarët, Lëvizja Besa, Alternativa, Partia Demokratike Shqiptare do të mundë të shkriheshin në një subjekt politik të vetëm  Këtij subjekti do të mundë t’i bashkëngjitej edhe ndonjë grup apo parti tjetër   që ka shtrirje më të reduktuar. Me dy parti politike, faktori politik shqiptar do të faktorizohej. Kështu i fragmentarizuar, faktori politik shqiptar është i defaktorizuar. Politika kombëtare nuk është matematikë: Pa dy a tre deputetët e mi nuk mund të krijohet qeveria. Ti mund të krijosh qeveri dhe të hyjsh në të, por interesin shqiptar nuk e realizon dot.

ShBA-ja ka mbi 325 milionë banorë. Ka dhe shumë parti politike, por vetëm dy janë kryesoret – Partia republikane si dhe Partia Demokratike. Franca metropolitane ka mbi 61 milionë banorë. Edhe në të veprojnë shumë parti, por tri sosh janë kryesore.

*   *   *

Faktori politik shqiptar duhet të veprojë për t’i mbrojtur arritjet e deritashme, duke artikuluar njëherazi edhe kërkesa të tjera.

Këtu, edhe tridhjetë vjet pas pluralizmit, ekzistojnë punë që kanë të bëjnë me çështjet themelore kombëtare. Viset shqiptare, që nga Struga deri në Likovë, kanë ngecur ekonomikisht. Shqiptarët, si asnjë popull tjetër në botë, figurojnë si 20 për qind. Në një qytet me shumicë absolute shqiptare, qe tridhjetë vjet nuk mund ta ndërrosh emërtimin e një shkolle fillore apo të mesme. Në një qytet me shumicë absolute shqiptare rrugët nuk mund t’i emërtosh me emra të figurave apo të personaliteteve shqiptare.

Faktori politik shqiptar i përbërë prej dy subjekteve politike do të gëzonte respekt më të madh, si nga pala sllavo-maqedonase, ashtu edhe nga ndërkombëtarët. Nuk shkohet në takim me palën sllavo-maqedonase, kur ke pas vetes vetëm një apo dy-tre deputetë. Nuk shkohet në takim me ambasadorët e vendeve perëndimore apo me të dërguarit e tyre, kur ke pas vetes jo më shumë se një apo dy-tre deputetë. Kënd përfaqëson “lideri” në atë takim?! Në emër të kujt flet ai?!

Shqiptarët meritojnë më shumë se kaq. Sentenca antike: ”Si është populli, e tillë është qeveria”, në rastin e shqiptarëve nuk mund të jetë e pranueshme. Sentenca: “Çdo popull ka liri aq sa meriton” në rastin e shqiptarëve është jopërkatëse. Shqiptarët, që nga viti 1991 deri më sot, i janë përgjigjur çdo thirrjeje të faktorit politik, pa kursyer punën, djersën, mundin, dijen, mjetet financiare. As edhe gjakun.